Berisha: Sot Shqipëria është eksperimenti më tragjik i aplikimit të doktrinës së Xhorxh Sorosit. Ai është kryecensori i planetit. Aktiviteti i tij jashtë SHBA-së duhet të ndalohet

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FORUMIN KONSERVATOR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në forumin për të ardhmen e Shqipërisë, të organizuar nga ‘Albanian Policy Center’ dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Heritage Foundation, Këshilltari i lartë i Presidentit James Carafano dhe ish zyrtari i lartë i Pentagonit, Steven Bucci.

Berisha theksoi në fillim se konservatorizmi në Shqipëri i ka rrënjët më të thella, ku sipas tij në këto rrënjë qëndrojnë mijëra e mijëra jetë të sakrifikuara.

Në një rrëfim të tij para të pranishmëve në aktivitet, Berisha u ndal veçanërisht në atë që shkruante Regan në librin e tij të Shqipërisë postkomuniste, duke thënë se prësidenti Sali Berisha vendosi në atë kohë, TVSH më të ulët në botë pas Kosta Rikës. Kosta Rika e kishte 9 %, Shqipëria e kishte 12.5 %.

Berisha u shpreh gjithashtu se, sot Shqipëria është eksperimenti më tragjik i doktrinës, i aplikimit të doktrinës së Xhorxh Sorosit në mënyrën më të plotë se në çdo vend tjetër.

‘Xhorxh Soros është kryecensori i planetit. Aktiviteti i tij jashtë SHBA-së duhet të ndalohet’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në ‘Forumin për të Ardhmen e Shqipërisë – Rruga Konservatore’.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se e vërteta është se kjo që ndodh sot në Shqipëri është një demokraci e shuar. Berisha theksoi se, ‘Edi Rama për të fituar zgjedhjet, ka vendosur në arrest dhe ndjekje penale tre liderit e partive kryesore të opozitës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma të pranishëm në panel dhe në sallë.

Së pari do të përshëndes shumë përzemërsisht, praninë e miqve tanë nga fondacioni Heritage, tempulli i doktrinës së konservatorizmit në botë, doktor James Carathanos dhe Stive Bucci, miku im i vjetër. Nderohemi shumë nga prania juaj, jemi shumë mirënjohës.

Dua të përshëndes praninë këtu të përfaqësuesit të djathtës polake, eurodeputetit, Ryszard Czarnecki me të cilin shkëmbeva gjatë mendimet.

Drejtuesin e fondacionit konservator të Italisë, Francesco Giubilei si dhe përfaqësuesit e qendrës për të drejtat themelore të Hungarisë, Nagy Dénes András.

Të përshëndes të gjithë miqtë që kanë ardhur dhe nderuar këtë konferencë që unë e vlerësoj jashtëzakonisht të rëndësishme për opozitën shqiptare dhe Shqipërinë.

Të dashur miq!

Konservatorizimi në Shqipëri ndryshe nga sa mendohet, ka rrënjë më të thella, ndofta se në çdo vend tjetër. Në rrënjët e tij qëndrojnë mijëra e mijëra jetë të sakrifikuara për vlerat bazë themelore që konservatorët ndajnë njëri me tjetrin për dinjitetin dhe liritë, për vendin, për besimin e tyre, besimin e tyre fetar, dashurinë për atdheun e tyre.

Në këtë kontekst, pavarësisht se diktatura e Enver Hoxhës, ishte e vetmja diktaturë e 3 apo 4 fishtë në Europën Lindore, përsëri shqiptarët një popull tradite, me sakrificën e bërë për këto vlera, nuk mund të mos përqafonin qëndrimet konservatore pas përmbysjes së diktarës.

Në rast se ndonjëri nga ju do të më pyeste çfarë është për mua, me një fjalë të vetme, për individin, konservatorizmi, unë do të zgjidhja; dinjiteti i njeriut.

Një konservator lufton mbron, qëndron për dinjitetin e tij. Dhe e vërteta është se, nëse lirinë do ta përfytyronim si një sferë me shumë shtresa, ajo thelb do të kishte dinjitetin njerëzor.

Pas përmbysjes së diktaturës, ne dolëm nga regjimi si populli më i raskapitur i planetit. Të tretët më të varfër në botë.

Unë që ju flas ju këtu, isha një kardiolog i apasionuar pas profesionit tim. U shkëputa prej profesionit për dinjitetin tim dhe jo për të bërë politikë, por ngjarjet u zhvilluan në atë mënyrë dhe ne e përmbysëm diktaturën komuniste.

Tani do të ju rrëfej një gjë të dytë.

I vetmi manual që unë kisha në tavolinën time përveç ligjeve kushtetuese ishte një libër i Ronald Reganit, parimeve të tij për ekonominë, por unë kisha një admirim të pakufishëm për këtë burrë të madh të kombit amerikan. Në vlerësimin tim ai u shndërrua në promotor kryesor të rënies së diktaturave komuniste, dhe çdo ditë lexoja në atë libër.

Sigurisht që individi të ndihet i lirë, duhet të ndihet i lirë në radhë të parë nga fuqia e pushtetit, duhet të jetë i garantuar nga ligji në liritë dhe veprimtarinë e tij.

Ronald Regan shkruan se, paratë në xhepat e qytetarëve janë më të vlefshme se në arkën e shtetit dhe Sali Berisha vendosi në atë kohë, TVSH më të ulët në botë pas Kosta Rikës. Kosta Rika e kishte 9 %, Shqipëria e kishte 12.5 %.

Hoqëm taksën mbi dividentin dhe u angazhuam në një proces të shpejtë privatizimi.

Regani në librin e tij thoshte; është mëkat i madh të përpiqesh të ringjallës industritë e falimentuara. Ndoshta ne ishim i vetmi vend në Europën lindore që nuk bëmë asnjë akt për ringjalljen e tyre.

Terapia e shokut në pamje të parë një akt brutal dhe i dhimbshëm, në fakt çlirues dhe një hop lirie për tregun.

Të dashur miq!

Shqipëria vendi që kishte gjithses 204 dollarë për frymë në vit, arriti për katër vite ne 820 dollarë.

Shpresa rritej nga viti në vit. Përsëri në pushtet në vitet 2005-2013, përsëri taksat e ulëta, qeveria e vogël. Morëm një qeveri prej 200 mijë punonjësish, zbritëm në 80 mijë punonjës.

Hapëm garën dhe Shqipëria kaloi nga vendi me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Zbatimi i ligjit, e bëri vendin të sigurtë. Lufta kundër korrupsionit bëri që Shqipëria të jetë vendi i parë në botë që të vendosë sistemin e plotë digjital të prokurimeve dhe ky sistem u certefikua nga Banka Botërore dhe më pas u shpërnda si sistem i dobishëm.

Mendoj se përsëri vlerat konservatore, parimet e konservatorizmit, duke vendosur në epiqendër individin, fuqinë e tij krijuese, gjeninë e tij krijuese, dhanë efektin e tyre të madh.

Por ndërrimi i pushtetit në mënyrë dramatike solli Shqipërinë në situatën që ndodhet sot. Një situatë që përsëri të kujton Ronald Reganin i cili shkruante se që liria të shuhet, mjafton një gjeneratë.

Dhe në fakt sot Shqipëria është eksperimenti më tragjik i doktrinës, i aplikimit të doktrinës së Xhorxh Sorosit në mënyrën më të plotë se në çdo vend tjetër.

Të dashur miq!

Në tetor të vitit 2017 ne u nderuam këtu me samitin e lirisë të Konservatorëve dhe Reformatorëve të Europës dhe botës.

Në atë samit theksova dy momente. Sot konservatorizmi përballet me probleme më madhore, apo pluhurin toksik të komunizmit.

Rënia e komunizmit në Europën ish-komuniste u shoqërua me shpërndarjen e toksinave të këtij sistemi, kudo në botë.

Ishte qershori 1991, kur sekretari Bejker më pyeti mua: Sali, a ka rënë komunizmi në Shqipëri apo jo.

Përgjigja ime ishte se; komunizmi ka rënë, por mbeturinat e tij janë shumë toksike. Dhe e vërteta, ato u përhapën, u fuqizuan edhe më shumë në botën akademike, në media, politikë dhe me emrat të ndryshëm sot mbrojnë pothuajse ato pikëpamje, natyrisht jo me burgje e kampe përqendrimi, por me të tjera.

Faktori i dytë madhor është Xhorxh Soros.

Xhorxh Soros është miliarderi i vetëm në mijëra miliardjerë, që përdor paratë së pari për të

promovuar monizmin duke krijuar mijëra organizata të shoqërisë civile dhe vendosur ato nën ombrellën e të majtës, njëlloj si dikur nën ombrellën e partisë shtet.

Por kjo është një goditje për demokracinë.

Së dyti, dua ta pranojmë, Soros është korruptori kryesor në planet.

Cilido që ka lexuar për perandoritë dhe trajtimin që u bënin ato kolonive, kanë pasur një tipar, përdornin paratë për të blerë lokalët, para se të dërgonin ushtritë.

Xhorxh Soros është politikblerësi më i madh i të gjitha kohërave. Nuk po jap statistika, por kudo që të klikoni e gjeni.

Për këtë arsye në mënyrë të përsëritur kam bërë thirrje që veprimtaria e tij politike jashtë SHBA të ndalohet.

Përveç kësaj, mënyra se si këto miliarda disponohen dhe shpenzohen në vende të ndryshme është tipike praktikë korruptive.

Spekulimi i Xhorxh Soros është spekulim i stimiluar. E kam thënë dhe e  them përsëri, është krim i vërtetë kundër njerëzimit.

Pse?

Unë e di, spekulimi është një fenomen normal që shoqëron tregun financiar. Por nëse e stimulon atë, atëherë krijon drama të mëdha njerëzore.

Në këtë kontekst, një gjykim i tij ndërkombëtar për këtë aktivitet do të ishte jashtëzakonisht i dobishëm.

Xhorxh Soros është kryecensori i planetit. Nëse Xi Jinping dhe Vladimir Putin ushtrojnë censurën në territoret e vendeve të tyre, Sorosi me financimet që bën dhe diktimet, është kryecensor në botën e lirë dhe bën një dëm të jashtëzakonshëm të fjalës së lirë dhe mendimit të lirë.

Nuk është personale kjo që bëj, por dua të them të vërtetat.

Qëndrimi i tij ndaj emigracionit, nxitja që i bën emigracionit është një nga politikat më ç’njerëzore të kohës, është një nga politikat më destabilizuese dhe për fat të keq, pavarësisht nga kjo, kjo politike e tij arrin të përkulë botën.

Dhe kjo nxitje që i bëhet emigracionit është një faktor që nxit shumë të këqija të tjera. Nxit drama, racizma, fobira, dhe ai është promotor kryesor me miliardat e tij. Nuk është i vetëm.

Qëndrimi i tij i globalizmit ndaj familjes është një qëndrim shkatërrimtar për shoqërinë njerëzore. Përpjekja për të imponuar njërin realitet ndaj tjetrit, është tipike marksiste.

Së fundi, meqenëse sot vendi im është një narkoshtet dhe republikë sorosiane, qëndrimi i tij ndaj drogës, përpjekja e tij në OKB për të kaluar rezoluta që të ndërpritet lufta kundër drogës, përbën në vetvete një inkurajim të madh për përhapjen e drogës, trafikut etj.

Shqipëria u bë vendi i parë që e shndërroi në pothuajse politikë zyrtare kanabizimin e plotë të vendit.

Shqipëria është vend unik në botë, në Europë pa diskutim që emëron 4 ministra të lidhur kokë e xhep me drogën, publikisht.

Shqipëria nxiti me të gjithë pushtetin e vet, invadimin e saj nga trafiqet dhe droga.

Ronald Regan thotë se në një gjeneratë vdes, shuhet. E vërteta është se kjo që ndodh sot në Shqipëri është një demokraci e shuar.

Nëse ju shihni reformën gjyqësore që u bë nga Fondacioni Soros, sot shqiptarët nuk kanë më drejtësi, sepse duhet të presin 14.6 vjet për një vendim në çështjet civile dhe janë në mes të Europës dhe trajtohen sikur janë në një planet tjetër.

Dhe reforma në drejtësi shndërrohet në një tabu për të cilën nuk mund të flitet.

Unë e siguroj mikun tim polak, se sapo të flasë në Parlamentin Europian do i thonë, mos fol, leje ashtu.

Po si ta lejë, a janë qenie njerëzore a duhet të gëzojnë procese juridike të drejta. Por krahu tjetër i kësaj drejtësia është policia, prokuroria private e Edi Ramës.

Në vitin 1990, ne themeluam Partinë Demokratike. Imagjinoni ju se cila ishte alergjia ndaj mendimit dhe pluralizmit politik.

Por dua të them një gjë; diktatori, që ishte një diktator që vriste në kufi të rinjtë, përsëri nuk burgosi drejtuesit e opozitës.

Sot 3 drejtuesit e partive kryesore opozitare janë të burgosur. Po atëherë Shqipëria ishte pjesë e kampit komunist, sot Shqipëria është anëtare e NATO-s.

Edi Rama për të fituar zgjedhjet, pasi ka dhunuar çdo zgjedhje nga 2017 e gjer sot, për të siguruar këto të fundit ka vendosur në arrest dhe ndjekje penale tre liderit e partive kryesore të opozitës.

Miqtë e mi!

Ku do i gjejmë ne forcën? Forcën e gjejmë vetëm tek parimet konservatore.

Shtoj këtu një porosi të pavdekshme të Papës Gjon Pali i 2, i cili jo vetëm për të krishterët dhe jo vetëm të krishterët që ishin në diktatura komuniste, doli me moton; mos je i trembur.

Ndaj dhe ne i garantojmë miqtë tanë se, do të bëjmë gjithçka për të rikthyer në Shqipëri vlerat konservatore si rruga e vetme e shpëtimit të këtij vendi.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale