FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët se protesta studentore do të triumfojë, ndërsa ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës se është duke përdor dhunën policore për të shtypur revoltën e të rinjve. Ai e cilësoi protestën si një nga lëvizjet më atdhetare që ka njohur Shqipëria që nga viti 1990 dhe u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë mbështetjen ndaj studentëve. ‘Studentët triumfuan sepse ata u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata’, deklaroi Berisha.
Sipas lideri të opozitës shqiptare Sali Berisha, të rinjtë po luftojnë kundër narkodiktaturës, me synimin për të qëndruar në Shqipëri dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vend. Berisha u shpreh se, protesta ka një karakter të fortë atdhetar, pasi studentët po kundërshtojnë largimin e shqiptarëve nga vendi. ‘Ka pasur shumë protesta nga viti 1990 gjer sot në rrugët dhe sheshet e Tiranës, por mund t’u them se kjo është protesta më atdhetare’, u shpreh ai.
Gjatë bashkëbisedimit, kryetari i PD-së, Sali Berisha lëshoi akuza në lidhje me përdorim e dhunës shtetërore nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Ai përmendi rastin e të riut nga Elbasani, Erion Vishkullit, i cili ka humbur syrin, si dhe atë të Antuen Milajt, që sipas tij ishte plagosur me plumb gome në bark. Në fjalën e tij, Berisha përmendi gjithashtu Lorenc Bezanin, Hivzi Bushatin dhe deputetin Gjin Gjoni, duke deklaruar se, ndaj tyre është ushtruar dhunë shtetërore. Ai dënoi edhe ato që i cilësoi si sulme ndaj gazetarëve Klevin Muka, Fatime Almusa, Violanda Peca, Ardit Hoxha dhe Freard Rista. ‘Kriminelë me uniformë të paguar, vrasës të paguar, shkrehin plumba mbi qytetarët në protestë’, deklaroi Berisha, duke kërkuar që përgjegjësit, sipas tij, të përballen me drejtësinë.
Lideri i demokratëve Sali Berisha lëshoi akuza ndaj Edi Ramës, se është duke përdorur policinë dhe dhunën shtetërore për të mbajtur karrigen e tij dhe mbajtur pushtetin, kundër të cilit janë ngritur shqiptarët në protesta. Ai u shpreh se, Rama është kthyer në ‘genin e babait të tij xhelat’. ‘Do përmbysim Edi Ramën’, deklaroi kreu i PD-së, duke përsëritur qëndrimin e opozitës për largimin e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sërish thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të dalin dhe të mbështesin studentët që vijojnë protestat e tyre deri në arritjen e objektivave. ‘Thirrja ime për çdo demokrat e demokrate: Është koha e provës. Koha e provës ndërgjegjes së secilit prej nesh. Koha e provës të investimeve që kemi bërë, gjatë jetës dhe sakrificave që kemi bërë. Sot më shumë se kurrë kjo ditë na thërret të mbështesim studentët, të mbrojmë studentët. Të jemi të gatshëm. T’i përgjigjemi narkodiktatorit në mënyrën që meriton ndaj çdo dhune ndaj studentëve.’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët.

FJALA E PLOTE:
Para se të bëj një hyrje të shkurtër, duhet të bëj një ftesë për të gjithë shqiptarët e komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, në këto komuna dhe kudo që janë, të marrin pjesë në këto votime me të cilat krijuan një front të përbashkët në mënyrë që të kenë përfaqësimin më të madh të mundshëm.
Përfaqësimi i tyre në parlamentin e republikës së Serbisë është me një rëndësi të veçantë pasi zëri i tyre duhet të ushtojë fuqishëm në atë parlament, por edhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare sepse ata janë qytetarët më të shtypur në Evropë.
Ndaj dhe uroj që me votën e tyre të kenë përfaqësuesit më dinjitozë në parlamentin e republikës së Serbisë.
***
Të dashur qytetarë dhe qytetare, dita e djeshme ishte një ditë kulmore e revoltës 12-ditore të studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, por e vërteta është se në grevën e tyre janë përfshirë edhe universitetet dhe gjimnazet në disa rrethe të vendit.
Thashë dita e djeshme ishte një ditë në të cilën qytetarët triumfuan, studentët triumfuan.
Studentët triumfuan sepse ata u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata.
Se ata janë të vendosur të mbrojnë me çdo çmim kauzën e tyre kundër një narkodiktatori dhe institucioneve të narkoshtetit që i detyron me vjedhjet, krimin, të largohen nga Shqipëri.
Ka pasur shumë protesta nga viti 1990 gjer sot në rrugët dhe sheshet e Tiranës, por mund t’u them se kjo është protesta më atdhetare.
Kjo është thirrja që buron nga identiteti kombëtar, që buron nga shpirti, zemra e atyre mijëra e mijëra djemve dhe vajzave që na thonë se ne duhet të bëjmë Shqipërinë.
Që me protestën e tyre na thonë se nuk duam që të boshatiset ky vend.
Që na thonë se ne duam të ndërtojmë ëndrrat tona të bukura në dheun tonë.
Pra, kjo thirrje në momentet më kritike të kombit, kurrë kombi ynë nuk ka qenë në një moment më kritik të zbrazjes së plotë të vendit tonë.
Kurrë kombi ynë në 10 vite nuk është rritur në moshë mesatare 10 vjet si këto 10 vite.
Kurrë kombi ynë nuk ka pasur një rënie kaq dramatike të lindshmërisë, ka rënë në lindshmërinë e 100 viteve më parë në atë kohë kur Shqipëria ishte më pak se 1 milion.
Kurrë kombi ynë në 10 vite nuk ka humbur 47 përqind, ndoshta edhe më shumë, të banorëve të tij në Shqipëri.
Pra, në rast se rrimë dhe analizojmë këtë përballje burrërore të guximit të jashtëzakonshëm epik që frymëzojnë çdo njeri, këta vajza dhe djem të gatshëm për çdo sakrificë, këta meritojnë mbështetjen më totale, më absolute.
Këta po protestojnë për secilin prej nesh.
Po protestojnë për fëmijët, për fëmijët e fëmijëve tanë.
Ndaj dhe dje, së bashku me ta, protestuan mijëra e mijëra qytetarë të thirrur nga PD, sindikatat e arsimit, sindikatat e minatorëve, urdhrat e arkitektëve, inxhinierëve, etj.
Ishte madhështore!
Me praninë e tyre qytetarët i thanë kriminelëve me uniformë dhe kreut të organizatës kriminale se ne bëhemi parzmore e këtyre djemve dhe vajzave dhe ti e ke betejën e humbur.
Ti jep dorëheqjen sepse je një ndër të këqijat më të mëdha të këtij kombi në histori dhe je Pashiqi shqipfolës i shqiptarëve siç të ka quajtur gazetari i madh gjerman.
Dje dhuna dhe terrori njohën përshkallëzime të papara.
Një i ri, yll i tifozëve kuqezi, të cilët i urren Edi Rama, sic urren çdo gjë shqiptare, Erion Vishkulli, 28 vjeç, i diplomuar në gazetari, nga Elbasani por që punonte në një biznes privat, u godit në shënjestër sy në sy, pa kryer asnjë veprim, në një kohë që nuk po kryente asnjë veprim, përveçse po rrinte me qytetarët e tjerë në protestë.
Dëshmitarë, që ishin së bashku me të, edhe ai kishte marrë saçme.
Kriminelë me uniformë të paguar, vrasës të paguar, shkrehin plumba mbi qytetarët në protestë.
Antuen Milaj, 31 vjeç, qytetar paqësor, mori plumbin në bark, i shpoi barkun. U ndërhy me kirurgji dhe u nxor plumbi i gomës.
Përdorimi i armëve me plumba gome lejohet vetëm në gjymtyrët e poshtme, kurse pas bekimit të Padronit, i cili i thotë se je treguar i butë me kundërshtarët, jep urdhër, e dëgjuan të gjithë, mos i kurseni.
Si mund të japësh ti një urdhër të tillë? Ti je xhelat.
Absolutisht për atë urdhër do marrësh dënimet më të rënda, ti dhe ata vrasës të paguar që qëllojnë jashtë të gjitha kondicioneve ligjore.
Lorenc Bezani, qytetar që po bënte pazarin për të blerë zarzavate dhe ushqime për familjen e tij, e marrin, e godasin si kafshë me këpucë në kokë në të gjitha anët, e shakullosin pa ndjenja në dhe. 40 vjeç, pa asnjë lidhje.
Ish-oficeri i shquar i policisë, Hivzi Bushati, goditet me plumb gome në hundë, po mjekohet. A mund të imagjinojë kush Hivzi Bushatin se ishte në protestë për dhunë? Kurrë.
Gjin Gjoni, para kamerave, pa kryer asnjë veprim dhune, rrugaçi me maskë, gangsteri i fut sprajin me spec në sy se e urdhëron Edi Rama, Tagani dhe Hitaj i tij.
Janë shumë të tjerë të plagosur që nuk pranojnë të shkojnë në spitale nga frika e persekutimit.
Ka qenë ditë shumë e vështirë për gazetarët.
Janë lënduar gazetarët. Jolanda Peka e Citizens, e përzgjedhur sepse e vërteta është, ka pasqyruar me objektivitet protestat studentore.
Fatime Almusa e Faksit është goditur gjatë kohës që raportonte.
Klevin Muka, një gazetar guximtar, i kanë hedhur lëndë kimike, ka djegie kimike të përhapur. Është krim lufte. Ku i gjen këto armë?
Ardit Hoxha dyshohet se është goditur me plumb gome nga policia e shtetit gjatë detyrës. Është një gazetar që po raportonte direkt.
Freard Rista i Piranjave është lënduar gjatë ndjekjes së protestave.
Pra, Edi Rama zbatoi porosinë e Vuçiçit. Mos i kurse! Mos i kurseni!
Por çfarë tregoi protesta e djeshme? Tregoi se studentët betejën do ta fitojnë, sepse populli është i vendosur të mbrojë vajzat dhe djemtë e tij me çdo çmim, sepse qytetarët janë të vendosur t’u tregojnë vendin këtyre banditëve që mbrojnë kreun e organizatës më të rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe në Evropë, Edi Ramën.
Solidariteti ishte i jashtëzakonshëm dhe do vazhdojë të jetë çdo ditë.
Nuk do mund t’i japin studentët, qytetarët shqiptarë, jo, do t’i mbrojnë!
Ndaj dhe një herë ftoj çdo demokrat e demokrate në krah të studentëve, me studentët, në mbështetje të studentëve.
Sot doli, jo si Edi Rama, por si Edvin Kristaq Xhelati.
Ka dy ditë që është rikthyer totalisht në genin e babait të tij xhelat.
Kjo gjeneratë nuk e di, po babai i tij xhelat ishte një burrë i gjatë në pamje xhentëlmen, por në shpirt kriminel dhe shpirtkazmë, që firmoste varjen në litar, ndonëse ishte skulptor, firmoste varjen në litar të poetëve për vargjet e tyre.
U kthye tek Koleka, ish-anëtari i Byrosë Politike terroristi i vërtetë, që edhe në ’90-ën kërkonte t’u fuste tanket studentëve kundër pluralizmit.
Këto kërcënime i them mbaji për vete, se s’do mundesh kurrë të ndalosh asnjë njeri të dalë jashtë shteti, kanë ikur ato kohëra.
Riktheu ligjin agjitacion-propagandë.
Miq, diktatori i fundit komunist në Shqipëri, Ramiz Alia, para se të përmbysej shtatorja, bëri ligjin për mbrojtjen e personaliteteve. Dhe e kish hallin te mbrojtja e Enver Hoxhës. Ajo ishte vetëm një thirrje, një apel, një thirrje, një apel. Dhe ne e kryem misionin tonë, e përmbysëm.
Do përmbysim Edi Ramën.
Edi Rama përmend gjoba, përmend dokrra, përmend shkopa, çfarë nuk përmend.
Je i marrë fund, je i pashpresë.
Jep dorëheqjen sa më parë të mos pësosh fatin e Çausheskut.
Se detyrimet, borxhet, krimet tua ndaj shqiptarëve janë monstruoze.
Kjo revoltë do të fitojë.

BASHKËBISEDIMI ONLINE ME QYTETARËT
Gëzim Zeqo: Doktor, bëj publik emrat e policëve që kanë kryer krime. Publikoji që ta marrin vesh të gjithë familjarët e tyre se kë kanë veshur policë.
Sali Berisha: Shumë faleminderit për sqarimin.
I kemi paditur me emra, do i bëjmë publik me emra, por Gëzim, edhe mbrëmë kam deklaruar dhe deklaroj se famëzezat, Shqiponja dhe RENEA, një për një sipas veprave penale, jo që do shkrihen, po do shkojnë atje ku e meritojnë për krimet që kanë kryer.
I garantoj.
Do shkojnë atje ku e meritojnë për krimet që kanë kryer!
Nuhi Nerguti: Doktor, e dëgjove çfarë tha ai? Tha se ju dhe Partia Demokratike i organizoni këto protesta. Gëzohem që kjo të jetë e vërtetë se të gjithë qenkan me demokracinë. Tjetra, ndryshime në kodin penal, për tubimet, portalet, për shkollat, çerdhe, kopshte, maska, të tjera të tjera, jepet në ekrane çdo gjë në Shqipëri sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe çdo gjë po shkon për mrekulli.
Sali Berisha: Zoti Nerguti, ne e kemi deklaruar që në fillim që qëndrojmë dhe do qëndrojmë në mbështetje të kësaj proteste me të gjithë potencialin tonë.
Ata, të cilët mendojnë se do na impresionojnë ne, se po mbështesim protestën, ata gënjejnë veten. Mbështetja jonë ndaj protestës është totale.
E kam thënë dhe e them, që në fillimet e saj, të rinjtë e Partisë Demokratike kanë qenë pjesë aktive e saj. Dhe sot, janë qindra e mijëra demokratë në mbështetje të kësaj proteste. Nuk është protestë, është revoltë studentore.
Ndaj dhe përpjekja për të penalizuar Partinë Demokratike na bën nder, sepse ne ato që shpallim, ato mbajmë dhe ato mbrojmë. Përpiqen në një mënyrë tjetër me kriptoramistë. Dhe ju lutem, kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë grup. Kriptoramistët janë një farë e poshtër. Janë një lloj si ata 2500 eurot e paguar.
Ata, duke e parë se patroni i tyre po rrokulliset në honet e historisë, kërkojnë me çdo kusht të përlyejnë Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.
Dëgjoni, ju lutem: ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Mirëpo e demaskuan veten se e nxorën nga Ministria e Brendshme bandën duke bërtitur ‘Rama në burg’ dhe i futën në protestë.
Çfarë janë këta? Këta janë kriptoramistë, të paguar një pjesë e tyre, ose edhe ekstremistë të majtë me agjentë të policisë kriminale, dhe menduan se me këtë slogan do të na impresiononin ne dhe do na frenonin. Madje çonin dhe mesazhe, si ka mundësi që ju shkoni në këto protesta.
Çfarë janë këta? Këta janë mllefaxhinj, por janë dhe skutha, që kanë vjedhur, kanë ndërruar parti, besime, fe, çdo gjë për të mbrojtur vjedhjet e tyre, dalin ekraneve.
Po a mund të pësojë gjë Partia Demokratike nga një grusht i tillë njerëzish? Kurrë!
Të krahasosh Sali Berishën me Edi Ramën tregon se sa mjeran je dhe sa skllav i tij je.
Para katër ditësh një nga kjo trojka famëzezë e dërguar në Tiranë nga qendra e tyre, B.B., po s’ia vlen të zë edhe emrin si trupin, në qoftë se ka njeri që duket me dy prapanica, është B.B., një sipër e një poshtë, shkruante një shkrim të gjatë, të gjatë, për Berishën, se Berisha duhet të ikë këto e këto e këto, dhe shprehte keqardhje…
Unë absolutisht s’ia lexova, po ma thanë. Kur të shoh mbrapa, pashë mesazhet. Qindra mesazhe e bënin pleh. E bënin leckë.
Absolutisht midis tyre kishte kundërshtarë të mi. S’ka diskutim, por prapë nuk pajtoheshin me rolin e turpshëm, me rolin e të paguarit.
A ju kujtohet ky, do të thotë B. B., se si iu vërsul një B.-je tjetër aty, e kishte karshi? Pse ishte ajo betejë? Mendoni pak. Beteja ishte se ai po i merrte llokmat e parave, po i shkulte paratë nga Padroni.
Këta janë një grup i turpshëm në mediat shqiptare, në shoqërinë shqiptare. Një lloj si ata, skutha të Partisë Demokratike, ish-skutha të pushtetit në qeverisjet e Partisë Demokratike apo mbrapa, që e kuptuan se për vjedhjet e tyre ligji do ishte shumë i rreptë, u futën në ombrellën e Edi Ramës në një mënyrë ose një tjetër.
Pra këta veçse inkurajojnë më shumë demokratët dhe do bëjnë gjithçka për suksesin e kësaj beteje.
Pjesa e dytë e pyetjes ishte në lidhje me mediat që vazhdojnë edhe transmetojnë lajme sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Sali Berisha: Mediat që injorojnë revoltën më të fuqishme studentore që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e saj, e them këtu, kjo revoltë është më e fuqishme se e dhjetorit të 90-ës. Kam qenë dëshmitar unë aty.
Më e fuqishme edhe për faktin se të jemi realistë, diktatori i fundit komunist midis zgjidhjes së Çausheskut dhe një jete qoftë dhe në burg, zgjodhi këtë të dytën.
Kurse narko-diktatori post-komunist, për shkak të krimeve, edhe ai kishte kryer krime, po ky nuk ka asnjë nanogram guximi dhe trimërie. Dhe ky e di që kalbet në burg edhe tre jetë po t’i kishte, ky është i aftë absolutisht të krijojë gjakderdhje dhe të mos dorëzojë pushtetin, por e siguroj se do ketë një fund të tmerrshëm po qe se merr përsipër të përgjakë studentët.
Artan Cami: Doktor, Edi Rama e shpalli sot diktaturën me ligj. A do të hyjnë në fuqi këto masa që ndëshkojnë qytetarët, të cilët protestojnë kundër vjedhjeve të Ramës dhe hajdutëve të tij, ndërsa nga ana tjetër mbrojnë me ligj pushtetarët? Çfarë duhet të bëjmë ne si qytetarë?
Sali Berisha: Ne si qytetarë të mos njohim asnjë prej tyre, por të ngrihemi dhëmb për dhëmb kundër Edvin Kristaq xhelatit, padrinos së vendit, dhe t’i japim atë që meriton.
Edhe e deklaroj këtu që s’ka ligj as forcë në botë që do mund të pengojë Partinë Demokratike për të përmbushur misionin e saj, largimin e tij, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira e të ndershme.
Kërkesa këto të fuqishme, të drejta, të revoltës studentore.
Berisha: Në raport me BE-në dhe NATO-n, Rama është një copë m mbi mëndafsh
Leo Mërtiri: Doktor, të gjitha arrestimet janë bërë me sistemin Smart City, që nuk është gjë tjetër, vetëm sistemi ‘mass surveillance’ që përdoret në vendet diktatoriale. Mendoni se ky sistem do hetuar, jo vetëm për abuzimet financiare por edhe për shkeljen e ligjeve të BE-së, NATO-s dhe të drejtave të njeriut?
Sali Berisha: Faleminderit shumë për komentin, për pyetjen dhe sugjerimin. Sigurisht që do hetohet plotësisht, por të garantoj se Edi Rama, kreu i organizatës kriminale shqiptare, Edi Rama, në raport me Bashkimin Europian dhe NATO-n, nuk është gjë tjetër vetëm ajo që thoshte Taleran për Fushenë: një copë m mbi mëndafsh.
Tahir Kola: Doktor, sot Rama foli për mercenarë të ardhur nga Spanja për të rrëzuar regjimin e tij. Pse e ka kaq të vështirë ta besojë ky që ata që i shkojnë pas, njerëzit, u ka ardhur në majë të hundës me politikat e tyre?
Sali Berisha: Ky sot akuzoi Spanjën që paska dërguar këtu mercenarë. Nuk specifikoi kombësinë e tyre, por tani e gjithë diaspora i duket mercenare këtij.
Ju siguroj se Partia Demokratike do bëjë gjithçka për të mobilizuar maksimumin e mbështetjes nga diaspora për studentët, dhe janë të gjitha dëshmi të një paniku të tmerrshëm, të lepurit të tmerrshëm që i ka hyrë, që e ka gjithnjë në bark, por tani po e gërryen keq Edi Ramën.
Tea Devolli: Keni një reagim për manipulimin që bëri Taulant Balla me pamje fake të kishës që digjej, ndërkohë që ato ishin koshat e mbeturinave?
Sali Berisha: Reagimi im është ky: Taulant Balla është një kriminel, të garantoj. Shumë më kriminel se Suel Çela, se Elvis Doçi, se Altin Hajri dhe se shumë të tjerë.
Taulant Balla, i dashur mik, me dëshmi, me procesverbale zyrtare rezulton i regjistruar me numrin e tij, nga regjistruesit me urdhër gjykate se ka porositur vrasjen e avokatit Ravik Gurra. Taulant Balla është më kriminel se secili prej atyre që përmenda, sepse bashkë me Vath Stakën, anëtar i KLP-së sot, kanë liruar me urdhër të Suel Çelës dy terroristë që i vendosën tritolin nën shalë Lulzim Kullës në Shkodër.
Taulant Balla është më kriminel se ata, më trafikant edhe se vete Mond Bego, i cili si toger i Aldo Bares ka bërë nja 17-18 vjet burg, një trafikant madhor droge.
Taulant Balla ka shërbyer si korrier duke përdorur pasaportën diplomatike, i ka shërbyer atij në 57 kalime kufiri për të kaluar ngarkesat e drogës si valixhe diplomatike.
A ju kujtohet ju kur shkoi dhe liroi Rrajën nga komisariati i policisë, sadist që kishte djegur me cigare vajzën?
A i keni harruar regjistrimet ku Bajrët shprehen në telefon se ‘me Taulantin i kemi rregulluar punët’?
Ky është Taulant Balla.
Është më kriminel se këta, por mbrohet nga SKAP-i i partisë.
Ai meriton vetëm një përgjigje: burgun, burgun dhe vetëm burgun për krimet që ka kryer, dhe i garantoj shqiptarët se atje do shkojë.
Tirona jonë: Kur vjen punët te ministrat dhe kryetarët hajdutë të bashkive, përgjegjësia është personale, te populli ndryshon puna, duhet të paguajnë prindërit?
Sali Berisha: Ky është morali i atyre që urrejnë qytetarët e thjeshtë dhe bëjnë gjithçka që të gëzojnë vjedhjet që kanë bërë. Dëgjoni miq.
Theu xhamin thotë, do të gjobitet 500 mijë.
Vodhi 130 milionë euro në djegësin e Tiranës, nuk thirret as në prokurori.
Vjedhin me 5D-në 40 milionë euro dhe ndërtojnë pallatin, nuk konfiskohet as pallati, as nuk thirret as Lali vjedhësi, as Olsi Rama që është aksioner i pallatit.
Këta përpiqen të shesin moral…
Më amoralë, se këta nuk ka toka.
Kemi edhe një komentues italian që e ka shkruar italisht. Maurizio Midea: 29 mijë hektarë të mbjellë me kanabis të autorizuar në Shqipëri. Nuk nevojitet të shtohet asgjë tjetër për ta cilësuar një narkoshtet sulltanatin e Edi Ramës.
Sali Berisha: I dashur Maurizio, sot Shqipëria është më narkoshtet se çdo narkoshtet tjetër në Europë dhe në botë. Në botë, se në Europë s’ka.
Pse Shqipëria është më narkoshtet, Maurizio? Një narkoshtet vlerësohet në dy aspekte.
Së pari në pasojat e drogës, parave të drogës mbi ekonominë. Shqipëria sipas Eurostat-it dhe Instat-it rezulton vendi me ndikimin më të jashtëzakonshëm të drogës në ekonomi.
Cilat janë të dhënat? Maurizio, sipas Eurostat-it, një studim i tre javëve më parë, krahasimi i vlerës së 40 monedhave kryesore në botë me euron dhe dollarin, del ajo që askush s’e imagjinon. Del leku shqiptar monedha më e fuqishme përballë këtyre dy monedhave se çdo monedhë tjetër në botë.
Euro në Shqipëri, euro legale, dollari në Shqipëri, dollari legal, janë zhvlerësuar në 10 vite përkatësisht 33 dhe 36 për qind. Maurizio, çfarë do të thotë kjo? Në qoftë se ti bën një hetim te sipërmarrësit italianë që punojnë në Shqipëri me fason, kjo do të thotë një zhvlerësim po në këtë proporcion i eksporteve të vendit, sepse eksportuesit shesin me euro, me dollar, paguajnë në Shqipëri gjithçka me lekë. Dhe për rrjedhojë, vlera e fitimeve të tyre në euro me mallin që shesin, në Shqipëri është 33% më e ulët sesa ç’ishte në 2016-ën dhe 40% më e ulët sesa ç’ishte në vitin 2013.
Pse kjo? Sepse narkoeurot hyjnë në Shqipëri me kontejner, hyjnë me autobusë, me avion, me mikrobusë, me të gjitha mënyrat. Dhe ato investohen në monumentet e drogës që janë sot kullat që mbijnë në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.
Folëm më parë për eksportet. I dashur Maurizio, vetëm nga viti 2022 në 2026, eksportet e Shqipërisë kanë rënë me 28%. Prodhimi industrial ka rënë me 15.3%. Prodhimi bujqësor ka rënë dhe më shumë.
Shqiptarët e larguar këto 10 vite nga Shqipëria për shkak të humbjes së vendeve të punës janë, vetëm në hapësirën Shengen, 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Maurizio, ka dhe një kusht tjetër narkoshteti. Kushti tjetër i narkoshtetit është që elita drejtuese të jetë e përfshirë. Nuk ka në Europë një kryeministër që të ketë pritur përfaqësuesit kryesorë të Sinaloas siç i ka pritur Edi Rama dhe e ka pranuar vetë, gazetarëve italianë.
Nuk ka në Europë një kryeministër të dytë, as Vuçiçi, që të ketë organizuar takime trilaterale: në Aruba dhe në Majorka e vende të tjera, qeveri, narkotrafikant dhe ndërtues, për të larë paratë në këto kulla.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Proda, bëhej shofer i bosit të kartelit të Elbasanit, Çela, dhe e çonte te dentisti apo në shërbime të tjera.
Jo tani, por në vitin 2017, kur Edi Rama mbolli Shqipërinë me drogë nga veriu në jug, Shërbimi Informativ Kombëtar, që nuk ishte i implikuar në këtë mbjellje, bëri një raport dhe thotë se në mbjelljen dhe mbrojtjen e drogës u implikuan 130 oficerë madhorë policie dhe mijëra policë.
Ka një dosje të Pëllumb Gjokës. Vetëm një dosje është ajo e një trafikanti dhe vrasësi. Kjo dosje ka brenda 300 policë dhe oficerë policie të implikuar si vrasës, si ryshfetgji, si pengmarrës, si trafikant.
E drejtë, ajo që thatë ju. Ka një kusht tjetër narkoshteti, vendi duhet të ketë drogë.
Shqipëria sot është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë.
Është rrugë kryesore siç dihet, e heroinës dhe kontrollohet nga klani i Elbasanit që vjen nga Lindja.
Kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më kryesorë të kokainës në Europë.
Shto këtu 29 mijë hektarë elektoral.
Gratieri, prokurori i Antimafias italiane, i thotë para pak kohësh një gazetari italian kur e pyet, a është Shqipëria një narkoshtet? Shqipëria, thotë, jo që është, por është dhe më keq se narkoshtet, thotë.
Pse, i thotë gazetari? Sepse aty çdo të dhënë që e çojmë, kalon tek klanet e drogës. Ndaj dhe ky është problemi më themelor.
Por i dashur Maurizio, droga është një fuqi e të keqes që po shkatërron këtë vend.
Dhe në fakt, ata që heshtin, ata bëjnë një mëkat ndaj shqiptarëve.
Ata që heshtin për narkoshtetin bëjnë një mëkat të vërtetë ndaj shqiptarëve.
MekuliPress: A e konsideroni paketën e re ligjore të porositur nga Rama, është dhe një shpallje zyrtare kjo e diktaturës në Shqipëri?
Sali Berisha: Diktatura në Shqipëri është e shpallur me kohë.
Do më falni t’ju nxjerr një, një dokument për të kuptuar se ku jemi.
Është grafiku i një instituti aspak pro nesh, por ky institut çfarë tregon?
Ky institut tregon i dashur mik se, se në vitin 2000 Partia Socialiste në pushtet kishte 48% të pushtetit. Kontrollonte 48% të pushtetit, në fakt ishte e zhytur në krim, por kontrollonte vetëm kaq pushtet.
Në vitin 2013, në vitin maksimal të kontrollit të pushtetit nga Partia Demokratike, Partia Demokratike kontrollonte vetëm 48% të pushtetit.
Qeveritari bëhet diktator kur kontrollon pushtetet.
Pra, kur Sali Berisha dorëzoi me rrotacion pushtetin, kontrollonte sipas këtij instituti vetëm 48% të pushteteve në Shqipëri.
Çfarë ndodhi? Ky institut e ka bërë këtë studim në vitin ’21. Pra, ka përfshirë gjer në vitin 2020.
Dhe nga viti 2013 kur ne dorëzuam pushtetin duke pasur vetëm 48% të pushteteve në shtetin shqiptar, nga ky vit gjer në vitin 2020 pasi futi në dorë drejtësinë e të tjera, Edi Rama, jo tani, por 6 vite më parë ka pasur 90 përqind të pushtetit.
Kontrollonte më shumë se Ramiz Alia në vitin ’91 i cili kontrollonte 88% të pushtetit.
Pra, mik i dashur, sot diktatura në Shqipëri është instaluar që në momentin kur Edi Rama ka kaparuar në mënyrë antikushtetuese pothuaj të gjitha pushtetet.
Por një gjë ju them unë shqiptarëve, sot nga 220 mijë rrogëtarë shtetërorë, 218 mijë janë të emëruar nga partia e krimit.
Përveç kësaj, ky diktator që kontrollon 90% të pushteteve në Shqipëri, ka fuqinë e pamasë, të skëterrshme që është fuqia e drogës.
Që në vitin 2017 jam përpjekur të ndërgjegjësoj shqiptarët për instalimin e narkoshtetit, por për fat të keq u desh që ta pësojnë thellë për ta mësuar se çfarë pësuam.
Aneta Nano: Zoti Berisha, nëse Gjykata Kushtetuese e miraton këtë palo paketë të kësaj palaçoje, kush është hapi juaj si Parti Demokratike?
Sali Berisha: Revolta, revolta dhe vetëm revolta është hapi ynë ndaj tij. Kjo është, ta kenë të qartë demokratët.
Unë flas shumë haptas dhe kështu e konsideroj si detyrë time morale dhe ligjore, pavarësisht se ndonjëherë ka dhe që mërziten, dëshpërohen.
Por kur e them këtë, pra them që ka një rrugëzgjidhje, nuk them që s’ka rrugëzgjidhje.
Po diktaturat as me votë nuk ikin, as me lule nuk ikin, diktaturat ikin vetëm me revolta të fuqishme.
Ndue Pjetra: Zoti Berisha, ndihmesa më e madhe që do t’i bënit revoltës studentore do të ishte ngujimi i deputetëve. Kjo është ndihmesa që do i bënit popullit shqiptar. Pas këtij veprimi do shihni se si do të ngrihet revolta masive në të gjitha rrethet, sepse njerëzve ky veprim u jep garanci se Partia Demokratike, krerët e saj, nuk kanë lidhje apo bashkëpunim me narkoshtetin e Edi Ramës.
Sali Berisha: Ndue, unë të falënderoj për sugjerimin dhe të garantoj se çdo opsion është në shqyrtim dhe i mundshëm.
Vetëm një gjë tani, uroj që ju dhe çdo qytetar i këtij vendi, të mos bjerë viktimë e kësaj propagande, e cila ka vetëm një synim, të mbrojë Edi Ramën. Të dëshpërojë qytetarët pafundësisht, t’i bëjë të pashpresë.
Po ndalemi në këtë çështje. Marr momentin e bashkëpunimit të Edi Ramës me Sali Berishën. Tani a mund të pyes unë, a nuk është Edi Rama ai që së bashku me George Sorosin realizuan sanksionimin tim?
A nuk është Edi Rama ai që publikisht kërkoi arrestimin tim?
A nuk është Edi Rama ai që ndërseu SPAK-un e partisë pa asnjë fakt?
Edhe njëherë dua ta them këtu, nuk ekziston absolutisht asnjë firmë e Sali Berishës në procesin e rikthimit të pronës së konfiskuar nga regjimi komunist, të 300 pronarëve të klubit Partizani, njëri prej të cilëve është dhe dhëndri im nga gjyshërit. Asnjë firmë!
Në atë proces mund të ketë më shumë firma socialistësh, se kanë qenë në pushtet, se është një proces që ka zgjatur 17 vjet.
Megjithatë bënë një veting. Pavarësisht nga kjo, Edi Rama, për të fituar zgjedhjet, arrestoi në vitin elektoral Sali Berishën. Po, një gjë të them, Sali Berisha i nxori nga kontrolli atij dhe kujtdo tjetër opozitën. Unë i kam bërë një shërbim të madh vendit tim.
Opozita duhet të jetë e pavarur i dashur Nue. Se vetëm një opozitë e pavarur garanton një lloj sovraniteti të brendshëm të vendit. Përndryshe, çdo pushtet totalisht është në duart e diktatorit të partisë shtet.
Më thuaj pak, a nuk ishte Edi Rama që organizoi atentatin ndaj meje në rrugë?
A nuk ishte Edi Rama ai që mori vulën dhe ia dha njeriut peng, Lulzim Bravës, kur s’kishte asnjeri me vete?
Nuk ka gjë më të turpshme se ata që përhapin këto.
Në doktrinën e korrupsionit, thuhet dhe shkruhet, se krahasimi i të pakrahasueshmeve është mashtrimi më i madh, është forma më e egër e korrupsionit.
Çfarë krahasimi mund të bëhet midis Sali Berishës që ka dy vetinge si asnjë politikan tjetër në Europë? Askush! Një ndërkombëtar dhe një kombëtar, dhe kanë gjetur ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.
Çfarë krahasimi mund të bëhet midis Sali Berishës dhe Edi Ramës, i cili jeton në saraje me gjatësi themelesh më të mëdha sesa vila e diktatorit, dhe Sali Berishës që jeton në një apartament 40 metra më të madh se ai që kishte në diktaturë?
Dhe jeton jo vetëm në saraje, por ka pasur të deklaruara kur e ka ndërtuar gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë në llogari bankare. Ndërkohë që vila ka 8300 metër katrorë oborr.
U duhen këto parulla këtyre për të fshehur këto.
Çfarë krahasimi mund të bësh midis Sali Berishës dhe Edi Ramës, i cili vetëm pak muaj pasi u bë kryeministër, në raportin e OSBE-së, u akuzua e zezë mbi të bardhë se ka depozituar në bankat offshore 200 milionë euro?
Çfarë krahasimi mund të bësh midis familjarëve të mi dhe të atij? T’i marrim pak, ka shumë rëndësi.
Ime shoqe mjeke pediatre, e apasionuar. Për kohën që unë isha kryeministër, ajo nuk ishte në asnjë bord dhe merrte rrogën aty ku punonte në atë lagje.
Sapo u bë kryeministër, bashkëshortja e Edi Ramës u bë anëtare e bordit të Abi Bankës, dhe shkuan të gjitha llogaritë e shtetit drejt Linda Bankës.
Mund të bësh ndonjë krahasim? Çfarë krahasimi mund të bësh midis Sali Berishës dhe Edi Ramës? Unë kam një kunat, ai kunat është sipërmarrës privat. S’ka fituar kurrë një tender nga qeveria. Ndërkohë, kunati i familjes Rama, nga AKSHI, i dashur Nue, ka fituar qindra tendera sekretë në kundërshtim me ligjin me procedurë sekrete, Armand Frangu, i ke dëgjuar ti ato ç’ndodh atje, i ke dëgjuar? Strumbullarët nuk i thonë këta, e fshehin. Strumbullart është Armand Frangu, kunati i zonjës Linda, prandaj dhe AKSHI quhej kopshti privat i Edi Ramës.
Por do të marrim një aspekt tjetër tani. Aspektin e pushtetit. Edi Rama kërkon të krahasohet me mua, por ai ka qëndruar në pushtet 28 vite. Sali Berisha vërtet është nga ’90-ta në politikë, por nga këto vite, 13 kanë qenë në pushtet, të tjerat kanë qenë në opozitë.
Çfarë ndodh tani? Tani dëgjon në studiot e mashtrimit, që korruptojnë gjuhën dhe mendimin, se opozita është pushtet. Opozita është pushtet moral, është kundërshtar i pushtetit ekzekutiv, dhe s’i ka bërë kush kurrë opozitën që i kam bërë unë me partinë time.
Pra, të gjitha këto bëhen vetëm e vetëm se si të mbrohet duke dëmtuar Partinë Demokratike Edi Rama, dhe partia e krimit.
Si të mbulohen krimet e kryera. Me tre vendime, Edi Rama i jep vëllait të vet 38 mijë metër katrorë tokë tek Rrapi i Treshit. Tokë që ia merr privatit.
Unë bëra burg në shtëpi 333 ditë prej tij sepse dhëndri im kishte marrë 410 metër katrorë tokë të gjyshërve të tij me dokumente të faktuara në të gjitha kohërat se ishte tokë e familjes Begeja dhe disa familjeve të tjera, 300 pronarë. Dhe asnjë me firmën time! Dhe asnjë person i administratës shtetërore, socialiste apo demokrate, nuk është i thirrur, i dënuar, nuk i është marrë ndjekje penale. Pse? Sepse kanë kryer vetëm veprime të ligjshme.
Pra, unë mendoj se ata të cilët bëjnë këto krahasime, ata paguhen që të korruptojnë mendimin e njerëzve. Korruptojnë gjuhën nëpër studiot televizive.
Ata të cilët mendojnë se bëjnë paralelizëm: ik Rama, ik Berisha, ata më nderojnë mua.
Po pse më nderojnë? Se tregojnë se çfarë kundërshtarësh mjeranë janë. Çfarë vasalësh të Edi Ramës janë.
Në një variant ata janë njerëz të paguar për të thënë këtë.
A e patë listën me 40 mijë spiunë që ka rekrutuar me rroga të veçanta në administratë Edi Rama? Dhe jashtë administrate.
Por mund të ndodhë që ka prej tyre që kanë zero njohuri, dhe që mendojnë se mund t’i caktojnë kryetarin një organizate apo një partie, ndërkohë që vetë nuk janë anëtarë të saj.
Kjo kategori, ose ka mungesë të madhe njohurish bazë, ose pastaj është e indoktrinuar në shkallë ekstreme, por një ditë do vijë koha të kuptojë marrëzinë e mendimeve të tij.
Janaq Strolli: Si ka mundësi që një kryeministër të mbajë regjistër të veçantë për protestuesit? Në Evropë dhe kudo tjetër regjistrat mbahen për perversët, pedofilët, përdhunuesit. Madje as të dënuarit për vjedhje nuk bëjnë pjesë në to. Si mund të jetë kaq malinj një individ në krye të shtetit?
Sali Berisha: Sepse është bir xhelati.
Dhe unë t’ju them ju të vërtetën, nuk e mbaj kurrë përgjegjës djalin për të atin. Jo.
Dhe nuk më vjen mirë që e them këtë fjalë, ua them ju me sinqeritet, por ai shfaq të gjitha tiparet shpirtërore të atit. E kam thënë shumë herë, në atë mbledhje të Presidiumit të Kuvendit Popullor ku u firmos për varjen e Havzi Nelës, poetit disident, firmosi Ramiz Alia, firmosi i dyti Kristaq Rama, skulptori, njeriu i kulturës që s’duhet ta bënte kurrë. Nuk firmosi Petrit Gaçja. Jo. I ndjeri tani, se nuk është më profesor Petrit Gaçja, nuk e ka firmosur. Kurse xhelati Kristaq firmosi.
Ky është koncepti i tyre për armikun, ky është koncepti i Edi Ramës për armikun.
Por ai arriti të fusë mediat në kontroll, të korruptojë pronarët e medieve dhe më gjerë.
Para dy ditësh, pse unë kritikova Vjollcën e Topit për shndërrimin e Topit në një televizion kundër studentëve dhe protestuesve, AGSH-ja që unë kam respekt, më kritikonte mua dhe mbronte padronin.
Po të pyes unë ty o zotëri, drejtues i kësaj fushate, si u shit ajo 9 milionë në Belizë në kohë zgjedhjesh?
Sa ka marrë ajo Vjollca jote që i del zot ti o gazetar, që s’mund ta bësh kurrë këtë, sa ka marrë nga paratë e inceneratorit?
Si i del zot ti?
Ti nuk duhet të mbrosh mafiozët, as aty dhe në asnjë media.
Dhe a e sheh ti se si bëhet ajo armike e fjalës së lirë me sulmet me të egra, fut edhe atë Llakajn.
Unë i them Agronit, dhe do ia them këtu: Ti je bërë milioner me skeçet kundra meje.
Zoti të dhëntë jetë dhe të bësh dhe qindra të tjera.
Po atë ndaj studentëve e bëre shumë, shumë gabim dhe kërkoju të falur publikisht. T’u kërkosh të falur!
Nuk kishe nevojë ti të zbatoje porosi, kur t’i them këto, unë them se ti je një artist, edhe nuk t’i mohoj vlerat si artist që i ke. Mos u bëj mercenar se nuk të shkon.
Pra shoqata në vend se të mbrojë liritë, mbron Vjollcën.
***
Thirrja ime për çdo demokrat e demokrate: Është koha e provës.
Koha e provës ndërgjegjes së secilit prej nesh.
Koha e provës të investimeve që kemi bërë, gjatë jetës dhe sakrificave që kemi bërë.
Sot më shumë se kurrë kjo ditë na thërret të mbështesim studentët, të mbrojmë studentët.
Të jemi të gatshëm. T’i përgjigjemi narkodiktatorit në mënyrën që meriton ndaj çdo dhune ndaj studentëve.
Ne jemi një parti që kemi kaluar situata shumë të vështira. Kemi historikun tonë. Por gjithçka përfundon në arkivat e historisë në qoftë se s’jemi sot në krye të misionit tonë, të detyrës sonë.
Asnjë demokrat e demokrate nuk duhet të harrojë se kjo është një fushëbetejë nga e cila mbarë shqiptarët presin shpëtimin dhe secili nga ne duhet të gjendet në këtë fushëbetejë.
Duhet të punojmë ditë e natë. Duhet të mbrojmë fëmijët tanë, vajzat.
A e shihni çfarë kurajoje të jashtëzakonshme? Absolutisht as në filma nuk kam parë vajza trime si këto. Djem po e po.
Ndaj dhe të frymëzuar nga guximi, trimëria e tyre, demokratët duhet të jenë një me studentët, gjer në fitoren e kauzës së tyre, që është kauza jonë, që është kauza e çdo shqiptari, që është kauza e Shqipërisë.
Sot në orën 2 ftoj qytetarët e Tiranës t’u bashkohen studentëve tek Ministria e Arsimit në këtë përballje epike që ka lartësuar kurrë më parë emrin e vajzave dhe të djemve të Shqipërisë.
Edhe ata që nuk i pëlqejnë, edhe ata më skeptikët që nuk kanë pëlqyer disa akte, edhe ata e thonë se kërkesa e tyre është e ligjshme, është legjitime.
Çfarë do të thotë kjo? Bota e ka të qartë se ata kanë përballë një monstër dhe ne do të bëjmë gjithçka për triumfin e kauzës së studentëve që është kauza e çdo shqiptari.


