Berisha: Sulmi i djeshëm terrorist ishte fillimi i kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi. Rama reagoi si argati i Vuçiçit për t’i hapur dyert Rusisë në tryezën e bisedimeve

DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha u shpreh në një deklaratë për mediat se, sulmi i djeshëm terrorist në manastirin e Banjskës ishte fillimi i kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi.

Berisha tha se, Beogradi futi në Kosovë armatime të shumta, duke i depozituar ato edhe në Kisha, në përpjekje djallëzore për t’i dhënë konfliktit që do shpërthente, nuanca fetare.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Vuçiçi ishte organizator i kryengritjes së armatosur në Kosovë. Berisha tha se, kjo kryengritje u porosit nga Kremlini.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama reagoi si argati i Vuçiçit për sulmin terrorist serb në Kosovë. Berisha tha se, qëllimi i tij është t’i hapë dyert Rusisë në tryezën e bisedimeve.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha në deklaratën për media se, Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dorëzojë Vuçiçin në Hagë, përndryshe rajoni nuk do gjejë kurrë paqe.

Berisha tha se, Partia Demokratike mbështet pa rezervë të drejtën e autoriteve të Kosovës për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit si edhe përgëzon dhe përshëndet policinë e Kosovës për guximin, trimërinë dhe vendosmërinë dhe trimërinë që dëshmoi në profesionalizmin e lartë në shtypjen e kryengritjes së armatosur.

DEKLARATA E PLOTË

Mirëdita!

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE

Sulmi i djeshëm në Manastirin e Banjkës ishte fillimi i  kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon.

Për Partinë Demokratike të Shqipërisë dje, rajoni ynë përjetoi ngjarjen më të rëndë në fushën e sigurisë që nga përfundimi i luftës për çlirimin e Kosovës.

Fillimin në ora 3 të mëngjesit në Zveçan të kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi i serbëve në veri të Kosovës.

Kjo kryengritje siç do ta quante sulmin terrorist, vetë Aleksandër Vuçiç do të shënonte fillimin e skenarit të njoftuar fillimisht nga Kremilini për hapjen e një koflikti të ri, krahas atij të Ukrainës në Ballkan për interesa të mirëfillta të rusomadhisë dhe serbomadhisë.

Ky skenar u përgatit me kujdes në rrafshin politik dhe ushtarak nga Beogradi. Ne funksion të radikalizimit të gjendjes dhe pregatitjes së kryengritjes së armatosur është tërhequr pa asnjë shkak ligjor nga serbomadhi Vuçiç, i tërë kontigjenti i serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Krahas këtij akti destabilizues, Beogradi ndërmori prej disa muajsh futjen në Kosovë të forcave të veta speciale, mercenarëve rus të Vagnerit, kriminelëve dhe vrasësve ordinerë me të cilët Aleksandër Vuçiç ndan pushtetin. Përveç këtyre Beogradi, për realizimin e kryengritjes lokale futi në Kosovë armatime të shumta, duke i depozituar ato edhe në kisha, në përpjekje djallëzore për t’i dhënë konfliktit që do shpërthente nuanca fetare.

Të gjitha këto akte të randa ndaj sovranitetit të Kosovës janë denoncuar publikisht në mënyrë të përsëritur nga autoritetet e Kosovës, mediat dhe autoritetet ndërkombëtare si kryetarja e Komisionit të Jashtëm të parlamentit britanik, e nderuara Alicia Kearns, dhe të tjerë.

Kryengritja e armatosur e organizuar nga Beogradi filloi dje në Zveçan në territorin e Manastirit të Banjskës nga një grup terroristësh prej 30 vetësh, i përbërë nga oficerë të ushtrisë serbe, mercenarë rusë dhe kriminelë të armatosur deri në dhëmbë, i cili në ora tre të mëngjesit sulmoi me të gjitha mjetet njesisë së Kosovës dhe vrau në detyrë, rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy anëtarë të tjerë të kësaj policie.

Kryengritja që kishte për synim fillestar minimal vënien manumilitarin në kontroll të territorit të veriut të Kosovës, shënonte edhe fillimin në rajon të konfliktit të porositur dhe të shumëpritur nga Kremlini.

Por policia e Kosovës, forcat e saj speciale me guxim dhe profesionalizëm të lartë, pas shumë orësh luftimesh të ashpra, në të cilat u vranë disa anëtarë të grupit të armatosur terrorist, u plagosën dhe u arrestuan shumë tjerë, arriti të shtypë kryengritjen dhe të vendosë nën kontroll të plotë manastirin dhe të gjithë territorin e vendit.

Para këtyre zhvillimeve dramatike, serbomadhi Aleksandër Vuçiç me heshtjen e tij të plotë prej 19 orësh, pohoi qartësisht se ai vetë ishte organizator i kryengritjes së armatosur në Kosovë.

Ai foli vetëm pasi kryengritja u shtyp nga policia e Kosovës dhe humbi çdo shpresë për suksesin e saj. Ai, pas 19 orësh heshtje, deklaroi se ishte një kryengritje e serbëve të Kosovës kundër terrorit të Albin Kurtit, duke faktuar se me këtë qëndronte prapa saj.

Por, si me komandë nga Beogradi reagoi ndaj grupit të sulmit terrorist të përbërë nga oficerë të ushtrisë serbe në komunën e Zveçanit, argati i Aleksandër Vuçiçit në Tiranë, Edi Rama.

Në reagimin e tij në platformën x, Edi Rama së pari, nuk shprehu ngushëllime për policin e rënë në krye të detyrës, sikur në Banjskë, po ndodhte një përleshje midis banda dhe banditësh.

Së dyti, duke besuar se kryengritja nuk do të shtypej nga policia e Kosovës, përsëriti me urgjencë kërkesën e Beogradit për konferencë ndërkombëtare vetëm e vetëm për të zhbërë arritjet 23-vjeçare të Kosovës në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë dhe për të hapur dyert për uljen e Rusisë në këtë tavolinë, kërkesë kjo sin ekuanon e Serbisë.

Partia Demokratike mbështet pa rezervë të drejtën e autoriteve të Kosovës për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.

Ajo përgëzon dhe përshëndet policinë e Kosovës për guximin, trimërinë dhe vendosmërinë dhe trimërinë që dëshmoi, profesionalizmin e lartë në shtypjen e kryengritjes së armatosur.

PD u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të bëjnë më të mirën që në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të finalizojnë me dialog, marrëveshjen me Serbinë.

PD dënon me forcën më të madhe organizimin nga Beogradi të kryengritjes së armatosur në Kosovë për realizimin e qëllimeve të serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon.

Për PD, organizimi nga Beogradi i kryengritjes në Kosovë dëshmon qartë se, Aleksandër Vuçiç është një Millosheviç i ri, por pa ushtrinë popullore jugosllave, i gatshëm të ndërmarrë çdo aventurë në emër të serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon.

PD i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dorëzojë sa më parë Aleksandër Vuçiçin në gjykatën e Hagës për pjesëmarrjen e tij thelbësore në gjenocid dhe krime shfarosëse kundër njerëzimit të kryera nga Beogradi ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve pak vite më parë.

Dorëzimi i Millosheviçit të ri në Hagë, do ishte jo vetëm përmbushje e detyrimit ligjor dhe moral ndaj viktimave të pafajshme të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, por edhe kushti i të gjitha kushteve për paqen dhe bashkëpunimin në rajon.

Me Aleksandër Vuçiç në Beograd, rajoni nuk do gjejë paqe, por vetëm konflikte dhe trazira.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale