Berisha: Sot doli lajmi se dora e zezë e Ramës dhe Ballës ka shkatërruar të dhënat e censusit. Dumani po mbron Ramën dhe thjeshtrën e tij për aferën 13 mln euro të eko-parkut

EKSTRAKT

Kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka theksuar se, sot sulmi kibernetik ndaj INSTAT për të marrë të dhënat e censusit është bërë nga dora e zezë e Edi Ramës dhe Taulant Ballës.

Berisha ka deklaruar se puseta e akteve kriminale e grupit Rama-McGonigal, është e pafund dhe nuk ka të sosur.

Duke folur në tubimin qytetar, ka akuzuar Altin Dumanin se po e mbron Edi Ramën dhe thjeshtrën e tij për aferën 13 milionë eurosh të ekoparkut në Porto  Romano.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kreu i PD-së, Sali Berisha ka sfiduar sërish gjyqtaren Irena Maneku-Gjoka. Berisha i ka bërë sfidë publike gjyqtares, për të treguar nëse është përjashtuar ndonjëherë nga Greqia dhe cila ka qenë arsyeja e këtij ekspulsi.

Berisha duke folur në tubimin qytetar, ka akuzuar analistët se shkojnë nga studio në studio duke mbrojtur vjedhjen e kryehajdutit, Edi Rama dhe duke bërë hajdutërinë e krimit.

FJALA E PLOTË: 

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, qëndrestarë, misionarë të vërtetë të shpëtimit të Shqipërisë.

Të dashur miq!

Shqiptarët marrin lajme nga më të trishtat.

Marrim lajme të cilat ndonjëherë nuk i kanë marrë as edhe në netët më të zeza të pushtimeve shekullore.

Sot doli lajmi se dora e zezë e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ka rrëmbyer, ka shkatërruar të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës.

Nga koha e Skënderbeut, në të gjithë shekujt e Perandorisë Osmane, në 110 vite shtet shqiptar, kjo është hera e parë që një qeveri me dorën e saj të zezë, prish regjistrimin e popullsisë.

Ky është një krim i shëmtuar antikombëtar.

Me këtë krim, Edi Rama do të mbulojë 2 krimet e tij më të mëdha të këtij 10-vjeçari.

Së pari, do të mbulojë shpopullimin masiv të shqiptarëve me politikat e tij antishqiptare. Këtu para jush në mënyrë të përsëritur kam bërë publike informacionet që më vinin se numri i shqiptarëve të regjistruar ishte nën 1.5 milionë. Dhe se Edi Rama po shtynte shpalljen e regjistrimit sepse kishte urdhëruar mbartjen të qindra e mijëra emrave, në mos miliona, nga regjistrat e Gjendjes Civile, për t’i paraqitur si banorë të regjistruar në tetorin që kaloi.

Por, në proces e sipër, kuptoi se ky mashtrim do të zbulohej menjëherë nga EUROSTAT, i cili ka të regjistruar 1.1 milionë shqiptarë të larguar nga Shqipëria në zonën e Shengenit në 8 vitet e fundit të qeverisjes së Edi Ramës.

Atëherë skenari i hakerimit qeveritar, i shkatërrimit të të dhënave të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë.

Natyrisht ky proces kriminal vjen në vazhdën e një serie procesesh që filluan me publikimin e rrogave, me publikimin e targave të të gjithë shqiptarëve, me publikimin e organigramës së ujdisur me NATO-n të Shërbimit Informativ Shqiptar dhe vazhdoi me grabitjen nga Taulant Balla të të gjithë të dhënave të TIMS-it për të fshehur gjurmët e krimeve të tij, 54 udhëtimet e regjistruara me Edmond Begon me çantën e kokainës me të.

Për të fshehur udhëtimet e tij me Pëllumb Gjokën në Itali, për të fshehur lidhjet e tij të krimit.

Për të fshehur lidhjet e krimit të Edi Ramës, udhëtimet e tij me avion në dispozicion, në 18 muaj janë 147 udhëtime për transporte të të gjitha llojeve dhe të gjitha destinacionet.

Për të fshehur grupin e Xibrakës dhe udhëtimet e Olsi Ramës.

Pra, për të fshehur krimet e shëmtuara qeveritare.

Por kjo e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës përbën aktin më të shëmtuar në historinë e një shteti. Këtë nuk e kanë bërë kurrë pushtuesit. Këtë nuk e kanë bërë kurrë pushtuesit osmanë. Nuk është bërë kurrë gjatë diktaturës.

Kjo u bë për herë të parë sepse Çubrilloviçi apo Pashiqi i shqiptarëve, me politikat e tij përgjysmoi popullin në këtë vend.

Miqtë e mi!

Kjo u bë për një shkak tjetër madhor, sepse në regjistrimin e tetorit të vitit 2023, dilnin më pak banorë se sa votues në vitin 2021.

Dhe këtu dilte mbushja masive e kutive, falsifikimi total i zgjedhjeve nga Edi Rama.

Ja pse hakeroi ai sot me Taulant Ballën, me aktin më kriminal të shtetit, të dhënat e regjistrimit më themelor të çdo shteti dhe për çdo komb, regjistrimin e banorëve të Shqipërisë.

Të gjitha këto krime në seri, Edi Rama i bën sepse do të mbrojë me çdo krim pushtetin e tij.

Ky akt është një thirrje e madhe për çdo shqiptar që të ngrihemi për përmbysjen e këtij regjimi.

Sot përsëri, mediat serioze të botës ridimensiononin skandalin e shekullit Rama-McGonigal.

Sot mediat e mëdha paralajmëronin lidhjet e Ramës, Duçkës me kompanitë e Deripaskës, me kompanitë e shërbimeve ruse.

Puseta e akteve kriminale të grupit Rama-McGonigal nuk ka të sosur.

Prapë dua të theksoj, Departamenti i Drejtësisë në SHBA e bëri punën e vet. U tha shqiptarëve

se kryeministri juaj është i korruptuar, është kriminal. Ka kryer veprën kriminale të korruptimit të kryezbuluesit kryesor të SHBA.

Ministria e Drejtësisë së SHBA u tha shqiptarëve se kryeministri që keni ju është i korruptuar sepse ka ndryshuar licenca, ka heqë dhe vënë licenca nafte për të pasuruar bashkëpunëtorët e tij dhe veten.

Sot ka vetëm një pyetje për çdo shqiptar, si mund të tolerojmë ne më tej kryeministër Edi Ramën?

Si mund të pranojmë ne më tej një kryeministër të denoncuar nga drejtësia e vendit kryesor të botës?

Si mundet të qëndrojmë ne indiferent ndaj këtij akti monstruoz të Edi Ramës?

Askush nuk ka të drejtë të thotë se bota nuk po na ndihmon. A ka ndihmë më të madhe për një njeri të përgjegjshëm sesa t’i tregohet e vërteta në sy se kryeministri i tij është një hajdut, një individ i korruptuar, i pabesë dhe i pamoral, që nuk njeh miqësi, nuk njeh asgjë përveç karriges së tij.

Të dashur miq!

Heshtja ndaj këtij akti që tejkalon imagjinatën, ndaj skandalit të shekullit është e pafalshme.

Ndaj duhet të ngrihemi, t’i caktojmë datën e arrestit kriminelit, hajdutit, armikut Edi Rama.

Ka një javë që kërkohen serverat e tij, por as guxon Damani t’i prekë me dorë.

Miqtë e mi, nuk kemi pse presim Damanin ne, se Damanin e ka blerë kokë e xhep Edi Rama, por duhet të ngrihemi vetë, ta kapim për zverku Edi Ramën dhe ta qërojmë nga pushteti.

Përkundrazi, Dumani, organizata e tij kriminale, janë shndërruar në veglën më të verbër të pushtetit kriminal të Edi Ramës.

Po, po! E gjithë veprimtaria e tij, e grupit kriminal në Skap, është e drejtuar vetëm të konsolidohet pushteti i Edi Ramës.

Asgjë që kërcënon atë pushtet nuk hetohet. Nuk akuzohet nga institucionet.

Do t’u sjell vetëm një shembull të veçantë sonte këtu. Eko-parkun e Porto Romanos, në të cilin Edi Rama familjarisht zhvati me një firmë 13 milionë euro.

Në korrik të vitit 2019, ky hajdut i paskrupullt që mbrohet nga Dumani, u thotë shqiptarëve se aty do ndërtohet një eko-park dhe do e ndërtoj me sektorin privat.

Bazuar në këtë, pas kësaj drejtoria e ujësjellësave me 16 tetor 2019, shpall tenderin për ndërtimin e eko-parkut. Me 3 dhjetor, katër ditë para mbylljes së tenderit, anulohet tenderi në një kohë kur ishin paraqitur 4 kompani.

Tenderin e anulon me urdhër Rama se tani ka rënë tërmeti dhe atje do grumbullojmë rrënojat e tërmetit.

Mirëpo ç’ndodh? Vetëm 13 ditë më vonë, pa tender, firmoset marrëveshja për 19 milionë me kompania Victoria Invest dhe De Mare, që marrin përsipër inkapsulimin dhe eko-parkun.

Miqtë e mi, katër muaj më vonë, shoferi i të shoqes së Klodian Zotos, merr përsipër si nënkontraktor të kryejë punimet për 6 milionë euro. 13 milionë euro mbeten në kontot e Edi Ramës dhe familjes së tij.

Pse them familjes? Ka pjesën tjetër, shumë interesante. Edi Rama foli në korrik për parkun, por Klodian Zoto ishte kujtuar që në prill të vitit 2019, që të kontraktonte një kompani ku ishte thjeshtra e Edi Ramës, për të bërë projektin e Porto-Romanos, 3 muaj se Rama ta shpallte, 6 muaj para se të bëhej projekti.

Pra, i rikujtova këto se vjedhja e shekullit dhe Erion Veliajt dhe se Altin Dumani është i lidhur kokë e xhep në këtë krim të shekullit dhe në këtë vjedhje të shekullit.

Është avokati kryesor dhe mbrojtësi kryesor i Edi Ramës.

Por i them sot këtu para jush, Duman dhe Zaman, do marrësh atë që meriton bashkë me Edi

Ramën se po mbron vjedhjen e shekullit dhe të jesh i bindur se do shpallesh hajdut i shekullit bashkë me Edi Ramën.

Miqtë e mi, sot dhe çdo ditë del në pah fytyra e shëmtuar, deformimi ekstrem, morali zero i drejtësisë së re, të reformës së Xhorxh Sorosit që e shndërroi drejtësinë në degë ekzekutivi, armike të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve.

Shikoni Dumanini se ç’bën me McGonigalin? Shikoni Dumanin se ç’bën me djegësat? Shikoni Gjykatën Kushtetuese se çfarë vendosi dje në mënyrën më të turpshme, më vulgare për të përmbytur Dibrën.

Kurse sot, një person që edhe njeri ta quash, nuk e meriton, mashtron me pafytyrësi ekstreme.

Avokati Gjokutaj ua shpjegoi, u paraqitën në përputhje me ligjin, për të paraqitur kërkesën në përputhje me ligjin, kurse gjykatësja pa ligj dhe moral ligji, që fshihet prapa krimit, mashtronte ligjin, falsifikonte ligjin, tregonte fytyrën e vërtetë të drejtësisë së Edi Ramës, fytyrën e vërtetë të fytyrës së narkoshtetit.

Meqë jam këtu, më lejoni t’i bëj një pyetje në emër të qytetarit dixhital, i cili më thotë: Drejtor, pyete pak këtë Maneku-Gjokën mos të kanë ekspulsuar ndonjëherë nga Greqia dhe pse të kanë ekspulsuar.

E di ajo vetë, ka ndodhur apo nuk ka ndodhur, është punë e saj, por unë porosinë e qytetarit do e kryeja.

Miqtë e mi, çdo ditë e më e fuqishme bëhet drita, rrezja e dritës që ju shpërndani në katër anët e vendit.

Për një shoqëri, në çdo situatë, nuk ka asgjë më të fuqishme se rrezen e dritës, se transparencën dhe ju këtu po e bëni në mënyrë të mrekullueshme.

Ndaj unë ju përgëzoj ju, përgëzoj oratorët e mrekullueshëm për problemet që keni sjellë dhe sillni.

Kjo rreze nxjerr në dritën e diellit para shqiptarëve, të gjithë shëmtinë e narkodiktatorit, regjimit të tij diktatorial, shëmtinë e instrumenteve të tij të krimit, Skapit dhe organeve të tjerë. Shëmtinë e lakejve që kalojnë nga një studio në tjetër, duke bërë avokatinë e krimit.

Amerikanizmi i tyre është për të vjedhur, për të bërë trafiqe droge.

Këta janë llumi i shoqërisë shqiptare, këta nuk kanë asnjë vlerë.

Ja ku jeni tani, ja ku e keni idhullin tuaj, kryehajdut të Shqipërisë, ja ku e keni kryetar të skandalit më të madh të shekulit.

Ja ku e keni, të denoncuar nga drejtësia e mbarë botës.

Ndaj edhe njëherë, mirënjohjen më të pakufishme në Rrugën e Shpresës, ringjallët pluralizmin, ringjallët forcën, ringjallët besimin e shqiptarëve.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale