FJALA E KRYETARIT TE PD-se, SALI BERISHA NE PROTESTEN KOMBETARE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur para mijëra shqiptarëve në protestën madhështore në Bulevard, është shprehur se, demokratët, opozitarët sot janë në kilometrin e fundit dhe asgjë nuk i ndal drejt fitores. Berisha theksoi se, mediat e kapura nga pushteti, këtë javë tentuan që ta fshehin këtë mesazh, por ai kumbon në çdo shtëpi të shqiptarëve.
‘Të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky, sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh, shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria’, theksoi Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestën madhështore, kryedemokrati Sali Berisha ka falënderuar shqiptarët që i janë bashkuar thirrjes së opozitës për tu tubuar sot tek kryeministria.
‘Në udhëtimin tonë epik, ne u provuam shqiptarëve dhe botës se jemi të pamposhtur dhe se sot në kilometrin e fundit jemi më të fortë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë. Me punë, me vështirësi, me sakrifica, me presione të shumëllojta, por sot jemi mbledhur masivisht në këtë protestë madhështore, secili nga ne duhet të rikujtojë ato që në realizuam së bashku me qëndresën tonë, me mbrojtjen e të vërtetave që besojmë gjatë kësaj opozite të vështirë’, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij në protestën madhështore në bulevard, se Edi Ramën nuk e pranuan në sallën ku u firmos Bordi i Paqes, një nismë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
‘E patë ju vetë, një javë të tërë, Edi Rama krekosej me një ftesë formale që Edi Rama u kishte bërë vendeve partnere për Bordin e Paqes. E patë se si Edi Rama e përdori atë ftesë sikur ishte arkitekti i bordit, sikur ishte themeluesi. Por çfarë ndodhi? Ndodhi që në mbledhjen themeluese të bordit, aty ku u firmos Bordi i Paqes në Davos, Edi Ramën nuk e pranonte salla.
Edi Rama gjendej në parlament duke bërë avokatin e Lubisë, duke ulëritur, duke sharë si ordiner opozitën.’, theksoi Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur para mijëra shqiptarëve, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se, tani është stina e qytetarëve, për tu bashkuar dhe të përmbysim këtë qeveri dhe për të krijuar një qeveri teknike. ‘Të dashur qytetarë dhe qytetare, sonte është thirrja e madhe, është ora jonë, të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja dhe të ndershme, për një vizion të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për dinjitetin e tyre, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare, për ëndrrën e të rinjve shqiptarë në Shqipëri, për ligjin dhe Kushtetutën dhe barazinë para tyre’, theksoi lideri i opozitës, Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, opozitarë dhe opozitare, të pranishëm në këtë shesh dhe kudo që jeni sonte.
Të dashur shqiptare dhe shqiptarë kudo që ndodheni sonte.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju, misionare dhe misionarë të pamposhtur dhe guximtarë të kombit shqiptar, të pranishëm sonte në këtë shesh beteje dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Të nderuar drejtues të PD, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë.
Vëllezër dhe motra.
Do ta nis këtë fjalë me një mesazh që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë.
Mesazhi im është ky, sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë.
Sot ne jemi para triumfit të madh, shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria.
Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë pa dyshim maratonë jo e lehtë.
Thuaj një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne.
Ishin vitet e një përballje të egër me regjimin e narko-diktatorit Ramaduro, biri i një xhelati që firmoste varjen e kundërshtarëve politikë dhe që përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë.
Ai bëri gjithçka, përdori burgjet, manipulimet, lobimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë.
Në udhëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne u dëshmuan shqiptarëve dhe botës, se projekti i
Shqipërisë pa opozitë apo kallp opozitë, ishte turpi i tyre, ishte turpi i historisë, që ne kurrë nuk do ta pranonim kurrë, të gatshëm për çdo çmim.
Në këtë udhëtim ne u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe nga izolimi më i thellë arritëm në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët dhe partitë simotra në mbarë botën.
Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam shpresa e vetme e shqiptarëve.
Zoti u bekoftë!
Në udhëtimin tonë epik, ne u provuam shqiptarëve dhe botës se jemi të pamposhtur dhe se sot në kilometrin e fundit jemi më të fortë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë.
Me punë, me vështirësi, me sakrifica, me presione të shumëllojta, por sot jemi mbledhur masivisht në këtë protestë madhështore, secili nga ne duhet të rikujtojë ato që në realizuam së bashku me qëndresën tonë, me mbrojtjen e të vërtetave që besojmë gjatë kësaj opozite të vështirë.
Në këtë udhëtim, duke qëndruar të palëkundur dhe sy më sy me narkoshtetin, në mbrojtje të të vërtetave tonë, të vlerave të lirisë, ne siguruam 7 rezoluta ndërkombëtare të të gjitha partive të spektrit tonë, që qeverisin vendet më të lira, më të fuqishme të planetit dhe që de facto e kaluan PD-në nga forca politike më e izoluar në opozitën me mbështetjen më të madhe në arenën ndërkombëtare.
7 rezoluta që damkosën para shqiptarëve dhe botës Ramaduron si armikun më të egër të pluralizmit politik dhe të shqiptarëve.
Narkodiktatorin që ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, si kryeministrin që plaçkit dhe grabit i papërmbajtur qytetarët shqiptarë.
Si Çubrilloviçin e spastrimit të heshtur etnik të shqiptarëve nga Shqipëria.
Duke vërtetuar kështu se PD është jo vetëm parti e qendresës së pamposhtur, por njëherëzi parti e realizimit të të pamundurave për kombin shqiptar.
Parti e vizionit të sotëm dhe të ardhëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Të dashur miq, në udhëtimin tonë të vështirë, ne vazhduam punën për të përmbushur një tjetër premtim që u dhamë shqiptarëve, mbrojtjen e votës.
Dhe falë punës tuaj të ndershme me vetëmohim, falë dokumenteve tona, falë përkushtimit dhe persistencës, arritëm që raporti ndërkombëtar i OSBE/ODIHR sot është dokumenti, ligji ndërkombëtar që faktoi se Edi Rama shndërroi zgjedhjet e vitit 2025 në një farsë të shëmtuar elektorale.
Përpjekjet e lobimit të tij korruptiv për të parandaluar këtë raport, dështuan plotësisht.
Miq, jo vetëm kaq, por ne në fakt këto vite u përballëm si asnjë opozitë tjetër në Europë, jo vetëm me një qeveri autoritare, por edhe me një qeveri organizatë kriminale, të kryesuar nga Ramaduro i Europës, dhe de facto e drejtuar nga klanet më të rrezikshme, më të fuqishme të marijuanës, kokainës në Europë dhe në botë.
Miqtë e mi, ne u përballëm këto vite me sundimin e drogës, me urdhrat, vendimmarrjet e saj, ne u përballëm me një propagandë që në 24 orë mashtron, trillon dhe manipulon shqiptarët.
Ne u përballëm me një sundim të medieve nga narkoqeveria që po adaptojnë një censurë të tmerrshme ndaj opozitës.
Ne u përballëm me glorifikimin e të keqes, demonizimin e të vërtetës, demonizimin e opozitës.
U përballëm me një qeveri kriminale që vjedh miliarda e miliarda euro nga taksat dhe pasuritë publike, dhe vjedhjet e saj i shndërron në vota, votat i shndërron në vjedhje të reja.
Miqtë e mi, nuk e bëj pa qëllim këtë rikujtesë të viteve të fundit, por e bëj se pas kësaj maratone të gjatë, opozita ka arritur tani pikërisht në kilometrin e fundit, përpara triumfit të saj dhe këtu nuk do kishim arritur kurrë pa bërë punën që kemi bërë, pa arritjet që përmenda, pa pasur si parti të vërtetë opozitare PD-në, pa mbështetjen ndërkombëtare që kemi sot, pa dokumentet që faktojnë farsën elektorale, misioni ynë shpëtimi i Shqipërisë do mbetej thjesht një aspiratë, pa mundësi reale për t’u konkretizuar.
Ndaj dhe njëherë të dashur demokrate e demokratë, nuk jemi kurrë aty ku ishim, nuk jemi më në rrugë pa krye, nuk jemi në mjegullnajë, por jemi në kilometrin e fundit, jemi në agun e triumfit tonë.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Edi Rama nuk ikën me farsë zgjedhore.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se diktatura nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore.
Ja ku jemi ne sot.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Edi Rama kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Ramaduro është kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Palloshi i Lubisë është pengu i saj.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Ergys Agasi është Rama i errësirës dhe se Mirlinda e AKSHI-t është simotër siameze e Lindës së Surrrelit.
Sot, shumica e shqiptarëve po e kuptojnë se Rama ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur veten, familjarët e tij, pasi ka vjedhur jo miliona, por miliarda.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se kryehajduti i shqiptarëve nuk ikën nga drejtësia, por ai përmbyset nga zemërimi, revolta dhe vetëm revolta juaj.
Mirëpo nëse sot gjendemi në kilometrin e fundit të opozitës tonë, përveç arritjeve tona të deritanishme, edhe për një arsye tjetër, ne do triumfojmë.
Dhe kjo arsye është kriza e thellë që Edi Rama po kalon me narkoshtetin që po i shembet përsipër.
E patë ju vetë, një javë të tërë, Edi Rama krekosej me një ftesë formale që Edi Rama u kishte bërë vendeve partnere për Bordin e Paqes.
E patë se si Edi Rama e përdori atë ftesë sikur ishte arkitekti i bordit, sikur ishte themeluesi.
Por çfarë ndodhi?
Ndodhi që në mbledhjen themeluese të bordit, aty ku u firmos Bordi i Paqes në Davos, Edi Ramën nuk e pranonte salla.
Edi Rama gjendej në parlament duke bërë avokatin e Lubisë, duke ulëritur, duke sharë si ordiner opozitën.
Miqtë e mi, koha ka ndryshuar.
Stina është e jona.
Ne sot nuk jemi më një parti.
Nuk jemi këtu as për një individ.
Nuk jemi këtu pra për asgjë tjetër, por jemi këtu për ndërgjegjen tonë, jemi këtu për idealet tona.
Ne jemi këtu për ndërgjegjen tonë kombëtare si shqiptarë sepse nuk duam dhe nuk pranojmë
kurrë që Shqipëria të vidhiset në honet e historisë, të shpopullohet dhe të ecë e sigurt drejt shkretimit nga banorët e saj.
Ne jemi këtu si ndërgjegje dhe dinjitet njerëzor, se nuk mund të pranojmë kurrë që për karrigen e krimit të Edi Ramës, zgjedhjet tona të shndërrohen në opozitë.
Ne jemi këtu si ndërgjegje dhe dinjitet njerëzor se nuk mund të pranojmë kurrë që pasuritë publike, taksat e shqiptarëve, të plaçkiten nga një grup qeveritarësh, kurse shqiptarët të zhyten çdo ditë e me thellë në varfëri dhe mjerim.
Ne jemi këtu si ndërgjegje qytetarë, si ndërgjegje njerëzore, se nuk mund të pranojmë kurrë
këtë agresion të tmerrshëm kundër familjes.
Ne jemi këtu si qytetarë të këtij vendi, që nuk mund të pranojmë kurrë këtë emër të zi që Edi Rama i ka dhënë Shqipërisë si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë.
Prandaj të dashur qytetarë dhe qytetare, sonte është thirrja e madhe, është ora jonë, të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja dhe të ndershme, për një vizion të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Për dinjitetin e tyre, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare, për ëndrrën e të rinjve shqiptarë në Shqipëri, për ligjin dhe Kushtetutën dhe barazinë para tyre.
Për luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.
Për Shqipërinë që ecën e sigurt drejt integrimit në Europë.
Edhe njëherë u ftoj të bashkohemi, të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë këtë rrugën në kilometrin e fundit, kilometrin e fitores.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!


