Berisha: Të bashkohemi të premten për fitoren e frymës evropiane. Të premten të flakim qelbësirën, kalbësirën e bashkisë  

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë fjalës në tubimin e përnatshëm qytetar, u bërë thirrje banorëve të Tiranës që të premten të bashkohen në tubimin kundër Erion Veliajt.  ‘Të bashkohemi të premten për fitoren e frymës evropiane, fitoren e shpirtit europian të qytetarëve shqiptarë’, tha Berisha.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, u shpreh gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar se Erjon Veliaj me modelin 100 përqind ka vjedhur me drejtorët e tij 38 milionë euro. Berisha tha se nuk ka kryebashkiak kund në Europë, as në botë, që t’i thotë qytetit, t’i thotë qytetarëve se kam mbjellë 1 milion pemë vetëm për të vjedhur shumat e blerjes së 1 milion fidanëve.

Kryedemokrati Sali Berisha ka zbardhur skemën e abuzimeve financiare me tenderat e Bashkisë Tiranë. Në fjalë e mbajtur në protestën maratonë që zhvillohet në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj se i ka dhënë firmës Fusha 58 tendera, që të gjitha me 98 përqind të fondit limit.

Në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha tha se, qeverisja e PD-së vetëm në 3 vitet e para, duke përdorur garën e hapur në tenderime kurseu 500 milionë euro.

Sipas Berishës, këto para u përdorën më pas për të rritur pagat në administratë.

‘Të premten të flakim qelbësirën, kalbësirën e bashkisë për të flakur me radhë kalbësirat e tjera’, u shpreh lideri i opozitës, Sali Berisha, në tubimin qytetar, dy ditë para protestës së thirrur nga opozita para Bashkisë së Tiranës,  për të kërkuar largimin e Erion Veliajt nga zyra e Kryebashkiakut. ‘Duhet të shpëtojnë Shqipërinë.  Kjo nuk bëhet pa sakrifica’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohje të pakufishme, nderimin tim më të madh qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të dinjitetit, shpresës.

Një përshëndetje demokrateve dhe demokratëve kudo që janë dhe ftesa ime ta shndërrojmë këto orë, këto kohë që na ndajnë nga dita e premte, dita e betejës, dita e fitores.

Ta shndërrojmë në një kohë pune intensive, takimesh intensive me qytetarët, me studentët, me të rinjtë, me pensionistët, me bizneset.

Të bashkohemi të premten për fitoren e frymës evropiane.

Fitoren e shpirtit europian të qytetarëve shqiptarë.

Fitoren e ndershmërisë së qytetarëve të kryeqytetit, të cilët nuk mund të pajtohen kurrë të kenë si qytetar të parë, njeriun që i poshtëron ata duke i vjedhur më keq, më egër, më pa mëshirë se çdo kryebashkiak tjetër i planetit.

Të dashur miq, nuk ka qytet në botë që do të duronte as 24 orë një kryebashkiak që ka groposur 130 milionë euro për djegësin e Tiranës dhe sot nuk ka nam as nishan.

Dhe sot paratë kanë përfunduar në kontot offshore të Erion Velisë dhe Edi Ramës.

Sot nuk ka zgjidhje tjetër, nuk ka rrugë tjetër, nuk ka shpëtim tjetër përveç zemërimit popullor.

Përveç revoltës.

Përveç përmbysjes!

Miqtë e mi!

Nuk ka kryebashkiak kund në Europë, as në botë, që t’i thotë qytetit, t’i thotë qytetarëve se kam mbjellë 1 milion pemë vetëm për të vjedhur shumat e blerjes së 1 milion fidanëve.

Ku i ke pemët Erion, që meriton çdo cilësor mbrapa, por po e ruaj gojën se ti meriton çdo cilësor?

Ku janë 1 milion pemët? Kush i vodhi? A e dinë qytetarët se janë blerë pisha me çmime 5600 euro, me çmime 6200 euro?

Këta hajdutë nuk kanë mëshirë, këtyre hajnia ua ka zhveshur shpirtin nga çdo gjë.

Ndaj dhe e premtja është larg për t’i dhënë atë që meriton.

Miqtë e mi!

Të premten të gjithë te bashkia, të shpëtojmë Tiranën, të shpëtojmë Shqipërinë.

A ka kryetar bashkie në Europë apo në botë që vjedh paratë për kopshtet e fëmijëve?

Që tenderon kopshtin 3 herë dhe nuk i gjendet nam as nishan.

A ka njeri të pangopur si ky Erion Veliaj, që ndërton shkollën me 8 milionë euro, me 10 milionë euro, në një kohë kur Bashkimi Evropian ndërton shkolla me 600 mijë euro, me 800 mijë euro?

A ka në Europë, në botë hajdut të dytë si ky që i jep paratë e taksapaguesve me tender vëllait për t’i bërë dasmën? Edhe dasmën e bën mbi hajninë në kështjellën e Gjirokastrës?

A ka turp më të madh për ne, për kryeqytetin, se të mbajmë një njeri si ky?

Të dashur miq, sot po kontrolloja publikimet mbi tenderat e Tiranës.

Është marrë vesh se me modelin 100 përqind ka vjedhur me drejtorët e tij 38 milionë euro.

Vjedhur 100 përqind.

A mund të tolerohet ky? Po nuk ka turp më të madh se të jetë ky kryetar bashkie?

Nuk ka turp më të madh se të mos jetë ky atje ku e kanë vendin hajdutët më të shpifur të një kombi, të një vendi.

Sot, thashë, po kontrolloja tenderimet dhe çfarë mund t’u them?

Erion Veliaj i ka dhënë firmës Fusha 58 tendera.

58 tendera!

Që të gjitha me 98 përqind të fondit limit.

Miqtë e mi, një nga mënyrat më të pamëshirë të vjedhjes së tyre është kjo që vijon.

Bëjnë pazarin paraprakisht. Kompania thotë se unë këtë objekt e ndërtoj, po marr shifër arbitrare, për 200 milionë lekë. Hajduti i bashkisë apo i qeverisë, i thotë jo, këtë do ta ndërtosh me 400 milionë, por 200 milionë do i ndajmë së bashku.

Ose i thotë, do e ndërtosh me 600 milionë dhe këto do i ndajmë së bashku.

Çfarë ndodh këtu? Çfarë qëndron këtu? Këtu qëndron ai mekanizëm se pse çmimet në Shqipëri janë 5 herë më të mëdha në ndërtim se në Europë.

Janë 10 herë më të mëdha se në Europë.

Por janë edhe 12, 14 herë.

Këtu para jush kam sjellë shembullin se në Kroaci, autostrada 27 metër e gjerë, 15 kilometra autostradë nga Osijeku në Bjelli Manastir, u ndërtua me 27 milionë euro.

1 kilometër të Shqiponja është ndërtuar me 30 milionë euro sepse këto i caktojnë përpara sa do vjedhin, sa do ndajnë së bashku.

E dyta, jo vetëm rrisin çmimet, por këta tenderojnë me çmimet më të larta. Pra, çmimet kufitare më të larta.

Ju thashë për 58 tenderat e Fushës së Erion Veliajt. Të gjitha janë fituar në total me 97.8 përqind.

Të dashur miq, në këto vjedhje qëndron edhe fatkeqësia e madhe, qëndron zbrazja e shqiptarëve, e Shqipërisë, qëndron bllokimi i rritjes së rrogave, qëndron bllokimi i rritjes së pensioneve.

Kujtoni pak, në vitin 2006-2013, u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë. U ndërtuan autostrada, superstrada që transformuan Shqipërinë.

U ndërtuan 1300 shkolla dhe objekte arsimore.

U ndërtuan mbi 400 qendra shëndetësore dhe spitale të vogla.

U ndërtuan 700 sisteme kanalizimesh.

Dhe megjithatë, u dyfishuan rrogat.

Vetëm tre vitet e para, me garën e hapur në tenderime, qeveria në atë kohë kurseu 500 milionë euro, me të cilat rriti rrogat.

Urdhëroni pra se si vidhen paratë tuaja.

Në tre vite, mesatarja e fondeve të prokurimit ishte mesatarisht 30 përqind nën fondin limit.

Dhe ato përbënin çdo vit të paktën 150 milionë euro.

Dhe këto 150 milionë euro çdo vit mjaftonin për të ecur drejt rritjes dhe dyfishimit të rrogave.

Pra, të këpusin Nyjën Gordiane, të ndahemi nga kjo e keqe e madhe.

Të ndahemi nga kjo diktaturë e bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve,.

Të ndahemi se sot fati ynë, fati i qytetarëve shqiptarë në tërësi, i kombit dhe i vendit na fton më shumë se kurrë të marrim në duart tona.

Të bëhemi zotërit e fatit tonë.

Ne po shkatërrohemi, ne po shfarosemi.

A dëgjoni ju njeri, a dëgjoni ju ndonjë joshqiptar që të dëgjojë këtë hall për këtë komb?

A keni dëgjuar ndonjë deklaratë për largimin e 33 përqind të shqiptarëve nga Shqipëria?

Po nuk ia qamë ne hallin kombit, kush do ia qajë tjetër?

Po nuk morëm ne fatin e kombit, kush do e marrë tjetër?

Shqiptarët duhet të meritojnë këtë emër, duhet t’i japin nder këtij emri.

Duhet të shpëtojnë Shqipërinë.

Kjo nuk bëhet pa sakrifica.

Kjo nuk bëhet pa zemërim.

Kjo nuk bëhet pa betejë pa kthim.

Ndaj dhe ta flakim qelbësirën, kalbësirën e bashkisë për të flakur me radhë kalbësirat e tjera.

Të presim nga vetja jonë, të pyesim veten tonë, të marrim përgjegjësitë tona, të besojmë tek vetja jonë.

Të gatshëm për sakrifica.

Kjo duhet të jetë përgjigja për të shpëtuar Shqipërinë.

Edhe njëherë, a keni dëgjuar njeri në këtë botë? Nuk e them për ksenofobi, por për të vërtetë.

A keni degjuar njeri t’i thotë Edi Ramës se ti je Çubrilloviçi i shqiptarëve? E ka bërë vetëm një gazetar gjerman, që i tha Pashiqi shqiptar dhe i jam mirënjohës pafundësisht.

Çfarë duhet të presim ne më?

Koha po kalon, ndaj dhe të premten të gjithë së bashku të pastrojmë bashkinë nga hajdutët 100 përqind.

Fati i Shqipërisë në duart tona.

Fati ynë në duart tona.

Shqipëria pret nga shqiptarët shpëtimin e saj.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale