FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend ditën e sotme, akuzoi qeverinë për korrupsion dhe e cilësoi prioritet kryesor të parlamentit hetimin e vjedhjeve që ai ia atribuon binomit Edi Rama-Belinda Balluku.
Ai ngriti si çështje urgjente edhe problemin e naftës, duke kundërshtuar deklaratën e kryeministrit se Europa nuk subvencionon më karburantin për fermerët. Sipas Berishës, vendet e Bashkimit Europian vazhdojnë ta mbështesin këtë sektor, madje përmendi se Gjermania ka rritur subvencionet.
Berisha kërkoi rikthimin e subvencionimit të naftës në Shqipëri dhe heqjen e taksave për fermerët dhe transportin publik, duke argumentuar se kostot e larta kanë ndikuar negativisht në bujqësi dhe kanë sjellë reduktim të linjave të autobusëve.
Në përfundim, kryetari i PD, kritikoi ashpër qeverinë për favorizim të interesave të industrisë së naftës dhe kërkoi që çështja të hidhet për votim në parlament.
FJALA E PLOTË
Ky parlament nuk mund të ketë, në qoftë se mban parasysh interesin e qytetarëve shqiptarë, në axhendë tjetër veçse vjedhjet e binomit Rama-Balluku.
Çështja e dytë që ky parlament duhet të debatojë dhe t’i japë zgjidhje është çështja e naftës.
Kreu i juaj u deklaroi socialistëve në Lushnjë se Europa nuk subvencionon më naftën.
Një mashtrim të turpshëm, të paskrupullt dhe ju që qeshni, ju bëni skllavin këtu.
Sepse sfidoj çdo njeri dhe çdo shqiptar, të gjejë një vend të vetëm anëtar të BE që të mos subvencionojë naftën për fermerët.
Përkundrazi, Gjermania e rriti këtë vit subvencionin dhe mundet edhe vendet e tjera.
Të shkosh dhe të deklarosh vetëm pse janë socialistë dhe mund t’u thuash çdo gjë, se Europa nuk subvencionon më naftën, bën një akt cinik, një mashtrim ndaj rreth 40 përqind të shqiptarëve, që ç’është e vërteta është pjesa që djersin më shumë, që sakrifikon më shumë qoftë për kafshatën, qoftë për prosperitetin e vet dhe të vendit.
Ndaj dhe ju që jeni këtu, ose gjeni një vend në BE që nuk jep subvencione nafte, ose damkoseni drejtuesin tuaj si një mashtrues ordiner, që në çdo fjalë nxjerr një mashtrim dhe vendosim këtu të rikthejmë me ligj subvencionin e naftës duke hequr ndaj saj çdo taksë jo vetëm për fermerët, por edhe për transportin publik.
Ju e morët vesh se u pakësuan me 40 përqind linjat e autobusëve, ndaj dhe të bëjmë këtu një ndërhyrje urgjente që të subvencionojmë fermerët.
Vijnë miliarderët e naftës dhe e marrin me 600 lekë naftën, dhe ata kanë rëndësi në ekonomi se hapin shishe shampanje me Ramën.
Po ky është turp mo, a përfaqësoni ju apo ata fermerë apo jo?
Duhet ta hedhësh në votim këtë çështje.


