Berisha: Të largojmë këtë të keqe të madhe që ka pushtuar Shqipërinë. Të krijojmë qeverinë teknike dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTAKT

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në tubimin qytetar kundër arrestimit politik të tij është shprehur se rrugë tjetër për t’u marrë me diktaturën, përveç mosbindjes civile nuk ka.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, tha se rruga e vetme e shpëtimit është rruga e mosbindjes civile. Berisha u shpreh se duhet të largojmë të keqen e madhe që ka pushtuar Shqipërinë.

‘Rruga e largimit nga pushteti të kësaj qeverie, të këtij njeriu që ka sot të gjitha pushtetet në duart e tij.

‘Edi Rama me Lindën e tij në parlament bllokon heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës, kësaj hajduteje të paskrupullt’, tha lideri i opozitës, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në ditën e 85 të tubimit qytetar.

Berisha tha se si ka mundësi që ish-kryetari i bashkisë Goro burgoset për hotelin e Olta Xhaçkës.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, u shpreh se e shoqja e Arben Ahmetajt u mor e pandehur si hakmarrje për akuzat që ish-zv/kryeministri lëshoi ndaj Edi Ramës. Berisha tha se ajo u mor e pandehur me pretekstin se Mirel Mërtiri, apo nuk mbaj mend cili prej tyre, i paska paguar pllakat e kuzhinës dhe të banjos.

FJALA E PLOTE

Të dashur misionare dhe misionarë, të guximit, të nderit, dinjitetit njerëzor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Ju përshëndes përzemërsisht ju me mirënjohje të pakufishme.

Përshëndes oratorët tuaj, të cilët me fjalët e tyre, çojnë në të katër anët e Shqipërisë dritën e të vërtetës, guximit dhe shpresës te shqiptarët.

Të dashur miq!

Në historinë e lirisë së shqiptarëve, sot është një ditë e rëndësishme.

Me 26 mars të vitit 1990, grupi antikomunist i djemve të Kavajës zhvilloi një ndër betejat më epike kundër diktaturës së Enver Hoxhës.

Ata njëlloj si gladiatorë zgjodhën për shesh beteje stadiumin e qytetit.

Ilir dhe Rexhep Rugeja, Salaudin Cara, Safet Becerri dhe shumë të tjerë, vendosën të shndërrojnë ndeshjen e futbollit në një ndeshje të pabarabartë, në një ndeshje që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë, me diktaturën komuniste.

Miqtë e mi!

Atë ditë stadiumi i mbushur me sambistë, me forca speciale, priste momentin për t’u vërsulur kundër guximtarëve të demokracisë.

Ata u vërsulën me shtazëri kundër Ilir Rugesë dhe guximtarëve të tjerë.

Por qyteti i Kavajës nuk u mposht. Qyteti i Kavajës rrethoi komisariatin për të çliruar bijtë e tij.

Kavaja fitoi. Fitoi betejën dhe në fakt Kavaja u çlirua atë ditë.

Të dashur miq!

Sot pas 33 vitesh, natyrisht ajo ditë duket e largët.

Por ajo ditë, edhe sot është më aktuale se kurrë.

Ajo ditë na frymëzon ne dhe duhet të frymëzojë çdo shqiptar se guximi është kushti i fitoreve.

Se fitoret janë vetëm me guximtarët.

Në mars të vitit 1990, 34 vite më parë, nuk kishte PD, nuk kishte pluralizëm, kishte vetëm diktaturë të egër që vriste dhe pushkatonte të rinj në kufi.

Por kjo nuk i trembi guximtarët e Kavajës, misionarët e Kavajës.

Përkundrazi, ata u ngritën si viganë, u përballën me forcat më të egra të regjimit dhe e mposhtën, e nënshtruan.

Pra, duke shprehur ne sot nderimin më të madh për heronjtë, trimat, guximtarët e 26 marsit, ftoj shqiptarët të frymëzohen prej tyre, prej guximit të tyre, vendosmërisë së tyre dhe të përmbushin detyrimin madhor si qytetarë, si demokratë, si opozitarë, çlirimin e Shqipërisë nga kjo diktaturë.

Mos harroni se me 26 mars të vitit 1990, regjimi bënte natën dhe ditën, nuk kishte opozitë.

Izolimi vazhdonte i plotë.

Por luftëtarët e lirisë nuk i zmbrapsi asgjë atë ditë.

Dolën në shesh.

Vepra e tyre është ftesë për ne: të dalim në shesh, të dalim si ata, të dalim në stadiume, të dalim në rrugë, të dalim kudo, të përballemi me diktaturën.

Rruga e vetme e shpëtimit është rruga e mosbindjes civile.

Rruga e largimit nga pushteti të kësaj qeverie, të këtij njeriu që ka sot të gjitha pushtetet në duart e tij.

Në vitin 1990, djemtë e Kavajës nuk kishin përveç njëri-tjetrit asnjë mbështetje mbi tokë.

Por kjo nuk i pengoi ata të përballen dhëmb për dhëmb në mosbindje civile me të keqen e kombit, me të keqen e shoqërisë dhe të fitojnë mbi të.

Duke shprehur nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme, për heronjtë e betejës epike të stadiumit dhe qytetit të Kavajës 34 vite më parë, ftoj shqiptarët të frymëzohen nga akti i tyre epik dhe të fitojmë.

Të largojmë dhe ne këtë të keqe të madhe që ka pushtuar Shqipërinë.

Të dashur miq!

Çdo ditë që kalon, kjo diktaturë e bazuar në aleancën me krimin, vjedhjen dhe drogën, bëhet edhe më e shëmtuar, edhe më e egër, edhe më e ligë.

Çdo shqiptar për interesin e tij më të mirë, për dinjitetin e tij, të shtrojë pyetjen për zhvillimet e fundit.

Si ka mundësi që ish-kryetari i bashkisë Goro burgoset për hotelin e Olta Xhaçkës? Arjan Gaçe Menaxhment Hotel vazhdon funksionon sikur të ishte me kredencialet më të larta.

Ndërsa Goro ndodhet në qeli pse firmosi falsifikimet e burrit strategjik të Olta Xhaçkës.

Olta, prej 10 muajsh, Edi Rama me Lindën e tij në parlament, bllokon heqjen e mandatit të kësaj hajduteje të paskrupullt, që e bëri burrin strategjik duke vjedhur pronat e qytetarëve të Himarës.

Por më falni, pse ndodh kjo?

Kjo ndodh sepse Edi Rama, kujtoni pak, kur njëlloj siç mbronte Beqën me gërshërët e thyera dhe pincat e thyera, mbronte vjedhjen e Oltës dhe të shoqit, duke u thënë gazetarëve se nuk ka asnjë ankesë për pronat aty, se gjithçka është në përputhje me ligjin.

Kjo se Edi Rama ishte aksioner i Oltës, i Artanit dhe i të gjithë hajdutëve të bregut.

A do pranojmë ne mashtrime të tilla?

A do pranojmë ne mbrojtjen që i bën Altin Dumani, ky faqezi që nuk ka nder as moral dhe as ligj, që arreston me urdhër dhe është bërë parzmore me grupin e tij kriminal, i krimeve monstruoze të qeverisë?

Miqtë e mi!

Dje kanë marrë të pandehur, të shoqen e Arben Ahmetajt si hakmarrje për akuzat që lëshoi mbi Edi Ramën.

Me pretekstin se Mirel Mërtiri, apo nuk mbaj mend cili prej tyre, i paska paguar pllakat e kuzhinës dhe të banjos.

A ka përqeshje më të madhe se kjo or miq?

Në një kohë kur 130 milionë euro janë zhdukur pa nam dhe nishan.

Dhe Damani me kriminelët e tjerë në SPAK, nuk guxon të marrë të pandehur Erion Veliajn që ka firmosur kontratën, ka firmosur ndryshimin e trajtimit të mbetjeve, ka firmosur se do raportojë çdo muaj për çdo situacion pune.

Dhe në betimin e tij, në firmën e tij, janë zhdukur 130 milionë euro të djegësit të Tiranës.

Janë zhdukur në konton bankare të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, të cilët dhanë bonusin 8 pikë, një sipërmarrje që ekzistonte vetëm në kokën e tyre.

Por këta i mbron Dumani, i mbron Kraja, i mbrojnë këta kriminelë që nuk i ka pasur Shqipëria ndonjëherë.

Dhe mendojnë se do mashtrojnë ju, do mashtrojnë shqiptarët duke arrestuar Gorot dhe goro të tjerë.

Miqtë e mi, korrupsioni është mynxyrë.

Është mynxyrë e madhe!

Është rrënimtar.

Ndaj dhe edhe njëherë, rikthehem te stadiumi i Kavajës 34 vite më parë.

Rrugë tjetër për t’u marrë me diktaturën, përveç mosbindjes civile nuk ka.

Ndaj duhet guxim, guxim dhe guxim. Dhe të shporrim, të largojmë nga pushteti këtë bandë, këtë aleancë të pushtetit me krimin.

Të krijojmë qeverinë teknike, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Koha është e guximtarëve, guximtareve.

Ndaj dhe koha ka ardhur, çdo ditë që kalon është ditë e humbur të ecur të sigurt drejt fitores që na pret.

Drejt fitores që meritojmë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale