FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA TEK SPAK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar SPAK-un se po mbron qeverinë dhe po amniston krimin elektoral, duke e cilësuar institucionin si pjesë të asaj që ai e quan narkoshtet. Duke folur për gazetarët nga oborri i SPAK, ai akuzoi Prokurorinë e Posaçme për mos hetimin e shkeljeve që shoqëruan zgjedhjet e 11 majit. ‘Edhe njëherë dua të denoncoj krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral’, deklaroi Berisha, duke pretenduar se dokumentet e institucioneve ndërkombëtare kanë evidentuar shkrirjen e strukturave partiake me ato shtetërore gjatë procesit zgjedhor.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha iu referua raporteve të ODIHR-it, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, duke pretenduar se ato kanë evidentuar se ‘partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një’. Berisha e akuzoi SPAK-un se, duke mos hetuar këto çështje, po shndërrohet në ‘patericë kryesore të narkoshtetit’. Madje, gjatë prononcimit, ai deklaroi se do të rikthehej pranë institucionit me maskë kundër drogës, pasi, sipas tij, ‘aty qelbej drogë vendi’.
Kryetari i PD-së Sali Berisha foli edhe për raportin mes SPAK-ut dhe qeverisë, duke deklaruar se, institucioni nuk po vepron në mënyrë të pavarur dhe se po mbron zyrtarë të lidhur me pushtetin. Ai përmendi edhe dosjen e Arubës, ku është i përfshirë edhe Edi Rama, një çështje që sipas lideri rë demokratëve duhet të hetohen nga drejtësia.
I pyetur për kërkesat për largimin e tij nga drejtimi i PD-së, kryetari Sali Berisha u përgjigj se ato i bëjnë nder, duke i cilësuar si dëshmi se është kthyer në kundërshtarin kryesor të regjimit. ‘Kjo kërkesë më bën nder shumë. Sepse fakton edhe një herë se Sali Berisha është tmerri dhe ferri i narkoregjimit, i narkopushtetit, i narkozyrtarëve dhe i bandave të tij. Ndjehem krenar!’, tha ai.
Sa i përket protestës studentore, lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se, PD-ja i është përgjigjur e para thirrjes së Sindikatave të Pavarura të Universitetit për protestën e 13 tetorit. Ai nënvizoi faktin se, se trukturat e Forumit Rinor të PD-së kanë luajtur rol në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve, por theksoi se protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar. ‘Kjo protestë, kjo revoltë është studentore. Ata që kërkojnë ta kapin, ata do përfundojnë aty ku e kanë vendin’, deklaroi Berisha, duke shtuar se të rinjtë demokratë do të jenë pjesë e protestës, por ‘jo me simbole partiake, sepse ne respektojmë frymën dhe karakterin qytetar’.

FJALA E PLOTE
Së pari, një përshëndetje të përzemërt të gjithëve ju miq që jeni këtu dhe të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë prononcim para shtypit në oborrin e selisë së Partisë Socaliste bis, numër 2 apo seksionin special të kësaj partie.
‘Altin Gjoka Hajri Troplini dhe pesë mbiemra të tjerë, armikut të egër të pluralizmit politik dhe votës së lirë të shqiptarëve, mercenarit të Padrinos së Shqipërisë, Edvin Kristaq Xhelati, drejtësia vonon, por nuk harron’.
Edhe njëherë dua të denoncoj krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral.
Krimi elektoral në Shqipëri është sot i certifikuar me dokumentet më themelore të institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet.
Krimi elektoral në Shqipëri ka arritur formën më të egër, më barbare, atë që quhet parti-shtet.
Institucionet më serioze ndërkombëtare, ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian kanë gjetur se zgjedhjet e 11 majit, partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një.
Por kjo për Altin Hajrin Gjokën Troplinin Farrukun, se zinxhirin e ka të pafundëm ky, pra për të, kjo nuk është krim.
Ky seksion i PS kryen krim të rëndë kushtetues kur nuk heton krimin elektoral dhe e amniston atë.
Shndërrohet në patericë kryesore të narkoshtetit dhe jo rastësisht mund t’u them se radhën tjetër do vij me maska antidrogë se aty qelbej drogë vendi.
Nuk e di se ç’kishte ndodhur sot, por u detyrova të përdor një shami xhepi si maskë për shkak të kundërmimit në të katër anë drogë të këtij institucioni.
Dhe krenarë se janë institucion i narkoshtetit.
Krenarë se mbrojnë narkoshtetin, i cili përbën pushtuesin më të egër të kombit shqiptar në të gjitha kohërat.
Përbën shkatërrimtarin më të madh të qenies sonë kombëtare, varfëruesin më të madh të shqiptarëve.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, keni dëgjuar këto ditë se padroni i Edi Ramës u përmbys.
Duhet t’u them këtu se ai ishte një Gjeorgjeviç në miniaturë.
Ai ishte një kriminel lufte, mbështetës i gjenocideve dhe krimeve kundër njerëzimit.
Por ai në Serbi, ndonëse kishte çdo mundësi, nuk ndërtoi narkoshtetin, siç ndërtoi argati i tij në Shqipëri.
Në krahasimin e 40 monedhave, se mediat ua fshehin ju këtë, ua fshehin rekordin më të zi botëror të Shqipërisë, leku, monedha më e fortë në botë në raport me euron dhe dollarin për shkak të tonelatave të narkoeurove që vijnë në Shqipëri dhe kthehen në lekë.
Leku ka zhvlerësuar në Shqipëri 33 përqind euron dhe 35 përqind dollarin.
Ka zhvlerësuar 33 përqind eksportet shqiptare.
Ka zhvlerësuar 33 përqind kursimet në euro të shqiptarëve.
Ka goditur në mënyrën më fatale turizmin.
Ka goditur prodhimin. Nga viti 2022 deri në vitin 2026, në qoftë se në Serbinë e Vuçiçit, eksportet u rritën nga 21 miliardë në 34 miliardë euro, në Shqipërinë e argatit të Vuçiçit, nga viti 2022 deri në vitin 2026, eksportet u vidhisën, ranë me 28 përqind të tyre.
Në qoftë se në Serbi prodhimi industrial u rrit me 3-4 përqind në vit, në Shqipëri ka rënien më të madhe pas Ukrainës në luftë, ka rënë me 15.3 përqind.
Dhe aty fle dosja e Arubës, ku vetë Edi Rama, se tani më thonë që turisti i madh i Arubës ka qenë vetë Padrinoja.
Deri tani nuk e kisha këtë të dhënë.
Tani del se në dosje është vetë Padrinoja.
Aty flenë dosjet dhe ata mbrohen me ligj.
Se ata mbrojnë vjedhjen e votës.
Mbrojnë Taulant Ballën që bën marrëveshjen për të arrestuar banda rivale dhe për të marrë 200-300 mijë vota.
Të gjitha këto janë dhe do jenë dosje të drejtësisë së vërtetë.
Ndaj dhe njëherë, drejtësia vonon por nuk harron.
Ata që shtypin pluralizmin duke përdorur ligjin, ata që bllokojnë rotacionin dhe mbështesin narkoshtetin, ata janë armiq të egër të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Çfarë po ndodh aty? Pse kjo vëmendje?
Po paraqitet administratori i inceneratorit të Elbasanit…
Sali Berisha: Aty duhet të jetë Mazniku. Edhe Peleshi. Në inceneratorin e Elbasanit e ka edhe Peleshi firmën.
Si puna e parave të Ilir Beqës.
Zoti Berisha dy pyetje, e dita e sotme u fokusua tek pjesa e krimeve elektorale, çfarë do të thotë apo i prin Partia Demokratike asaj çfarë mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme vendore të datës 9 maj? Dhe pyetja e dytë, cila do të jetë strategjia që do të ndjekë Partia Demokratike sa i takon protestës së studentëve?
Sali Berisha: E para, Partia Demokratike u tha shqiptarëve se ajo do mbrojë votën. Dhe e vërteta është, siç e keni marrë vesh, në zgjedhjet e 11 majit Edi Rama nuk mori një urim si çdo vit tjetër nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara.
Për mungesë të këtij urimi, zëdhënësi i Departamentit iu përgjigj pyetjes së një gazetari, në nuk gabohem, i akredituar në Shtëpinë e Bardhë, nuk jam i sigurt në këtë, se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, uron vetëm ata që dalin nga zgjedhje të lira. Ia la pra në xhep dopio gjashtën- në gjuhën popullore- Edi Ramës. Nuk e uroi për zgjedhje jo të lira.
Së dyti, sigurisht që zgjedhjet janë vëzhguar nga qindra vëzhgues ndërkombëtarë. Por po ju them këtu, që ditën që kanë vënë këmbën në Shqipëri dhe gjer sa janë larguar, Partia Demokratike ka paraqitur para tyre me me qindra dokumente të dhunimit të ligjit elektoral shqiptar dhe ndërkombëtar.
Këto bënë që, që në raportin e parë të thuhet, se linja midis partisë dhe institucioneve shtetërore është fshirë. Nuk kishte më dallim midis partisë dhe institucioneve shtetërore.
Këto bënë që në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të miratohet rezoluta në të cilën Shqipërisë i kërkohet të ndajë partinë nga shteti. E di kujt i kërkohet tjetër? Koresë së Veriut. E di kujt i kërkohet tjetër? Lukashenkos. Të kërkosh në një vend të ndajë partinë nga shteti, do të thotë se ai vend është një diktaturë autoritare.
Së treti, cilido që lexon me vëmendje raportin e ndërkombëtarëve, ka një arbitër apo jo, ju do gjeni aty se në afatin ligjor që nuk mund të ndodhnin, u zhvilluan 4500 aktivitete për të influencuar zgjedhësit.
Do lexoni aty se bandat e Fierit, Lushnjes- dhe në Fier ishte Lubia, e kuptoni vetë, ishte Kapolubia- e Fierit, Lushnjes, Elbasanit, Lezhës, Durrësit, Shkodrës përcaktuan rezultatet e zgjedhjeve.
Po në këto raporte, falë punës së jashtëzakonshme të bërë, dokumentohen të gjitha dhunimet e parimeve më themelore ndërkombëtare për zgjedhjet, parimeve të Kartës së Kopenhagenit. Po me kërkesën e Partisë Demokratike, në Shqipëri erdhi misioni faktmbledhës i përfaqësuesve të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe ata bënë një rezolutë damkosëse për zgjedhjet.
Përveç kësaj, ju e dini shumë mirë raportin e COELA-s. Mikeshja e famshme e Edi Ramës, zonja Marta Kos kishte dërguar në COELA një raport lajle dhe lule, ku Edi Rama dilte ylli shkëlqimtar. Raporti u përmbys nga diplomatë seriozë, të cilët përbëjnë një forum me përfaqësues të të gjitha kombeve, dhe Edi Rama vetëm pas përpunimit tremujor të raportit të zonjës Kos, pasioni i saj për të mbrojtur Edi Ramën ka kufi vetëm qiellin, raporti mori përmbajtjen që duhet të kishte.
Pra, ne e kemi bërë detyrën tonë. Por ka një gjë. Puthadorët e Edi Ramës, të ushqyer nga krimi dhe mafia, përdorin çdo ditë fjalën ‘zgjedhje’ në vend të përdorin termin ‘farsë zgjedhore’. Dhe ju them një gjë, kjo është forma më ekstreme e korrupsionit. Përdorimi i fjalëve me kuptimin që nuk e kanë, përdorimi i zgjedhjeve për të shprehur farsën është akti më i papërgjegjshëm, më korruptiv i gjuhës shqipe, por dhe i mendimit të njerëzve.
Dëgjoni ju të flitet për narkoshtet në mediat e vendit? I ndaluar. I ndaluar!
Duan të fshehin Dajtin, krimin që është sa Dajti, me censurë. Dhe mendojnë se në këtë mënyrë bëjnë detyrën.
Jo! Ndaj dhe ne qëndrojmë të pamposhtur si opozitë, të vendosur çdo ditë.
Ka një altoparlant aty apo është një zyrë tjetër atje?
Atëherë ne paskemi hyrë në territorin e tyre. Po edhe aty Irena me pesë mbiemra po jep vendime.
Pyetje: Ka një kërkesë masive për largimin tuaj, ju keni thënë se nga kjo foltore nuk flisni për politikë, po nëse keni një koment?
Ka dhe një listë studentore publike për herë të parë, ku ka dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, të shoqërisë civile, emra po ashtu edhe nga magjistratët, si e lexoni ju?
Sali Berisha: Së pari, kjo kërkesë më bën nder shumë. Sepse fakton edhe një herë se Sali Berisha është tmerri dhe ferri i narkoregjimit, i narkopushtetit, i narkozyrtarëve dhe i bandave të tij. Ndjehem krenar!
Edhe një herë, ndjehem krenar me këtë kërkesë dhe u them këtyre puthadorëve të Edi Ramës se jo ju, shërbëtorë të shpifur të një Padrinoje, po askush në botë, dhe këta, shihni këta burra dhe këto gra këtu që janë, ia faktuan të gjithë botës se kryetarin e tyre e zgjedhin vetëm ata dhe askush tjetër.
E zgjedhin vetëm ata dhe askush tjetër!
E zgjedhin vetëm ata dhe askush tjetër!
Partia Demokratike ka mbështetur, i është përgjigjur e para thirrjes së Sindikatave të Pavarura të Universitetit për protestën studentore të datës 13 tetor.
Këto janë dokumente, këto janë fakte, këto s’mund t’i mohojë askush.
Partia Demokratike, strukturat e saj të forumit rinor, ne kemi një forum rinor, kemi një organizatë partnere në statutin tonë që është Forumi Rinor i Partisë Demokratike, i cili ka degën e saj në universitete, kjo degë me degët kanë luajtur një rol të madh shumë në bojkotin e universiteteve dhe gjimnazeve të mbarë vendit, para se sindikata të shpallte bojkotin e universitetit. Mos harroni, këtu është armiqësia me PD-në e këtyre, me forumin rinor dhe me PD-në.
Këta janë mjeranë.
Pra, para se të shpallet bojkoti dhe greva e universitetit, seksionet apo organizata e forumit, në bashkëpunim me të tjerë, kanë realizuar grevën kombëtare të universiteteve dhe pjesës dërrmuese të gjimnazeve.
Kjo protestë, kjo revoltë është studentore.
Ata që kërkojnë ta kapin, ata do përfundojnë aty ku e kanë vendin, ku përfunduan ata Jagot e Flamingove.
Ku përfunduan Jagot e Flamingove, që tani sillen si korba për të marrë shpërblimet e tjera nga Edvin Kristaq xhelati.
Jo, të rinjtë demokratë dhe populli demokrat do të jetë i tëri në protestë, jo me simbole partiake, sepse ne respektojmë frymën dhe karakterin qytetar.
Kurse mjeranët që lëshojnë klithma apo marrin agjentë të policisë në bashkëpunim, ata do përfundojnë aty ku e kanë vendin, në koshin e letrave po themi, mos të themi të plehrave, të letrave të themi atë, një fjalë më të mirë.
Prej 22 shtatorit, vendi ynë është pa drejtues të shërbimit informativ shqiptar. Pra nuk, ende Edi Rama nuk ka vendosur drejtuesin informativ shqiptar. Sa kosto merr Shqipëria këtë kohë?
Sali Berisha: Më vjen keq, e drejtojnë Troplinët, e kanë Troplinët SHISH-in.
SHISH-i është në dorë të Troplintëve, se e drejtojnë kartelet. Nuk ka nevojë të jetë… janë Troplinët që e drejtojnë.
Zoti Berisha, dhe një pyetje tjetër. Gjykata Penale e Tiranës në shumicën e rasteve, protestuesit të cilët janë arrestuar gjatë protestave, i ka liruar. Përpos disave që janë caktuar ‘arrest me burg me afat’, ose ‘arrest në shtëpi’. Si e komentoni ju këtë fakt?
Sali Berisha: Së pari, ata që janë dënuar me arrest shtëpie dhe burg, i garantoj se çdo ditë burg do të dëmshpërblehet me trefishin e ligjit! Çdo ditë!
Është burg për lirinë, për dinjitetin e shqiptarëve!
Së dyti, i përgëzoj ata gjykatës, të cilët në përgjegjshmëri të plotë, në zbatim të ligjit, kanë konstatuar arrestime të paligjshme nga narkobanditë, të cilët absolutisht do përgjigjen.
E morët vesh apo jo? Shefi i policisë kriminale në Beograd sot është në burg. Po edhe padroni i tij po ecin drejt burgut me shpejtësi. Ndaj dhe zhvillimet s’mund t’i ndalë askush, as me fake opozitë, as me Jago, me asgjë.
Populli është ngritur.
Urrejtja dhe pakënaqësia ndaj Edi Ramës ka kapur qiellin. Ata që duan t’i bëjnë shërbimet e fundit, do marrin vulën e turpit, siç e meritojnë.


