FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS TAKIMIT ME KOMISIONIN E VENECIAS
EKSTRAKT
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi pas takimit me përfaqësues të Komisionit të Venecias se procesi i financimit të partive politike mbetet ‘çështja më themelore e procesit zgjedhor’, ndërsa akuzoi qeverinë për përdorim masiv të fondeve publike gjatë zgjedhjeve. Ai u shpreh se, gjatë takimit me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, PD ka paraqitur argumente dhe fakte sipas të cilave ekziston një pabarazi ekstreme financiare mes opozitës dhe mazhorancës. ‘Në këto zgjedhje në rrafshin e financimit nga paratë e buxhetit, diferenca mes dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe partisë në qeveri, ka qenë minimumi 700 deri në 1 mijë herë. Nëse e thashë 700 gabova, është të paktën 2700, sepse janë para buxheti këto’, deklaroi Berisha.
Sipas kryedemokratit Sali Berisha, qeveria ka organizuar ‘4530 aktivitete’ gjatë periudhës zgjedhore, duke përmendur edhe evente të financuara me fonde publike. ‘Partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji, 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 milionë euro, para buxheti siç ishte ‘Giro D’Italia’, një ditë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve’, tha ai. Ai ngriti akuza edhe për përdorimin e bonuseve për pensionistët dhe faljen e detyrimeve financiare, duke i konsideruar si forma ndikimi elektoral.
Lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se, një tjetër problem i rëndësishëm është politizimi i tejskajshëm i KQZ-në dhe SPAK-un.’Problem tjetër kaq themelor është armiqësia e institucioneve ndaj opozitës. Është shkalla ekstreme e politizimit të KQZ-së dhe SKAP-it të partisë’, u shpreh Berisha. Ai deklaroi se nga ‘43 dosje të shqyrtuara’ për shkelje zgjedhore, sipas tij, është vendosur vetëm një penalizim, çka e konsideroi si problem serioz për pluralizmin politik.
I pyetur nga gazetarët mbi draftin për financimin e partive politike dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR kreu i PD-së Sali Berisha tha se mbështet plotësisht sugjerimet e këtij institucioni ndërkombëtar. ‘ODIHR ka sjellë rekomandime, do të thosha të shkëlqyera. Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh’, deklaroi ai. Megjithatë, ai theksoi se, çështja e depolitizimit të administratës zgjedhore mbetet ‘e negociueshme’.
Gjatë deklaratës me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha sulmoi edhe ish-ministren, deputeten aktuale të PS-së, Olta Xhaçka. ‘Olta Xhaçka është një mëkatare e jashtëzakonshme. Olta përfaqëson një lubi në vetvete’, tha Berisha.
Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias ndodhen në Shqipëri për të mbledhur opinione nga partitë politike përpara publikimit të rekomandimeve mbi ligjin e financimit të partive politike, të cilat pritet të bëhen publike në muajin qershor.
FJALA E PLOTE:
Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias kanë ardhur dhe ne ishim në një takim me ta, në të cilin kërkojmë mendime dhe opinione të forcave politike para se ata të shprehin rekomandimet dhe opinionet e tyre për ligjin e financimit të partive.
Në këtë takim theksuam, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, theksuam se çështja e financimit të partive është çështja më themelore e procesit zgjedhor.
Konkretisht me fakte provuam se në këto zgjedhje në rrafshin e financimit nga paratë e buxhetit, diferenca mes dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe partisë në qeveri, ka qenë minimumi 700 deri në 1 mijë herë.
Diferenca e financimit me paratë e buxhetit, midis dy forcave kryesore politike, shkon nga 700 në 1 mijë herë.
Konkretisht. Duke përjashtuar totalisht atë çka ligji përcakton për financimin e këtyre partive, jashtë përcaktimit ligjor, partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji, 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 milionë euro, para buxheti siç ishte ‘Giro D’Italia’, një ditë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve.
Një organizatë private e cila u kontraktua nga Edi Rama për ndikuar tek zgjedhësit.
Këto 4530 aktiviteteve nuk janë tek 2.7 miliardëshi.
Nëse e thashë 700 gabova, është të paktën 2700 sepse janë para buxheti këto.
Së dyti, iu dha çdo pensionisti iu dha 100 euro dhuratë në fushatë elektorale, para buxheti, dhuratë për votë.
U falën dy ditë para zgjedhjeve, para që do të shkonin në buxhet, 2 miliard e 100 milionë euro. Me impakt në mbi 2300 familje, me impakt 84 mijë biznese aktive.
Tjetër, por këto nuk u llogaritën këto të fundit.
Miliarda, miliarda të rrënjeve të kanabisit që u dekretuan 29 mijë hekratëve kundrejt 200 hektarëve që parashikonte ligji, në një kohë kur një bimë kanabis vlerësohet në 1 mijë euro të ardhura.
Por këto nuk u llogaritën dot, sepse shkojnë në miliarda në vetvete. Shuma stratosferike.
Pra pabarazia ishte në mijëra herë, me para buxheti.
Shto këtu edhe mbi 500 milionë prokurime të ndaluara me ligj gjatë fushatës elektorale.
Për të gjitha këto, farsa ishte më e shëmtuara që kanë parë ndonjëherë.
Nuk është vetëm ky problemi.
Problem tjetër kaq themelor është armiqësia e institucioneve ndaj opozitës.
Është shkalla ekstreme e politizimit të KQZ-së dhe SKAP-it të partisë.
Pra, problemi është, ligji shkelet, po kush nxjerr përgjegjësitë? Mund t’ju them se nga 43 dosje të dërguara, të shqyrtuara, vetëm një penalizim! Të gjitha të tjerat amnisti nga SKAP-i i partisë, duke u dëshmuar kështu një problem madhor për pluralizmin politik dhe demokracinë. Dhe ne, shprehëm mendimin tonë se, është e domosdoshme që institucionet e shqyrtimit të ankesave, e vlerësimit të ankesave, të kenë një lloj pavarësie dhe objektiviteti, besnikërie ndaj ligjit. Mendoj se takimi ishte shumë i mirë.
Natyrisht, këta zotërinj dhe zonja kanë ardhur të marrin mendimet e partive politike për të dhënë rekomandime, të cilat kanë qenë gjithnjë jashtëzakonisht të dobishme, por janë hedhur gjithnjë poshtë nga qeveria. Mos harroni pak simbolin e refraktaritetit të organizatës kriminale me në krye Edi Ramën, në rastin e Olta Xhaçkës, e cila është një mëkatare e jashtëzakonshme.
Ju them unë ju. Po, po, nuk e dini ju, nuk e dini ç’është Olta. Olta përfaqëson një lubi në vetvete. Madje ka rrezik që ia kalon dhe lakmisë së asaj tjetrës.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Të ndërhyj pak… ju thatë që takimi në mes çështjeve që u diskutuan ishte dhe çështja e financimit të partive politike. A është e vërtetë që Komisioni i Venecias ka shprehur mosdakordësi dhe ka kundërshtuar draftin e përbashkët të miratuar nga PS dhe PD në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore?
Sali Berisha: Unë nuk di të ketë asnjë draft të përbashkët të miratuar. Jo, jo, jo të miratuar. Si? Më falni.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Të propozuar. Draft i propozuar që e ka kundërshtuar edhe OSBE-ja.
Oerd Bylykbashi: Ka akoma, ka akoma opinione Komisioni i Venecias në lidhje me draftin. Ka një draft të OSBE/ODIHR-it, i cili është pjesë e punës që do bëjë komisioni për të çuar më tej ligjin e financimit të partive politike, por Komisioni i Venecias shprehet në datë 13 qershor.
Sali Berisha: Pra di që ODIHR ka sjellë rekomandime, do të thosha të shkëlqyera.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: I mbështesni ato rekomandime?
Sali Berisha: Plotësisht! Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh. Natyrisht presim dhe rekomandimet e Komisionit Venecias. Nuk di asnjë lloj dakordësie gjer sot me, midis drejtuesve të komisionit të reformës, sepse nuk e kanë marrë materialin për shqyrtim. Presin të gjitha këto dhe pastaj do e shqyrtojnë.
Ardit Hoxha, EuroNeës: Edhe një çështje tjetër zoti Berisha. Juve keni deklaruar në disa konferenca, po edhe sot sapo e theksuat, që jeni në akord të plotë dhe jeni dakord me të gjitha rekomandimet që ka sjellë OSBE/ODIHR. Por në mesin e rekomandimeve që OSBE/ODIHR ka sjellë, që shumë prej tyre janë dhe kërkesat tuaja, është edhe çështja e depolitizimit të administratës zgjedhore. A jeni dakord edhe me këtë pikë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR?
Sali Berisha: Ky problem është i negociueshëm, do negociohet mbasi vetë OSBE/ODIHR ka meritën e veçantë të stigmatizojë jo terroriste, por aty afër, në rrafshin politik, për zgjedhjet patronazhistët.
Ju e morët vesh tani që patronazhistët u bënë personazh i urryer si Balluku në raportin e fundit.
A e lexuat raportin? A e patë ju që damkoseshin rrjetet e patronazhistëve? Dhe është shumë e rëndë…
Po ju, problemi është këtu, prapë po e them këtu. Censurimi i raporteve ndërkombëtare që damkosin qeverinë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve është një akt jashtëzakonisht i dënueshëm i mafies së fjalës së lirë.
Isa Myzyraj, ReportTv: Raporti ka qenë në çdo media.
Sali Berisha: Jo, jo. E di si ka qenë, po ta them unë. Ka qenë ajo që ‘Sali Berisha, Enver Hoxha, Sali Berisha, Enveri’ me zgjedhjet e tij. Ajo ka qenë në çdo media. Imagjinoni ju, referendumi i Enver Hoxhës dhe referendumi i Stalinit. I kuptoni këta se ç’bëjnë? Edhe thotë ka qenë në çdo media. Jo, Isa nuk ka qenë në çdo media, i kam ndjekur unë.
Mund ta kenë cituar, por nuk e kanë lexuar pjesët të cilat janë jetike.
Ja për shembull, për herë të parë që në raportet e Bashkimit Europian damkosen rrjetet patronazhiste.
A e thatë ju që kjo është hera e parë? Nuk e thatë! A e cituat ju këtë rresht? Nuk e cituat! Prandaj dhe unë nuk kam tendencë të mohoj asgjë, por natyrisht do mbroj interesat e qytetarëve. Ju donit ta bënit, nuk u lanë pronarët! Ky është problemi.
Isa Myzyraj, ReportTV: Zoti Berisha, prej zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar, ju keni përmendur kanabisin që është mbjellë. Tani, duke qenë se kanë kaluar më shumë se një vit, hashashi ku është?
Sali Berisha: Hashashi? Shko te kullat. Shih kullat, aty e ke. Hashashin e kokainën e ke në kulla o burrë i dheut. I ke, aksionerë janë. Njerëzit rëndom thonë që kjo është kulla e Edi Ramës, këto janë katet e Edi Ramës, këto janë katet e Olsi Ramës. Unë s’jam as kadastra ashtu, po ku e gjejnë ata kullat, si po rriten kullat? Më thuaj ti mua, pse po shpërndahen qytete të tjera? Këto janë.
Mariglen Kume, MCNTV: Zoti Berisha, partitë politike janë përfituese të fondeve publike. A jeni ju dakord që partitë politike të auditohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pasi një problematikë e përmendur nga KQZ-ja ka qenë për faktin se komisioneri Qendror i Zgjedhjeve auditon ose verifikon vetëm raportet që ju i dërgoni.
Oerd Bylykbashi: Praktikisht, një nga problemet kryesore me Kontrollin e Lartë të Shtetit ka qenë pikërisht kërkesa e Kontrollit të Lartë të Shtetit që të shfuqizonte detyrimin që kishte Kontrolli i Lartë i Shtetit të bënte auditimin e financave të partive diku në vitin 2002. Dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shumë specifik e ka detyruar Parlamentin e Shqipërisë, që nga viti 2008-2010, që t’ia japë detyrën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sigurisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të fshihet pas pretendimeve për pamundësi. Hapësirat dhe mundësitë me ligj apo me financa, Parlamenti ia ka dhënë, por mbetet fakti që nga aq qindra denoncime që shkuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në fund fare rezultoi vetëm një gjobë me vlerën 30 euro. Kjo është e vërteta.
Pra, nëse ka një sistem financimi të paligjshëm që duhet ndëshkuar, duhet të ketë dhe një sistem efikas ndëshkimi, i cili nuk është.
Sali Berisha: Ajo që ne mendojmë se është e domosdoshme, klauzolat e anulimit të zgjedhjeve. I vendosi Franca, pas akuzave, të themi se s’mund të them se janë të vërteta, pas akuzave për financime të paligjshme nga një shtet i huaj i fushatës elektorale. Këshilli i Shtetit, që është si të thuash Gjykata Kushtetuese e Francës, rekomandoi gjykatësit që në raste si këto të ngjashme, të urdhërojë anulimin e zgjedhjeve.
Të urdhërojë anulimin e zgjedhjeve. Dhe kjo në republikën franceze, një vend që ka mbi një shekull që zhvillon zgjedhje dhe që zgjedh presidentet dhe parlamentin e tij, një vend që në tërësi ka pasur dhe ka traditë demokratike të konsoliduar, por ja që i ndodhi, dhe pikërisht kjo, për këtë arsye, Këshilli i Shtetit, organi kushtetues, organi që zëvendëson Gjykatën Kushtetuese në një farë mënyre, ka dhënë opinionin që duhet të shkohet drejt anulimit të zgjedhjeve.
Tani, imagjinoni ju këtu. A mund të imagjinoni ju Altin Troplinin të urdhërojë anulim zgjedhjesh për Edi Ramën? Këta janë të lidhur në krime. Këta janë zinxhir. Dhe ndaj dhe shkojnë, 43 ankesa, penalizon vetëm në një rast.
E kuptoni ju? Domethënë, rreth 1%. Turp i madh, është e pakonceptueshme kjo, ky problem nuk ekziston kund në Evropë. Pra, është e domosdoshme të rikonsiderohet një trupë serioze që të jetë garante e ligjit elektoral dhe jo partiake, që s’pyet për ligjin elektoral.


