EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar tek banesa e tij, akuzoi drejtuesit e INSTAT se kanë shtyrë qëllimisht publikimin e të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vend, sepse duan të çojnë shifrën aty ku e ka kërkuar Edi Rama.
‘U duhen 6 muaj për ta sjellë nga 1.5 milionë që doli në realitet në shifrën që do Edi Rama, për të mbuluar atë që ai i krijoi kombit me regjimin e tij, më të keqen që shqiptarët kanë parë në historinë e tyre, humbjen në 8 vite të 1/3 së popullit’, tha kreu i PD, Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati nuk la pa përmendur edhe deklaratat e sotme të ambasadave kryesore në vend, që hodhën poshtë pohimit e pengut të Edi Ramës, Lulzim Bravës për gjoja ndërmjetësim.
‘Sot ambasadorët e vendeve kryesore, përfshirë OSBE, reaguan me deklarata duke hedhur poshtë deklaratën e pengut të Edi Ramës, Lulzim Bravës. Ajo deklaratë e tij tregonte se çfarë shpërfytyrimi, në ç’shkallë është shpërfytyruar ky njeri, i cili shitjen e tij te Edi Rama, aktet e tij të turpshme të diktuara nga pengmarrësi i tyre, kërkoi të ua paraqesë shqiptarëve si autorizim të ambasadorëve të vendeve kryesore në Tiranë’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Teksa ftoi studentët në protesta, kryetari i PD-së Sali Berisha tha se, protestat e tyre janë vdekjeprurëse për çdo diktaturë.
‘Historia ka provuar, jo vetëm e Shqipërisë, por edhe në vende të tjera, studentët, protesta e tyre ka qenë vdekjeprurëse për çdo diktaturë. Ndaj dhe ngrihuni edhe njëherë, së bashku të përmbysim narkoshtetin, të përballemi me këtë të keqe të madhe, që kërkon një Shqipëri pa opozitë’, theksoi gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Përulem me mirënjohjen dhe nderimin më të madh para sakrificës tuaj të përnatshme.
Burra dhe gra, djem e vajza që e shndërruat këtë rrugicë në rrugicën më të njohur sot, në rrugicën e shpresës, të optimizmit, dritës për mendjet dhe zemrat e ndrydhura të shqiptarëve.
Çdo natë ju mblidheni këtu në një betejë pa kthim në mbrojtje, para së gjithash të dinjitetit tuaj, të dinjitetit të njeriut.
Mblidheni me guxim dhe dërgoni mesazhin më të rëndësishëm për çdo shqiptar, sepse jeta pa dinjitet është një shkretëtirë e vërtetë.
Një komb pa qytetar dinjitoz është një komb i shtypur. Në këtë aspekt ju në këtë rrugicë mbroni dhe dinjitetin e kombit shqiptar karshi atyre që fjalën dinjitet e kanë një fjalë bosh, moralin e tyre kanë vjedhjen, drogën, krimin.
Kombin shqiptar e urrejnë dhe duan ta shkatërrojnë çdo vit dhe më shumë.
Edhe sot zëdhënësja e Edi Ramës njoftoi se do të shtyhet edhe për 6 muaj publikimi i të dhënave të regjistrimit të popullsisë. U duhen 6 muaj për ta sjellë nga 1.5 milionë që doli në realitet në shifrën që do Edi Rama, për të mbuluar atë që ai i krijoi kombit me regjimin e tij, më të keqen që shqiptarët kanë parë në historinë e tyre, humbjen në 8 vite të 1/3 së popullit.
Miqtë e mi, me këto ritme Shqipëria brenda maksimumit të 4 viteve do të jetë ajo që ishte në vitin 1950.
Nuk ka protestë më kombëtare se protesta juaj.
Nuk ka dëshmi më të qartë se sa dashuria juaj për kombin shqiptar.
Kjo protestë është dëshmi e dashurisë tuaj për Shqipërinë, sepse në këtë rrokullisje që ajo ka marrë, në këtë nënshtrim të saj nga aleanca e krimit, ju kërkoni ta ndalni.
Ju kërkoni ta ngrini në këmbë.
Ju kërkoni që Shqipëria të fitojë, të fitojnë shqiptarët.
Të dashur miq!
Sot në të vërtetë nëse ndalemi dhe analizojmë se çfarë ndodh me Shqipërinë, me narkoshtetin shqiptar. Në Shqipëri çdo sekondë, orë, ditë e javë, ndodh një betejë, një përballje mes krimit, drogës, vjedhjes së shqiptarëve dhe qëndresës tuaj.
Shqipëria anë e kënd është e mbuluar sot nga velloja e zezë e krimit shtetërore, e krimit të shndërruar në pushtet.
Sot ambasadorët e vendeve kryesore, përfshirë OSBE, reaguan me deklarata duke hedhur poshtë deklaratën e pengut të Edi Ramës, Lulzim Bravës.
Miqtë e mi!
Ajo deklaratë e tij tregonte se çfarë shpërfytyrimi, në ç’shkallë është shpërfytyruar ky njeri, i cili shitjen e tij te Edi Rama, aktet e tij të turpshme të diktuara nga pengmarrësi i tyre, kërkoi të ua paraqesë shqiptarëve si autorizim të ambasadorëve të vendeve kryesore në Tiranë.
E vërteta është se ai bëri vetëm mashtrimin e radhës.
Nga ana tjetër të dashur miq, kjo parodi dëshmon edhe njëherë se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.
Se me Edi Ramën ne veç se do të firmosim grabitjen e radhës të votës tonë.
Në këtë aspekt, beteja juaj, beteja e demokratëve është jetike, vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë.
Miqtë e mi!
Edi Rama zhvilloi me 14 maj farsën elektorale më të shëmtuar.
Komuniteti ndërkombëtar publikoi një raport i cili ju garantoj ju, është fjalë për fjalë, mos më i keq, se sa raporti i zgjedhjeve të Vuçiçit në Serbi. Por Beogradi dha një mësim, u derdh në rrugë, nuk lëshoi rrugën dhe zbrapsi diktatorin e tij, dhe faktikisht në Beograd do të fillojë fitorja e opozitës.
Edi Rama bëri gjithçka të asgjësojë opozitën, dështoi në zgjedhje. Bëri gjithçka ta asgjësojë në parlament. Dështoi në parlament.
Bëri gjithçka me organizatën e tij kriminale, skapin e partisë të izolojë Sali Berishën, duke besuar se në këtë mënyrë i dha një goditje fatale opozitës.
Por gaboi rëndë, sepse opozita në Shqipëri qëndron mbi të gjitha, me idealet fisnike të lirisë së shqiptarëve.
Qëndron në dinjitetin njerëzor të shqiptarëve.
Qëndron në dashurinë e madhe për kombin.
Qëndron në dashurinë e tyre për vendin.
Qëndron në vendosmërinë e tyre për një Shqipëri dinjitoze, të lirë, zonjë, një tokë të bekuar.
Ndaj dhe në emër tuaj, ftoj çdo demokrate e demokrat të ngrihet kudo që është në betejë pa kthim kundër këtij armiku, jo vetëm të PD-së, por mbi të gjitha armikut të lirisë dhe pluralizmit politik të shqiptarëve, të qenies së shqiptarëve, të identitetit të shqiptarëve, të sotmes dhe të ardhmes së tyre.
Çdo demokrat dhe demokrate është i ftuar sot të ngrihet në emër të sakrificave që ka bërë gjer sot, të trashëgimisë së partisë tij, të interesit demokratik dhe atij kombëtar.
Edi Rama është në pushtet vetëm e vetëm për shkak të indiferencës. Ju garantoj se ai përfaqëson një kalbësirë, që shkërmoqet me shpejtësi marramendëse.
Miqtë e mi!
Ju jeni heronj të vërtetë. Ju përballeni me presione të jashtëzakonshme, ju përballeni me propagandën e mashtrimit të Edi Ramës, me lakenjtë e tij, por përsëri ju jeni në këmbë, jeni të vendosur që Shqipëria të ngrihet në këmbë.
Përsëri ju jeni të vendosur tu dilni zot idealeve tuaja, tu dilni atyre parimeve që bëjnë të lirë çdo vend, që bëjnë dinjitoz çdo komb dhe vend.
Thirrja ime është për çdo qytetar shqiptar; të mendojnë një herë së bashku vetëm për një moment Shqipërinë.
A e meriton ky vend të humbasë rininë e tij.
A e meriton ky vend të humbasë të ardhmen e tij.
A e meriton ky vend të shndërrohet në arenë krimi dhe korrupsioni.
Sa lumenj gjaku, sakrificash, djerse, mundi janë derdhu nga paraardhësit tanë për të mbajtur Shqipërinë, dheun e shqiptarëve. Kurse sot para syve tonë vendi rrokulliset ço ditë.
Ne nuk kishim një rrugë të lehtë, por ndryshimi dramatik, rrokullisja dramatike e 10 viteve të fundit, bën përgjegjës para së gjithash një njeri, një albanofob, një armik të shqiptarëve, kryehajdut të kombit, bën përgjegjës Edi Ramën.
Një thirrje të veçantë kam për studentet dhe studentët.
Sot është një moment historik për ju. Askush më shumë se ju nuk mund në këtë mision të bëjë më shumë në shpëtimin e Shqipërisë.
Mos harroni se në mbarë Europën, pavarësisht nga jeta e përditshme, por jeni studentët më të parespektuar, jeni studentët më të përçmuar, jeni studentët të ngarkuar me tarifat më të larta, jeni studentët me qiratë më të larta, jeni studentët në fakt më të papërfillur.
Atëherë, çfarë pritet më. A nuk është ku momenti ti dilni zot vetes tuaj, ti dilni zot universiteteve tuaja, ti dilni zot vendit tuaj.
Historia ka provuar, jo vetëm e Shqipërisë, por edhe në vende të tjera, studentët, protesta e tyre ka qenë vdekjeprurëse për çdo diktaturë.
Ndaj dhe ngrihuni edhe njëherë, së bashku të përmbysim narkoshtetin, të përballemi me këtë të keqe të madhe, që kërkon një Shqipëri pa opozitë.
Që kërkon një Shqipëri me njerëz pa dinjitet.
Që kërkon një Shqipëri që braktiset çdo ditë, nga bijat dhe bijtë e tij.
Edhe njëherë ju falënderoj shumë.
Me shumë mirënjohje ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë, me bindjen e plotë se fitorja është e afërt.
Me guximin tonë ne do të përmbysim diktaturën e re.
Regjimi i narkoshtetit nuk mund të na mposhtë ne kurrë.
Së fundi mesazhi nga rruga e shpresës, rruga e dritës për sarajet e Surrelit, sarajet e hajnisë, sarajet e errësirës. Edi Rama je strukur atje, i frikësuar gjer në palcë, i frikësuar nga opozita, i frikësuar nga rruga e shpresës, i frikësuar nga Sali Berisha sepse je i sigurtë se të ardhme nuk ke.
Asgjë nuk të shpëton ty nga verdikti i shqiptarëve.
Rrofshi ju,
rroftë Partia Demokratike,
rroftë populli opozitar,
rroftë Shqipëria.