Berisha: Të bashkohemi me çdo demokrat nga viti 1990 e gjer sot. Të shumtit tanë janë në emigracion, beteja jonë është për të regjistruar secilin prej tyre që në 11 maj të firmosim rotacionin

TAKIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME DEMOKRATËT NË GJIROKASTËR

EKSTRAKT

Nga Gjirokastra në 34-vjetorin e themelimit të PD në qytetin e gurtë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se përgjatë 3 dekadave, ishte PD që transformoi vendin, hapi dyert e integrimit në KE dhe NATO, si dhe futi Shqipërinë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Gjatë fjalës së tij para simpatizantëve në Gjirokastër, Berisha tha se në këtë rrugë zhvillimi, ia dolëm që Shqipërinë e cila braktisej, boshatisej, ta kthenim në Shqipërinë në të cilën popullata nga viti 2007 deri në vitin 2014, rritje nga viti në vit.

Nga Gjirokastra, kreydemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj kreut të qeverisë, Edi Rama, që sipas tij ka marrë trafikantët nga i gjithë rajoni për t’i vërsulur në jug të vendit. Gjatë fjalës së tij në 34-vjetorin e themelimit të PD, në Gjirokastër, Berisha tha se Jugu u përqendrua në disa qytete në bregdet, ku gjysmën e tyre i kanë pushtuar trafikantët dhe mafiozët e Edi Ramës.

Në fjalën e tij, kreu i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje demokratëve të bashkohen e të krijojnë frontin më të gjerë opozitar, si e vetmja mënyrë që PD të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Nga Gjirokastra Berisha tha se pavarëisht përçarjes dhe tentativave për të shuar PD, idealet  në të cilat çdo demokrat e demokrate besoi, janë vlerat, dinjiteti dhe respekti i të vërtetës.

Berisha nga Gjirokastra ka premtuar kthimin mbrapsht të TVSH-së, për të gjithë ata qytetarë që do të marrin minimum jetik. Premtimin Berisha e bëri në 34-vjetorin e themelimit të PD së Gjirokastrës, ku ndër të tjera theksoi se rrogë minimale në Shqipëri nuk mund të ketë nën 500 euro, teksa shtoi se këto premtime do të jenë vetëm fillimi gjatë qeverisjes së PD me ardhjen në pushtet.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, shumica e votuesve demokratë dhe të djathtë janë në emigracion, prandaj u bëri thirrje të pranishmëve dhe çdo demokrati që të përdorin çdo kontakt, bisedë dhe takim që ti bindin ata që të regjistrohen për të votuar.

‘Të shumtit tanë janë në emigracion. Shumica e qytetarëve të Gjirokastrës, qarkut janë në emigracion. Beteja jonë është për ta regjistruar secilin prej tyre.

Prandaj, miqësisht, vëllazërisht ju lutem, çdo telefon, çdo lidhe që keni, ta përdorni për ti ftuar që të firmosin me 11 maj rotacionin, të firmosin ndryshimin’, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta ju demokrateve dhe demokratëve të Gjirokastrës dhe këtij qarku.

Përshëndetje të përzemërta të qytetarëve të këtij qarku, të Gjirokastrës dhe kudo që janë sot, nderimin më të madh për ata të rinj, burra, gra që 34 vite më parë me një guxim të madh, firmosën dhe nën terror të vërtetë, firmosën në Gjirokastrës themelimin e PD.

Një nderim të veçantë për të gjithë ata të cilët e drejtuan këtë degë në 34 vite dhe bënë gjithçka që PD, të qëndrojë në këmbë e fortë dhe e fuqishme.

Një mirënjohje për të pranishmit, drejtuesit kryesor të degës sot, deputetin, drejtuesit e tjerë, drejtues të degëve, të cilët në një periudhë kritike për PD, shumë kritike, mbetën besnik të atyre vlerave dhe idealeve mbi të cilat u themelua kjo parti.

Të dashur miq!

Themelimi i PD-së 34 vite më parë ishte triumf i idealeve më fisnike të njeriut, i lirive dhe të drejtave të tij, i iniciativës së lirë, i interesit kombëtar dhe patriotizmit, i prirjes apo vokacionit perëndimor të kombit tonë.

Krijohej pra një parti e cila kishte përballë një parti terroriste, një parti e cila ishte themeluar nga Beogradi në Tiranë, ishte udhëhequr nga Beogradi në Tiranë, një parti e cila ditën e çlirimit nga pushtuesit e huaj, e zëvendësoi me ditë pushtimi nga pushtuesit e brendshëm.

Një parti e cila ndaloi me kushtetutë liritë dhe të drejtat njerëzore. Shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, në një luftë primitive ndaj besimeve fetare dhe besimtarëve. E hiperkoletivizoi atë.

Enver Hoxha në historinë e komunizmit botëror mund të ketë ekuivalent vetëm Pol Potin. Natyrisht diktatori i Kamboxhias pat numër më të madh viktimash se sa Shqipëria.

Por të mos harrojmë se në vitin 1991 në Samitin e Bashkimit Europian Demokrat në Paris, ai do

të etiketohej Hitleri i shqiptarit pas luftës.

Në 34 vite, PD e themeluar pra mbi vlerat dhe idealet e lirisë, bëri gjithçka për garantimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarit shqiptar.

Transformoi Shqipërinë, hapi dyert e integrimit të saj në Këshillin e Europës, NATO, në Bashkimin Europian.

Por miq edhe një arritje tjetër e cila është ndofta ndër më themeloret në tërë historinë tonë, që shpesh harrohet dhe nuk është e shkrojtur, është fakti se në vitin 2008, ne nga njerëzit më të keqpaguar historikisht në këtë rajon, u bëmë qytetarët më të mirë të paguar se të gjitha kombet e tjera të rajonit.

Kaluam nga grupi i kombeve me të ardhurave të ulëta, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta dhe kjo përbën një ‘quantum lip’ kjo përbën një arritje historike për ne.

Në këtë rrugë zhvillimi ne ja dolëm që Shqipërinë e cila braktisej, boshatisej, ta kthejmë në Shqipërinë në të cilën popullata nga viti 2007 gjer në vitin 2014 rritje nga viti në vit.

Kjo ishte dëshmi e një shprese të mbjellë kudo në këtë vend.

Mbi 180 mijë familje emigrantësh dhe emigrantë u kthye në Shqipëri. Ju jeni dëshmitarë, nuk kishte shkolla të mbyllura, ishin plot me nxënës dhe ne rindërtuam dhe ndërtuam 1300 shkolla dhe objekte arsimore.

Universitetet këtu në Gjirokastër, por edhe aty ku i hapëm në Sarandë, Peshkopi, Kukës, Berat, ishin plot me të rinj.

Sigurisht shqiptarët nuk kishin rrogat që meritonin, por rrogat e tyre rriteshin nga viti në vit. Dhe së bashku me rrogat rritjes dhe shpresa për një jetë më të mirë, se jeta përmirësohej.

Të dashur miq!

Ajo që ndodhi në këto 12 vite nuk ka të krahasuar në raport me qenien tonë kombëtare, me qenien tonë qytetare, as me pushtimet më të egra në histori gjer nga koha e Dushanit, gjer sot.

Në 10 vite, 2014-2024 vetëm në hapësirën e BE-së janë larguar nga Shqipëria 1 milionë e 99 mijë qytetarë. Nëse shtojmë këtu ata që janë larguar për në SHBA, Britani, Australi, Kanada dhe mbarë botën, ju garantoj se janë mbi 45 përqind e shqiptarëve. Dhe në këta 45% e shqiptarëve të dashur miq, 70% janë të rinj.

Kurrë ndonjëherë një komb edhe në luftërat më të egra, civile apo pushtuese, nuk kanë braktisur vendin, siç kanë braktisur shqiptarët gjatë këtij pushtimi të narkoshtetit.

Në këtë zbrazje katastrofale, jugu i vendit është zbrazur më shumë se çdo territor tjetër i Shqipërisë.

Këtë që ka pësuar jugu, treva të bekuara me të gjitha pasuritë, me njerëz të mençur dhe punëtorë, me një kulturë dhe traditë të mrekullueshme pune dhe prodhimi, nuk e ka pësuar ndonjëherë ndonjë rajon në rajon, Europë, apo në botë.

Mjafton të shkosh sot në Labovë, Nepravishtë, Zagori dhe të shohim se çfarë ka mbetur. Ndërkohë që aty sheh fshatra të mrekullueshëm, sheh lugina mahnitëse, sheh pasuri natyrore të pafundme, apo Lunxhëria.

Jugu u përqendrua në disa qytete në bregdet, ku gjysmën e tyre i kanë pushtuar trafikantët dhe mafiozët e Edi Ramës, që fillimisht thoshte na ka dalë një Gjon. Nuk dinte injoranti se ishte Gjon Boçari me pronat e tij, një nga shqiptarët më të shquar të Sulit dhe Çamërisë dhe ishin pronat e tij, dhe ai thoshte na ka dalë një Gjon, na ka ardhë nga mali dhe nuk kishte parë det kurrë dhe ka pushtuar 50 mijë hektarë tokë. Ato ishin pronat e Gjon Boçarit.

Tani ai ka marrë trafikantët e të gjithë rajonit dhe i ka vërsulur në Jug. Absolutisht nga Vlora gjer në Ksamil.

Por nëse shohim çfarë i bëri Gjirokastrës. Qendër që kur është themeluar, qytet i bukur, qytet dinjitoz, qytet me kulturë, që rezaton në të gjithë qenien e tij.

E zbrazi, ja mori drejtoritë dhe ja degdisi në të 4 anët në mënyrë që në vend se, ti sillte, në vend që ti ngrinte nga lugu këtu poshtë në Qafë të Pazarit, të meremetonte ndërtesat ja hoqi fare Gjirokastrës, ja zhduku.

Universitetin pothuajse po e shuan. Pedagogët që punojnë në Janinë apo diku tjetër, dhe marrin rrogën në universitet dhe nuk japin një ditë mësim. Të tjerë që nuk duken fare. Ky është sot tablloja reale e Gjirokastrës. Por si Gjirokastra në tërësi është Shqipëria.

U ndala në këtë moment për të theksuar se kjo kohë, e vërteta është një thirrje, një thirrje e kësaj toke, kombi, shoqërie për çdo shqiptar që ta shpëtojmë këtë vend.

Në rast se, vazhdohet me këto politika, pas 4 vitesh mbi 1 milionë tjetër shqiptarësh, do të shkojnë tek ata që janë sot.

Kush do të mbetet këtu? Prandaj është jetike vendimtare të mobilizohemi, angazhohemi.

Ne si parti dëshmuam një forcë dhe vitalitet të jashtëzakonshëm. Këto 3 vite kaluam një kalvarë të vërtetë, si asnjë forcë tjetër politike.

U përballëm me narkoregjimin e egër të Edi Ramës, që bëri çdo gjë për të vendosur nën kontroll forcën tonë politike, apo për ta shuar atë.

U përballëm me agresionin e mafias më të rrezikshme të planetit që është mafia e Xhorxh Sorosit.

Nuk e dinim se si do të dilte rezultati i zgjedhjeve në SHBA, por ne qëndruar dhe vetëm qëndruam për ato vlera që ne besonim.

Ne besonim tek dinjiteti njerëzor, besonim se duhej të ishim opozitë e vërtetë dhe jo falso, besonim se duhej të mbronim interesin e qytetarëve, interesin kombëtar pavarësisht nga çmimi dhe ne qëndruam.

Ne besonim se vendi duhej të kishte një opozitë të vërtetë, se vendi pa opozitë është natë e zezë dhe kërkush më shumë se ne, nuk e kishte provuar këtë gjë.

Bënë gjithçka të na përçajnë, të na mbajnë veçmas. Na morën flamurin, na hoqën emrin nga

listat, por ne ja ku jemi sot. Djem dhe vajza, gra dhe burra që bëjnë të pamundurat të mundshme.

U përpoqën të na shuajnë, jemi më të bashkuar se kurrë. U përpoqën të na lënë pa flamur, flamurin e kemi fitimtar. U përpoqën të na izolojnë. Sot PD është e mbështetur nga të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë në botë. Me tre rezoluta ndërkombëtare.

Askush nga ne nuk i mendonte këto. Por ne besonim se po mbronim të vërtetat.

Ne besonim një gjë, se ato që mbronim ne, ishin të vërteta dhe nuk gabuam.

Të dashur miq.

Erdhëm ne sot në këtë 34 vjetor, por nuk erdhëm thjeshtë si forcë e qendrës. Por e vërteta sot më shumë se kurrë ne jemi forcë politike e fitores.

Sot ne që realizuam gjatë këtyre 3 vite, ato që askush nuk i besonte se do ti realizonim ne kemi në dorën tonë, fitoren e 11 majit dhe ne do ta realizojmë atë.

Ne do ta realizojmë atë, por kjo kërkon së pari, të bashkohemi me çdo demokrat nga viti 1990 e gjer sot.

Miq!

Nuk janë idealet tona, ideologjitë perverse, idealet tona janë vlerat, janë dinjiteti, janë respekti i të vërtetës. Çdo demokrate e demokrat, që ka vendosur një tullë në këtë ndërtesë, ajo tullë do të respektohet atij, ajo djersë do ti nderohet.

Kur të dojë është i mirëpritur të kthehet tek investimi i tij.

Është toleranca ajo që e bëri PD-në fitimtare edhe në kushtet më të vështira. Edhe kur na drejtuan armët, edhe kur në Borsh e zvarritën kryetarin tonë pas kamionit, edhe kur në Përmet, falangat e Enver Hoxhës i detyronin të parakalonin, por ne qëndruam të palëkundur në besimin tonë, por nuk rendëm pas dhunës. Urtia është forcë, forcë më e madhe.

Kështu që ne mbi ketë tolerancë bashkohemi njëri me tjetrin dhe mbi këtë tolerancë, do të krijojmë frontin më të gjerë, më të fuqishëm, në mënyrë që 11 maji të jetë një fitore plebishitare e mbarë shqiptarëve ndaj këtij regjimi.

Të dashur miq!

Kjo kërkon që çdo njëri nga ju të bëjë çdo gjë, të angazhohet në një dialog me çdo të njohur. Me të gjithë anëtarët e familjes së tij, fisit të tij, me të gjithë të njohurit e tij, dhe të shpjegojë se çfarë do të bëjmë ne. 

Ne kemi shpallur një pjesë të programit, dhe ky program është transformues. Kjo që ne kemi shpallur, bazohet thjeshtë në një parim; përparësi njeriu, përparësi qytetari dhe investime tek qytetari, tek burimet njerëzore.

Ky është thelbi i programit tonë.

Atëherë bazuar në këtë program buxheti prej 8 miliardësh ne do ta ndajmë gjysmë për gjysmë. Gjysmën qytetarëve, pjesën tjetër punëve, ndërtimeve publike. Sepse përndryshme Shqipëria do të zbrazet e zbrazet.

Atëherë çfarë ndodh sot. 65 miliardë euro buxheti i 12 viteve? Ku janë, ku kanë shkuar. Nga këto 8 miliardë janë paguar rroga. Po 57 miliardë të tjera ku shkuan? 90 përqind e tyre janë vjedhur dhe vetëm vjedhur.

Si janë vjedhur? Nëse ne kemi ndërtuar 1 km autostradë me 1 milionë euro me 1.5, me 2 milionë në zonat fushore, me 11 milionë Rruga e Kombit me tunelet më të gjata, këtu ndërtohen rrugë në fushë me 20 mln euro, me 22 mln euro, ndërtohen rrugë me çmim 10 herë më të lartë.

Por jo vetëm kaq.

Këtu 200 mln euro investohen për djegësat dhe nuk ekziston asnjë. Djegësi i Tiranës nuk ka nam as nishan. Dy të tjerët kanë qenë llamarina që nuk funksionojnë.

Jo vetëm kaq, por kryeministri shëtit me avion taksi privat në mbarë botën. Blen vazo 5 mln euro për oborrin e tij. Prenoton ‘Giro d’Italia’ me 7 milionë euro për fushatën e tij. Pra vetëm për vazo dhe ‘Giro d’Italia’ shpenzon pothuajse sa ka lënë për pensionistët.

Të kthehemi prap tyek buxheti 8.2 miliardë euro.

Pensionistëve të cilët përbëjnë më shumë se 1/3 e Kombit se janë 780 mijë vetë, ka ndarë për ta 16 mln euro. Ka ndarë për ta 1 të 512 e buxhetit. A ka gjë më cinike, më qesharake, më të turpshme.

Fermerët që përbëjnë 38 përqind të popullatës, që japin 19 përqind të prodhimit të brendshëm, marrin 1/100 e asaj që japin. Nëse japin 19 përqind të prodhimit, marrin 0.19 përqind të buxhetit. Marrin gjithsej 31 mln euro. A ka mënyrë tjetër përjashtimi.

Narkoeuro  një shpatë mbi qafën e shqiptarëve. Ato pak lek që vinin nga emigracioni janë zhvlerësuar me 40 përqind. Sot një pjesë e madhe e pensionistëve nuk mbyllin dot muajin.

Studimet e UNICEF tregojnë se 18 përqind e familjeve shqiptare nuk kanë tre vakte për fëmijët

e tyre. Se 46 përqind e familjeve shqiptare nuk ushqejnë si duhet fëmijët e tyre. Kjo është situata, sepse paratë vidhen.

Cila është përgjigja jonë? Përgjigja jonë është emergjente, përmbysje e plotë e shpërndarjes së të ardhurave kombëtare në këtë vend. Nuk ka më. Përparësi absolute qytetari, qytetari, qytetari.

Në tre muajt e parë vendoset minimumi jetik, 200 euro. Nuk ka shqiptarë, të papunë, pensionistë, me ndihmë ekomomike, cilido qoftë ai, që nuk do të marrë në muaj 200 euro. Me 200 euro, se ju e dini, ne zhdukim mjerimin. Nuk ka mjerim me 200 euro për frymë.

Së dyti, rrogë minimale nuk mund të ketë në Shqipëri, ndën 500 euro. Garantoj sipërmarrësit se pasojat e rritjes së kësaj rroge në 500 euro, do të kompensohen qindarkë për qindarkë nga shteti me ulje taksash dhe stimuj të tjerë.

Nuk mjaftojnë këto, janë vetëm fillimi.

Të gjithë ata të cilët do të marrin minimumin jetik, do të ju kthehet mbrapsh TVSH–ja e ushqimeve, e mallrave bazë, e cila është sa 3 pensioneve. Pra një pensionist që merr 12 pensione, do të marrë realisht 15 pensione.

Nuk do të ketë kurrë më naftë me këto çmime stratosferike në Shqipëri. Nafta nuk do të mund të shitet në këtë vend, me lëvizje më të mëdha se 10% me çmimin e naftës në Kosovë dhe Maqedoni.

Të dashur miq!

E gjithë nafta në Kosovë shkon nga Durrësi. Transportohet nëpër Shqipëri dhe shitet 30-40% më lirë në Kosovë se në Shqipëri, e ndonjëherë edhe 60%. Merr fund ky keqtrajtim i shqiptarëve në Shqipëri.

Çfarë ndodh? Pse kështu. Sepse Edi Rama ka tatuar litrin e naftës 1 euro e 13 cent, nuk ka vend në botë që ta ketë trajtuar në këtë mënyrë. Prandaj nafta në Shqipëri është më shtrenjtë se në Singapor. Singapori është në çatinë e botës për të ardhura për frymë.

Ulja e çmimit të naftës, pasqyrohet në uljen e çmimeve në të gjitha mallrat, sepse transporti ka koston e tij.

Ne do të rrisim rrogën mesatare në 1200 euro.

Pas këtyre ne nisim vrapim që të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet, të jemi përsëri njerëzit më të mirë paguar.

Po si mund të ketë malazezi që nuk asnjë të dhjetën e pasurive të këtij vendi, Mali i Zi, si mundet ai të ketë pensionin 3 herë më të madh se në Shqipëri, 450 euro pensioni. Si mundet maqedonasi, të ketë pensioni 280% më të lartë se në Shqipëri. Çfarë ka Maqedonia, më thoni ju mua? Po Shqipëria është më e pasura në rajon, por Shqipëria është vendi ku vjedhin qeveritarët më shumë se kudo tjetër në Europë dhe botë. Ndaj dhe i japim fund kësaj.

Do ju thonë, se ku do të gjinden këto lekë. Shumë thjeshtë. Janë 8 miliardë, zotëria ka lënë 800 mln. Ne do ti ndajmë gjysëm për gjysëm, për ndërtime dhe punë publike dhe ju siguroj ju se do të ndërtojmë shumë më shumë se këta. Kurse të tjerat do të jenë për qytetarin, për trajtimin e tij, rrogën e tij, kujdesin ndaj tij.

Po pse do të dalin thoni ju. Tani, ju jeni njerëz politik. Sa ishin buxhetet në vitet 2005-2013. Ne kishim gjysëm e këtyre taksave. Ne jemi parti e taksave të ulëta, ua linim biznesmenëve që të punësonin, shtonin biznesin. Vetëm në Libohovë kishte 45 firma ndërtimi me skuadra. Ne ishim për punësimin dhe biznesin, ndaj jemi përsëri në taksat e ulëta.

Por me gjysëm e këtyre buxheteve në dyfishuam rroga, dyfishuam pensionet, dhe ndërtuam 11 mijë km rrugë nga Hani i Hotit në Koshovicë, në të 4 anët. Ndërtuam 1300 shkolla, ndërtuam 11 impiante të përpunimit të ujërave të zeza, ndërtuam qindra qendra shëndetësore dhe spitale. Sepse ne ndërtonim me çmime reale, sipas manualeve.

Manualet e ndërtimit miqtë e mi, kanë të gjitha koston për çdo gjë. A është rritur në këto 10

vite çmimi i materialeve të ndërtimit, po. Por sa është rritur. Dihet, është rritur 32%. Atëherë çfarë do të thotë kjo. Ajo autostradë që kushtonte 11 mln euro kilometrin, do të kushtojë 1 milion e 320 mijë euro. Por jo të kushtojë 10-15 milionë siç kushton sot.

E keni parë një Lubi Ballukun që unë i them Lubi Loti. Çfarë bën ajo, ato janë të çmendur në vjedhje nuk kanë asnjë lloj kufiri. Unazën e Tiranës në 13 km e fundit i ka ndarë në 14 lote. 14 kontrata për të vjedhur me 14 ndërtues. Por si mund ta bëjë një njeri normal një gjë të tillë.

Është një punonjës në Ministrinë e Shëndetësisë, është punonjës i vjetër dhe i ndershëm. Dhe i thotë një ditë një miku tim, që këtu i kam kaluar 12-13 ministra shëndetësie, por hajdutë që të mos u bëjë syri tërr si Ilir Beqaj dhe korba e korrupsionit, Ogerta nuk ka pasur kurrë ministria.

Ata vetëm vidh. 83 herë ja rritën çmimit sterilizimit. Sterilizoheshin në të gjithë Shqipërinë  mjetet e operacionit me çdo gjë. E morën, që duhej të ja ulnin çmimin këta, e rritën 83 herë bashkë me Edi Ramën.

Ilaçet, shkatërruan sistemin e furnizimit me ilaçe. I përzunë firmat.

A e dini ju se pse vuajnë të sëmurët tanë, me sëmundje të rënda. Vuajnë sepse akti i parë i tyre ishte përzënia e kompanive të mëdha të prodhimit të ilaçeve.

Erdhi Vilma në një anë, Toma në anën tjetër, vendosën monopole absolute mbi ilaçet. Marrin

ilaçe nga Bangladeshi, i prodhojnë këtu, shqiptarët absolutisht furnizohen me ilaçe të skeduara dhe i përzunë kompanitë.

Mirëpo këto kompani edhe me vullnet të mirë, ilaçet që duheshin për 2-3 të sëmurë, për që janë një çmim stratosferik ato i sillnin me çmim të arsyeshëm, duke pasur parasysh gjithë mjedisin ndaj tyre. Tani shkojnë dhe këta nuk i blejnë. Tani lënë fëmijët pa ilaçe, lënë të sëmurët pa ilaçe dhe aparatura.

Pra kudo që të shkoni, paratë të gjitha qindarkë për qindarkë janë.

S’do pranojmë kurrë që 1/10 të lemë për njeriun.

S’do pranojmë kurrë që 1/512 të ndajmë për pensionistët.

S’do pranojmë kurrë që të ndajmë për fermerët 1/100 e asaj që ata japin.

Ka një drejtësi, ka një sens, shoqëria duhet të ketë kohezion, jo ti përjashtosh dhe ti nxjerrësh sikur nuk ekzistojnë.

Ky është programi ynë. Me këtë program fitojmë çdo mendje, zemër të njerëzve të ndershëm, pavarësisht nga bindjet e tyre.

Prandaj ju kërkoj ta bëjmë natën ditë, të ulemi të bisedojmë me çdo njeri. Kurrë ndonjëherë nuk kemi pasur ndonjë program më të qartë, më realist se ky, më transformues se ky për Shqipërinë.

Së dyti, ne jemi të paktit. Të shumtit tanë janë në emigracion. Shumica e qytetarëve të Gjirokastrës, qarkut janë në emigracion. Beteja jonë është për ta regjistruar secilin prej tyre.

Prandaj, miqësisht, vëllazërisht ju lutem, çdo telefon, çdo lidhe që keni, ta përdorni për ti ftuar që të firmosin me 11 maj rotacionin, të firmosin ndryshimin.

Është radha jonë,

është radha jonë,

është radha.

Fitore, rrofshi ju,

rroftë Gjirokastra, rroftë fitorja.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale