FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË SPAK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza të forta ndaj SPAK pas paraqitjes së tij në ambientet e institucionit, duke deklaruar se Prokuroria e Posaçme është tërësisht nën kontrollin e kryeministrit Edi Rama dhe se vendimmarrja e saj diktohet politikisht. Duke folur nga SPAK, ai ironizoi situatën në SPAK, duke u shprehur se, institucioni është ‘pushtuar’ nga zyrtarë të lartë të qeverisë. ‘SPAK-un real dhe SPAK-un paralel e drejton vetëm një njeri, kreu i meduzës, Edvin Kristaq Rama. Këtu nuk ka asnjë dyshim. Ky institucion kontrollohet në çdo qelizë nga Edi Rama’, u shpreh Berisha.
Lideri demokrat Sali Berisha u ndal edhe te dosja e inceneratorit të Tiranës, duke akuzuar SPAK-un se ka lënë pa përgjegjësi politike aferën që, sipas tij, ka shkaktuar një dëm prej 130 milionë eurosh për taksapaguesit shqiptarë. ‘Nuk ka akt më të shëmtuar sesa për 130 milionë euro të mos ketë një zyrtar të lartë të arrestuar, qoftë ministër, zëvendëskryeministër apo kryetar bashkie. Kjo është amnisti e krimit’, theksoi Berisha.
Sipas kryedemorkatit, Sali Berisha ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku lëshon tani fletëthirrje nga SPAK. ‘Fletëthirrje po lëshonte Belinda. Tani firmosnin tek Belinda fletëthirrjet aty. E gjeta institucionin të pushtuar komplet’, tha kreu i PD-së.
Berisha foli edhe për ‘dosjen Aruba’, ai akuzoi ish-kreun e SPAK, Altin Dumani, se po fsheh identitetin e zyrtarëve që, sipas tij, rezultojnë të përfshirë në këtë dosje. ‘Pyes shqiptarët: pse nuk tregojnë cilët qeveritarë shkuan te trafikantët e drogës? Njëri prej tyre, më kryesori, është Altin Dumani, i cili ka dosjen dhe mban të fshehtë emrat’, u shpreh ai.
Duke komentuar procesin gjyqësor për çështjen ‘Partizani’, kryetari i PD-së Sali Berisha mbrojti politikën e privatizimeve gjatë qeverisë së tij në vitet 2005-2013, duke theksuar se ajo ishte pjesë e programit elektoral të Partisë Demokratike. ‘Kam premtuar privatizim, privatizim, privatizim dhe kam mbajtur fjalën. Qeveria e Partisë Demokratike privatizoi 104 mijë objekte dhe sipërmarrje të vogla e të mesme në një vit, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar’, deklaroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u pyet nga gazetarët edhe për protestën qytetare të 4 korrikut, duke mohuar çdo pretendim se PD synon ta kontrollojë atë. ‘As kemi tentuar, as tentojmë dhe as dëshirojmë ta kapim protestën. Ajo nuk është protesta jonë. Ne e mbështesim plotësisht në frymën qytetare dhe pa asnjë konotacion partiak’, deklaroi kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij tek SPAK.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky është shënimi që lashë për Altin Troplinin Gjoka Hajrin etj, etj, etj.
‘Armikut të egër të pluralizmit politik, mercenarit të Edi Ramës, drejtësia vonon, por nuk harron’.
Tani, sigurisht që si gazetarë, edhe publiku, është shumë i interesuar të dijë se çfarë gjeta unë, çfarë konstatova unë gjatë vizitës time në Skapin e partisë.
Aty kishin marrë zyra të veçanta Lubi Balluku, Saje Qorri, Ergys Agasi dhe disa të tjerë që edhe nuk i njoha mirë.
Pra, ata po punonin ditë e natë më thanë, në ndihmë të Skapit të partisë.
Oltion Bistri ishte punësuar për sistemin e informatikës.
Me një fjalë, Skapi ishte pushtuar përfundimisht dhe Lubia bënte ligjin këtu.
Pyetje: A mos patë ndonjë fletëthirrje ose ndonjë kërkesë tjetër për Kuvendin ndaj Belinda Ballukut?
Sali Berisha: Fletëthirrje po lëshonte Belinda.
Tani firmosnin tek Belinda fletëthirrjet aty. Kështu që e gjeta të pushtuar komplet këtë institucion.
Imagjinoni pak, rast për Gines.
Djegësi i Tiranës, 130 milionë euro të zhdukura, para të qytetarëve të Shqipërisë, taksapaguesve. Dhe janë gjithsej të akuzuar Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu. Dhe dy punonjës të thjeshtë, kaq janë.
Paçka se Edi Rama ka firmosur me dorën e tij të zezë, dhënien e bonusit tetë pikë kompanisë e cila u krijua tetë muaj më vonë mbasi mori bonusin.
E shpalli fituese kompaninë, e cila u themelua dy ditë pasi u shpall fituese. Kurse Erion, Lali Vjedhësi, që kishte detyrë ligjore të kontrollonte punimet së bashku me Lubi Ballukun, bëjnë luftë kundër njëri-tjetrit, Lubia e përcolli Lali Vjedhësin dhe vetë tani firmos urdhër-arrestet nga Skapi i partisë.
Pra, nuk ka akt më të shëmtuar se për 130 milionë euro të mos ketë një zyrtar të lartë të prangosur, qoftë ai ministër, qoftë ai zëvendëskryeministër apo kryetar bashkie. Kjo është amnisti e krimit.
Përveç kësaj, siç e shihni ju, a ka dëshmi më flagrante të përkatësisë partiake të këtij institucioni, i cili mban të fshehtë emra. Ose si Engjëll Agaçi, Ergys Agasi e të tjerë, të cilët përfliten se janë në dosjen Aruba dhe dalin emrat e trafikantëve, dalin emrat e biznesmenëve të dërguar në Aruba me porositë e qeverisë, por jo të qeveritarëve sepse kjo do të ishte dëshmia absolute e narkoshtetit shqiptar.
Ka gjë më të turpshme, ka gjë më të papërgjegjshme se kjo?
Pyesni shqiptarët: Pse nuk tregojnë cilët qeveritarë tuaj shkuan te trafikantët e drogës? Këta janë më të këqij se ata, ata që fshehin emrat e tyre. Dhe njëri prej tyre, më kryesori, është Altin Dumani i cili ka dosjen.
Doktor Berisha, kanë nisur në Gjykatën e Posaçme të dëshmojnë ish-funksionarë të kabinetit Berisha 1 në lidhje me dosjen Partizani. Sot është Gazmend Oketa, ndërsa në një seancë të mëparshme ka qenë Ylli Pango, i cili foli edhe për qëndrimin e qeverisë Berisha 1, ku sipas tij në mbledhjet e para ishte dhënë direktiva që të përshpejtoheshin proceset e privatizimit. Si e komentoni ju dëshminë e Ylli Pangos?
Sali Berisha: E komentoj si një të vërtetë absolute. Kam pasur një program elektoral, në të cilin u kam premtuar shqiptarëve privatizim, privatizim, privatizim.
Dhe ajo ka qenë mbajtje e fjalës. Nuk ndaja fjalën nga vepra. Kisha premtuar privatizimin e objekteve të privatizueshme dhe kam proceduar me shpejtësinë më të madhe.
Ju duhet ta dini, t’ju jap një shifër, qeveria e Partisë Demokratike ka privatizuar në një vit sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar 104 mijë objekte dhe sipërmarrje të vogla e të mesme.
Pra, privatizimi është një parim themelor i asaj partie, i atij spektri politik që unë i përkas.
E përshëndes dëshminë e zotit Pango, i cili ka mbrojtur aty programin e qeverisë në të cilën ka bërë pjesë.
Dhe meqenëse ti flet këtu, meqenëse pyet për këtë, tani të pyes edhe unë pak. Si të duket ty? A s’është kështu? Akuzohet tjetri se ka marrë 410 metra katrorë tokë të gjyshes dhe gjyshit të vet, ndër të cilët edhe të pushkatuar nga regjimi, me të gjithë dokumentet. Me të gjithë dokumentat!
Dhe që faktohet se ato kanë qenë edhe në ’37-ën prona e tyre. Dhe nuk akuzohet këta që zhdukën qeveritarët 130 milionë euro në djegësin e Tiranës.
A nuk janë këta prokurorë, apo këta mjeranë të qeverisë më të korruptuar në Europë dhe në botë?
Për sa i përket zotit Oketa, e përshëndes dhe e ftoj të thotë gjithçka din rreth atij problemi. Kaq.
Ajo është procedura më transparente, më ligjore, në të cilën armiqtë e saj ligjorë nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje ligjore.
Zoti Berisha, sa herë paraqiteni për të zbatuar vendimin e gjykatës, ju përherë përmendni emra duke nisur nga Dumani e të tjerë, dhe sot Belinda Balluku, e të gjithë të tjerët. Kjo është simbolikë apo ju doni të thoni se ka një SPAK paralel, e nëse ka një SPAK paralel, kush e drejton këndvështrimin tuaj këtë SPAK paralel?
Sali Berisha: SPAK-un real dhe SPAK-un paralel e drejton vetëm një njeri, kreu i meduzës Edvin Kristaq Rama.
Këtu nuk ke, nuk mund të bësh një aluzion, të mendosh se jo.
Si mund t’i fshehësh publikut emrat e qeveritarëve që shkuan dhe u takuan me trafikantët e drogës për të bërë marrëveshje për investimet e parave të tyre?
Kjo nuk ndodh në botë kund, përveçse në Shqipërinë e Edi Ramës që kontrollon këtë institucion në çdo qelizë.
Vërtet Dumani e mban sekret sepse e urdhëron Rama, po ai kryen një krim para popullit shqiptar.
I vetmi që nuk mund të përbënte asnjë lloj problemi, është qeveritari që në shkelje të çdo ligji u bë ushtari i bandave dhe trafikantëve dhe arriti me ta marrëveshjen për investime në Tiranë.
Pra mund të thuash se X apo Y trafikant ka dhe çështje të tjera që po hetohen e të tjerë e të tjerë, prandaj s’po ia them emrin e të tjerë e të tjerë, por qeveritari që i ka hipur avionit për të shkuar në Aruba dhe për t’u takuar me trafikantët bashkë me biznesmenët, dhe për t’i dhënë kullat e Tiranës atyre, ai është kryekriminel, është më kriminel se trafikantët, se të gjithë të tjerët.
Dhe këto i mban të fshehtë Altin Troplini. Si iu duken ju këto?
Ju si gazetarë mendoj unë, ju çdo ditë në ekranet tuaja duhet të vinit një alarm për këtë.
Se nuk ka akt më flagrant të varësisë totale të verbërisë së plotë të këtij institucioni nga Edi Rama. Kë mbrojnë ata? Çfarë mbrojnë ata? Ata mbrojnë ose vëllanë e Edi Ramës për Edi Ramën, ose sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë po për Edi Ramën, ose Ergys Agasin, po për Edi Ramën.
Thuhet dhe për Gjiknurin, po ai e bën be rrufe, po kur i thashë që hajde betohu në Bibël, nuk ia mbajti. Ishte i gatshëm të betohej në Kushtetutë, se për Kushtetutën s’pyesin fare ata, po jo në Bibël.
Doktor, dy pyetje. Ka një kërkesë nga Ulsi Manja për të ndryshuar Kushtetutën për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK. Personalisht ju po e Partia Demokratike keni një përgjigje në këto momente?
Dhe kundërshtari juaj politik para pak ditësh ka festuar 60 vjetorin. E keni bërë një urim, e keni bërë një dhuratë, ose do t’i bëni një urim nëse s’i keni bërë një mesazh?
Sali Berisha: Tani, lidhur me Ulsiun, që mund t’i vesh çdo emër. Ulsiu është peng i dosjes, e cila në regjistrime nxjerr se Ulsiu nga çunat e Londrës ka marrë 600 mijë euro.
Dhe përveç kësaj, ka kërkuar dhe një çantë Louis Vuitton, dhe kur i thotë ai në telefon, po këtë çantën Louis Vuitton për kë e ke? Aha, i thotë, e kam për bashkëshorten. Jo, jo, i thotë, nuk i bën çanta Louis Vuitton asaj, e ke për tjetërkënd, se ia dinin dhe lidhjet Ulsiut, a më kupto apo jo?
Pra, Ulsiu që në momentin që të thirret, Ulsiu i ka të paktën 8 vite deri në 12 vite burg. Prandaj dhe ai është i gatshëm të bëjë çdo kompromis, vetëm t’i shpëtojë kësaj dosje që nuk i shpëton kurrë.
Përveç kësaj, ky paska familjarë sipas të dhënave të mediave, nuk mund të them me dokumente, por të implikuar në afera të ndryshme korruptive. Pra, Ulsiu është një skllav i dosjeve të tij.
Po për ditëlindjen, urimin, mesazhin?
Sali Berisha: Urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore, qytetare me datën 4 korrik, e cila me madhështinë e saj përsëriti 20 shkurtin e vitit 1991. Ajo ishte një protestë me kreativitetin më madhështor, më të jashtëzakonshëm që është parë ndonjëherë në Tiranë. Dhe ata, ata, ia bënë të gjitha urimet që meritonte.
Po ju personalisht a u bashkuat me atë urim?
Sali Berisha: Unë bashkoj zërin tim me protestën, ky është i gjithë, përgjigja ime, pra bashkoj zërin tim me atë të protestës për urimin që i bënë.
Zoti Berisha, meqë jemi te protesta, e keni kapur ju protestën?
Sali Berisha: Absolutisht kurrë! Kurrë!
Dhe ua them unë këtu. Qëndrimi ynë ka qenë që në fillim dhe ju duhet të keni shumë të qarta ato që deklaroj unë, kurrë nuk ndryshoj unë nga ato.
Asnjë ndërhyrje në punët e saj.
Nuk është protesta jonë, dhe e drejta dhe morali duhet të ishin të pamëshirshme ndaj atyre që përpiqen t’ia kapin apo manipulojnë atë protestë të rinjve shqiptarë.
Po, kam deklaruar dhe deklaroj se bazuar në pesë kërkesat e tyre, Partia Demokratike mbështet me të gjitha mundësitë e saj protestën. Jashtë çdo konotacioni, simboli partiak, por thjesht në frymën qytetare. E kemi bërë këtë në rrafshin brenda vendit, e kemi bërë këtë po me kaq zell në rrafshin ndërkombëtar dhe me sukses.
Protesta ka marrë mbështetjen ndërkombëtare të Partisë Popullore që qeveris sot Europën, partisë më të fuqishme sot në spektrin politik europian.
Ky është qëndrimi ynë, po as kemi tentuar, as nuk tentojmë, as nuk dëshirojmë, jo.
Ne jemi forcë politike që ishim në protestë, doli kjo protestë dhe kërkesat janë të njëjta me ne, e mbështesim plotësisht.
Në të njëjtën urim ditëlindje për zotin Rama ishte edhe kërkesa për largimin tuaj. Çfarë mendoni për këtë, dhe e dyta a ka një strategji Partia Demokratike si do të vijojnë protestat e Partisë Demokratike?
Sali Berisha: Tani, e kam theksuar. Janë disa klithma, përpjekje të opozitës së opozitës, vegël e mirëfilltë e qeverisë, e cila mendon se nuk mund të rritet si opozitë me praninë e Sali Berishës për faktin e vetëm se janë fake opozitë.
Për faktin e vetëm se flirtojnë. Ndaj ata shfrytëzojnë këtë protestë për një slogan apo parullë të tilla.
Por kjo as nuk e ka penguar, as nuk e pengon Partinë Demokratike për të mbështetur fuqimisht protestën. Për të mbështetur me të gjithë forcën protestat. Nuk i pengon demokratët në qindra dhe mijëra për të qenë të pranishëm në protestë.
Është pra, thjesht një veprim gueril i atyre që operojnë në emër apo për llogari të Edi Ramës në këtë rast konkret, e kam fjalën.


