FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, akuzoi kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij, duke e cilësuar Shqipërinë një narkoshtet me lidhje të drejtpërdrejta mes pushtetit dhe krimit të organizuar.
Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se vendi është shndërruar në një nga burimet kryesore të trafikut të drogës në Evropë, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë për lidhje me kartelet kriminale. Sipas tij, grupet shqiptare luajnë një rol kyç në trafikun e kanabisit dhe kokainës, ndërsa shteti jo vetëm që nuk e lufton këtë fenomen, por, përkundrazi, e favorizon atë.
Duke u ndalur te ekonomia, Berisha deklaroi se pastrimi i parave të drogës ka deformuar tregun, duke ndikuar në kursin e këmbimit dhe duke dëmtuar sektorë si eksportet dhe turizmi. Sipas tij, ndërtimi në vend është përdorur si mekanizëm për legalizimin e të ardhurave të paligjshme.
Lideri demokrat, Sali Berisha tha se, Belinda Balluku po kërkon të sigurojë shtetësi të huaa, ndërmjet tyre edhe atë serbe, përmes investimeve, me qëllim shmangien e përgjegjësisë ligjore. Ai e akuzoi për abuzim me miliarda euro fonde publike dhe e cilësoi çështjen si përgjegjësi direkte të kryeministrit.
Një tjetër fokus i fortë i deklaratës ishte sistemi i drejtësisë, ku Berisha theksoi se është nën kontroll të plotë politik. Ai përmendi rastin e gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën ngriti një sërë akuzash.
Berisha tha se, ndaj Gjokës ekziston një vendim penal i mëparshëm në Greqi, si dhe raste dëbimi, të cilat nuk janë deklaruar në formularët zyrtarë të dekriminalizimit dhe vetingut. Ai akuzoi institucionet e drejtësisë për fshehje të informacionit dhe për trajtim të diferencuar të këtij rasti, në krahasim me raste të tjera të ngjashme.
Berisha shtoi gjithashtu se strukturat e posaçme të drejtësisë kanë shmangur hetimin e plotë të çështjes dhe kanë vepruar nën ndikim politik për të mbrojtur Gjokën. Ai e cilësoi këtë si provë të kapjes së drejtësisë nga qeveria.
Gjithashtu, Berisha komentoi edhe situatën në sektorin e shëndetësisë, duke iu referuar deklaratave për mungesë fondesh për analiza laboratorike, çka është pasojë e koncesioneve të dështuara dhe keqmenaxhimit të fondeve publike.
Kryetari i PD, Sali Berisha paralajmëroi përshkallëzim të aksionit politik, duke theksuar se opozita do të vijojë me protesta kundër qeverisë. Ai njoftoi se data do të bëhet publike së shpejti.

FJALA E PLOTË
Pas ndërgjegjësimit të shqiptarëve, pas denoncimeve zyrtare dhe mediatike të narkoshtetit shqiptar si rrezik madhor për sigurinë e rajonit, Evropës dhe më gjerë.
Pas paralajmërimeve të përsëritura të administratës së SHBA për problematikat e mëdha të karteleve të drogës dhe lidhjeve të këtyre karteleve, Edi Rama ktheu dje përgjigje.
Vendet, të cilat na përmendin drogën, të shohin veten e tyre se kanë më shumë se ne.
Kjo është tipike përgjigjja e një padrinoje.
Kjo është tipike përgjigjja, reagimi i një njeriu në rreth të kuq, i cili pasi ka humbur çdo shpresë se mund të dalë nga rrethi i kuq, fajëson të tjerët për çka është autor dhe përgjegjës kryesor.
Është e vërtetë se droga dhe trafiku i drogës është një fenomen botëror, është një fenomen evropian dhe botëror, por është e vërtetë se në hartën e drogës në Evropë, nxin më shumë se çdo vend tjetër narkoshteti i Edi Ramës dhe vetë Edi Rama.
Është e vërtetë se droga është një problem për të gjitha vendet, por është e vërtetë nga ana tjetër se droga, apo se vendet e tjera kanë Shqipërinë si furnizues kryesor të kanabisit.
Është e vërtetë se vendet e tjera kanë problem drogën, por është po kaq e vërtetë se furnizuesit më kryesorë të kokainës në Evropë janë klanet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën.
Janë klanet shqiptare të drogës transportuesit kryesorë.
Është e vërtetë se droga përbën një problem për rendin dhe sigurinë, por e vërteta është se sot ka vetëm një vend në Evropë, në të cilin ministri i Brendshëm dhe superministri të jetë gjetur i implikuar si trafikant dhe të ketë lëshuar antimafia italiane mandat arresti për Saimir Tahirin e Edi Ramës.
Është e vërtetë se si në asnjë vend tjetër të Evropës, vëllai i kryeministrit është byrazer me trafikantët dhe është gjetur në dhjetëra raste komunikimi dhe bashkëpunimi me ta.
Është e vërtetë se në Shqipëri si në asnjë vend tjetër, kanabizimi u bë politikë zyrtare dhe që nga ai vit për drogën, Shqipëria renditet e para për eksportin e kanabisit në Evropë.
Është e vërtetë se si në asnjë zyrë tjetër kryeministri, Edi Rama pret bosët e Sinaloas, e kartelit Çelaj dhe kartelit Troplini e karteleve të tjera.
Si asnjë kryeministër tjetër, narkokryeministri shqiptar emëron koordinatorin për klanet e drogës, Ergys Agasin.
Është e vërtetë që vendet e tjera kanë probleme me drogën, por nuk ka asnjë vend në Evropë, absolutisht asnjë, në të cilin eurot e trafiqeve të drogës të futura me kontejnerë në vend, të zhvlerësojnë euron dhe dollarin me 35 përqind dhe t’i japin një goditje fatale ekonomisë shqiptare.
Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Në çdo vend tjetër përveç Shqipërisë, euro jo vetëm nuk ka njohur zhvlerësim, por ka njohur një vlerësim të ngadaltë dhe në rritje, kurse në Shqipëri një rënie dramatike, e cila ishte goditje fatale për eksportet e vendit. Rënie, e cila boshatisi plazhet shqiptare dy vera me radhë.
Dhe Edi Rama, narkoregjimi i tij, numëron për turistë pasagjerët e linjave të lira të Rinasit. Udhëtarë, vizitorë dhe asgjë tjetër. Plazhet kanë qenë të boshatisura si kurrë më parë gjatë këtyre verërave.
Është e vërtetë që kartelet shqiptare të drogës, dhe jo vetëm shqiptare, përdorin edhe porte të tjera të vendeve evropiane për shkarkimin e ngarkesave të mëdha të kokainës.
Por është e vërtetë se nuk ka asnjë vend tjetër si Shqipëria, në të cilin portet të jenë që të gjitha në dispozicion të karteleve të drogës.
Përfshi edhe portet e peshkimit.
Pra, Edi Rama u përpoq të lajë duart si padrino i narkoshtetit duke akuzuar vendet partnere, drejt të cilave eksporton drogë dhe krim 24 orë në 24 orë, por këto janë përpjekje të kota se e vërteta është se edhe ato operacione antidrogë të kryera në Shqipëri janë ndërmarrë të gjitha pa përjashtim nga Europoli, Eurojust, DEA dhe agjencitë e zbatimit të ligjeve të vendeve partnere, Antimafia italiane, prokuroria gjermane.
Në mënyrë absolute asnjë operacion i rëndësishëm nuk ka qenë iniciativë e policisë apo organeve shqiptare.
Përkundrazi kanë qenë dekonspirime shumë të mëdha.
Mos harroni ju rastin Xibraka kur u instalua uzina e miellit të bardhë më e madhja në Ballkan, dhe Olsi Rama sipas dëshmive të depozituara në prokurori, është njeriu që përcolli jashtë shtetit Genti Xhixhën, bosin e grupit të Xibrakës.
Pra, në çdo fjalë, në çdo qëndrim, në çdo përpjekje të Edi Ramës, ai vetëm sa vetëdemaskohet më shumë.
Është vetë droga Edi Rama.
Është vetë kartelet e drogës.
Nuk ka kryeministër tjetër në Evropë që të t’u ketë dhënë trafikantëve miliona e miliona metër katror troje publike.
Shqipëria është sot lavatriçja më gjigante e kontinentit e parave të drogës.
Treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i lartë se në BE.
Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme, përpjekje të turpshme të Edi Ramës për të akuzuar vendet partnere në mënyrë që të mbulojë krimet e tij, lidhjet e tij monstruoze me drogën dhe shndërrimin e Shqipërisë në eksportues kryesor të krimeve, drogës dhe trafiqeve në kontinent.
Përsëri vazhdon censura 100% e plotë dhe totale si kurrë ndonjëherë për Ballukun, dosjen e saj.
Ajo çka mund të informoj unë, të dhëna nga qytetarë digjitalë më pohojnë se Balluku, Lubia është në kërkim të blerjes së shtetësisë dhe pasaportave jo në një, por në disa vende.
Përpjekjet e fundit të saj kanë qenë për të blerë pasaportë me investim në Serbi.
Thuhet se ato përpjekje nuk janë kurorëzuar me sukses pas disa përpjekjeve që ajo bëri në vendet e Gjirit Persik.
Pra, Lubi Balluku po përgatitet të blejë shtetësi për të shpëtuar në mënyrë përfundimtare përgjegjësisë para ligjit, pasi ajo ka vjedhur në Shqipëri dhe shpërdoruar miliarda e miliarda euro.
Gjatë periudhës së saj, ajo ka administruar 12 mliardë euro. Më shumë se kushdo tjetër në historinë tonë kombëtare.
Por ajo ka vjedhur nga 90 gjer në 100%.
Natyrisht kurrë autore e parë.
Edi Rama qëndron mbrapa çdo vjedhje.
Tani, ajo kërkon të blejë shtetësi. Sipas burimeve, përpjekje të fuqishme ka bërë edhe në Beograd.
Ndërkohë po interesohet edhe në vende të tjera që e kanë këtë praktikë.
Thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është, asnjë pranim i kërkesës për shtetësi të një personi që në shërbim të Edi Ramës qëndron në themel të krizës së madhe, në themel të varfërimit të një populli të tërë.
Imagjinoni ju 12 miliardë euro që ka pasur ajo në portofolin e saj dhe që ka gjithsej në sipërfaqe 8 rrugë të shkatërruara dhe nuk ka asgjë që u mbetet shqiptarëve.
Do të ishte shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare çdo pranim i kërkesave të saj.
Rikujtoj edhe njëherë se çdo qindarkë e saj është një vjedhje që Edi Rama dhe Lubi Balluku u kanë bërë shqiptarëve.
Ndaj dhe u bëj thirrje vendeve të Evropës dhe botës, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe bankave të huaja të ngrijnë me urgjencë çdo llogari të Lubi Ballukut dhe Edi Ramës se ato janë pasuri të qytetarëve shqiptarë.
Së fundmi, është dëshmia e turpshme e re e kontrollit total të Edi Ramës mbi sistemin e drejtësisë.
Siç janë informuar shqiptarët, në kundërshtim flagrant me ligjin, me Kushtetutën, por edhe me një seri precedentësh të gjykatës së lartë, Skapi i partisë me urdhër të Edi Ramës vendosi të mbyllë kapakun e pusetës me emrin Irena me 5 mbiemra.
Nuk ka shembull më të turpshëm,.
Nuk ka dëshmi më flagrante të kontrollit të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama se sa rasti i Irenës me 5 mbiemra.
Prokuroria e Përgjithshme ndejti dy vite gjoja për të vërtetuar vendimin penal të sjellë nga shteti grek me vulë apostile.
KLGJ me urdhër të Ramës refuzoi të konsideronte vendimin me vulë apostile dhe ka nënshkruar në mbrojtje të Irenës sipas direktivës së Ramës, 4 përgjigje, duke thënë se do shprehej veç pasi të merrte konfirmimin me shkrim nga Prokuroria e Përgjithshme.
Por, pasi Prokurori i Përgjithshëm konfirmoi vendimin penal të Irena Gjokës, KLGJ ndryshoi qëndrim dhe ia kaloi ILD-së.
Jo vetëm kaq, por raporti i PP shpallet top-sekret. Keni parë ju njerëz si këta? Skllevër të Edi Ramës.
Çfarë mund të ketë për sekret, përveç frikës nga Edi Rama dhe vetëposhtërimin që nuk duan t’i bëhet publik Irena Ramës?
Prokurori i Përgjithshëm nuk ka guxuar të shprehet as për dy dëbimet nga Greqia, as për prokurën që Irena ka lëshuar për të kundërshtuar dëbimet, as për falsifikimet sikur ishte minoritare, as për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, as për falsifikimin e formularit të vetingut, as për informimin e KLGJ siç e kërkon ligji.
Prandaj fshehin raportin, nuk e jep raportin Olsi Rama, Olsi Çela dhe nuk ia japin palëve, ndonëse atyre me ligj u takon.
Në Skapin e partisë janë bërë disa kallëzime penale në lidhje me veprat penale të Irena Gjokës, mosdeklarimin e dënimit penal në Greqi nga Irena Gjoka në formularët e dekriminalizimit përveç deklarimit që duhej të bënte për vete në KLGJ.
Mosdeklarimin e dëbimeve të saj në formularët e dekriminalizimit.
Shpërdorim detyre sepse asnjëherë nuk mori veprime laksative për deklarimin e këtyre rrethanave në KLGJ.
Pra, të gjitha këto u mbyllën me urdhër të Edi Ramës.
Altin Troplini po me urdhër të Edi Ramës regjistroi procedim penal pa emër për të mbrojtur Irenën me 5 mbiemra, a thua se nuk dihej kush e kishte bërë dhe nuk guxoi të pyesë kallëzuesit, por e mbajti në sirtar dhe përdori veç letrat e falsifikuara të Irenës me 5 mbiemra.
Skapi i partisë me urdhër të Edi Ramës mori përsipër, dëgjoni se çfarë kanë bërë, Irena me 5 mbiemra është shtetase shqiptare dhe ajo në Shqipëri gjykohet dhe vlerësohet vetëm nga ligji shqiptar.
Dhe ligji shqiptar e detyron Irenën me 5 mbiemra që ajo të deklarojë çdo dënim që ka marrë në një vend tjetër.
Por meqenëse se republika helenike, për arsyet e veta, dënimet 1 vit e poshtë, pas 15 vitesh i fshin, sipas Altin Troplinit, kjo nuk është e dënuar.
Ky është një krim dhe turp i shëmtuar.
Ajo nuk po gjykohet në Greqi, po gjykohet në Shqipëri.
Autoritetet greke kanë lëshuar vendim me vulë apostile se ajo është dënuar 1 vit nga Gjykata e Janinës.
SPAK kërkon të shfajësojë Irenën me porosi të Edi Ramës se nuk ka pasur dijeni për dënimin penal në Greqi, mirëpo në të gjitha rastet përveç Irenës, ata që kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni, nuk u është marrë parasysh, por janë dënuar.
I tillë është rasti i gjykatësit Thanza.
I tillë është rasti i Kreshnik Hajdarit, ish-kryetarit të Bashkisë së Kuçovës.
Por për Irenën e Edi Ramës, ligji është tjetër sepse është urdhri i Ramës.
Unë u kam thënë ju se drekat e saj të shpeshta në lokalin e thjeshtrës me Linda Ramën janë bërë gosip i të gjithë lagjes ku unë banoj.
Spak fshihet dhe nuk shprehet fare për dy dëbimet, të cilat në ligjet shqiptare janë të detyrueshme të deklarohen.
Nuk shprehet as për prokurën e firmosur nga vetë Irena, që tregon se jo vetëm ka pasur dijeni të plotë, por ka angazhuar edhe avokatin në Greqi.
Avokati hapi çështje ligjore në gjykatën e Athinës, siç është treguar në media, dhe gjykata ia rrëzoi se duhej ta ngrinte në gjykatën e Janinës.
Spak fshihet dhe nuk shprehet për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit që edhe sot përbën krim në vazhdim.
Spak fshihet dhe nuk shprehet për falsifikimin e formularit të vetingut. Nuk ka deklaruar në këtë formular as dënim penal, as dy dëbimet në Greqi.
Irena Rama kishte lënë edhe një apartament dhe dy garazhe pa deklaruar. Nuk e dinte, i kishte harruar, kaq shumë pasuri kanë këta, sa nuk e dinë se ku i kanë.
Spak nuk shprehet fare për shpërdorimin e detyrës nga Irena Gjoka.
Irena Gjoka ka vendim penal në Greqi për falsifikim dhe dy dëbime.
Dijenia e saj për këtë është e qartë nga prokurat që ka lëshuar për kundërshtimin e këtyre masave me avokat.
Publikut i kujtohet se në të gjitha rastet e daljes së vendimeve të tilla, subjektet kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për këto vendime, e megjithatë janë dënuar me burg. U kujtojmë këtu rastin e fundit të Kreshnik Hajdarit, Elvis Roshit apo gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, por edhe zyrtarë të rangjeve më të ulëta që janë dënuar me burg.
Pra janë një seri dënimesh të dhëna në emër të ligjit dhe për ligjin, por nuk ka asnjë lloj qëndrimi, por vetëm mbrojtje për Irena Ramën, me mbiemrin e saj të ri, se tani e tutje ajo do quhet Irena Gjoka Maneku Rama e me radhë.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE
Marsi Korreshi, Syri Tv: Z. Berisha dje paralajmëruat protesta të fuqishme, si do të jetë strategjia e këtyre protestave, do të ketë një intensifikim?
Sali Berisha: Ndjesë shumë se u vonuam për të njoftuar datën, do e njoftojmë në momentin më të parë.
Protesta dhe vetëm protesta është reagimi i opozitës.
Edi Rama mendoi dhe deklaroi se, çështja Balluku është mbyllur, por ajo nuk mund të mbyllet kurrë, sa ky vend të ketë opozitë, sepse është çështja Rama.
Çështja Balluku për opozitën, është çështja Rama.
Anisa Kadesha, RTSH: Ju thoni se ajo po kërkon shtetësi të huaj, por ndërkohë është shfaqur në Fier. Do të thotë se ka ndezur motorrët për zgjedhjet vendore në këtë qark.
Sali Berisha: U bëj thirrje qytetarëve të Fierit, në çdo hap që ta shohin ta gjuajnë me vezë dhe domate hajduten.
Gjuajeni me vezë dhe domate, se kjo është përgjigja që i bëni jo vetëm për dinjitetin tuaj, por për të gjithë shqiptarët.
Marsi Korreshi, Syri Tv: Ministrja e Shëndetësisë një ditë më parë pranoi se pas datës 20 të çdo muaji nuk do të mund të kryhen më analizat për pacientet për pacientët për shkak të mungesës së fondeve, duke faktuar dështimin e një tjetër koncencioni, atij për laboratorët.
Sali Berisha: Ministrja e cila ka marrë detyrën, për këtë çështje. Unë e përgëzoj për deklaratën që ka bërë. Ka thënë të vërtetën.
Paratë i ka vjedhur Edi Rama me Ilir Beqaj dhe me atë tjetrën, Manastirliun. Janë përgjegjës kryesorë. Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë, hera e parë që ndodh në historinë e këtij vendi, që spitali më i madh i vendit të mos ju përgjigjet qytetarëve me analizat të cilat i kanë pasur të garantuara.
Kjo është rezultat i vjedhjes së fondeve nga muratori i Edi Ramës. A ju kujtohet apo jo, muratori që erdhi kishte dy vetë në kompani, u bë dhe pronar i laboratorit më modern. Një laborator i blerë me aparaturat absolute më moderne.
Me një ekip profesionistësh, të aftë, të shkallës më të lartë, që punonin në atë laborator të spitali dhe që të gjithë u larguan kur muratori i Edi Ramës mori përsipër analizat dhe tani kanë vjedhur së bashku. Është Edi Rama autori kryesor.
Ajo ka thënë atë gjendje, sepse kontrata ka qenë kontratë tmerrësisht korruptive dhe ka dëmtuar thellë interesat e të sëmurëve dhe publikut shqiptar.


