BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave politike opozitare kundër qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se PD është e gatshme të bashkëpunojë edhe me parti apo faktorë politikë që e kritikojnë atë personalisht, për sa kohë kanë si qëllim largimin e kryeministrit.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, Berisha theksoi se opozita duhet të lërë mënjanë mosmarrëveshjet dhe hatërmbetjet për të krijuar një front të përbashkët politik, të cilin e cilësoi si të domosdoshëm për përballjen me qeverinë.
“Armiku i armikut tim është aleati im në betejë kundër të keqes më të madhe”, deklaroi Berisha, duke shtuar se bashkëpunimi nuk nënkupton domosdoshmërisht një bashkim programor.
I pyetur nëse do të bashkëpunonte me një forcë politike që e kritikon personalisht, por ka të njëjtin objektiv politik, kreu i PD-së u përgjigj: “Absolutisht që nesër. Edhe të vazhdojë të kritikojë, pa diskutim”.
Berisha u pyet edhe për mundësinë që Erion Veliaj të përfshihet në frontin kundër qeverisë Rama, duke deklaruar se kushdo që e konsideron Edi Ramën si të keqen më të madhe për vendin, mund të japë kontributin e tij në këtë përballje.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë bashkëbisedimit ishte përgatitja për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe vonesa në shpalljen e kandidatëve për kryetarë bashkish. Berisha bëri të ditur se udhëzimi për procedurën e përzgjedhjes është përgatitur dhe firmosur, ndërsa procesi pritet të nisë së shpejti.
Ai u shpreh se PD do të synojë të përzgjedhë kandidatët më të mirë, duke ftuar njëkohësisht partitë e tjera opozitare të garojnë me kandidatë të përbashkët.
“Partia Demokratike ka marrë parasysh të gjitha pretendimet, propozimet, sugjerimet e partive të spektrit opozitar, të krijojmë një front të përbashkët”, deklaroi Berisha.
Gjatë komunikimit me qytetarët, kryetari i PD komentoi edhe zhvillimet brenda Partisë Socialiste, duke u ndalur te Elisa Spiropali. Ai tha se deputetja nuk pati kurajën e deputetes Mariana Koçeku, por vlerësoi qëndrimin e saj të fundit kritik ndaj Ramës, duke shprehur shpresën që edhe deputetë të tjerë të rreshtohen në anën e qytetarëve.
Berisha u ndal edhe te raportet e Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe NATO-n, duke theksuar se vendi po humbet besimin e partnerëve ndërkombëtarë. Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë për lidhje me krimin e organizuar dhe keqpërdorim të institucioneve, ndërsa pretendimet e tij për këto çështje nuk përbëjnë fakte të verifikuara në materialin e bashkëbisedimit.
Në përfundim, Berisha përsëriti apelin për bashkimin e opozitës, duke e cilësuar atë si një mision të përbashkët përballë qeverisë aktuale.

FJALA HYRËSE
Kjo javë do shënohet si java në të cilën Padrino i Shqipërisë, por për fat të keq edhe Shqipëria direkt për shkak të tij, mori goditjet më të rënda ndërkombëtare.
Siç e patë ju, njeriu që në mënyrë tërësisht të gabuar, ishte shpallur si frontrunner në procesin e integrimit, madje për të bërë fushatë elektorale për Padrinon, atij iu dhurua edhe një fanellë me numrin 10, iu shua ylli dhe u spostua në kalendar.
Në qoftë se Mali i Zi u vendos që së shpejti të firmosë anëtarësimin e tij në BE, Shqipëria me Edi Ramën nuk ka asnjë perspektivë.
Raporti i Komisionit Evropian ishte raporti më kritik në historinë e të gjitha raporteve, e dhjetëra dhjetëra raporteve të publikuara nga ky Komision për Shqipërinë.
Por një goditje të rëndë, të merituar e mori Padrinoja i Shqipërisë nga Aleanca e Atlantikut të Veriut, e cila vendosi të mos bëjë në Shqipëri samitin e NATO-s për shkak direkt të lidhjeve të tmerrshme të Edi Ramës me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
Për shkak të dekonspirimit të sekreteve shtetërore dhe sekreteve që Aleanca i ka besuar Shqipërisë dhe dërgimin e këtyre sekreteve te kartelet e drogës dhe armiqtë e NATO-s, armiqtë e Shqipërisë.
Për shkak të trajtimeve shtazarake që u bëri Edi Rama studentëve në revoltë kundër tij, duke përdorur mjete dhe praktika të dënuara nga konventat ndërkombëtare, kryekëput çnjerëzore dhe të ndaluara edhe për palët ndërluftuese.
Pra, mund t’u them se të gjitha këto, rezultante e një procesi që ka nisur pas zgjedhjeve të vitit 2023, zgjedhjeve të majit të vitit 2025, serialit të rezolutave të fuqishme ndërkombëtare të organizatave më të mëdha në botë kundër tij, raporteve të misioneve faktmbledhëse të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe të Partisë Popullore Evropiane.
Pas uraganit të fuqishëm popullor që u njoh si Revolucioni Flamingo dhe veçanërisht pas revoltës të stërfuqishme, të jashtëzakonshme, të paparë të studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, por edhe të rretheve të tjera, të gjitha këto i provuan Evropës dhe botës se cili është Edi Rama, një narkodiktator, një njeri që ndërtoi në Shqipëri shtetin e parë dhe të vetëm të drogës në Evropë.
Një njeri që me narkoshtetin e tij, ngjiti në të gjitha nivelet e pushtetit ministra, zëvendësministra dhe zyrtarë të lartë, individë me pasaporta të tmerrshme krimi.
Një njeri që u angazhua vetë në udhëheqjen e karteleve të drogës dhe shndërrimin e Shqipërisë në parajsën e larjes së tyre.
Por që de facto i bëri gjëmën këtij vendi në 10 vite më shumë se çdo pushtues dhe regjim tjetër.
Ana tjetër e zezë e këtij narkodiktatori janë vjedhjet e pakufizuara të buxhetit të shtetit dhe pasurive publike.
Asnjë hetim rreth tij nuk bëhet, por Lubi Balluku që për 25 vite është konsideruar si këmisha e tij, u gjet me 300 apartamente, me vila në Shqipëri, Itali, etj, etj, me arka plot euro dhe kushedi me sa qindra milionë në bankat offshore.
Por Lubi Balluku, e cila e ka peng Palloshin e gjatë, i ka thënë atij në sy se në dosjen time 60 përqind e të gjithë dokumentacionit flet për ty, je ti.
Ndaj dhe në raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, Rama dhe Balluku qëndrojnë si dy mullarë të asaj materie që s’po ia them emrin, që kundërmojnë në Shqipëri dhe në Evropë.
Sot ai u përcoll siç e meritonte nga banorët e Sukthit, Manzës dhe Lalzit.
Në qoftë se e vutë re, fliste përçart.
Në korridoret e spitalit tha se endej me biçikleta. Mirë që nuk tha se kishte veshgjatë.
U mburr me shkollat e Kamzës, të ndërtuara që të gjitha absolutisht para vitit 2013, dhe të ndërtuara me standardet më të mira me një çmim shtatë gjer tetë herë më lirë se sa shkollat që ndërtoi ky gjatë këtyre viteve.
Nuk ia vlen të vazhdoj më gjatë të flas për Padrinon pasi ai është përfundimisht një person politikisht i vdekur i pakallur.
Ndaj dhe të le të kalojmë në bashkëbisedimin tonë.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYETARËT
Jorgo Cani: Rama ka vënë në Tiranë drejtues politik Ervin Demon, njeriun që dhunoi rininë. Mos vallë pas kësaj është plani për të ushtruar terror në zgjedhje? Dhe tjetra, ka marrë peng në asamble të gjithë anëtarët në Lalëz. Sipas medieve, u ka bllokuar valët e celularit, u ka fikur telefonat dhe nuk lë të dalë askush. Çfarë po kurdis ky i rrjedhur?
Sali Berisha: Së pari, ka vënë Ervin Demon sepse konstatoi që ky kriminel gjatë fushatës është i aftë të kryejë çdo krim.
Dhe sigurisht vendosja e tij është një sfidë për konfliktualitet të madh.
Është një kushtrim dhe thirrje për qytetarët e Tiranës të ngrihen përsëri në përballje me regjimin.
Ndërsa, për asambleistët e tij, mund të them se në tërësi ata janë një kolektivitet shumë herë më kriminal se banorët e burgut të Peqinit apo të Fierit.
A e morët vesh ju pse u thirr princesha e burgut, Sara Mile në SPAK?
Sepse drejtoresha e ndihmave sociale në Peqin, me urdhër të saj, sipas regjistrimeve, ka përdorur ndihmat sociale qartësisht për vota. Për të blerë vota!
A e dini ju që gjatë fushatës elektorale në qarkun e Elbasanit janë rrahur nga banda të gjithë kryetarët e bashkive socialistë, përveç atij të Gramshit, i cili e kishte vëllanë prokuror dhe kishin frikë se do t’i arrestonte.
Pra, a është Sara mëkatarja më e madhe? Jo, ju them unë, nuk është. Aty ka bosë të krimit, përveç Padrinos, kreu i grupit parlamentar, njeri që sipas dokumenteve shtetërore zyrtare, ka porositur vrasje. Dhe një gjykatëse, një prokuror, kanë vendosur të djegin regjistrimin, i cili i përkiste numrit telefonik të Taulant Ballës. Dhe i përkiste emrit Taulant.
Dhe ky është vetëm një nga krimet e Taulant Ballës, i cili në mënyrën më të pafytyrë, si një gangster u tregonte bërrylin në stadium dhjetëra mijëra qytetarëve dhe tifozëve që në unison brohorisnin ‘Rama ik’.
Muharrem Kurti: Ju përshëndes Doktor Berisha, siç duket edhe protesta e studentëve po shuhet. Pyetja ime është, a mund të shkojmë në zgjedhje lokale me këtë pushtet që e dimë fare mirë se ka për t’i blerë votat përsëri?
Sali Berisha: Muharrem, shqetësimi juaj është shumë i drejtë. Ndaj dhe thirrja e Partisë Demokratike të bashkohemi për t’u ndarë me të keqen më të madhe.
Dhe ndonëse e kam trajtuar disa herë, po përsëri do ndalem. Uragani i lirisë, i Flamingove i quajtur, ishte uragani qytetar rinor më i fuqishëm që ka njohur Tirana dhe Shqipëria.
Por për fatin më të keq, kësaj energjie të jashtëzakonshme të qindra mijëra qytetarëve shqiptarë, e vërteta është jo vetëm opozitarë, por dhe të bindjeve të tjera politike, një grusht të paguarish, një grusht tradhtarësh të korruptuar absolut të fjalës, i futën thikën me sloganet e barazimit të Partisë Demokratike me Partinë Socialiste dhe të Edi Ramës me Sali Berishën.
Zoti Kurti, tek të gjashtë kërkesat e paraqitura nga ajo që u tha se është përfaqësi e asaj lëvizje, nuk kishte asnjë kërkesë nga ato për të cilat Partia Demokratike nuk kishte luftuar vite e vite me radhë. Asnjë të vetme!
Kërkohej dorëheqja e Edi Ramës, kërkesë që e kishim paraqitur me një seri protestash të fuqishme, nga dhjetori i vitit të kaluar gjer në maj.
Kërkohej anulimi i ligjeve për ndryshimin e zonave të mbrojtjes. Zoti Kurti, ne e kishim kundërshtuar atë ligj me të gjithë forcën tonë, e kishim dërguar në Gjykatë Kushtetuese, ishin organizuar protesta dhe konsulta të shumta.
Kërkohej anulimi i Paketës së Maleve, të cilin ne e kemi kundërshtuar me forcën më të madhe dhe e dërguam në Gjykatë Kushtetuese.
Kërkohej anulimi i ligjeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Po ju jeni dëshmitarë se çfarë kundërshtie bëmë ne për Parkun e Butrintit. Në një kohë kur të tjerë heshtën! Parku i Butrintit, ua them unë shqiptarëve, është trashëgimia historike kulturore natyrore më e çmuar, dhe në vlerësimin tim e pashembullt në Evropë. Ne e mbrojtëm, e mbrojtëm me protesta, e mbrojtëm me konsulta, e mbrojtëm me gjykata, me të gjitha pasojat.
Pra, në qoftë se i merr ato pika, zoti Kurti, ato pika ishin mbrojtur nga Partia Demokratike për vite e vite. Mbrojtur me protesta, mbrojtur me gjykata, mbrojtur në parlament, mbrojtur në konsulta.
Dhe ato pika u konsideruan të drejta dhe u bënë të vetat nga uragani i fuqishëm i lirisë.
Tani ku është? Ata që paraqisnin këto pika, një për një të mbrojtura nga Partia Demokratike, jo ata sigurisht, sepse ata që i kanë formuluar janë njerëz të përgjegjshëm, por armiqtë e uraganit sulmonin Partinë Demokratike si e shitur.
Pse? Se ajo kishte mbrojtur pikë për pikë atë që paraqisnin ata. Paraqisnin Sali Berishën të njëjtë me Edi Ramën. Që është sot korruptokrati më i madh në Evropë.
Është njeriu që ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë.
Është njeriu që ka 28 vite në karrige pushteti.
Kurse Sali Berisha ka 13 vite në pushtet, të gjitha të tjerat opozitë, ka katër dorëheqje.
Krahasohej Partia Demokratike me partinë e krimit, në një kohë kur historia e Partisë Demokratike është historia e lirisë së shqiptarëve.
Natyrisht, sot Shqipëria është në thundrat e mafies më të rrezikshme në Evropë.
Dhe të mendosh se duke përdorur këto qenie, puthadorë, lëpirës të Edi Ramës në studio, tek megafoni, do mund të zëvendësonin opozitën e vërtetë sovrane të Shqipërisë, morën mallkimin e qytetarëve shqiptarë.
Këta individë morën mallkimin dhe tani vazhdojnë të vjellin vrer nëpër studio, të bëjnë apologjinë e farsave elektorale. Kategori e shpifur, njerëz që gjuhën e kanë të lidhur me xhepin. Që kanë hequr dorë nga çdo dinjitet njerëzor. Që në një studio deklarojnë se vota s’ka rëndësi, ç’është vota? Nuk ka rëndësi. Politologu hajdut që është përzënë nga PD-ja vetëm për vjedhjet e tij. Dhe tani është shërbëtor servil i Edi Ramës, se e paguan. Ky grup, apo kjo seri me në krye Kreshnik Spahiun dhe Idajet Beqirin. Delinkuent secili më shumë se tjetri.
A e di Muharrem historinë e Kreshnik Spahiut? Ta them unë historinë e tij. Ishte Sekretar i Përgjithshëm i KLD-së. Gjatë presidencës Topi, Komisioni Evropian bën një hetim, ta dinë shqiptarët këtë, dhe nga ai hetim harton një raport të cilin e sjell te ne si qeveri.
Aty gjente se Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së, Bamiri dhe Kreshniku, gjobisnin për emërime gjyqtarësh në Tiranë gjer në 300 mijë euro. Për transferime nga Durrësi në Tiranë 250 mijë euro.
Ky faqezi, që me paratë e vjedhura jeton nëpër botë në luks si çirak i Edi Ramës.
Komisioni Evropian kërkoi nga qeveria lejen për ta publikuar, menjëherë i thashë ta publikoni, por e kundërshtuan në mënyrë kategorike Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu.
Të kthehemi tek e para, ajo përpjekje për skenarin serb dështoi me turp. Por nuk ishte pa pasoja.
Cila ishte pasoja?
Ai uragan që në vetvete ishte bashkimi i shqiptarëve, këta çakej, këta çirakë të Edi Ramës, përdornin megafonin për të përcjellë përçarje. Bënin gjithçka të përçanin opozitën.
Duke harruar se opozita, Partia Demokratike është nëna e protestave. Kishte qenë në protestë dhe ishte në protestë forca politike më prezente.
Ndaj dhe tani thirrja ime është për bashkimin e të gjithë atyre forcave politike, atyre faktorëve që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe.
Dhe kur them këtë, nuk u them fare të ulni armiqësinë ndaj PD-së. Jo!
Armiku i armikut tim është aleati im në betejë kundër të keqes më të madhe.
E vetmja gjë është që duhet të angazhohen në këtë betejë dhe jo të qëndrojnë jashtë betejës kundër të keqes më të madhe.
Qëndresa Shqiptare: Në vazhdën e kësaj përgjigje. Dje në Kukës thatë që armiku i armikut tim është aleati im. A hyn Erion Veliaj në këtë listë?
Sali Berisha: Në këtë listë hyjnë të gjithë ata, të cilët e konsiderojnë të keqen më të madhe për Shqipërinë, Edi Ramën. Erion Veliaj është një i burgosur hajdut aty ku është, dhe në arrestimin dhe krimet e tij, Partia Demokratike ka një kontribut të pamohueshëm.
Por, edhe njëherë e them, cilido që dëshiron të kontribuojë në largimin e të keqes më të madhe, nuk është bashkim programor ky, jo.
Ëinston Churchill fitoi luftën me fuqinë ushtarake më të madhe të kohës sepse thirri bashkimin. Dhe u bashkua, me kë u bashkua? Me Josif Stalinin, diktatorin më gjakatar të të gjitha kohërave. Pra, duhet t’i dallojmë gjërat. Shqiptarët, ky regjim po i dëbon nga trojet e tyre, prandaj duhet të ikë një minutë e më parë.
