Berisha: Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër kryetarit të PD për Vaun e Dejës, Bernard Ndrecës

DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË SELI

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar sot atentatin me tritol ndaj Kryetarit të PD në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca, duke e konsideruar atë si terrorizëm shtetëror pas të cilit qëndron Edi Rama.

Berisha tha se atentati është vepër e një organizate kriminale të drejtuar nga Edi Rama. Ai u shpreh se akti përbën një krim të shëmtuar dhe të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur kundrejt një drejtuesi kryesor të një dege të PD organizohet një atentat për likujdimin e tij.

Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve të vijojnë betejën për fitoren e zgjdhjeve të 14 majit dhe përmbysjen e monizmit, ndërsa shprehu besimin se Bashkia e Vaut të Dejës do të fitohet nga kandidati i opozitës, Zef Hila.

FJALA E PLOTË

Deklaratë e Partisë Demokratike

Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Benard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës, me qëllim eleminimin e tij fizik. Benard Ndreca është një qytetar shembullor. E tillë është edhe familja e tij.

Terrorist shtetëror, sipas regjistrimit të kamerave të shtëpisë kanë vendosur në orën 1 e 15 minuta të mëngjesit tritolin në makinën e tij. Benardi, tek nisej për në punë dhe guidonte makinën, pas disa metrash përballet me një shpërthim të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës, por fatmirësisht vetë ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik.

Me këtë akt terrorist Edi Rama inaguron çeljen e fushatës së tij elektorale. Kjo përbën një krim të shëmtuar. Përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve, kur një drejtues kryesor i një dege të PD sulmohet, apo ndaj tij organizhohet një atentat për likujdimin e tij.

Vau i Dejës dhe mbarë Shqipëria janë sot më të vendosur se kurrë në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Unë kam biseduar në telefon me Benardin, me deputetin Zef Hila, dhe iu shpreh atyre mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë. Gjithashtu dënoj këtë krim të shëmtuar.

Specialistët e tritolit janë të gjithë në kontrollin qeveritar shtetëror. Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundmi zgjodhën atë më ekstremen, por edhe në këtë dështuan. Duke dënuar edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të narkoshtetit bëj përgjegjës direkt Edi Ramën dhe ministrin e familjes Çuçi, pasi policia e Vaut të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen absolutisht si një seksion i PS.

Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha pistat dhe dyshimet shkojnë se ata janë dorës dhe organizatorë të këtij akti.

Unë u bëj thirrje demokratëve të Vaut të Dejës dhe të mbarë Shqipërisë të vazhdojmë këtë betejë, se ky akt i sotëm është dëshmi e një përpëlitje të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, që ka humbur çdo shpresë dhe nuk ngurron as aktet më ekstreme për të terrorizuar popullatën dhe marrë jetë njerëzish në mënyrë që të ruajë pushtetin monist të saj.

Koha e monizmit merr fund më 14 maj. Qytetarët e Vaut të Dejës, kanë bërë zgjedhjen e tyre, do të votojnë Zef Hilën dhe Bernard Ndreca do udhëheqë një nga fushatat elektorale më të suksesshme në Shqipëri.

Edi Ramës i ngelet damka e turpit. I ngelet imazhi i fushatës së tij i cili ka vendosur ta çelë sot në Sheshin Skënderbej, por inaguroi që në mëngjes me shpërthim tritoli fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale