FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, një ditë para protestës tek bashkia e Tiranës, deklaroi se, shikon vetëm fitore. ‘Këtu nga Rruga e Shpresës, nga ky ballkon, nga ky podium unë shoh një horizont që nuk e kemi parë 11 vite! Unë shoh fitore, fitore, fitore!’, deklaroi kryedemokrati Sali Berisha.
Duke folur në tubimin qytetar, lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi se triumfi i opozitës është triumfi i shqiptarëve. Sipas Berisha, shqiptarët me ardhjen e opozitës në pushtet do të përfitojnë dyfishim të rrogave dhe pensioneve. ‘Nuk do ketë më muaj që nuk shtyhen dot’, tha deklaroi kryedemokrati Berisha.
Kreu i demokratëve, Sali Berisha ka siguruar opozitarët se në horizontin përpara duket qartë rikthimi në pushtet i Partisë Demokratike. Duke renditur skandalet korruptive të qeverisë së Edi Ramës, Berisha deklaroi në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, se ‘dimri i gjatë i opozitës po mbaron’.
Lideri i opozitës Sali Berisha, duke folur në tubimin qytetar, deklaroi se, RAI 3 dhe televizioni i Belgjikës e zhveshën Edi Ramën nga fasada dhe propaganda, duke e nxjerrë siç është, Noriega e Ballkanit.
Në fjalën e tij në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se përballja e nesërme te shtëpia e parë e qytetarëve të Tiranës është më e rëndësishmja. Berisha ka bërë thirrje që qytetarët të bëhen bashkë dhe të protestojnë në orën 16:30 tek Bashkia e Tiranës.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, i ka drejtuar një thirrje qytetarëve që të bashkohen të martën, në orën 16:30, në protestën para Bashkisë së Tiranës, për të ruajtur identitetin tonë, në një aleancë të vlerave që besojmë.
FJALA E PLOTE
Të dashur qytetarë dhe qytetare! Të nderuar qëndrestare dhe qëndrestarë. Heronj të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë.
Çdo muaj. Çdo javë. Çdo ditë dhe çdo orë ju zhvilloni një betejë epike. Një qëndresë të admirueshme. Të denjë për secilin qytetar që e quan veten shqiptar, që i thotë lirisë, liri dhe dinjitetit njerëzor, dinjitet.
Ju qëndruat në ditët më të zeza të demokracisë.
Ju përhapët dritë në natën e saj.
Ju qëndruat në ditët më të acarta për pluralizmin.
Nën stuhitë më të egra ndaj narkoshteti të bandave dhe krimit kundër opozitës shqiptare.
Ju qëndruat këtu përditë në ‘Rrugën e Shpresës’.
Por të dashur miq, tani ne jemi në një stinë tjetër.
Dhe nuk e kam fjalën për përfundimin e stinës së dimrit. Po e kam fjalën për përfundimin e stinës 11-vjeçare të Rilindjes shkatërrimtare të kombit shqiptar dhe të Edi Ramës.
Të dashur miq!
Pranvera e lirisë, pranvera e shpresës ka nisur në të katër anët e vendit.
Flladi i tyre po freskon, po ushqen mendjet dhe zemrat e shqiptarëve
Këtu nga Rruga e Shpresës, nga ky ballkon, nga ky podium unë shoh një horizont që nuk e kemi parë 11 vite!
Unë shoh fitore, fitore, fitore!
Triumfin e opozitës ndaj së keqes!
Triumfi i opozitës është triumfi i shqiptarëve me dyfishim të rrogave. Nuk do ketë më muaj që nuk shtyhen dot.
Nuk do ketë më shpenzime të papritura që i dëshpërojnë qytetarët.
Nuk do ketë më kursime në shportën e ushqimeve apo lista borxhesh në dyqane, për bukë dhe ushqime.
Jo, kurrë më!
Shqiptari do paguhet, aq sa muajin do ta jetoj me gjithë të mirat e merituara.
Sepse Partia Demokratike nuk do i kthejë paratë e tyre në hotele luksoze të qeveritarëve të pangopur.
Nuk do i zhdukë paratë e tyre në vrimat e zeza të llogarive offshore.
Nuk do ndërtojë rrugë me 20-30 milionë euro kilometri.
Nuk do ndërtojë shkolla me 10-fishin e çmimeve të BE.
Jo dhe Jo!
Paratë e qytetarëve do të kthehen në rrugë, shkolla, në të mira, shërbime, por mbi të gjitha në rruga siç u kthyen atëherë kur u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë, por rrogat u dyfishuan.
Në horizontin përpara, unë shoh triumf.
Triumfin e çdo pensionisti me dyfishim dhe më shumë të pensioneve. Nuk do ketë më drama. Nuk do ketë më moshë të tretë, që ndahet para kohe nga kjo botë sepse nuk siguron dot ilaçe.
