Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me deputetin e CDU-së në Bundestagun gjerman, Peter Beyer. Duke folur për mediat, kryedemokrati u shpreh se, gjatë takimit ka informuar raportuesin për Shqipërinë në CDU-së, për situatën në vend.
Berisha u shpreh se, ‘qëndrimet e opozitës janë të qarta dhe se, qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë’.
Prononcimi për mediat i kryetarit të PD, Sali Berisha:
Zhvillova një takim deputetin Peter Beyer një njohës i thellë i Shqipërisë dhe i rajonit tonë. Unë e falënderova dhe shpreha mirënjohjen më të thellë zotit Peter Beyer, Bundestagut, CDU-së dhe qeverisë, për interesin e tyre dhe për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe interesin e tyre për zhvillimet në Shqipëri.
E informova dhe paraqita pikëpamjet e opozitës lidhur me këto zhvillime dhe e sigurova se ne, qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si projekti më i mirë, projekti për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Natyrisht e njoha edhe me pengesat e mëdha, serioze, shumë të mëdha, me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelet e drogës dhe fuqinë e tyre shumë të madhe për shkak të lidhjeve të niveleve më të larta dhe vështirësi të tjera me të cilat ne përballemi, por edhe vendosmërinë tonë për të vazhduar përpjekjet në këtë vend që të realizojmë projektet që kemi.
Faleminderit shumë dhe njëherë zoti Beyer për të gjithë mbështetjen dhe interesin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët.


