Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Skapi i Partisë tani do quhet Avokatura Speciale e Kryeministrit Kriminel Edi Rama ose ASKKR, ja mesazhi për Altin Dumani Ramën. Nëpër studio janë tërbuar kundër meje sepse mafia po e ndjen që po vjen ligji në pushtet

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS DALJES NGA SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar SPAK-un se po mbron Edi Ramëb dhe po mbyll sytë për krimet zgjedhore, ndërsa e ka cilësuar institucionin si ‘Avokatura Speciale e Kryeministrit Kriminel Edi Rama’. Gjatë deklaratës për mediat pas daljes nga SPAK, Berisha tha se ka depozituar dhjetëra padi ndaj kryeministrit, por ato janë mbyllur pa u hetuar.  ‘Për Edi Ramën, Partia Demokratike ka depozituar në zyrën e avokatisë speciale të krimeve të kryeministrit kriminel jo një, por të paktën 30-40 padi. Mbyllen të gjitha. Nuk ekziston!’, deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi Ramën për përfshirje në krime elektorale dhe renditi disa prej rasteve që, sipas tij, përbëjnë shkelje të ligjit gjatë fushatës zgjedhore. Berisha përmendi shpërndarjen e 100 eurove për 760 mijë zgjedhës, faljen e 2.1 miliardë eurove gjoba dhe kamatëvonesa vetëm dy ditë para zgjedhjeve, si dhe dhënien e 138 licencave për kultivimin e kanabisit në 29 mijë hektarë tokë.

Sipas tij, SPAK po mbron Edi Ramën, ndërsa përgjegjësitë për krimet zgjedhore po i ngarkohen vetëm zyrtarëve të tjerë. Ai e akuzoi institucionin për qëndrim të njëanshëm dhe paralajmëroi se, sipas tij, kjo mbrojtje nuk do të zgjasë. ‘Drejtësia vonon, por nuk harron’, ishte mesazhi që Berisha tha se kishte lënë në zyrat e SPAK-ut, duke iu drejtuar kreut të institucionit, Altin Dumani, dhe kryeministrit Edi Rama.

I pyetur nëse PD do t’i drejtohet sërish SPAK-ut me kallëzime penale, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se opozita do të vijojë të depozitojë padi, pavarësisht se ato, sipas tij, nuk marrin përgjigje nga prokuroria. ‘Ne i bëjmë këto, megjithëse e dimë se kujt ia çojmë, por i bëjmë për të dëshmuar se ne do jemi dhe jemi parti e shtetit ligjor dhe se ne do rikthejmë në Shqipëri ligjin’, u shpreh ai.

I pyetur nga gazetarët për protestat, kryetari i PD-së Sali Berisha, sqaroi se mungesa e tij në protestat e fundit nuk lidhet me mungesën e mbështetjes për to. Ai tha se nuk dëshiron që një protestë qytetare të identifikohet si protestë e Sali Berishës, por theksoi se po kontribuon për suksesin e saj. Berisha bëri thirrje të gjitha forcave politike që e konsiderojnë Edi Ramën ‘të keqen më të madhe’ të bashkohen kundër qeverisë. Ai paralajmëroi se koha e kryeministrit në pushtet po mbaron. ‘Ka ndodhur që mafia po e ndjen se po vjen ligji në pushtet. Sali Berisha është një person, por mafia po e ndjen se po vjen ligji në pushtet dhe mjerë ajo’, deklaroi kryetari i PD-së gjatë deklaratës për mediat nga SPAK.

FJALA E PLOTE

Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë konferencë të mbajtur para këtij institucioni, të cilin që sot e tutje do ta pagëzojmë Avokatura Speciale e Kryeministrit Kriminel Edi Rama.

Mos e harroni pra, ASKKR.

I ndërrohet emri, nuk quhet më Skapi i partisë, por tani edhe partinë ka filluar ta lëshojë, por merret vetëm me mbrojtjen e Padrinos të Shqipërisë.

Lashë në zyrën e tyre këtë shënim: ‘Altin Troplinit, Gjokës, Hajrit, tani i shtohet edhe Ramës, Altin Rama, po, armikut të egër të pluralizmit politik dhe votës së lirë të shqiptarëve, drejtësia vonon, por nuk harron. Sali Berisha’.

Do thoni ju, çfarë kishte aty?

Aty Lubia kishte hapur zyrë.

Dhe Lubi Balluku kishte marrë një zyrë brenda në Skap.

Ky ishte zhvillimi më i ri që mund t’u informoj për këtë zyrë avokatie.

Ndërkohë, denoncoj me forcën më të madhe mbrojtjen që i bëjnë krimit monstruoz elektoral në një akt armiqësor ndaj pluralizmit politik, votës së lirë të shqiptarëve.

Për këtë zyrë avokatie të krimit elektoral, krimi elektoral i PS nuk ekziston.

Sipas tyre, raportet ndërkombëtare, të cilat faktojnë se në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit dhe ligjet ndërkombëtare, Edvin Kristaq Rama organizoi 4530 aktivitete paraelektorale të ndaluara me ligj për të ndikuar tek zgjedhësit.

Sipas tyre, Sara Mile është përgjegjëse se ka kërkuar dy dhe trefishimin në fshatrat e Peqinit apo se ka futur bandat për të rrahur kryebashkiakët e atyre zonave dhe absolutisht është përgjegjëse. Ajo është një kriminele elektorale.

Por super, superkriminel është Edi Rama, me të cilin këta jo që nuk merren, por e mbrojnë sepse Edi Rama shpërndau në mesin e fushatës elektorale 100 euro për 760 mijë zgjedhës në dhunim të ligjeve.


Sara urdhëroi drejtoreshën e ndihmës sociale në Peqin të trefishojë ndihmat, se i duheshin për vota, çka automatikisht duhet të dorëzojë mandatin dhe të shkojë aty ku e meriton.

Kurse Rama për 760 milionë dhuratë në mes të fushatës nuk thirret asnjëherë.

Edi Rama është kriminel dhe përgjegjës para ligjit sepse ditën e zgjedhjeve i dhuroi kompanisë private të Giro d’Italia 7 milionë euro se erdhën për të zhvilluar ciklin çiklistik në mbështetje të Padrinos së Shqipërisë.

Edi Rama është kryekriminel elektoral sepse vetëm dy ditë para zgjedhjeve amnistoi 2 miliard e 100 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit me një impakt tek 210 mijë familje dhe 84 mijë biznese.

Edi Rama është kryekrimineli i zgjedhjeve sepse në fushatë elektorale dekretoi dhënien e 138 licencave për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis nga 200 hektarë që parashikonte ligji.

Edi Rama është kryekrimineli elektoral dhe armiku numër 1 i pluralizmit që mbrohet nga kjo organizatë e PS, de facto zyrë avokatie e Edi Ramës sepse mobilizoi të gjitha kartelet e drogës në Shqipëri dhe jashtë saj për blerjen e votave.

Edi Rama është kryekrimineli elektoral i amnistuar nga kjo organizatë e partisë së krimit sepse mobilizoi si terrorist politik me mijëra e mijëra patronazhistë për grabitjen dhe plaçkitjen e votës.

Pra, siç e shihni, për këtë seksion të PS, nuk ekziston krimi elektoral.

Dhe këta janë bashkëfajtorë.

Këta janë bashkëautorë të të gjithë dhunës, terrorit policor që ushtrohet në rrugët dhe sheshet e Tiranës kundër protestuesve që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nuk u ndala këtu në amnistinë që i bëjnë Edi Ramës në vjedhjet e tij të pallogaritshme.

Vetëm në dosjen Balluku, Rama është 60 përqind aksioner.

Rama është akuzuar nga OSBE që në vitin 2014 se ka të fshehur në bankat offshore 200 milionë euro.

Por fundi i tij është i pashmangshëm.

Ju e ndoqët Asamblenë e Partisë së Krimit.

Në Asamble, fytyrat e tyre ishin secila më armiqësore ndaj Padrinos.

Nuk kam parë ndonjëherë në një kolektivitet fytyra njerëzish që akuzonin kreun siç e akuzonin asambleistët.

Dhe jo se janë të ndershëm se edhe ata janë kriminelë që kanë vjedhur, kanë plaçkitur shqiptarët në mënyrë të pamëshirë.

Por se tani, njeriu që ishte zotuar për mbrojtje, i kishte korruptuar, po shkon atje ku e meriton.

Ndaj dhe ftoj shqiptarët të vazhdojnë fuqishëm protestat, të vazhdojmë t’i japim shtytjen e fundit këtij narkodiktatori që plaçkiti Shqipërinë më shumë se të gjitha regjimet e kohërave të shkuara.

Arsen Rusta, MCN TV: Doktor, thatë që Asambleja po e rrëzon. Ai doli edhe më i fortë sepse kundërshtarët politikë i përjashtoi duke u hequr funksionet. Tani ky është kriminel elektoral, është gjithçka për ju, por nga ana tjetër është edhe partneri politik. Listuat një sërë denoncimesh për krime zgjedhore. Po t’i bëri prapë para 9 majit, si do veproni? Do ndryshoni kodin me këtë? Sepse jeni me 61 bashki, duhet ta bëni kodin me 46. Se mund t’i bëjë ai prapë në zgjedhje lokale ato?

Sali Berisha: Ju keni të drejtë. Ai jo mund t’i bëjë këto, por ju garantoj se ai do i bëjë këto të paktën dhe dy herë më shumë. Sepse ai është i aftë dhe i gatshëm të bëjë gjithçka mbasi e di që e pret burgu, burgu dhe vetëm burgu.

Nuk ka! Për lëkurën e tij, ai është i aftë të bëjë gjithçka.

Por ne jemi një forcë politike që po luftojmë me të gjitha mjetet dhe luftuam në kushtet më të pabarabarta të njohura ndonjëherë. Jemi dakord?

U bë gjithçka që në këtë narko-diktaturë të mos kishte opozitë.  U bë gjithçka të shuhej opozita.

Por opozita qëndroi e pamposhtur ndaj të gjitha presioneve kriminale ndaj saj. Dhe qëndron e vendosur të shfrytëzojë çdo hapësirë në luftën kundër saj.

Në këtë kuadër, meqë e shtrove këtë problem, ne ftojmë dhe njëherë të gjitha forcat politike që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, ftojmë të gjithë faktorët të bashkohemi për të paraqitur së bashku një kuadër ligjor demokratik, një kuadër ligjor i cili në rast të një qeverie teknike apo qeverie kujdestare, u jep mundësi shqiptarëve të votojnë të lirë. Barazon vlerën e votës së tyre.

U jep mundësi të zgjedhin më të mirët që ata mendojnë.

Pra, ne nuk kemi asnjë iluzion, asnjë dyshim se Edi Rama nuk do të lëshojë asgjë në reformën zgjedhore që kërcënon pushtetin e tij.

Por kjo nuk do të thotë që ne të mos bëjmë para qytetarëve, të cilët duan të dinë, duan të na shohin se ne jemi të bashkuar për listat e hapura.

Listat e hapura janë një përgjegjësi për të gjithë para të gjithë qytetarëve.

Se ne jemi të bashkuar për një prag zgjedhor të pranueshëm nga të gjitha palët.

Se ne jemi të bashkuar për garantimin e koalicioneve, sepse është një standard demokratik.

Se ne jemi të bashkuar për masat më të rrepta ligjore për shkelësit e ligjit dhe krimit elektoral.

Këtë presin shqiptarët nga opozitarët.

Natyrisht, diktatura me vota nuk ikën. Ata të cilët besojnë se diktatura mund të largohet me vota, ata mashtrojnë veten dhe mashtrojnë të tjerët.

Janë mënyra të tjera që rrëzojnë diktaturat, por ajo kohë po afron dhe ju garantoj se Edi Rama kohërat i ka të shkurtuara.

Armand Bajrami, A2 CNN: Zoti Berisha, dy pyetje. Sot listuat shumë akuza të rënda drejt kreut të qeverisë. A keni ju në plan t’i drejtoheni SPAK-ut me një kallëzim penal ndaj kryeministrit? Dhe e dyta, deri tani nuk keni qenë ju vetë prezent në protestat opozitare në bulevard. Në protestën e pritshme të 28 nëntorit, a do të jetë Sali Berisha në shesh?

Sali Berisha: Tani, pyetja e parë.

Për Edi Ramën, Partia Demokratike ka depozituar në zyrën e avokatisë speciale të krimeve të kryeministrit kriminel jo një, por të paktën 30-40 padi.

Mbyllen të gjitha. Nuk ekziston!

Një. Së dyti, u pyeta radhën e kaluar për dokumentet. Çdo dokument për Irena Maneku Gjokën, e të tjerë e të tjerë, Dumanin e të tjerë e të tjerë është dorëzuar në kohën e padisë.

Por nga zyra e avokatisë të Irena Gjokës, nuk ka faj, nuk ka vepër penale. Nuk shkuan as aty tek e reja që fajtor është po nuk dënohet, për Irenën as fajtor, asgjë.

Sikundër janë paraqitur padi për Ilir Rusin dhe për ata të tjerë të cilët kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjin në rastin e Irena Gjokës.

Po, ne i bëjmë këto, megjithëse e dimë se kujt ia çojmë, por i bëjmë për të dëshmuar se ne do jemi dhe jemi parti e shtetit ligjor dhe se ne do rikthejmë në Shqipëri ligjin.

A e ke vënë re ti se si janë harbuar, sikur kanë marrë drogë në të gjitha ekranet, në të gjitha studiot kundër Sali Berishës?

A e ke vënë re? E ke vënë re.

Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që mafia po e ndjen se po vjen ligji në pushtet. Sali Berisha është një person, por mafia po e ndjen se po vjen ligji në pushtet dhe mjerë ajo.

Ta them këtu, gërshërët tona të ligjit nuk do të kursejnë njeri.

Nuk ka më mbi ligjin siç ndodh sot.

Kështu është gjithë ajo zhurmnajë e pakufishme që bëhet.

Ngrihen, se tani nuk u mjaftojnë beqirët, nuk u mjaftojnë idajetet, shkojnë dhe marrin nga shoqëria civile gjoja të pavarur dhe i klonojnë me Idajetin.

Por le të vazhdojnë, sepse vendosmëria jonë për t’i kthyer ligjin këtij vendi është e hekurt.

Kishit dhe pyetjen e dytë për sa i përket protestës së 28 nëntorit?

Sali Berisha: Nuk ka njeri që të ketë protestuar më shumë se unë në këtë vend.

Dhe i thashë një ditë një gazetari, se siç shikon ti Bajernin, unë shoh protestën. Me kaq admirim, me kaq interes.

Por problemi është se janë dy lloj protestash: protesta popullore qytetare, në të cilat demokratët janë të parët që marrin pjesë, dhe janë protestat partiake.

Dhe të them unë tani, se dalja ime nuk do të ishte një akt politizimi i një proteste qytetare, nuk është realiste.

Nuk dua që një protestë qytetare të quhet protestë e Sali Berishës.

Kjo është e vetmja arsye, por duke thënë këtë, merrem në të gjithë mundësitë e mia për të kontribuar në suksesin e saj.

Dhe kjo është e faktuar!

Arsen Rusta, MCN: A keni një ftesë publike nga ky oborr për kryebashkiakun Erjon Veliaj dhe për ish-kryeparlamentaren Elisa Spiropali, të bashkohen me ju? Ata s’janë më në Partinë socialistee, janë anëtarë po s’janë me pushtet, u përjashtuan në Lalz.

Sali Berisha: Të gjithë faktorët që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe në historinë pluraliste të Shqipërisë, duhet të bashkohen ta përcjellin një minutë e më parë.

Kjo është thirrja ime.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale