Berisha: Sot në ora 19:00, shqiptarët do ngrihen në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur vendi! Qytetarët kanë 1001 motive për të dalë në shesh

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencë e sotme për shtyp bëri thirrje të fortë për pjesëmarrje masive në protestën e 17 prillit duke e cilësuar atë si ‘kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria’. Berisha deklaroi se qytetarët shqiptarë kanë arsye të shumta për t’u bashkuar me opozitën, duke renditur çmimin e lartë të naftës, situatën e portit të Durrësit dhe bllokimin e procesit të drejtësisë si shqetësimet kryesore. Sipas tij, vendimi i qeverisë për të bllokuar heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut ishte ‘mburojë’ për vetë kryeministrin Rama, duke pretenduar se dosja Balluku prek vepra kriminale në vlerë totale prej 1.2 miliardë eurosh.

Lider i demokratëve akuzoi Edi Ramën se po tjetërson portin e Durrësit, të cilin e cilësoi si ‘pasurinë më të madhe publike që kanë trashëguar shqiptarët’, duke i sjellë sipas tij një fitim mbi 4 miliardë euro palëve të interesuara, ndërkohë që taksapaguesit do të ngarkohen me mbi 1 miliard euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Për çmimin e naftës, Berisha tha se ‘taksa Rama’ është ‘më e larta në botë për litër’, duke goditur fermerët dhe transportin publik, i cili sipas tij ka ulur kapacitetin me 40 për qind.

I pyetur nga gazetarët, nëse do të ketë vazhdimësi pas protestës së sotme, kryedemokrati Sali Berisha u përgjigj prerë se: ‘Kryengritja paqësore e opozitës nuk ndalet dhe nuk ka forcë në botë që ta ndalë.’  Ai shtoi se lëvizja do të vijojë deri në atë që ai e quajti ‘përmbysja e narkoregjimit’.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se, akuzat e mediave pro-qeveritare, janë ‘mafie të propagandës’. Duke i‘u referuar Top Channel, Berisha u shpreh se, ishte transmetuar informacion i rremë lidhur me praninë e deputetëve të opozitës në vendin e zjarrit të rënë tek ‘Farmacia 10’.

‘Paturpërsia mediatike nuk mund të ketë kufi tjetër përveç kësaj. Deklarohej se deputetët e opozitës heshtën, në një kohë kur aty ishin deputetët e opozitës, në një kohë kur deputetët ndërhynë për të njoftuar emisionin që kemi aty. Me dokumente.  Në një kohë që në parlament, 4 deputetë të opozitës ngritën zërin për pallatin që u dogj dhe mbrojtjen e banorëve. Në një kohë kur unë para jush denoncova Edi Ramën dhe Erion Veliajn si autorë të zjarrit dhe Armand Lilon që e mbrojti Edi Rama, sepse doli e tha se do e ndërtojë ndërtuesi, megjithëse nuk është përgjegjësia e ndërtimit ajo që ndodhi’, tha kryedemokrati Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTE:

Sot, në ora 19:00, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ngrihen në kryengritjen e tyre paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria.

Ngrihen mbi dhunën, terrorin e regjimit, e klaneve të drogës, e policisë politike të patronazhistëve, kërcënimeve të tyre.

Ngrihen për të mbrojtur interesat më jetike të vetat, të qytetarëve shqiptarë.

Ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, nderin e çdo shqiptari ndaj një agresioni të rëndë të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, që më së fundi, duke hequr çdo maskë, përdori 83 mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, dhe të Lubi Ballukut.

Akti i fundit i Edi Ramës është akti më armiqësor që ai ka ndërmarrë në serinë e akteve armiqësore ndaj shtetit ligjor, demokracisë në Shqipëri.

Bllokimi i heqjes së imunitetit dhe arrestimit të Lubi Ballukut nga Edi Rama ishte një mburojë për veten e tij, pasi në dosjen Balluku, Edi Rama është aksioner të paktën me 60 përqind të veprave kriminale që mban ajo dosje në total 1.2 miliardë euro.

Qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe e frikës, për t’u bashkuar me ne në kryengritjen tonë paqësore.

Kriza, lufta në Lindjen e Mesme, jashtë atij rajoni, pasojat më të rënda në botë po i përjetojnë qytetarët shqiptarë me çmimin më të lartë në planet të naftës.

Dhe kjo jo kryesisht për shkak të luftës, por kryesisht për shkak të naftës Rama, taksë që për litër naftë është më e larta në botë.

Qëndrimi cinik i tij nga ndëshkimi i qytetarëve nga çmimi i naftës, rëndon akoma më shumë pozicionin e tij.

Në një kohë kur të gjitha qeveritë e Europës, shtuan, rritën apo dyfishuan subvencionin për naftën për fermerët e vendeve të tyre, Edi Rama në një akt të papërgjegjshmërisë absolute, e hoqi edhe atë pak subvencionim që jepte, duke garantuar në këtë mënyrë mbetjen djerrë të dhjetëra mijëra hektarëve tokë në Shqipëri dhe njëheraz falimentimin e dhjetëra mijëra fermave në këtë vend.

Taksa Rama ndëshkoi mbarë qytetarët me transportin publik. Kompanitë e transportit publik kanë ulur me 40 përqind autobusët e tyre të transportit. Në vend të një ndërhyrje emergjente nga qeveria dhe kompensimit për çmimin e rritur të naftës, në mënyrë që qytetarët të kenë edhe atë transport minimal publik, qeveria rri duarkryq.

E kam theksuar dhe e theksoj përsëri, çështje madhore për çdo shqiptar është çështja e portit të Durrësit.

Porti i Durrësit është pasuria më e madhe publike që kanë trashëguar shqiptarët nga shteti i tyre në 100 vite dhe më parë.

Kjo pasuri publike tjetërsohet dhe shndërrohet në Dubain e 1001 netëve të Edi Ramës.

Një fitim përrallor që tejkalon dhe 4 miliardë euro.

Por krahas kësaj, çdo qytetar shqiptar, me taksat e tij është i detyruar të ndëshkohet dhe me 1 miliard euro, minimumi, porti i ri i Porto Romanos që zëvendëson portin e Durrësit, por që në fakt do jetë 4 herë më i vogël se porti i Durrësit.

Është një motiv për çdo qytetar të këtij vendi për të mbrojtur interesin dhe pasuritë publike të vetat dhe të mbarë shqiptarëve.

Motivet e kryengritjes sonë paqësore janë të shumta.

Por ka një motiv tjetër jashtëzakonisht thelbësor në rrafshin moral.

Është një periudhë në të cilën puthadorët e qeverisë, altoparlantët e saj, bëjnë gjithçka për të mbuluar aktet antiligjore, antikombëtare të qeverisë së Edi Ramës.

Janë hedhur në sulm të shfrenuar kundër opozitës për fajin e vetëm të saj se qëndron e pamposhtur ndaj këtij regjimi kriminal nga i cili ushqehen ditë e natë.

Bëjnë gjithçka të shpifin, të manipulojnë, të trillojnë të vërteta, duke turpëruar veten, studion, duke u dëshmuar një mafie më e rrezikshme se ajo e kokainës.

Ndaj dhe qytetarë, duhet të ngrihemi kundër kësaj mafie që shpif, trillon dhe manipulon nga mëngjesi gjer në darkë kundër interesave tuaja dhe mbron interesat e padronit të vet, Edi Ramës.

Duhet të ngrihemi kundër atyre që bëjnë gjithçka t’u dekurajojnë, kundër puthadorëve të qeverisë që mbushin studiot kundër protestave tuaja, që jeni sot zëri i vetëm i ndërgjegjes kombëtare në Shqipëri, në Europë dhe në botë.

Sot shqiptarët kanë fjalën e tyre, sot është dita e tyre.

Kryengritja jonë paqësore nuk ndalon gjer në përmbushjen e misionit tonë të plotë, përmbysjen e narkoregjimit të Edi Ramës.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, cili do ishte skenari i protestës së sotme dhe pas protestës së 17 prillit, a do ketë një pranverë dhe një verë me protesta? Kjo është protesta e 7, a do vijohet me protesta apo do ketë një ndërthurje të aksionit opozitar?

Sali Berisha: Kryengritja paqësore e opozitës nuk ndalet dhe nuk ka forcë në botë që ta ndalë.

Kjo kryengritje është jetike për të mbrojtur interesat themelore të shqiptarëve.

Kjo kryengritje është jetike për një betejë të hapur në shesh me regjimin që përdor mandatet e tij si thika për të mbrojtur vjedhjet e tij.

Kjo kryengritje është jetike për të garantuar procesin e integrimit në BE, të bazuar në merita. Të bazuar në funksionimin e shtetit ligjor, respektin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe drejtësinë e pavarur dhe jo në lobime korruptive të cilave u del shumë shpejt kallaji, siç ka filluar të dalë.

Kjo kryengritje është jetike në betejën kundër asaj mafie të propagandës, të mashtrimit dhe të trillimit, që nga mëngjesi gjer në darkë përdoret si hanxhar për fjalën e lirë dhe të vërtetën.

Që nga mëngjesi gjer në darkë pret të vërtetën si me satër.

Në një emision televiziv mbrëmë, në mënyrë më të papërgjegjshme, për të damkosur opozitën, për të mbuluar krimin e shëmtuar të djegies së pallatit shumëkatësh, të ndërtuar me material të djegshëm, të ndërtuar me material, të cilin opozita e kishte denoncuar pikërisht atë ndërtues dhe atë pallat në organet e prokurorisë kohë më parë, deklarohej se asnjë deputet i opozitës nuk ishte aty.

Paturpërsia mediatike nuk mund të ketë kufi tjetër përveç kësaj. Deklarohej se deputetët e opozitës heshtën, në një kohë kur aty ishin deputetët e opozitës, në një kohë kur deputetët ndërhynë për të njoftuar emisionin që kemi aty. Me dokumente.

Në një kohë që në parlament, 4 deputetë të opozitës ngritën zërin për pallatin që u dogj dhe mbrojtjen e banorëve.

Në një kohë kur unë para jush denoncova Edi Ramën dhe Erion Veliajn si autorë të zjarrit dhe Armand Lilon që e mbrojti Edi Rama, sepse doli e tha se do e ndërtojë ndërtuesi, megjithëse nuk është përgjegjësia e ndërtimit ajo që ndodhi.

Në një kohë kur Armand Liloja ia ka mbathur.

Dhe unë thashë, që në qoftë se është i pafajshëm, pse ia mbathi ai.

Në gjithë këtë kontekst organizohet si artileri mashtrimi Top Tuneli për të sulmuar opozitën që nuk çau kokën, se ka lidhje me Fatmir Xhafën.

Se tani në luftën Balluku-Xhafaj duhet të ndërhyjë opozita.

Po pse është bërë tunel Topi, opozita nuk ndërhyn në betejat e brendshme.

Sali Berisha e ka denoncuar jo njëherë, por dhjetëra herë Armando Lilon si kunatin, me të cilën ai ka gabuar. Nuk është kunati i Fatmir Xhafës dhe unë nuk mund të them atë që nuk është.

U përgënjeshtrua. Fatmir Xhafën as e kursejmë, as e kemi kursyer, po Fatmir Xhafa nuk është kryetar bashkie.

Se i pëlqen Top Tuneli që të përzihet edhe opozita në betejën e tyre, opozita këtë nuk e bën.

Jo, nuk e bën.

Lejet e ndërtimit nuk i jep Fatmir Xhafa.

I jep Edi Rama dhe Erion Veliaj.

I panë të gjithë shqiptarët se zjarrfikësja nuk futej dot.

Dhe e gjithë narrativa e Topit ishte si të clirohej Rama dhe Veliaj, në fakt Rama dhe Lubia më shumë, se për Veliajn e kanë më ndryshe punën, nga përgjegjësia që doli.

Dhe këtu të gjithë fajin e ka opozita që nuk ka qenë, në një kohë kur opozita ka qenë aty me orë në kohën e zjarrit, ka reaguar që gjatë asaj periudhe dhe reagoi dje në parlament.

Pse e thashë këtë shembull?

Jo për të bërë një betejë, se nuk ia vlen.

Unë e kam thënë, e them dhe do e them, ata që manipulojnë të vërtetën, fshehin të vërtetën, ata janë xhelatë të fjalës së lirë dhe ata janë mafia më e keq e planetit.

E them me bindjen më të thellë.

Me këtë nuk dua të lëndoj asnjë gazetar. Unë kam respektin më të palëkundur për gazetarët.

Jam shumë vlerësuar për kontributin që ata japin në kushte shumë të vështira për transparencën dhe mbrojtje e interesit publik.

Por, ata komandohen nga kocka mafioze, t’i quajmë kështu, që nuk kanë asnjë moral, që janë armiq të betuar të fjalës së lirë.

Që mendojnë nga mëngjesi deri në darkë se si ta përdorin atë si thikë, si shpatë, si bajonatë, etj, kundër kundërshtarëve të padronit të tyre, Edi Rama.

Kjo është e vërteta.

Mos harroni, mund të ketë me qindra shembuj.

Ndaj dhe ne qëndrojmë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale