Berisha: Sot i riu dhe e reja shqiptare janë njerëzit më të përçmuar dhe më të nënvlerësuar. PD e ka objektivin e saj më madhor pikërisht mbështetjen e të rinjve shqiptarë

FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar, u shpreh se Tirana është bërë qyteti i ndaluar për të rinjtë e Shqipërisë. ‘Sot i riu dhe e reja shqiptare janë për fatin më të keq të kombit tonë, njerëzit më të përçmuar dhe më të nënvlerësuar’, tha kryedemokrati gjatë fjalës së tij.

Gjatë fjalës në tubimin e përnatshëm në rrugën e Shpresës, kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se, kjo parti e ka në programin e saj, si objektivin më madh, pikërisht mbështetjen e të rinjve shqiptarë, që ata të mos e lënë vendin.

Lideri i opozitës Sali Berisha ka ftuar të rinjtë dhe të rejat në protestën e ditës së martë tek bashkia e Tiranës. ‘Beteja jonë është betejë për të ardhmen e çdo të riu dhe çdo të reje shqiptare’, tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij, se qeveria teknike dhe vota e diasporës janë kushtet vendimtare për zgjedhje të lira. Për këtë, Berisha mori si shembull Maqedoninë e Veriut, ku pas protestave, tani rotacioni i pushtetit është diçka normale.

Kreu i PD, Sali Berisha në fjalën e tij përpara mbështetësve është shprehur se kjo betejë e idealeve, e shpresës dhe të ardhmes, është betejë për çdo shqiptar kudo që ndodhet, nga Afrika e Jugut në Polin e Veriut.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme qëndrestare dhe qëndrestarë të vlerave të lirisë, dinjitetit dhe shpresës.

Përshëndetjen më të përzemërt oratorëve fjalëzjarrtë që nga kjo platformë u përcjellin shqiptarëve në të katër anët e dheut të vërtetën e tyre të hidhur.

Të vërtetën që përjetojnë ata dhe kombi nën diktaturën, tiraninë e krimit, vjedhjes, drogës dhe mashtrimeve.

Miqtë e mi!

Sot i riu dhe e reja shqiptare janë për fatin më të keq të kombit tonë, njerëzit më të përçmuar, më të nënvlerësuar.

Janë njerëz pa fat në vendin e tyre dhe ata për shkak të një shpresëvrasësi që me politikat që ndjek ndaj tyre, politika kryekëput armiqësore, i detyron të emigrojnë, të largohen nga vendi njëlloj siç largohen bashkëmoshatarët e tyre nga Siria, që përjeton luftën civile.

Miqtë e mi!  

Për një të ri është e pamundur në qoftë se prindërit e tij janë të varfër, dhe sot në shumicë të tillë janë, të ndjekë universitetin sepse së pari si një satër mbi të ardhmen e tij e pret mesatarja që Edi Rama në një akt armiqësor e rrit për t’i përjashtuar nga universitetet. Për t’u vrarë ëndrrën e tyre universitare.

Të tjerët i pret tarifa e tretë më e lartë në Europë, paçka se prindërit e tyre kanë të ardhurat më të ulëta në Europë.

Të tjerët i pret papunësia dhe çdo njëri prej tyre që ëndërron të ngrejë folën e jetës së tij në Tiranë, e ka të pamundur.

Tirana është sot qyteti i ndaluar për rininë shqiptare me çmimet stratosferike të banesave, më të shtrenjta se në Bruksel, se në Holandë dhe se në shumicën e vendeve të BE, ato nuk mund të blihen nga të rinjtë shqiptarë.

Ndaj dhe ata, pothuajse njëlloj si të rinjtë sirianë, largohen nga vendi i tyre me mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra në vit.

Vetëm këto 10 vite, mbi 520 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria.

Shqipëria renditet e dyta për largimin e adoleshentëve, e të miturve që marrin rrugët e botës.

Miqtë e mi!

Një komb pa rini është një komb me të shkuar.

Një komb me pak rini është një komb me pak të ardhme.

Nuk ka betejë më jetike, më vendimtare se sa beteja për të rinjtë shqiptarë.

Se sa beteja për t’u krijuar atyre mundësinë që të qëndrojnë në Shqipëri.

Të punojnë në Shqipëri.

Të ngrenë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

PD, objektivin e saj më madhor, treguesin e saj më cilësor ka pikërisht mbështetjen e të rinjve shqiptarë.

Mbështetjen për një shkollim më të mirë dhe ky nuk është një premtim i pabazuar.

Jo, jo. Në vitet 2005-2013, shkolla u nxor nga rrokullisja në të cilën ndodhej dhe në testin e PISA-s pati ngjitjen më vertikale, ndër ngjitjet më të fuqishme që mund të bëheshin.

Në vitin 2005, Shqipëria kishte vetëm 12 studentë për 1 mijë banorë.

Në vitin 2012, Shqipëria arriti në 52 studentë për 1 mijë banorë.

Shqipëria u ngjit në mënyrë vertikale në cilësinë e mësimdhënies në 9 vitet bazë.

Numri i pedagogëve, asistentëve nga 6, u bë 12 mijë.

U investuan dhjetëra e qindra milionë euro për arsimin në tërësi dhe arsimin e lartë në veçanti.

Por mbi të gjitha, arsimi nuk ishte më një mollë e ndaluar për të varfrit e Shqipërisë. Jo dhe jo!

Ekonomia, konkurrenca e lirë, mbështetja e biznesit uli në mënyrë të ndjeshme papunësinë.

Kishte papunësi, nuk e mohoj, po ajo papunësi ishte tek të rinjtë dy herë më e ulët se në vendet e tjera të rajonit.

Kurse gjithçka u përmbys me ardhjen e sektit të Rilindjes në pushtet.

U bë çdo gjë që të përgjysmohet pranimet në universitetet tona dhe të mbushen gomonet dhe të emigrojnë, siç i quajti Edi Rama mish i freskët, me gjuhën më satanike, më cinike që mund të përdorej ndaj tyre.

Më lejoni të garantoj të rinjtë, të rejat se me një program të përqendruar do bëhet gjithçka për punësimin e tyre, me stimuj të veçantë për çdo sipërmarrës për punësimin e tyre.

Për shkollimin e përgjithshëm dhe profesional, universitar të të gjitha llojeve.

Do bëhet gjithçka për të lehtësuar fillimet e jetës së tyre familjare, kreditë, strehimi dhe një seri masash të tjera që Shqipëria përsëri të rritet nga viti në vit.

Që të rinjtë shqiptarë, ëndrrat e tyre më të bukura t’i shndërrojnë në të ardhmen e tyre, familjeve të tyre dhe të Shqipërisë.

Miqtë e mi!

E gjithë kjo varfërim i madh dhe i tmerrshëm i kombit me të rinjtë ka një shkak madhor: vrasjen e shpresës së tyre.

Së pari me varfërimin e vazhdueshëm të familjeve të tyre.

Me mbylljen e dyerve të universiteteve për ta.

Me tarifat e papërballueshme në universitete.

Me mungesën e mundësive të punësimit dhe të krijimit të familjeve në vendin e tyre.

Kjo politikë ka në epiqendër vjedhjen, vjedhjen, vjedhjen e financave dhe pasurive publike nga Edi Rama, Erion Veliaj dhe ministrat e tyre.

Beteja jonë është betejë për të ardhmen e çdo të riu dhe çdo të reje shqiptare.

Është betejë për dinjitetin ne çdo të riu dhe të reje shqiptare.

Beteja jonë kundër njeriut që ka zhdukur me Edi Ramën, 135 milionë euro me djegësin e Tiranës, është betejë për të çliruar të ardhmen e tyre.

Beteja kundër njeriut që ka vendosur modelin e vjedhjes 100 përqind me familjarët dhe banditët rreth tij, është betejë për rrogat, pensionet e familjarëve dhe të punësuarve të të rinjve shqiptarë.

Beteja jonë kundër këtyre hajdutëve që poshtërojnë dhe shkelmojnë mbi shqiptarët, është

betejë për dinjitet njerëzor. Është betejë për të ardhmen.

Ndaj dhe ditën e martë, ftoj çdo të ri dhe të re te Bashkia e Tiranës. Bashkia është e juaja, është e qytetarëve, nuk është e hajdutëve. Nuk është e kusarëve.

Të dashur miq!

Të rinjtë, të rejat janë më të ndjeshëm se të gjithë të tjerët ndaj padrejtësive.

Por në një vend ku nuk ka drejtësi, nuk të vret asgjë më shumë shpresën se padrejtësia.

Në një vend ku Dumanët, Gjokat dhe soji e sorollopi i tyre janë shndërruar në mburojë të krimeve monstruoze, vjedhjeve të shekullit të Edi Ramës dhe qeveritarëve.

Në një vend ku pasuritë publike grabiten, plaçkiten nga ministrat dhe trafikantët e drogës, zemërimi dhe revolta janë rruga e vetme e fitores.

Rruga e vetme për të kthyer shpresën.

Rruga e vetme për të kthyer të ardhmen.

Ndaj dhe beteja për çlirimin e Bashkisë është betejë për qeveri teknike.

Të dashur miq!

Një javë më parë u zhvilluan zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

Forcat konservatore fituan bindshëm, qendra e djathtë.

Sepse ata arritën me protestën e tyre, arritën me guximin e tyre, me zemërimin e tyre të krijojnë qeveri teknike.

Dhe nga ajo kohë, Maqedonia zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndaj dhe beteja për çlirimin e Bashkisë është betejë për krijimin e qeverisë teknike.

Betejë për votën e lirë!

Qeveria teknike dhe vota e diasporës janë kushtet vendimtare për zgjedhje të lira.

Ndaj miqtë e mi, kjo betejë e idealeve, e shpresës dhe të ardhmes, është betejë për çdo shqiptar kudo që ndodhet, nga Afrika e Jugut në Polin e Veriut.

Është betejë për të shndërruar Shqipërinë në tokën e të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Është betejë për të bërë diasporën tonë krenare me Shqipërinë, emrin e saj, historinë e saj.

Është betejë për t’i çelur dyert diasporës tonë të votojë siç voton me miliardat euro që dërgon në këtë vend.

Të votojë me vullnetin e vet, aty nga ku është larguar, në qytetin e tij, me postë, kudo që të ndodhet, në çdo skaj të planetit të ketë të drejtë të votojë si qytetar i këtij vendi, si shqiptar i vërtetë, të votojë për fatin e tij në Shqipëri, për fatin e Shqipërisë.

Ndaj dhe këtu, në emër tuaj, në emër të shqiptarëve opozitarë kudo që janë, i bëj të ditur Edi Ramës se qeveria teknike dhe vota e diasporës janë kushti i të gjitha kushteve që shqiptarëve që të bëjnë zgjedhje të lira.

Mjerë ti po mendove, po guxove t’i pengosh!

Erion Veliaj, tik-taku i orës po shënon fundin tënd. Fundin më të turpshëm të një zyrtari në të gjithë historinë e kontinentit.

Erion, e nise karrierën si 99-sh dhe si 99-sh do përfundosh.

Në shtyllën e turpit, në sheshin Skënderbej do varesh në shtyllën e turpit, me germa të zeza do gdhendet emri yt.

O qenie pa shpirt, pa moral, pa karakter, pa nder, pa dinjitet.

Largohu, mos e prit popullin se zemërimi i tij do të të mjerojë.

Edhe njëherë u përshëndes, ftoj të gjithë qytetarët ditën e martë në ora 11.00.

Tek bashkia na pret fitorja, na pret beteja, na pret e ardhmja.

Rrofshi ju, rroftë opozita shqiptare, rroftë populli shqiptar, rroftë Shqipëria.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale