FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka përshëndetur presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe konventën e mbledhur.
Duke folur në rrugën e Shpresës, kryedemokrati Sali Berisha ka lëshuar kushtrimin për të gjithë demokratët dhe opozitarët. ‘Ja të vdesim, ja të rrojmë, ky është kushtrimi ynë! Nuk ka forcë në botë që të na ndalojë ne!’, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Opozita nuk vdes kurrë, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar. Sipas tij, ‘Edi Rama, ky antishqiptar mendon se do zhdukë opozitën me mercenarë si Dumani!’
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të martën në orën 16:30 të gjithë të mblidhen tek bashkia e Tiranës. ‘Të gjithë të martën në ora 16:30 te bashkia, shtëpia e parë e Tiranës, shtëpia e qytetarëve, ta pastrojmë nga hajnat dhe fundërrinat.’, tha kryedemokrati Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma, përshëndetjet më të zjarrta luftëtarëve të lirisë, qëndrestarëve të pamposhtur.
Urimet më të përzemërta presidentit të Partisë së Lirisë, anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve të saj për konventën historike, konventën e kthesës, konventën e betejës fitimtare.
Një përshëndetje të përzemërt zonjës së nderuar, atdhetares së flaktë, intelektuales, bashkëpunëtores të ngushtë të presidentit Rugova, zonjës Edita Tahiri.
Një nderim të madh, të veçantë heroit të vërtetë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, Ylli Bodinakut, vepra e të cilit është sot më frymëzuese se kurrë.
Miqtë e mi, Ylli Bodinaku është ai qëndrestar, ai qytetar, ai shqiptar që vendosi në emër të lirisë të niset drejt vdekjes, nën moton o sot o kurrë dhe theu në Tiranë, Murin e Berlinit.
Ylli Bodinaku kur ndërmori aktin e tij nuk kishte mbrapa një parti, kishte idealet e tij dhe kauzën e drejtë për të cilën ai vendosi të sakrifikojë dhe jetën pa marrë parasysh asgjë sepse i tha vetes, ose i lirë dhe me dinjitet, ose i vdekur. Kështu nuk durohet.
Të dashur miq!
Sot ne përballemi pas 32 vitesh me një diktaturë më të keqe se ajo e vitit 1990.
Me një diktaturë, eksponentët e të cilës vjedhin qytetarët shqiptarë çdo ditë dhe na poshtërojnë.
Eksponentët e të cilës shkelmojnë ligjet dhe Kushtetutën për interesat e pasurimit të tyre.
Drejtues të të cilës, Edi Rama, Erion Veliaj, Taulant Balla janë simbole më të nxira të antishqiptarizmit.
Miqtë e mi!
Shqipëria ka qindra mijëra opozitarë për të cilët kam respektin më të madh.
Por çdo opozitar, çdo qytetar i këtij vendi duhet ta ketë të qartë si kristali se koha sot është e luftëtarëve.
Se koha është e guximtarëve.
Se koha është e atyre që marrin vendime si Bodinaku 32 vite më parë.
Se koha është e atyre që vendosin të mbrojnë dinjitetin, me çdo çmim, me çdo kusht.
Koha është e atyre që i thonë vetes, ata që po na poshtërojnë në këtë mënyrë, ata që nuk njohin kufi në armiqësinë ndaj nesh, do përballen me zemërimin tonë, zemërimin e pakufishëm, zemërimin gjer në fitore.
Edhe njëherë këtu para jush kam një përshëndetje të përzemërt për ata burra dhe gra, por veçanërisht për ato zonja, nëna, motra që çanë barrikadën të premten e kaluar, përmbysën barrikadën që mbronte hajdutët.
Nderim të madh.
Nuk ka forcë në botë që të na ndalojë ne!
Miqtë e mi, a mundet që njerëzit e idealeve, a mundet që qytetarët patriotë, atdhedashës, a mundet që qytetarët liridashës të shtypen, të poshtërohen nga një grusht hajdutësh të shpifur?
Kurrë nuk duhet të pranojmë!
Të gatshëm për çdo sakrificë.
Secili nga ne të mos harrojë himnet tona, ato kanë qenë motivi, lajtmotivi i ekzistencës së shqiptarëve.
Ja të vdesim, ja të rrojmë, ky është kushtrimi ynë.
T’u themi shqiptarëve se ne po luftojmë kundër varfërisë tënde, kundër vjedhjes tënde nga këta qeveritarë, kundër poshtërimit tënd, kundër zbimit tënd nga vendi i fëmijëve të tu.
Bashkohu me ne se ne këtë betejë do e fitojmë.
Se nuk ka forcë, se idealet tona janë më të forta se çdo blind, se çdo barrikadë, se çdo mur, se çdo derë, se çdo gjë.
Edi Rama, ky antishqiptar, ky hajdut i papërmbajtur, ky kriminel i shpifur mendon se do zhdukë opozitën me mercenarë, horra si Dumanë e kompani.
Miqtë e mi, do mjerohen ata që përballen me opozitën.
Opozita është morali i kombit.
Opozita është dinjiteti i kombit.
Opozita është sovraniteti i kombit.
Opozita në këtë vend nuk vdes kurrë pa u shuar fara jonë.
Miqtë e mi!
Qytetarë dhe qytetare, ndaluni për një moment, shikoni me kë përballemi.
Përballemi me Edi Ramën, njeriun që ka larguar në 10 vite një të tretën e shqiptarëve nga Shqipëria.
Njeriun që e shndërroi kryeqytetin e shqiptarëve në Beogradin e dytë për Kosovën.
Njeriun, i cili me firmë vjedh qindra e qindra milionë parë në buxhet dhe prona publike.
Njeriu që me mercenarë arreston opozitën.
Njeriun që drejton trafikun e drogës me vëllain e tij.
Njeriun, që mban sekretar të përgjithshëm një mafioz të shpifur sepse është vetë më mafioz.
Një javë më përpara, RAI3 i bëri biografinë Noriegës së Ballkanit dhe Europës.
Mbrëmë, radiotelevizioni më i madh i mbretërisë së Belgjikës ia nxori emrin të lidhur me larjen e parave dhe trafikantë droge.
Në gjykatat amerikane është dënuar McGonigal se e korruptoi me 220 mijë dollarë.
Çfarë presim ne? Sulm, betejë, betejë dhe sulm!
E marta është larg. Po vjen.
Të gjithë të martën në ora 16:30 te bashkia, shtëpia e parë e Tiranës, shtëpia e qytetarëve, ta pastrojmë nga hajnat dhe fundërrinat.
Ndaj dhe e shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë një thirrje çdo politikani që e ndjen veten opozitar.
Çdo aktivisti, çdo anëtari të shoqërisë civile, çdo intelektuali, bashkohuni në këtë betejë për jetë ose vdekje të demokracisë.
Në këtë betejë që do e fitojmë.
Në këtë betejë që ecim të sigurt drejt fitores.
Të gjithë në betejë.
Edhe njëherë, të mos harrojmë aktin e Bodinakut.
Të mos harrojmë aktin e atyre qindra e mijëra burrave që dolën para skuadrave të pushkatimit, që morën rrugët e burgjeve dhe kampeve për t’i thënë të vërtetës, të vërtetë. Për të mbrojtur kauzën e tyre, për të mbrojtur idealet e tyre.
Fitorja na pret, fitorja është në duart tona.
Të marrin fatin në duart tona.
Betejë pa kthim.
Mosbindje civile.
Fitore, fitore, fitore!
Fitorja na pret, përpara të gjithë.
Fitorja na pret!