Po në qoftë se Veliaj jep kontribut, le të japë. Nuk ndaloj asnjërin.
– A do mund të bashkoheshit me një forcë politike që ju kritikon personalisht, por ka të njëjtin qëllim politik?
Sali Berisha: Absolutisht që nesër. Edhe të vazhdojë të kritikojë, pa diskutim.
I dashur mik, më fal edhe një moment. Shqiptarët nuk e kanë kuptuar se kjo është diktatura më e keqe që mund të ekzistojë.
I ftoj ata të lexojnë Huntington-in se çfarë thotë për diktaturën e bandave. Është më e keqe se diktatura komuniste, më e keqe se diktatura naziste, më e keqe se diktaturat teokratike. Sepse kjo nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull.
Nuk kanë faj, se janë studiot, janë mediat e kontrolluara nga qeveria që përdorin gjuhën.
Një ditë, këta çirakë dalin në media thonë ‘nuk bën zgjedhje ai’, ‘Rama i vjedh zgjedhjet’.
Ditën tjetër, pasi i heqin veshin, ‘jo’, thonë ‘Berisha nuk i fiton zgjedhjet, Berisha ka humbur dy zgjedhje, se Berisha s’ka alternativë’.
Mashtrues ordinerë. Ne kemi alternativën më të shkëlqyer, alternativë të certifikuar nga dy fondacionet më kryesore në botë, Adenauer dhe Heritage.
Ema Bushati: Nëse rezulton se pasuritë më të bukura të Shqipërisë janë përdorur për interes të një grupi të vogël njerëzish, kush duhet të mbajë përgjegjësi?
Sali Berisha: Nëse rezulton, unë ju garantoj se kjo ka ndodhur, dhe përgjegjësi do mbajë Edi Rama dhe të gjithë ata të cilët janë pjesë e kësaj grabitje.
Gerald Gerald: Përshëndetje Doktor, kur do të dalin emrat e kryetarëve të bashkive, se jemi shumë vonë?
Sali Berisha: Po. Faleminderit për pyetjen. Udhëzimi për procedurën është përgatitur dhe është firmosur. Procesi do fillojë. Do përpiqemi që ta përfundojmë sa më shpejt, në mënyrë që kandidatët tanë të jenë më të mirët dhe të kenë kohën e mjaftueshme.
Por në këtë rast, përsëri unë ftoj të gjithë ata që konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën, të bashkohemi edhe në zgjedhje me kandidatë të përbashkët.
Sikundër besoj se e dëgjuat, Partia Demokratike ka marrë parasysh të gjitha pretendimet, propozimet, sugjerimet, e partive të spektrit opozitar, dhe jo vetëm partive, por e vërteta është edhe të formuluara nga eksponentë të Lëvizjes së Flamingove dhe të tjerë, të krijojmë një front të përbashkët, sepse Edi Rama është humbës në Tiranë, është humbës në Shqipëri, dhe ky front i përbashkët do të ishte mesazhi më i mirë që presin shqiptarët në tërësi, dhe në veçanti ata qindra mijëra shqiptarë që dolën në rrugë për largimin e Edi Ramës, por që energjinë, idealet, qëllimet e tyre i keqpërdorën në mënyrë të pashpirt, të pamoral, grupi i mikrofonit, grupi i megafonit, që i çonte Lubia dhe i ruante me roje personale, i bënte me roja aty.
Ana Ziu: Rama ka kërkuar votimin për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga PS. Keni ndonjë koment?
Sali Berisha: Elisa Spiropali nuk pati kurajën, duhet ta them, nuk pati kurajën e deputetes Koçeku, por i dha votën Edi Ramës edhe atëherë kur nuk duhej ta votonte kurrë.
Natyrisht më mirë vonë se kurrë edhe ajo, dhe shpresoj që të ketë edhe deputetë të tjerë që në këto çaste kritike për vendin të rreshtohen në anën e qytetarëve.
Linda Alushi: Doktor përshëndetje. Ditën e sotme, në kushtet e një frymëmarrje të rënduar, sociopati rilindas tregoi haptazi se dëshira e tij për të futur Shqipërinë në BE do të plotësohet vetëm nën udhëheqjen e qeverisë së tij. Kjo gjë si e vetmja e mirë që i bëhet kombit shqiptar karshi heqjes së vizave, hyrjes në NATO dhe shumë të mirave të tjera që mori ky popull nga udhëheqja e PD. A ka forcën e duhur opozita e bashkuar që në këtë dëshirë të tij të sëmurë, t’ia çrrënjosë nga mendja e tij diabolike dhe t’i tregojë vendin e duhur që ai meriton?
Sali Berisha: Së pari, u garantoj se me Edi Ramën, Shqipëria kurrë nuk anëtarësohet në Bashkimin Europian. Kurrë!
Së dyti, përsa i përket Partisë Demokratike, e theksoj edhe një herë dhe 100 herë e përsëris, të gjithë ata që e konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën, dhe unë ju them që është një e keqe, është një diktaturë autokratike, ne shqiptarët e kemi pak të vështirë të dallojmë diktaturat autokratike, sepse në mendjen tonë normalisht ne kemi klishenë e diktaturave totalitare, të cilat ndalojnë me ligj pluralizmin, kurse autokratiket nuk e ndalojnë, por e shtypin dhe transformojnë të gjitha proceset njëlloj si e para, zgjedhjet në farsë elektorale, në fakt tejkalojnë çdo totalitarizëm në vjedhjen e fondeve, pasurive publike, drogën e të tjera.
Pra, Partia Demokratike mbetet e hapur dhe e konsideron shumë të rëndësishme një front të bashkuar opozitar kundër kësaj narko-diktature.
Theksoj, zonja Alushi, që diktatorët me vota nuk ikin.
Maduron në in-ekstremis u detyruan ta marrin me forcë ushtarake. Por Edi Rama sot është më i dobët se kurrë.
Ndaj dhe jam i sigurt se një front i bashkuar, çfarëdo që të përdorë, do t’i japë përgjigjen e merituar.
Ne duhet të vendosim të bashkohemi dhe jo të qëndrojmë në një regjim që po shkatërron Shqipërinë.
Këtu kisha para një jave një profesor të shquar, dhe kur unë i fola për narko-shtetin e Edi Ramës dhe e mbylla duke i treguar se sipas regjistrit të gjendjes civile të Shqipërisë, lindshmëria në këtë vend sot është ajo që ishte 100 vite më parë kur ne ishim më pak se 1 milion, ai automatikisht u shpreh menjëherë: ky është rrezik shumë i madh ekzistencial për kombin shqiptar. Dhe kjo është e vërteta.
A do pranojmë ne të shkojmë kështu? Lexoni pak të dhënat e para dy ditëve të Eurostat-it. Del që ne, pas Ukrainës që ka kaq vite luftë me agresorin më të fuqishëm në Evropë, kemi rënien më dramatike të lindjeve në vend, kemi pakësimin më të madh të popullatës.
Pra, koha është që çdo qytetar të lërë mënjanë bindjet, të lërë mënjanë hatërmbetjet, mosbesimet, dhe të bashkohemi në një front për të shpëtuar Shqipërinë.
Fjolla Kanani: A mendoni se shtyrja e samitit të NATO-s është një sinjal se Shqipëria po humbet besimin e partnerëve ndërkombëtarë?
Sali Berisha: Në fakt shtyrja është formale, por samiti nuk bëhet në Tiranë. Samiti nuk bëhet, nuk bën kush samit, nuk pranojnë.
Nuk pranon njeri të vijë në Tiranë kur institucionet kryesore të besimit janë të pushtuara nga krimi.
Nuk pranon njeri të vijë te kryemikpritësi Padrino, i cili pret në zyrë përfaqësuesit e Sinaloas apo siç thuhet, këtu e theksoj, dokument nuk kam, por kohët e fundit është përforcuar shumë kjo thënie, se ka qenë në Aruba në takimin trilateral banditë, ndërtues dhe qeveritarë.
Nuk pranon njeri të ketë mikpritës një hajdut që ka transportuar me avionin e tij privat, personal në 140 udhëtime me dhjetëra dhe qindra baule diplomatike të mbushura me paratë e vjedhura, dhe nuk lejon hetimin.
Nuk e pranon asnjë njeri.
Edi Rama ka sot fytyrën e Ramaduros, e Padrinos, por edhe të Lubi Ballukut.
Dava Marku: Doktor, drejtësia është e shpejtë për të dobëtit dhe e ngadaltë për të fuqishmit. E njëjta gjë po ndodh dhe me Ballukun.
Sali Berisha: Drejtësia, për fat të keq Dava, është sot seksion i Partisë Socialiste.
SPAK-u është seksion i Partisë Socialiste, dhe ai zbaton porositë politike të Edi Ramës. Kjo është e vërteta.
Por unë u them atyre zotërinjve: Jeni gabim dhe shumë, shumë gabim. Nuk do mund të mbroni një kriminel si ai…
Por ndoshta do jetë vonë pastaj, sepse shqiptarët kurrë nuk kanë ndërmend të qëndrojnë nën sundimin e tij.
Aty janë me dhjetëra e dhjetëra dosje që faktojnë krimet njëri pas tjetrit të kryera nga Edi Rama, dhe ata flenë mbi to, i fshehin.
Marian Geci: SPAK ka zgjeruar hetimet ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke përfshirë dyshime për pastrim parash. A mendoni se siguria kombëtare e Shqipërisë është vënë në rrezik nga emërimet politike në institucionet e inteligjencës? Si mund të ndihet i sigurt një qytetar kur dëgjon për dyshime të tilla në institucionin që duhet të garantojë pikërisht sigurinë e vendit?
Sali Berisha: Marian, e ke shumë të drejtë shqetësimin. Institucioni i sigurisë është shndërruar në një institucion të dominuar nga Rama, kartelet e drogës, Troplini, Gysi etj.
Por unë për transfertat e Vlora Hysenit kam një mendim: Transfertat nëpërmjet shefit të shërbimit nuk mund t’i bëjë kush tjetër kurrë përveç kryeministrit.
Dhe unë garantoj shqiptarët se ato transferta janë të Edi Ramës, të përcjella në destinacionin që ai ka dashur me kanalin më të sigurt, shefin e shërbimit.
Kështu që në të vërtetë ky është keqpërdorimi ekstrem i radhës i shefit të shërbimit për lobingje dhe punë të zeza nga Edi Rama.
Alban Tirana: Përshëndetje Doktor. Këto ditë në rrjetet sociale, patronazhistët dhe disa analistë të majtë, në unison po përhapin lajme se djali juaj Shkëlzeni është ortak me biznesmenin, njëfarë Çimi, për të ndërtuar një kullë në mes të Tiranës. Pra, këto shpifje e duan një përgjigje nga ana juaj për të sqaruar opinionin publik. Faleminderit.
Sali Berisha: Së pari, kjo shpifje është hapur sapo ka dalë Mali i Tiranës nga një parti politike dhe një shpifje e ulët, e cila në mënyrë absolute nuk ka as dhe një gjë të vetme, por këto janë të gjitha pjesë e strategjisë së krahasimit të Ramës me Berishën.
Djali im nuk i është drejtuar kurrë, dhe nuk do i drejtohet ndonjëherë, nuk është ortak dhe nuk do jetë ortak ndonjëherë, në asnjë dokument të firmosur nga Edi Rama, në mënyrën më të prerë. Trillimet e ulëta, është mafia, shiko, i nderuar Alban, këta kanë një tmerr nga Sali Berisha, se këta e shohin që Edi Rama është buzë varrit dhe me Edi Ramën, të themi të vërtetën, ligji ishte marrëveshja. Rama blinte njerëz, po, Rama blinte njerëz. Një listë të tërë, blinte majtas, blinte djathtas, blinte.
Sali Berisha kurrë në jetën e tij nuk ka pranuar, nuk ka menduar të blejë as të shesë njeri.
Ai ka ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.
Ndaj dhe po ta shohësh këtë mekanizëm që nxjerr shpifje çdo ditë në studio, padronët mafiozë kanë tmerr nga qeverisja e ardhshme e Partisë Demokratike se e dinë që nuk do jetë më as pazari, as marrëveshje e pistë, po do jetë ligji, ligji dhe vetëm ligji. Së fundi, më lejo të them një gjë meqë jemi te kullat.
Tetë vite në pushtet, në Shqipëri janë bërë qindra dhe mijëra ndërtime, banesa. Asnjë kullë. Asnjë kullë e vetme!
Asnjë baron droge s’ka arritur të ndërtojë një kullë të vetme ose të marrë një leje, as të afrohet, as të paraqesë projekt.
Jo, jo, ndërtimet në Shqipëri në vitet 2005-2013 janë qindra mijëra banesa në fshat, apartamente në qytet, por, ato ndërtime bënë që shqiptarët për banesën e dytë të tejkalojnë pesë kombe të Bashkimit Europian.
Mbi 340 mijë familje shqiptare kishin tashmë një banesë të dytë.
Po çfarë ishte banesa e dytë e tyre? Ishte kalimi nga kasollja në fshat, në një shtëpi normale.
Punonin, vinin, ndërtonin për prindërit e tyre një shtëpi, ose për veten e tyre.
Po çfarë ishte ndërtimi në qytet? Në qytet nuk është ndërtuar kurrë një pallat mbi shtatë kate.
Dhe cilat ishin çmimet zotëri?
Kur Partia Demokratike është larguar nga pushteti, çmimet në Tiranë, mesatarja, ka qenë 700 euro metri katror.
Sa është sot mesatarja e çmimeve në Tiranë? Është 2100 euro metri katror.
Atëherë pra, me 700 euro blinin qytetarët, ishin çmimet e qytetarëve. Me 2100 euro, janë çmimet e kriminelëve dhe trafikantëve. Blejnë trafikantët, ndërtojnë trafikantët.
Pra, edhe në profilin e ndërtimit, se ata që duan të barazojnë, po, po, edhe Berisha thotë beton e beton…
Çfarë betoni Berisha? Asnjë kullë!
Jo që s’ka, por as guxonin të m’i paraqisnin!
Kjo është e vërteta.
Aleks Brahushi: Nëse një njeri nuk trashëgon një shtëpi nga prindërit, si mund ta blejë një apartament me pagën e tij? Mbase edhe me alternativën e Partisë Demokratike në pushtet nesër.
Sali Berisha: Pyetje shumë të drejtë.
Aktualisht nuk mund ta blejë, aktualisht me këtë mesatare të metrit katror, 2140 euro është çmimi i fundit i banesave, në një kohë kur rroga mesatare është 700 euro. Rroga mesatare, jo minimalja, mesatarja.
Imagjinoni pra që është absolutisht mollë e ndaluar.
Cila do jetë përgjigjja e Partisë Demokratike? Po, detyrimisht, përndryshe, njerëzit marrin strajcat në krahë dhe ikin. S’mund të ndërtojë fole ai në Shqipëri, nuk ka ku të strehohet.
Ne do të angazhohemi në ndërtime të fuqishme sociale me të cilat do bëjmë që të ulen përfundimisht çmimet.
Dhe ndalimin e çdo ndërtimi mbi shtatë kate.
Nuk ka më! Merr fund krimi monstruoz i betonit dhe i drogës.
Ne, para së gjithash do të mendojmë për strehimin e qytetarit. Dhe mendon për strehimin e qytetarit kur ti të ndërtosh me cilësi dhe me kosto të pranueshme, me çmim të pranueshëm nga ai, të përballueshëm.
Në qoftë se nuk ndërhyhet me ndërtime të mëdha me kosto sociale, shqiptarët do ikin, nuk mund të strehohen në vendin e tyre.
Do shkojnë të kërkojnë strehim nëpër botë.
FJALA PËRMBYLLËSE
Ju falënderoj shumë për vëmendjen, për pyetjet, për komentet. Dhe ju ftoj ta vazhdojmë së bashku këtë betejë.
Por ashtu siç e shprehët dhe shumë nga ju, kjo betejë kundër kësaj narko-diktature fton çdo shqiptar që të bashkohemi për të larguar këtë të keqe si e keqja më e madhe.
Le të bashkohemi pavarësisht nga dallimet e mëdha që mund të kemi.
Le të bashkohemi ne pavarësisht nga kundërshtitë që kemi me njëri-tjetrin dhe le t’i ruajmë ato, unë nuk them të ndryshojmë mendimet.
Por të bashkohemi siç ka ndodhur që nga Roma e lashtë e gjer sot, kur armiqtë janë bashkuar para një të keqeje të madhe. Shikoni çfarë ndodhi në kampin tjetër.
Ata e shohin që Edi Rama po merr fund dhe janë bashkuar që të gjithë.
Hanibali para portave, dhe nga mëngjesi gjer në darkë nuk ka një problem të dytë në Shqipëri përveç opozitës.
Nuk ekzistojnë pasojat shkatërrimtare të vjedhjeve…
E harruan dhe Ballukun, harruan Surrelin, harruan AKSHI-n, dhe tani nga frika se opozita me gërshërët e ligjit do t’i presë të gjitha lidhjet mafioze dhe do vendosë para ligjit, siç ka bërë herën e parë, kudo që të gjenden, me pushtet dhe pa pushtet, do konfiskohen të gjithë pasuritë e tyre të paligjshme.
Pra, Shqipëria ka nevojë jetike për secilin prej nesh.
Le të bashkohemi në misionin tonë.