Nuk do ketë më të sëmurë të cilët mjekohen muaj e muaj me ilaçe të tjera dhe jo me ato që u duhen.
Triumfi i opozitës do jetë triumfi i rinisë, triumfi i arsimit, triumfi i shëndetësisë.
Por mbi të gjitha, triumfi i Shqipërisë. Duke ndaluar shpopullimin. Duke i hyrë punës fuqishëm, për të kompensuar këtë dekadë të humbur, më e egra në shpopullim në dekada dhe shekuj.
T’i kthehemi rrugës së integrimit europian. Ky është misioni ynë.
T’i kthehemi luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
Rrugës së shkallmimit të narkoshtetit, të Olsi Ramës, Edi Ramës, Xhafës, Tahirit, bandave, Don Agaçios dhe kriminelëve të tjerë në pushtet.
Rrugës të shkallmimit të korrupsionit të Edi Ramës, ministrave të tij, zyrtarëve makutë që rrjepin nga mëngjesi në darkë qytetarët shqiptarë.
Në horizontin përpara duket qartë rikthimi në pushtet i Partisë Demokratike.
Rikthimi i dinjitetit. Rikthimi te vlerat. Rikthimi te Familja dhe shenjtëria e saj, të cilën Edi Rama pasi fundi nocionin shkatërrimtar të Prindit 1 dhe 2, tani ka çuar ligjin e Prindit asnjë. Makabritet.
Të dashur miq!
Ky dimër i gjatë opozite po përfundon. Përpara kemi një pranverë fitoreje.
Përpara kemi një verë ndryshimi.
Dhe ne do fitojmë sepse e provuam këto dy vite se çfarë kocke e pamposhtur jemi ne.
E provuam këto dy vite se kush jemi ne shqiptarët e vërtetë.
E provuam këto dy vite se çfarë luanësh jemi ne kur marrim në dorë fatin tonë, dinjitetin tonë.
E provuam këto dy vite se ne jemi shpresa e vetme e shqiptarëve.
Ne do fitojmë. Sepse jemi ne shpresa, për të përtharë lotët e nënave shqiptare që janë ndarë nga fëmijët e tyre në emigrim.
Ne do të fitojmë. Sepse jemi ne shpresa për ata qindra mijëra shqiptarë, që vuajnë çdo ditë diktaturën e çmimeve.
Ne do fitojmë sepse jemi vetëm ne shpresa për të përtharë lotët e ftohta të mjerimit në fytyrën e pensionistëve tanë.
Ne do fitojmë sepse ne jemi shpresa e vetme për të mundur dhunën e krimit të organizuar. Për të mundur përçmimin e ministrave hajdutë të Edi Ramës, përçmimin e kryetarëve të bashkive të Edi Ramës.
Dhe poshtërimin që Edi Rama ka guxuar t’u bëjë shqiptarëve.
Ne do fitojmë sepse ne jemi shpresa e vetme për pluralizmin dhe demokracinë.
Ne do fitojmë sepse Edi Ramën sot po e sheh gjithë bota se cili është ai dhe se çfarë përfaqëson.
Në fillimet e tij në politikë, u shfaq një foto lakuriq e Edi Ramës. Ju e mbani mend.
Edhe në fundin e tij politik, Edi Ramës po i del sërish një foto e lakuriq. Por kjo fotografi po tregon një pamje shumë herë më të pështirë se ajo e para.
Rai 3 e zhveshi Edi Ramën nga teshat e fasadës. E nxori si Noriegën e Ballkanit dhe Europës. Demaskoi “drejtësinë e re” në fakt si “drejtësia e Ramës”. Me Skapin që lufton opozitën. Me gjykatat e kapura nga Don Agaçio. Me sistemin e drejtësisë, që amniston krimet e Edi Ramës.
Miqtë e mi, të gjitha këto i kemi thënë me qindra e mijëra herë.
Denoncuam Saimir Tahirin si Saimir Balilin, por Edi Rama dhe miqtë e tij që paguheshin, e dërguan në Shtëpinë e Bardhë.
Denoncuam Geron Xhafën se drejtonte trafiqet e Vlorës me vëllain ministër dhe Fatmirin.
Denoncuam Olsi Ramën si anëtar kryesor të grupit të Xibrakës. Jo njëherë, por dhjetëra herë.
Denoncuam kanabizimin e Shqipërisë.
Denoncuam ngritjen në Shqipëri të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Miqtë e miq, një javë më parë, radiotelevizioni kombëtar i Belgjikës, RTL, në një akt të pandodhur ndonjëherë, dha lajmin për Mbretrinë e Belgjikës dhe mbarë Europën se kryetari i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë ishte kryetari i grupeve trafikante të Mbretërisë së Belgjikës. Garanti kryesor i larjes së parave të tyre.
Ndaj dhe Edi Ramën e kemi zhveshur, por kësaj here, nën tesha ke vetëm krim, drogë, vjedhje, vetëm tradhti të lartë ndaj shqiptarëve.
Ky është vetëm fillimi. Dhe i them Edi Ramës: prite, prite opozitën së do të tregojë sa të vlen lëkura o narkotrafikant, o hajdut i pafytyrë, i pashembullt.
Dije mirë, bëji hesapet, këto janë muajt e fundit të pushtetit tënd të krimit, të mafies, të vjedhjes.
Dije mirë se nga ky podium i të vërtetës, bota do mësojë të vërtetën kush je. Nga këtu, çdo shqiptar do konfirmojë se kush je ti Edi Rama.
Një tradhtar antishqiptar, që ke sunduar, vjedhur, dhe shpopulluar 10 vite Shqipërinë si pushtuesi më i egër, më çnjerëzor.
Miqtë e mi.
Triumfi i opozitës është i pashmangshëm.
Por kemi ende detyra përpara. Kemi ende përballje për të bërë.
Më e rëndësishmja është përballja e ditës së nesërme e orës 16:30 minuta te shtëpia e parë e qytetarëve të Tiranës, shtëpia e parë e kryeqytetit të vendit.
Po, po, kjo është përballja më e rëndësishme, sepse mendoni vetëm kaq.
Erion Veliaj ka vjedhur 130 milionë për një incenerator që nuk ekziston.
Dhe e ka amnistuar Altin Veliaj sikur t’i kishte paratë e Dumanit të tij dhe jo të qytetarëve shqiptarë.
Ja ku po të them o faqezi se lojën me paratë e shqiptarëve do e paguash gjer në një.
Nuk ka forcë që të mbron ty dhe Erionin tënd.
Erion Veliaj ka vjedhur 100% të tenderave me drejtorët e tij. Kurse Altin Veliaj nuk guxon as t’i përmendë emrin as në rastin e dosjeve të inceneratorëve, as në rastin e dosjes së famshme të Veliajt dhe hajdutëve të tij.
Erion Veliaj ka vjedhur fondet e 1 milion fidanëve në Tiranë.
Ka poshtëruar qytetarët e Tiranës, duke ju vjedhur taksat për t’i bërë hotele luksi dhe pallate.
Mban të uzurpuar shtëpinë e parë të Tiranës. Shtëpinë e qytetarëve.
Dhe një herë: Erion, mos e prit nesër popullin në zyrë se gjyqi do të bëhet në sheshin Skënderbej.
Jep dorëheqjen, shporru, qëorhu!
Të dashur qytetarë, mos harroni se shpresa e çdo shqiptari jeni vetëm ju.
Ditën e nesërme, përgjigja jonë do të jetë ekzemplare, ajo e çdo evropiani që vidhet 100 përqind.
Ajo e çdo evropiani kur i vidhen qindra miliona euro të zhdukura pa nam dhe nishan.
Zemërimi ynë do të jetë i pakufishëm sepse e pakufishme është vjedhja e tyre.
Nesër nën moton të nxjerrim hajdutin nga shtëpia, të gjithë te bashkia.
Të dashur miq!
Opozita është bashkë. Opozita është në këmbë. Opozita është gati për fitore.
Por sot, përsëri në emër tuaj dhe të PD, dua t’i bëj thirrje çdo force opozitare që nuk është bashkuar ende në këtë betejë.
Çdo aktivisti opozitar.
Çdo qytetari me dinjitet.
Çdo lëvizjeje opozitare.
Të gjithë organizatave të vërteta të shoqërisë civile që nuk janë satelite të partisë së krimit.
Të jeni kundra Edi Ramës nuk do të thotë detyrimisht që jeni me ne. Por vetëm me ne, ju mund ta rrëzoni Edi Ramën.
Vetëm bashkë ne mund të rrëzojmë Edi Ramën. Prandaj të mblidhemi të gjithë nesër, duke ruajtur identitetin tonë, në një aleancë të vlerave që besojmë.
Kundër aleancës së qelbësirave të Ramës.
Në një aleancë patriotësh, kundër aleancës së tradhtarëve si Edi Rama.
Në një aleancë vlerash.
Aleancë për pluralizmin.
Aleancë për zgjedhje të lira.
Aleancë për kulturën shqiptare.
Aleancë për të ardhmen e Shqipërisë.
Por mbi të gjitha, aleancë për fitore. Sepse bashkë ne fitojmë!
Prandaj nesër, në ora 16:30, ta bëjmë shembull kryehajdutin e Tiranës.
Ta varim në shtyllën e turpit të historisë.
Të çlirojmë bashkinë nga kalbësira dhe e keqja.
O sot o kurrë.
Më të fortë se herën e fundit.
Më të shumtë se herën e fundit.
Më të vendosur se herën e fundit.
Fitorja po na pret.
Aksion. Zemërim. Aksion. Zemërim.
Rrofshi ju. Rroftë Partia Demokratike. Rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!