PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PËR GAZETARËT TEK PARLAMENTI
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryetarin e grupit parlamentar socialist, Taulant Bego Yaris, se po kërkon të ‘kyçë’ parlamentin përmes një skenari që synon t’i mohojë opozitës të drejtën kushtetuese për pyetje me gojë ndaj institucioneve të drejtësisë. Sipas Berishës, propozimi që opozita të heqë dorë nga pyetjet publike ose, në të kundërt, raportet të votohen pa u lexuar, është ‘pazar i papranueshëm’ dhe një tentativë për të shmangur transparencën.
Në vijim, Berisha akuzoi drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, se po mbron interesat e qeverisë dhe se nuk ka kthyer ‘asnjë qindarkë’ nga fondet e përvetësuara në aferat korruptive, përfshirë atë të inceneratorëve. Ai shtoi se në vend që të hetojë Edi Ramën dhe Erion Veliajn, Dumani po ‘bëhet avokat i Lubisë’, ndërsa qytetarëve shqiptarë u janë vjedhur mbi 1.2 miliardë euro.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha lëshoi me akuza të forta ndaj drejtësisë, duke e cilësuar Dumanin si ‘armik të pluralizmit’ dhe ‘mercenar të Edi Ramës’ që përdor hetimet për të ndëshkuar opozitën në prag të zgjedhjeve.
PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA:
Taulant Bego Yaris hoqi maskën dhe u tha shqiptarëve se do bëjë një takim me dy kryetarët e grupeve, të cilëve u ofroi si alternativë ose të pranoni të hiqni dorë nga pyetjet me gojë ose do votohen pa lexim të raporteve dhe të pyetjeve të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë?
Çfarë ka në këtë propozim?
Në këtë propozim ka skenarin e kyçjes së parlamentit.
Nuk ka opozitë në botë që mund të pranojë të bëjë një pazar të tillë.
Në qoftë se ti do t’i vësh kyçin, vërja që nesër.
Opozita nuk heq dorë nga e drejta e saj kushtetuese për pyetje, e cila është absolutisht në çdo sallë parlamentare të botës edhe me shkrim, edhe me gojë.
Në vitin 2023 dhe 2024, pyetjet kanë qenë me gojë që të gjitha.
Përpara nuk ka pasur institucione drejtësie siç janë sot.
Pra, këta kërkojnë të bëjnë një interpretim që u leverdis sepse janë në një kompromis krimi me ata që kanë ardhur të raportojnë.
Nuk kanë këta interes që të raportojnë ndaj gjejnë një pretekst se si t’i imponohemi opozitës që të mbyllim parlamentin.
Besoj se është e qartë se opozitës nuk mund t’i imponohesh kurrë.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Ambrozia Meta, SYRI TV: A do të ishte më mirë që pyetjet të bëheshin me shkrim apo të mos bëheshin fare?
Sali Berisha: Për pyetjet ka disa praktika.
Në shumë raste, pyetje nuk bëhen fare. Deputetët, opozita e gjykon të mos bëhen pyetje dhe ka ndodhur jo një, por në mënyrë të përsëritur.
Pyetjet me shkrim mendoj se janë një normë për t’i dhënë mundësi të pyeturit që të përgatitet. Kjo është normale.
Por kjo nuk përjashton as të drejtën e pyetjes me gojë pas dëgjimit të raportit, as të drejtën e leximit të pyetjes që i ka bërë me shkrim.
Këta janë në frikë dhe tmerr.
I thashë unë, dil e betohu në Kushtetutë, por nuk del dot Nesti Angoni.
Se tani thonë që ky Gogo është Nesti Angoni, ia hoqën Belindës.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Z. Berisha, a mund ta bëni me shkrim pyetjen për situatën e Belinda Ballukut, nëse ajo do të merret e pandehur, ashtu siç është çështja për atë që ju pretendoni se janë mesazhet e Taulant Ballës me krimin?
Sali Berisha: Problemi është se duhet të dëgjojnë shqiptarët çfarë pyetjesh janë bërë.
Se pastaj lexo një pyetje po, lexo një pyetje jo, lexo një gjysmë pyetje, nuk jemi në pozita miqësore aty.
Jo, ajo është një palë kundërshtare, e cila është marrë me luftë të egër kundër pluralizmit politik. E cila është akuzuar se ka fjetur mbi dosje krimi.
Unë lexova nga dosja e Taulant Ballës. Kjo është dosja 26. Ky, për të mos e çuar Taulant Ballën me dosjen 26, ka krijuar dosjen 26/1.
Por shqiptarët duhet ta dinë se ky fle mbi dosjet e krimit.
Ata mund ta bëjnë këtë me mazhorancën se janë në miqësi, jo me ne, se ne na bashkon interesi i publikut.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Çfarë fitoni duke u ndërprerë kështu seanca?
Sali Berisha: Në radhë të parë, gjer sot nuk ka pasur parlament. Por sot jemi të gjithë të përgatitur për diskutime.
Por në rast se partia e krimit, mazhoranca e krimit kërkon që të mos ketë diskutime.
Daniela Maloku, ReportTV: Z. Berisha, a nuk ka hapësira të tjera përmes të cilave ju mund ta bëni të mundur publikimin e pyetjeve tuaja, duke lejuar njëkohësisht që krerët e institucioneve të raportojnë?
Sali Berisha: Bravo, por ja që nuk i lë ai, se ai vuri kushtin.Zonja Maloku, e bëre me dashje apo pa dashje këtë pyetje, unë nuk e di. Por ke bërë një pyetje shumë interesante. Pikërisht për këtë punë jam këtu se ka variante të tjera.
Kurse ky tha ose pranoni këtë, ose ne do i votojmë. Kjo është e gjitha, këto janë për të mbyllur dyqanin. Këta përjashtojnë çdo variant tjetër, përveç këtij.
Enkelejda Mema, EuroNews: A po shmanget përballja juaj me Altin Dumanin.
Sali Berisha: Jo, nuk kam asgjë personale me asnjërin prej tyre. Ato çfarë kam pasur, i kam thënë më kush se gjithkush tjetër.
Unë këtu kam hallin e qytetarëve.
Këtu mund të them vetëm disa gjëra të shkurtra. Janë 130 milionë euro të djegësit, ky deklaron se sekuestroi filan apartament apo filan apartament, apo se ktheu një qindarkë nga 130 milionë euro të zhdukura, jo sepse nuk heton dot Edi Ramën dhe Erion Veliajn për këto. Edhe Lubinë.
Mirëpo ju keni parë që këto ditë po gumëzhin Tirana se ky po bëhet avokat i Lubisë.
Dhe Lubinë shkojnë dhe e marrin për një tender supervizioni për tunelin dhe jo për 50 milionë eurot.
Ku janë 50 milionë eurot?
Sa u ka kthyer qytetarëve shqiptarë kjo prokuroria nga 1 miliardë e 200 milionë të plaçkitura nga qeveritarët me dokumente zyrtare?
Qytetarëve shqiptarë, asnjë qindarkë.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Ka një paradoks në fjalën tuaj?
Sali Berisha: Nuk përbën asgjë qëndrimi im sepse unë atë e kam dokumentuar. Ky është një armik i pluralizmit, është një mercenar i Edi Ramës që në vitin elektoral sulmon me çdo kusht opozitën dhe i vë në arrest shtëpie, arrest me burg, në ndjekje penale, në mënyrë që partia e tij e krimit dhe ai vetë të fitojë zgjedhjet.
Kjo nuk janë gjëra të panjohura për ata që na dëgjojnë.
Të panjohura janë 1 miliard dhe 200 milionë euro të zhdukura nga këta qeveritarë që ky nuk u ka kthyer një qindarkë qytetarëve shqiptarë.
Të panjohura janë konflikti i tij i interesit.
Ka në drejtësi, ua tregoj me emra po të doni, një gjykatës apo prokuror që është nxjerrë nga sistemi i drejtësisë se pinte kafe me një të dënuar. Pra, është nxjerrë sistemi se ke pirë kafe me filanin. Por ky danson me të dënuar, që thonë edhe se i lanë paratë tek ai.
Natyrisht që ne jemi opozitë, ne jemi për transparencë.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Në fjalën tuaj kishte një kontradiktë që ju vetë e pranuat, kur folët për çështjet e reformës zgjedhore. Ju thatë se ‘ne e dimë që me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme’. Atëherë, për çfarë po uleni në tryezë për të bërë rregulla loje apo për të bërë një reformë zgjedhore, kur raporti i OSBE/ODIHR thotë se Edi Rama shkel të gjitha rregullat e lojës? Çfarë kuptimi ka që opozita të bëhet si fasadë e lojës?
Sali Berisha: Raporti i OSBE/ODIHR thotë se nuk janë marrë parasysh shumica e rekomandimeve. Ai raport është në interes të çdo shqiptari.
OSBE/ODIHR nuk është institucion që vjen dhe të garanton zgjedhjet e lira.
Ai të thotë ishin apo jo dhe i vëzhgon zgjedhjet. Të jep këshilla dhe orientime se si mund të bëhen transparente.
Dhe ne jemi të gatshëm që t’i zbatojmë ato rekomandime.
Ambrozia Meta, SYRI TV: A mendoni për një radikalizim të qëndrimit tuaj në Parlament, duke qenë se Partia Socialiste do të vijojë me skenarin për të vazhduar me votim, siç ka ndodhur edhe herë të tjera?
Sali Berisha: PS ka frikë të tmerrshme nga vetja e tyre. E morët vesh, ku ia mbathi ky? A e patë se si u ngrit Pirro Vengu, u zhduk nga kjo? Se ju dezinformoni, thoni që Rama tha për Belindën që i kam kërkuar dorëheqjen në qeveri. Jo, ka qenë për Pirron që ta dini ju. Të paktën Belindës mos i jepni më rëndë.
Daniela Maloku, Report TV: Ju i paskeni burime më të brendshme se sa ne…
Sali Berisha: Se ku i kam burimet, i keni edhe ju, por u leverdis që t’ia shkarkoni të gjitha Belindës, por mua nuk më vjen keq për atë punë.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Ju thatë se i keni burimet më të brendshme se sa ne. A do ta çojë ky proces drejt një radikalizimi të opozitës?
Sali Berisha: Absolutisht do ketë protesta sepse pa protesta, situata vazhdon të degradojë gjithnjë e më shumë.


