EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paraqitur sot para qytetarëve pamje nga zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Shkodrës, ku banda e Bajrëve shëtiste nga një qendër votimit në tjetrën me makinë të blinduar dhe të shoqëruar nga policia, për tu bërë presion votuesve.
‘Se si kjo bandë e Edi Ramës, e lidhur direkt me Taulant Ballën, që merrte pjesë në shtabin elektoral të PS, të kryesuar nga Elisa Spiropali, del në qytet me autokolonën e blinduar dhe ushtron terror të paparë në Shkodër. Me terrorin e vet, banda e Bajrit me autokolonën e krimit, bëri gjithçka t’i instalojë në pushtet një kryebashkiak, mandati i të cilit qëndron mbi krimin, vrasjet, drogën e klanit Bajri’, tha kreyu i PD-së, Sali Berisha për gazetarët.
Teksa hodhi akuza edhe ndaj SPAK si një seksion i bandës së Bajrëve, Berisha deklaroi se edhe aksioni opozitar i nisur në parlament nuk do të ndalojë deri në kthimin e të drejtave të mohuara për deputetët.
‘Një gjë po të them, çfarëdo vendimi të marrin, po nuk restauruan një më një të drejtat kushtetuese të deputetëve në parlament, ajo betejë do të vazhdojë gjer në ekstrem. Këtë ta kenë shumë të qartë! Ne jemi në një betejë pa kthim’, theksoi gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTË:
Sot ne paraqesim para jush dhe shqiptarëve, terrorin që ushtruan ditën e zgjedhjeve, vrasësit serialë, njëra nga anëtarëve të bandës më të rrezikshme të Ballkanit dhe Europës, banda e Bajrëve në qytetin e Shkodrës.
Se si kjo bandë e Edi Ramës, e lidhur direkt me Taulant Ballën, që merrte pjesë në shtabin elektoral të PS, të kryesuar nga Elisa Spiropali, del në qytet me autokolonën e blinduar dhe ushtron terror të paparë në Shkodër.
Me terrorin e vet, banda e Bajrit me autokolonën e krimit, bëri gjithçka t’i instalojë në pushtet një kryebashkiak, mandati i të cilit qëndron mbi krimin, vrasjet, drogën e klanit Bajri.
Sot jam këtu gjithashtu për të denoncuar dhe deklaruar se SKAP-i i partisë është një seksion i bandës së Bajrit, është një organizatë kriminale, e cila bashkëpunoi me këtë bandë për të përmbushur misionet e saj të zeza elektorale.
Një prokuror guximtar dhe një oficer policie, guxoi të zbatonte ligjin dhe prangosi Bajrët për vrasjet e tyre. Natyrisht prangosja e Bajrëve për vrasje, kërkonte një guxim para së gjithash sepse është e njohur fuqia e tyre hakmarrëse.
Por ai nderoi ligjin.
Bajrët në Tiranë, erdhën në strofullën e tyre. SKAP-i i partisë, pas disa muajsh pseudohetime, mbyll dosjen e tyre në Tiranë duke deklaruar më të paimagjinueshmen, se ata nuk përbënin organizatë kriminale. Se ata nuk përbënin grup kriminal dhe si të tillë, nuk mund të ishin objekt hetimi për SKAP-in.
Organizata kriminale SPAK, transferoi dosjen në Shkodër. Dhe në Shkodër gjithçka ishte e rregulluar që të prishen provat dhe Bajri që kishte vrarë në gjumë të fejuarën e tij 15-vjeçare, të dalë i pafajshëm. Që kishte kryer krime të tjera. Të lirohen me një skemë ku rol kryesor luajti SKAP-i i partisë, prokurorë kryesorë të SKAP-it të partisë.
Bajrët kanë vrasësit e tyre të fjalës së lirë edhe në media, përveç Taulant Ballës dhe Edi Ramës.
Një nga një, këto do zbërthehen.
Por sot ne ju paraqesim ju, terrorin që ata ushtruan më 14 maj, në qytetin e lirisë, në qytetin e Shkodrës, për të grabitur mandatin e qytetarëve të Shkodrës.
Ju ftoj të ndiqni këtë dokumentar horror, 24 minuta.
Keni durim, por tregon të gjithë dramën elektorale të qytetit.
Me emër, mbiemër, me targa, me makina.
Qarkullimi që bënë këta gjatë ditës me makina.
Më falni, harrova të them se përveç Beharit dhe Denisit, Safeti edhe ai u nxor nga burgu menjëherë, se kishte pasur qëndrim të mirë, dhe u dërgua te banda para zgjedhjeve.
Një moment dua t’ju sqaroj këtu.
Nuk ka qenë e mundur të disponohen videot e të gjithë udhëtimit, të gjithë terrorit nëpër të gjithë Shkodrën, sepse njerëzit kanë frikë të japin videot.
Këto video kemi mundur të sigurojmë dhe këto video ua paraqitëm ju, të cilat tregojnë qartë se çdo gjë mund të ishte në Shkodër, përveçse votim jo.
Mandati i Bashkisë së Shkodrës është mandat i Bajrëve dhe ne kurrë nuk do e pranojmë.
Ne u deklarojmë shqiptarëve dhe në radhë të parë qytetarëve të Shkodrës, se motiv themelor për betejën tonë pa kthim, është rikthimi i votës së lirë, vota e qytetarëve pa terror të bandave kriminale, vota pa blerje masive të votës, vota e qytetarëve shqiptarë, njëlloj si qytetarë të vendeve të lira.
Është një betejë jo e lehtë, por është betejë që ne e fitojmë.
I garantoj qytetarët se ne do e fitojmë këtë betejë dhe do u japim mundësi që të votojnë në dinjitet të plotë.
PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARËT:
Ardit Hoxha, EuroNews: Këto pamje që ju treguar pak a shumë tregojnë të gjithë Shkodrën. A mund të na thoni si i keni siguruar, pasi janë pamje të filmuara nga kamerat e bizneseve apo të policisë.
Sali Berisha: Kamerat nuk janë në asnjë mënyrë të policisë. Policia dhe Bajrët janë një. Ju e patë që policia i shoqëronte. Një makinë policie ishte me ta. Por kamerat sigurisht që janë të bizneseve përreth, por edhe të qendrave të votimit, por nuk janë marrë nga qendrat e votimit. Janë filmime të ofruar nga njerëz me guxim që kanë dashur të ndihmojnë, të bëjnë transparencën. Nuk janë të policisë, policia ishte me ta.
-Këto filmime u janë vënë në dispozicion nga bizneset në mënyrë të lirë, apo u janë bërë thirrje bizneseve që ti japin.
Sali Berisha: Ne kemi kërkuar kamerat, me detyrim nuk janë marrë. Sikundër kemi treguar mirëkuptim ndaj atyre që nuk kanë frikë të japin kamerat. Sepse Bajrët janë një strukturë parashtetërore, e cila mbështetet direkt nga kryeministri. Ka lidhje direkte dhe komunikime intensive me Taulant Ballën.
-Si keni arritur të siguronit pamjet e filmuara nga një kamera e vendosur në shkollë.
Sali Berisha: Sigurisht nga ato kamera, por këto kamera nuk janë të policisë, por të shkollës.
Osman Stafa, News24: Rregullorja flet fare qartë për ditën e zgjedhjeve që asnjë person i paautorizuar nuk mund të hyjë në një qendër votimi në një rreze 150 metra. Këto pamje filmike ku keni identifikuar dhe personat që keni aty, a do formuloni një akuzë për ta dërguar në SPAK.
Sali Berisha: SPAK-u është pjesë e Bajrëve. Ne mund të bëjmë padi, ke të drejtë, por SPAK-u është pjesë e Bajrëve. Një oficer policie në Shkodër, trim, dhe një prokuror vendosën t’i arrestojnë dhe i arrestuan. Të dy janë jashtë detyre sot, për krimin që kryen, se arrestuan një superkriminel që kishte vrarë një vajzë të re në gjumë. Por vrasjet e tyre janë një seri e pafundme, siç keni lexuar dosjen Metamorfoza. Ata ishin vrasës me etje të pashuar për të vrarë.
-Z. Berisha. Përtej idesë se nuk keni pasur përfaqësues në qendrat e votimit, keni patur vëzhgues dhe një anëtar që i përket koalicionit tuaj. Rregulli e thotë se në momentin që një anëtar i një partie të caktuar vëren se në subjektin ku po votohet, vëren persona të cilët nuk janë të autorizuar ndërpret procesin zgjedhor.
Sali Berisha: Nuk e pyet kush përfaqësuesin tonë aty. Aty çdo gjë ishte e përcaktuar nga Bajrët. Ata kishin një anëtar të kryesisë së PS me vete. Ai i shoqëronte. Ata i prisnin komisionerët e PS, në praninë e tyre u thoshin që Bajrët janë me ne dhe këtu Bajrët bëjnë ligjin. Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që ofruan këto pamje se nuk i patëm në fillim këto. Ne e denoncuam, nëse u kujtohet se autokolona e Bajrëve me makina të blinduara po qarkullonin kudo në qytetin e Shkodrës. Por dokumentet duheshin. Tani siguruam këto dokumente, më vonë mund të sigurojmë të tjera dokumente, mund të na i japin. Por kjo është historia e mandatit të Shkodrës.
Mola Luku, OraNews: Gjatë ditës së sotme keni paralajmëruar një aksion opozitar në parlament ku edhe pse 23 deputetë të opozitës janë të përjashtuar, cili do të jetë skenari që do të përdorni sot në parlament dhe a keni parashikuar edhe përplasje me deputetët e mazhorancës.
Sali Berisha: Vendimi është totalisht i paligjshëm. Vendimi është në parimin e asgjësimit të opozitës në parlament. Prandaj opozita zgjodhi që fillimin ta bëjë në sallën e parlamentit. Ne nuk ndryshojmë asgjë. Ata që nuk duan opozitë në Shqipëri, ne do qëndrojmë në emër të atyre që janë opozitarë dhe do vazhdojmë betejën tonë pa kthim. Askush të mos mendojë se ka tërheqje, ka vetëm betejë. Ka betejë pa kthim. Në parlament, shumë shpejt në rrugë e me radhë. Ju jeni dëshmitarë që Edi Rama pasi vodhi mandatet me këta, tani ai edhe atë opozitë që kishte mbetur pas grabitjes së mandateve, e paralizoi, e bëri të paqenë. Nuk lejonte komisionet hetimore parlamentare, të cilat janë laksative në Kushtetutën e vendit. Nuk lejonte hetimin e konfliktit të interesit, ku ai është njeriu më i zhytur në gropën e gjirizit të interesit. Ku, Koço Kokëdhimës, për përfitime iu hoq mandati, kurse Edi Ramës për Rea Xhillarin, vajzën e familjes së tij me ligj. Në ligjin shqiptar të njëjtën pozite familjare që ka Gregu, ka edhe Rea. Po ajo shkon tender pas tenderi. Nuk lejon hetimin e ndërtimit të sarajeve të tij në Surrel. Vetëm oborri i sarajeve është park, 5 mijë metër katror. I blerë me 2.5 dollarë, në një kohë kur në atë kohë shitej me minimumi 25 dollarë. Me dokumente. Dhe ajo tokë nuk mund të merrej. E ka marrë në kundërshtim me ligjin. Dhe çfarë thotë ai për atë? Zonja Rama thotë se e bëri me paratë e Kurbanit? E imagjinoni ju apo jo, me paratë e një libri? Dhe në tatime nuk kë një faturë. Ku janë paratë? Ai thotë jo, unë kam qenë në emigracion. Ke qenë në emigracion, i akuzuar nga Fatos Nano si shitës i ikonave të vjedhura. Por problemi është se nuk ke fatura, as bankare. Si erdhën ato para nga emigracioni? Si erdhën? Tjetra ka pallatin 5-katësh në mes të pallateve, pa asnjë faturë bankare, tatimore, hetimore, ndërtimore. Asnjë. Nga doli zonjë, para gjaku. Çfarë parash gjaku? Paratë e gjakut janë paratë e vrasjes dhe larjes së hesapeve. Nuk besoj që i vëllai i saj është i tillë se nuk kam të dhëna.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ka një njoftim të fundit nga z. Bardhi se kuvendi është tërhequr nga vendimi për përjashtimin ku përfshiheni dhe ju dhe do të jeni pjesë e seancës së sotme. Ky vendim i Kuvendit do të thotë se do të ketë një seancë normale, apo një seancë si në 19 tetor ku ju nuk do të lejoni zhvillimet e punimeve për shkak të rrëzimit të komisionet hetimore dhe refuzimit të anëtarëve për komisionin e reformës elektorale.
Sali Berisha: Së pari ai ishte një vendim antikushtetues, antiligjor, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, në kundërshtim flagrant me rregulloren e parlamentit. Akti i tyre i shëmtuar që fikën dritat, tregon fytyrën e vërtetë të Edi Ramës. Së dyti, për të gjithë ata që kanë ABC-në, apo njohuritë më elementare matematike, afati kishte skaduar dje, kishte skaduar dje. Për ata që nuk kanë as moral as ligj, duhej shtrirë edhe sot. Por një gjë po të them, çfarëdo vendimi të marrin, po nuk restauruan një më një të drejtat kushtetuese të deputetëve në parlament, ajo betejë do të vazhdojë gjer në ekstrem. Këtë ta kenë shumë të qartë! Ne jemi në një betejë pa kthim. Shohim që ka një insistim të madh nga qytetarët, mezi po presin. Ua them unë. Ndaj dhe do vazhdojmë këtë betejë.