Berisha: Sot është përsëri dita e demokratëve. Nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike, zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është bashkuar mosbindjes civile. Ai u është bashkuar protestuesve tek zona e rrugës së Elbasanit.

Gjatë një prononcimi për mediat, kryedemokrati Berisha tha se, kjo e sotmja është dita e demokratëve dhe mosbindja civile nuk do të ndaloj deri në realizimin e objektivave të opozitës, qeveri teknik dhe zgjedhje të lira.

Fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha:

Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar, objektivat e tyre.

Sot një nga ditët një nga ditët më të veçanta të dhjetorit, por sot është përsëri dita e demokratëve.

Ja ku jemi në detyrë.

Në protestë. Në revoltë. Në mosbindje, ndaj narkodiktatorit.

Ky dimër premton të jetë i vështirë, si për argatin e Tiranës, ashtu dhe për padronin e Beogradit.

Edhe në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin edhe në Tiranë të ardhme nuk ka.

I përshëndes nga zemra, të gjithë ata qytetare e qytetarë, demokrate e demokratë që janë mbledhur sot nga të katër anët e vendit dhe kanë marrë Tiranën.

I përshëndes mbarë qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se, kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë dhe se ne nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike, zgjedhje të lira.

Pyetje: Edi Rama nuk pranon qeverinë teknike, çfarë do të bëni.

Berisha: Rrëzohet, po nuk e pranoi, rrëzohet.

Pyetje: Me protesta paqësore apo …

Berisha: Me mosbindje civile. Mosbindja civile është kodi i rrëzimit të diktatorëve.

Pyetje: Keni premtuar 77 forma, ky është akti i 5-të, cili do të jetë hapi i radhës.

Berisha: Gjer tani, se duhen numëruar taman, janë 15-20 forma janë shfaqur në parlament dhe kudo. E rëndësishme është kjo, që projekti i mosbindjes civile të realizojë qëllimet e veta.

Pyetje: Deri tani jeni i kënaqur.

Berisha: Shumë i kënaqur, nuk i sheh si po përfundojnë, si kufoma politike njëri pas tjetrit. Imagjinoni ju ç’do ishte sot Erion Veliaj po të mos kishte qenë mosbindja civile tek bashkia e Tiranës. Si është sot ai? I pakallur dhe me radhë. Ne kemi sakrifikuar, kemi bërë beteja, por betejat tona janë shpërblyer, kanë pasur rezultat në disa aspekte të jashtëzakonshme.

Zëri ynë u dëgjua në të gjithë botën. Mediat e botës e stamposën Edi Ramën si narkodiktator, rezoluta ndërkombëtare të nëjtën gjë.

Pyetje: Në disa aspekte nuk keni pasur rezultat. Sot PS rrëzoi kërkesën e opozitës për komisionin hetimor të Portit të Durrësit.

Berisha: Sepse Edi Rama është kreu i asaj afere të tmerrshme, më e madhja në historinë e Shqipërisë dhe ndër më të mëdhatë në historinë e Europës dhe botës. Porti i Durrësit është pasuria publike numër 1 e shqiptarëve, po përvetësohet nga Edi Rama, duke përdorur si një mburojë, Alalabarin, por në të vërtetë gjithçka është përvetësim i tij dhe klanet e tij të drogës. Ne nuk falim kurrë Portin e Durrësit. Ata nuk pranojnë, por edhe ne nuk pranojmë refuzimin e tyre. Nuk tërhiqemi.

Pyetje: Mund të kemi një rikthim të mosbindjes civile në parlament.

Berisha: Çdo formë e mosbindjes civile është e mundshme. Ne tërhiqemi vetëm kur të votohet qeveria teknike dhe zgjedhje të lira. Edi Rama është i humbur, i përfunduar. Ju e patë se si kishte ra në mënyrë dramatike audienca e tij në Tik Tok, edhe më keq është në Instagram, ato polle që nuk i kontrollon dot. Edi Rama e ka kuptuar këtë e është shumë i pashpresë. Përpiqet në mënyrë të ndryshme, por tani është radha jonë.

Pyetje: Kur do ti nisni primaret?

Berisha: Po përgatiten, do të fillojnë patjetër. Radha jonë e kam fjalën për fitoren. Primaret do të bëhen.

Pyetje: Në konferencë për mediat, deklaruat se do të jeni kudo ku ka protestues. Do ti përshëndetni protestuesit edhe në pikat e tjera.

Berisha: Nuk përjashtohet ajo mundësi, por dëshirë e kam. Edhe atë mund ta bëj, nuk ka lidhje me shiun.

Pyetja: Çfarë ndodh që në 10 Maj, Edi Rama nuk e ka pranuar qeverinë teknike, çfarë ndodh në 11 me PD. Do të hyni në zgjedhje.

Berisha: Qeveria Rama nuk ka të ardhme. Edhe njëherë, beteja me diktaturën është një betejë e vështirë, por betejë me të cilën ne nuk kthehemi kurrë pas.

Pyetje: A do të përdoret si alibi për humbjen e zgjedhjeve…

Berisha: Cila alibi, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Me Ramën ka betejë për zgjedhje. Ne jemi shumë të qartë.

Pyetje: A si opsion bojkoti i zgjedhjeve nëse nuk pranohet qeveria teknike.

Berisha: Në asnjë rast nuk bojkotohen zgjedhjet. Me Ramën nuk ka zgjedhje, zgjedhjet nuk bojkotohen, beteja është e pandalshme gjer në përmbysjen e tij. Ne bëjmë gjithçka që kjo diktaturë të shporret me mosbindje civile, dhe jemi të bindur se nuk i reziston dot kjo.

Ju e patë Assadin si përfundoi, e patë vetë. 35 mijë ushtarë të Assadit me 300 rebelë. 35 mijë ushtarë ja mbathën, diktatorët nuk mbrohen.

Pyetje: Ju paralajmëroni një skenar si në Siri këtu…

Berisha: Nuk ka nevojë këtu, diktaturat përmbysen ose me armë ose me mosbindje civile. Ne jemi për mosdindjen civile, nuk i reziston dot.

Pyetje: Mosbindja civile me bllokim rrugësh, a rrezikon të kthehet në bumerang për PD, sepse për momentin u bllokuan vetëm disa qytetarë.

Berisha: Disa qytetarë në një mënyrë apo në një tjetër, lëndohen nga kjo. Por nga ana tjetër fitojnë shumë, sepse kjo është betejë për ti çliruar ata nga një e keqe e madhe që quhet narkodiktaturë dhe ata do të jenë shumë mirënjohës. Do të kuptojnë se sakrifica që bënë ishte e vlefshme shumë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale