FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në konferencën për shtyp të mbajtur me gazetarët ditën e sotme në selinë blu, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha kritikoi me tone të ashpra buxhetin e qeverisë së kryeministrit Rama, duke e quajtur atë “buxheti i vjedhjes më të madhe në histori”. Berisha tha se buxheti përjashton 40% të popullsisë shqiptare që jeton në fshat nga përfitimet buxhetore, pavarësisht se ky sektor kontribuon me rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto.
Berisha theksoi se për bujqësinë, e cila mban një pjesë të madhe të popullsisë, janë caktuar vetëm 40 milionë euro, një shifër kjo shumë e ulët në krahasim me buxhetet e rajonit. Sipas kryedemokratit, kjo politikë e dobët e subvencionimit dëmton konkurrueshmërinë e fermerëve shqiptarë në krahasim me vendet fqinje, duke çuar në falimentimin e fermave, rritjen e çmimeve dhe emigrimin e familjeve nga zonat rurale.
Lideri demokrat, Sali Berisha tha se fondet për bujqësinë janë të pamjaftueshme dhe shpërndahen në mënyrë të padrejtë. Ai deklaroi se nga 40 milionë eurot e buxhetit të destinuar për bujqësinë, vetëm rreth 18 milionë përfundojnë në duart e fermerëve, ndërsa pjesa tjetër shkon për shpenzimet e administratës. Berisha akuzoi qeverinë për vendosjen e taksave të larta dhe për mungesën e mbështetjes dhe këshillimit për fermerët, çka ka sjellë rënien e prodhimit blegtoral dhe bujqësor.
Sipas Berishës, politika e qeverisë synon qëllimisht të rrënojë sektorin bujqësor dhe të nxisë largimin e fermerëve nga Shqipëria, duke lënë vendin të braktisur. Ai pohoi se qeveria përqendron fondet në sektorë ku korrupsioni është më i madh, duke përmendur konkretisht ministren Belinda Balluku dhe duke e akuzuar atë për përfshirje në keqmenaxhim dhe korrupsion të projekteve të mëdha, si rasti i unazës së Tiranës. Kryetari i PD, Sali Berisha e cilësoi këtë praktikë si një vazhdimësi të bashkëpunimit të korrupsionit midis Ramës dhe zyrtarëve të tij të ngushtë.
Lideri opozitar, Sali Berisha deklaroi se shtylla kryesore e programit të Partisë Demokratike do të jetë përmirësimi i ekonomisë së qytetarëve, me fokus të veçantë në mbështetjen e sektorit të bujqësisë. Ai garantoi se PD do të sigurojë që 3.5% e buxhetit të shtetit do të shkojë për subvencione në bujqësi, në mënyrë që të mbështeten drejtpërdrejt sipërmarrjet që operojnë në bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë dhe agroindustri. Këto subvencione do të bazohen në sipërfaqen e mbjellë, prodhimin e dorëzuar dhe numrin e krerëve të bagëtive.
Berisha premtoi që çdo fermer që aplikon për mbështetje do të përfitojë pa kufizim, dhe se do të subvencionohen deri në 80% normat e interesit të kredive bankare për bujqësi dhe blegtori, si dhe 75% e normës së siguracioneve. Ai theksoi edhe investimet prej 70 milionë eurosh në sistemet e vaditjes dhe kullimit për të përmirësuar kapacitetet e vendit.
Një nga masat e para do të jetë heqja e TVSH-së prej 20% në shitje dhe vendosja e një norme të barabartë në blerje dhe shitje për fermerët. Ai nënvizoi rëndësinë e krijimit të një agjencie për orientimin e tregut, mbështetjen për teknologjitë e reja dhe dixhitalizimin për të lehtësuar punën e fermerëve.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se PD është e përkushtuar për të zhvilluar infrastrukturën e fshatrave në nivelin e qyteteve dhe se përmirësimi i ekonomisë së qytetarëve do të jetë qëllimi kryesor i programit të tyre qeverisës.
Berisha tha se miratimi i buxhetit të propozuar nga qeveria do të pasohet nga një protestë e fuqishme përreth parlamentit. Sipas tij, kjo është një përgjigje ndaj synimit të qeverisë për të përdorur buxhetin për përfitime korruptive, të cilat ai i lidh me atë që e quan “organizata kriminale” e udhëhequr nga Edi Rama. Berisha tha se Partia Demokratike do të paraqesë amendamente në komisione dhe në seancën plenare, ndonëse është i bindur se ato nuk do të pranohen nga qeveria.
Kryedemokrati, Sali Berisha ftoi qytetarët, përfshirë pensionistët, fermerët, të papunët dhe bizneset e vogla, të marrin pjesë në këtë protestë për të bërë të dëgjohet zëri i tyre kundër miratimit të buxhetit që ai e përshkroi si “plaçkitja më e madhe e vitit” në parlamentin, të cilin e quajti “parlamenti i krimit”.
Berisha bëri premtime për ndërhyrje në tregun e banesave për të zbutur çmimet e larta, të cilat, sipas tij, janë një ndër arsyet kryesore të emigrimit të rinisë shqiptare. Duke e krahasuar Tiranën me qytetin e Mynihut, ai vuri në dukje se kryeqyteti shqiptar është bërë më i kushtueshëm për blerjen e banesave, një situatë që ai e lidh me ndikimin e narkoinvestimeve dhe larjes së parave nga grupet kriminale.
Berisha theksoi se situata aktuale është rezultat i investimeve të dyshimta, duke përmendur se rreth 4 miliardë euro janë investuar në ndërtimet që ai i quan “kullat e drogës dhe korrupsionit”, të cilat kanë ndikuar në rritjen e çmimeve dhe kanë bërë blerjen e banesave të pamundur për qytetarët shqiptarë. Ai premtoi një ndërhyrje të fortë ndaj këtyre praktikave, duke deklaruar zero tolerancë për krimin e organizuar dhe financat e tij.
Ai shtoi se rreth 54 mijë apartamente në vend janë të paarritshme për blerje me ritmet e tanishme dhe se konfiskimi i burimeve të lidhura me krimin do të përdoret për strehimin e të pastrehëve. Gjithashtu, PD do të konsiderojë ndërtimin e ndërtesave sociale dhe ofrimin e kredive të buta për të rinjtë dhe çiftet e reja për të lehtësuar qasjen e tyre në banesa me çmime të përballueshme.
Kryetari i PD, Sali Berisha me tone të ashpra iu drejtua qeverisë dhe drejtuesve të drejtësisë për përfshirje në veprimtari kriminale dhe korrupsion. Ai pohon se organizata kriminale, e kryesuar nga Edi Rama, ka uzurpuar shtetin dhe është e lidhur me grupe të fuqishme kriminale. Berisha shprehet se ka dokumente që mbështesin akuzat e tij dhe përmend raste konkrete ku prokurorë dhe zyrtarë të lartë akuzohen për manipulim të provave dhe për lirimin e individëve të lidhur me krimin.
Sipas Berishës, drejtuesit e lartë të drejtësisë, si Altin Dumani dhe Olsi Çela, janë përfshirë në dosje të rënda dhe kanë mbrojtur kriminelët. Berisha gjithashtu përmend përzgjedhjen e drejtuesve të policisë nga klanet kriminale si një shembull tjetër të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Ai e konsideron drejtësinë aktuale si produkt të një reforme të dështuar, të sponsorizuar nga faktorë të jashtëm dhe nga Edi Rama, me qëllim konsolidimin e pushtetit dhe eliminimin e opozitës.
Në përmbyllje të fjalimit të tij, Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi disa shtylla kryesore të programit të PD dhe angazhimin e tij për të adresuar shqetësimet e qytetarëve shqiptarë. Ai theksoi si prioritet të parë për PD ekonominë e qytetarëve, duke premtuar rritjen e pagave dhe uljen e kostos së jetesës. Kjo përfshin vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro për çdo qytetar, rrogën minimale prej 500 euro për të gjithë të punësuarit, dhe avancimin e rrogës mesatare në 1200 euro. Berisha gjithashtu theksoi se do të ketë një kufizim të pagave të larta, duke u bërë thirrje që të mos ekzistojnë më paga të larta për individë që janë të lidhur me krimin.
Një tjetër pikë e rëndësishme e programit do të jetë mbështetja e sektorit të shëndetësisë, me premtimin se nuk do të ketë më mungesë ilaçesh dhe pajisjesh në spitalet publike, duke shtrënguar masat për ata që merren me neglizhencë të pacientëve. Berisha gjithashtu premtoi heqjen e TVSH-së për ushqimet dhe përgjysmimin e taksave për biznesin, duke theksuar se kjo është një rrugë e sigurt dhe efikase për të adresuar problemet ekonomike.
Në lidhje me familjen, Berisha theksoi mbështetje të fuqishme për familjet shqiptare, veçanërisht për nënat kryefamiljare, dhe angazhimin për të mbrojtur institucionin e familjes, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të krijuar modele të tjera familjare që ai i cilëson si të dëmshme për shoqërinë shqiptare.
Së fundi, Berisha tha se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit do të jetë një tjetër shtyllë e rëndësishme, me një politikë të ashpër dhe zero tolerancë ndaj krimit, mafias dhe drogave që, sipas tij, kanë mbërthyer Shqipërinë.
FJALA E PLOTË
Mirëdita!
Një përshëndetje të veçantë gazetarëve të pranishëm dhe përshëndetje të përzemërt qytetarëve që ndjekin këtë konferencë shtypi.
Përsëri jemi në periudhën e diskutimit të buxhetit dhe për PD, shtyllë themelore e programit të saj do jetë ekonomia.
Në këtë kuadër, ne kemi denoncuar këtë buxhet si buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori.
Si buxhet që rritjen ekonomike e bazon në drogë, në kullat e korrupsionit dhe drogës, kurse të ardhurat i shndërron në parajsë për shqiptarët.
Sot unë jam për të denoncuar përjashtimin pothuajse të plotë, pothuaj në shkallë ekstreme të 40 përqind të popullatës shqiptare që jeton në fshat nga përfitimet buxhetore që janë kushtetuese dhe ligjore.
Përjashtimin e një sektori që kontribuon në prodhimin e brendshëm me rreth 20 përqind të tij.
Për bujqësinë, me të cilën mbahen pra 40 përqind e popullatës, e cila kontribuon në rreth 20 përqind të prodhimit të brendshëm, buxheti i këtij viti parashikon në mënyrën më absurde gjithsej 40 milionë euro.
Gjithsej më pak se një të dyqindtën e buxhetit prej 8.8 miliardë euro.
Gjithsej më pak se një të gjashtëqindtën e prodhimit të brendshëm të vendit.
Nuk ka një vend të dytë në botë të shumëzojë me zero në këtë mënyrë sektorin që kontribuon me 20 përqind të prodhimit të brendshëm dhe që mban 40 përqind të popullatës, ta përjashtojë në këtë mënyrë shkatërrimtare.
Në këtë mënyrë të qëllimshme, që të nxisë me të gjitha mënyrat rrënimin e prodhimit bujqësor, blegtoral, rritjen e çmimeve në treg të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, largimin masiv të familjeve nga fshati për në vende të tjera.
Falimentimin e fermave të tyre.
40 milionë euro të caktuara janë 4 gjer në 8 herë më pak se sa subvencionet që quhet në vendet e rajonit.
Kjo i bën tërësisht jokompetitivë në çmime, krahasuar me fermerët e rajonit, nuk po flas për të Greqisë që marrin subvencion edhe 20 herë më shumë se fermerët në Shqipëri.
Edhe në këto 40 milionë euro, sipas llogaritjeve, 55-60 përqind merren përsëri nga administrata dhe 40 përqind e tyre u mbeten pra rreth 18 milionë mbeten për fermerët.
Nuk ka qëndrim më armiqësor ndaj tyre.
Të mos harrojmë se ky fermer blen inputet me çmimet më të shtrenjta.
Se mbi këtë fermer rëndojnë taksat armiqësore, TVSH zero në blerje dhe 20 në shitje.
Mbi këtë fermer rëndon mungesa e plotë e informacioneve për orientimet e tregut.
Mungon këshilla e domosdoshme për ta.
Kjo ka sjellë një rënie katastrofale të prodhimit blegtoral dhe bujqësor në Shqipëri.
Në një hark kohor 4-5 vjeçar, gjedhet kanë rënë mbi 50 përqind të numrit të kokëve. Po kështu të imëtat.
Në vend që buxheti të synonte shënimin e kthesës, përkundrazi i jep një goditje mëshire këtij sektori që jep 20 përqind të prodhimit të brendshëm të vendit.
Dhe kjo me qëllimin e vetëm që fermerët shqiptarë të largohen nga Shqipëria, të braktisin këtë tokë që është ndër më pjelloret.
Paratë përqendrohen që të gjitha në sektorë ku vjedh më shumë qeveria.
15 përqind e buxhetit është në duart e Lubi Ballukut, asistentes më kryesore në vjedhje të Edi Ramës, e cila u kujtoj edhe njëherë të dashur qytetarë, mos harroni se në praktikën e Edi Ramës që ndante lejen e ndërtimit për çdo shkallë pallati, Lubi Balluku ndan unazën e Tiranës që ka mbetur në 14 kontrata në mënyrë që të mjelë, vjelë 14 gjoba.
Vjedhëse të tillë nuk ka parë, por gjithçka është në arkën e përbashkët Rama-Balluku, siç i kanë pasur në bashki gjërat.
Unë jam këtu për të garantuar fermerët shqiptarë se nuk do ketë buxhet kurrë që t’u alokojë atyre një të dyqindtën e tij, por dhjetëra, dhjetëra herë më shumë.
3.5 përqind e buxhetit të shtetit do parashikohen subvencione për bujqësinë.
Mbështetje të drejtpërdrejtë për të gjitha sipërmarrjet që operojnë në bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë, agroindustri mbi bazën e sipërfaqes së mbjellë, prodhimit të dorëzuar dhe numrit të krerëve.
Çdo fermer që aplikon për mbështetje në fushat prioritare do përfitojë mbështetje pa kufizim.
Do subvencionohen me 80 përqind normat e interesit të kredive bankare për bujqësi dhe blegtori.
Do subvencionohen në masën 75 përqind norma e të gjithë siguracioneve në fshatin shqiptar dhe bujqësinë shqiptare.
Do investohet çdo vit jo më pak se 70 milionë euro në sistemin e vaditjes dhe kullimit në mënyrë që të dyfishohet aftësia kulluese e vendit.
Do hiqet që javën e parë taksa armiqësore ndaj fermerëve, TVSH-ja armiqësore 0 në blerje dhe 20 përqind në shitje. Do jetë e barabartë në blerje dhe shitje.
Krijimi i agjencisë për fermerët për orientimin e tregut është një zotim jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori.
Mbështetja për teknologjitë e reja mbetet një prioritet i madh për PD, veçanërisht dixhitalizimi do jetë synim që të lehtësojë sa më shumë punën e fermerëve dhe të rrisin rendimentet.
Rritja e sigurisë ushqimore, mbrojtja e qytetarëve shqiptarë nga mbeturinat që mbeten në prag skadimi në magazinat e botës, do jetë qëllim kryesor i yni.
Ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur se pa zhvillim rural nuk ka Shqipëri të zhvilluar.
Do bëjmë gjithçka me moton që fshatrat që kenë infrastrukturën e qyteteve, dhe për këtë zotohemi që në katërvjeçarin e parë.
Këto janë disa nga pikat kryesore të programit tonë për fermerët dhe bujqësinë.
Edhe njëherë shpall, shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarëve.
Ekonomia e qytetarëve.
Ekonomia e qytetarëve.
Begatimi i tyre, përmirësimi i tyre ekonomik.
PYETJE – PËRGJIGJE
Osman Stafa, News 24: Ju, z.Berisha keni deklaruar se do të dorëzoni në Kuvendin e Shqipërisë disa amendamente: minimumi jetik, statusi i minatorit, apo edhe të tjera. Në fakt, natyrisht e dimë që janë votat ato në të cilat ato kalojnë një ëmnendament për të vijuar dhe për të shkuar tek zbatimi. Ka parashikuar PD, për sa kohë e dimë që PS nuk ka votuar asnjëlloj amendament apo propozimi të PD ndër vite tashmë. A keni parashikuar ju që në ditën që do të votohet buxheti i shqiptarëve në Kuvendin e Shqipërisë një protestë përpara kuvendit për të thirrur të gjitha ato grupet të cilat ju deklaroni se qeveria e kryeministrit Rama nuk i ka përfshirë fare në buxhet pensionistë, fermerë, apo edhe profesionistë të tjerë?
Berisha: Natyrisht ne kemi zgjedhur që të paraqesim amendamentet tona në komisione dhe seancë plenare, të sigurt se ato nuk pranohen nga qeveria, e cila ka një synim kryesor, plaçkitjen maksimale të këtij buxheti nga organizata kriminale që kryeson Edi Rama, por paraqitja e tyre është një detyrim solemn para shqiptarëve për të bërë avokatinë e tyre dhe për të qenë të obliguar që në mbledhjen e parë të parlamentit shumicë të PD, ato ligje të votohen dhe të hyjnë në fuqi menjëherë.
Sigurisht, miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit, plaçkitjes së buxhetit në parlamentin e krimit.
Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, a është ky akti i radhës i mosbindjes civile dhe si do të vazhdojë mosbindja civile teksa ju deri më tani keni bërë dy akte të kësaj ideje dhe nuk ka patur asnjë reagim nga pala tjetër?
Berisha: Mosbindja civile do të vazhdojë me të gjitha format e saj.
Mosbindja civile mbetet Leva e Arkimedit për rikthimin e votës së lirë qytetarëve shqiptarë.
Për vendosjen e qeverisë teknike dhe rikthimin e votës së lirë për qytetarët shqiptarë.
Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, një mjek i ri, një punonjës i Policisë së Shtetit, apo çfarëdolloj profesionisti i cili del në punë nuk mundet dot t ëblejë një shtëpi në Tiranë. Madje edhe me kredi nuk arrijnë dot të justifikojnë, me rrogën që kanë nuk munden dot të justifikojnë, pra të marrin një kreedi në maksimum për të blerë një shtëpi. Çfarë plani ka PD për sa i përket kësaj teme, dhe pse kjo nuk ndihet fort e artikuluar nga opozita, duke qenë se është një nga problematikat që e vuan çdo i ri i mundshëm që do të ndërtojë jetën e tij në Tiranë.
Berisha: Në fakt e keni shumë të drejtë.
Kjo është një mekanizmat e përzënies së rinisë jashtë shtetit.
Dhe në përllogaritjet e fundit në rang evropian, Tirana del më e kushtueshme për të blerë banesën se sa Mynihu.
Tani a mund të merret me mend se si mund të blihet një banesë në Tiranë nga qytetarët shqiptarë apo nga të rinjtë shqiptarë?
E gjithë kjo situatë e tmerrshme u krijua nga narkoeurot dhe droga.
4 miliardë euro të investuara në kullat e drogës dhe korrupsionit dhe larja e miliarda të tjerave, narkoeurove të grupeve kriminale me kryeqytet Dubain, solli këto çmime të paarritshme dhe i bëri banesat në Shqipëri, një mollë të ndaluar për shqiptarët.
Do ndërhyhet pa diskutim, por ndërhyrja në tregun e banesave do bëhet me rregullat e tregut.
Së pari, do pritet me gërshërët narkoinvestimi. Do ketë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe burimeve të tyre financiare, gjë që do japë një moderim të çmimeve.
Janë 54 mijë apartamente, të cilat duhen 40 vite për t’u blerë me ritmet e sotme.
Nuk përjashtohet mundësia në çdo rast se burime droge ato konfiskohen dhe do përdoren për strehimin e të pastrehëve.
Qeveria nga ana tjetër për të zbutur problemin, do të konsiderojë ndërtesat sociale, ku qytetarët mund të blejnë me çmime të arsyeshme si dhe kreditë e buta për të rinjtë dhe çiftet e reja të pastrehë.
Erneta Shevroja, ABC News: Z.Berisha, SPAK-ut ju shumë herë i jeni drejtuar edhe si organizatë kriminale, i keni quajtur. Nderkohë që, mbrëmjen e djeshme duke folur para mbështetësve tuaj u shprehët për një drejtësi kriminale e instaluar nga Rama dhe Soros. Nga këto qendrime që keni mbajtur, pyetje ime është e tillë z.Berisha: kritikat, rezervat, akuzat i keni vetëm në drejtim të SPAK, apo në reformën në drejtësi në të tërësi, pra në të gjithë sistemin?
Berisha: Së pari, më lejoni të informoj shqiptarët se deklarata ime për organizatë kriminale bazohet në dokumente zyrtare, të cilat dëshmojnë se prokurorët dhe anëtarët e BKH-së, të Spakut të partisë tregtojnë ditë e natë me dosjet e krimit, me autorët e krimeve.
U vendosin gjoba të mëdha për të ndryshuar provat dhe lehtësuar veprën penale.
Pra, unë nuk mund të lëshoj kurrë një akuzë që nuk qëndron, por unë me dokumente të tilla para, nuk mund të hesht kurrë.
Aty kemi të bëjmë me një organizatë të marrë peng nga Edi Rama, të lidhur në krim njëri me tjetrin.
Po e përsëris edhe njëherë, kur Altin Dumani i kërkoi gjobëvënësit- atë dokument që e ka ai, e kam edhe unë- i kërkoi gjobëvënësit llogari se çfarë është kjo, gjobëvënësi ia ktheu, na shpjego pak zotëri, në 19 pyetje të Imer Lalës, të denoncuar nga Luftar Reçi për vrasje, si nuk pati asnjë pyetje për vrasje zotrote dhe si doli i ekzoneruar Lala nga vrasja?
Pra, më thoni ju mua, a nuk janë këta bashkëpunëtorë në krime?
A nuk është bashkëpunëtor në krim Vath Staka, anëtar i KLP-së, i cili me urdhër të Taulant Ballës, me dokumente të vërtetuara, shkon dhe liron dy terroristë që donin të hidhnin në erë Lulzim Kullën, që unë nuk e njoh dhe nuk di se çfarë është?
Dhe që Altin Lala apo Altin Dumani e ka të qartë siç e kam punë, por nuk guxon dhe hesht si kriminel, si tinëzar.
A nuk është kriminel Taulant Balla, i cili me urdhër të Çelëve urdhëron Vath Stakën për t’i liruar ata?
Këta janë organizatë kriminale.
Unë nuk them se secili prej tyre është, por këta janë drejtuesit.
Kur Taulant Balla del në regjistrime se akuzohet për porositës vrasjesh dhe prokurori dhe gjykatësi urdhërojnë shkatërrimin e regjistrimit se nuk e dimë cili Taulant është, a nuk është kjo vepër kriminale?
Taulant Balla u thotë, vendosni revolen në oborrin e Manahasëve dhe del Nuredini, nuk e ka dhënë Taulanti atë porosi.
Pra, çfarë janë këto?
Njerëzit kanë të drejtë se shohin prokurorë specialë, prokurori speciale, të vetëkuptuar për të luftuar krimin, por e vërteta është se këta janë bashkëpunëtorë në krim.
A e dini se çfarë po ndodh këto ditë?
Kush po i përzgjedh drejtorët e policisë? Drejtorët e policive po i zgjedh klani i Troplinit dhe i Bajrëve.
Klani i Troplinit ka emëruar Neritan Nallbatin, Neritan Xibrakën, ish-bashkëpunëtorin e Hakmarrjes për Drejtësi, të nxjerrë nga Igli Toska nga policia e shtetit për bashkëpunëtor me këtë organizatë, për nxjerrje të sekretit te kjo organizatë.
A e dini ju se Ervin Toplini, ka përzgjedhur pasi mori Ilir Prodën e krimit, përfaqësuesin e bandave të Elbasanit drejtor policie, tani zgjedh Nallbatin me zgjedhë drejtorët e policisë.
A nuk janë këta organizatë kriminale?
Këta janë edhe më të ligj se ata që rrinë në ilegalitet.
Shumë më të ligj, se këta kanë pushtuar zyrat e shtetit, përdorin paratë e shtetit, janë kryekëput në shërbim të tyre.
Cila drejtësi, më thoni ju mua?
Kush e bëri drejtësinë? E bëri Xhorxh Sorosi. Janë me dokumente këto. Nuk është një shpikje e imja. Ai e shkatërroi drejtësinë me ambasadorë të korruptuar, me lotimin e tyre të korruptuar, natyrisht me Edi Ramën, pa Edi Ramën nuk bëhej kurrë ajo.
Nuk ka nevojë të flas unë, drejtësia flet vetë për veten e vet.
Po Olsi Çela në sa dosje e ka emrin? Çfarë është Olsi Çela? Është prokuror i përgjithshëm, por është prokuror i dosjes së Xibrakë, dosjes së Olsi Ramës, ndaj u shpërblye. Ndaj Olsi Çela mbron Irenën me 5 mbiemra, bashkë me Altin Dumanin e mbrojnë kriminelen që fsheh krimin.
A nuk janë këta organizatë kriminale? Nëse unë e kam gabim çdo njeri mund të thotë.
Ky është produkt i antireformës që u krye në Shqipëri mbi baza korrupsioni që kishte një qëllim, të konsolidonte narkoshtetin dhe të zhdukte opozitën. Ky ishte qëllimi.
Erneta Shevroja, ABC News: Ju përmendi disa emra si: Dumanin, Olsi Çelën, etj. Pra, nisur nga përgjigja juaj, rezervat prap do të thoja i keni tek persona të caktuar, apo tek e gjithë organika e drejtësisë së re?
Berisha: Edhe njëherë, kurrë mos më pyet për persona që nuk i njoh.
Çdo njeri që nuk e njoh, e marr siç duhet ta marr, të pafajshëm.
Unë nuk mund të akuzoj persona që nuk i njoh, por unë po flas për emra që i njoh dhe ua di veprat.
Di se si Altin Dumani bllokon, fyen një komb të tërë si bandit.
Në SHBA, gjykata e Uashingtonit ka dënuar 2.4 vite burg McGonigalin sepse është korruptuar nga kryeministri shqiptar fiks me shumën 225 mijë dollarë.
Dhe kjo dosje, në vend të dërgohet në gjykatë dhe të dënohet Edi Rama si korruptor tashmë i mirënjohur, mbyllet nga Lake Dumani. Mbyllet nga një njeri që kryen aktet më të shëmtuara që mund të ketë kryer kush.
Ja pra ku është, ai, ish-kryezbuluesi i SHBA është në burg se u korruptua nga Edi Rama, kurse Edi Rama mban leksione morali poshtë e përpjetë dhe u tregon atyre që goja nuk ma thotë.
Po mirë ia bën, se një ditë përpara dënimit të McGonigalit, vjen për vizitë surprizë Sekretari i Shtetit dhe u thotë se Edi Rama është i shkëlqyer.
Imagjinoni ju se cila është fuqia e Xhorxh Sorosit.
Shkëlqimi i madh i Edi Ramës se ka rekrutuar McGonigalin.
Çdo njeri duhet ta ketë të qartë se këta njerëz në këtë vend të vogël kanë shumë probleme, por një problem nuk e kanë, nuk janë të pamençur, dinë shumë mirë të dallojnë dhe vlerësojnë.
Ermal Rizaj, Syri Tv: Përveç aksionit tuaj në terren, diskutimeve mbi buxhetin, por shumë shpejt pritet të caktohet data e zgjedhjeve parlamentare. Çfarë po bën PD sa i takon premtimit që keni bërë dhe pikës në statut për mbajtjen e primareve por edhe caktimin e kandidatëve që do të jenë në listat e vitit 2025?
Berisha: Ne kemi një proces, që është procesi i primareve, me të cilin ne do përzgjedhim deputetët.
Por ne jemi të përcaktuar qartë se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka, ndaj dhe do luftojmë me çdo mjet të mosbindjes civile për qeveri teknike.
Fjala përmbyllëse
Berisha: Ju falenderoj për pyetjet dhe njëherë siguroj qytetarët se PD-në, shtylla më themelore e programit do të jetë shtylla e ekonomisë, praë e ndryshimit të shpejtë të gjendjes së tyre ekonomike.
Ne jemi përcaktuar për vendosjen me urgjencë të minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar.
Ne jemi përcaktuar për vendosjen sa më shpejt të rrogës minimale 500 euro për çdo të punësuar.
Avancimin në rrogën mesatare në 1200 euro.
Jo rritje të rrogave të larta, përkundrazi ta harrojë kush se do marrë 7 mijë euro siç merr sot organizata kriminale e skapistëve. Jo, absolutisht, me dylbi do i shohin.
Nuk do ketë maksimale në Shqipëri më të madhe se 4 rroga mesatare.
Shenjtëria e tij, Papa Françesku, tre javë më parë uli rrogat e kardinalëve, dhe çdo kardinal i Vatikanit merr 30 përqind më pak se Altin Dumani me ish-xhelatin e Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja, etj.
Imagjinoni ju, shteti mijëravjeçar, nga më të pasurit në botë.
Pra, do marrin fund këto histori.
Nga ana tjetër, nuk do ketë më mungesa ilaçesh në spitale.
Dhe ai që do mendojë të lërë të sëmurët në Spitalin Onkologjik apo të sëmurët në spitalet e tjera pa mjetet bazë jetike të mjekimit do përballet me ligjin për krim me paramendim.
Pra, do të heqim TVSH-në e ushqimeve dhe kjo është si të thuash kuadri bazë.
Do përgjysmojmë taksat për biznesin. Unë kam bindjen se ky kuadër emergjence është rruga më e mirë, më e sigurt, më efikase për dhimbjet.
Do shumëfishohen subvencionet në bujqësi. Do të arrijnë në nivelet maksimale të rajonit.
Natyrisht kjo do jetë shtyllë kryesore, por jo më pak familja.
Familja shqiptare, konsolidimi i saj, mbrojtja e saj me ligje të veçanta dhe mbështetje financiare do të jetë shtylla e dytë madhore e programit.
Këta që donin të krijonin Prindin 1 dhe Prindin 2, Edi Rama, Erion Veliaj e kompani, këta që sollën ligjin në parlamentin për fermat e grave, për të krijuar fëmijë pa nënë dhe baba të komunizmit, këta do ndryhen në banesën e turpit dhe ligji do jetë i ashpër për ata që mund të imagjinojë të flasë për Prindin 1 apo për Prindin. Apo për ata që hapën klinikat e fermave të grave sapo u bë ligji gati.
Familja do ketë mbështetjen më të fuqishme, veçanërisht nënat kryefamiljare, që sot nuk kanë asnjë lloj mbështetje.
Ndaj dhe ju lutem, të mbani parasysh se këto të dyja janë shtyllat më kryesore të programit të PD. Sigurisht lufta me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit janë jetike për shpëtimin e Shqipërisë nga mafia, droga dhe krimi.
Faleminderit!
Osman Stafa, News 24: Z.Berisha në qoftë se mund të bëni edhe sqarim të fundit për sa i përket protestës që deklaruat se do të mbahet tek parlamenti. Bëhet fjalë për datat 18-19 nëntor teksa buxheti do të votohet në parim, apo bëhet fjalë në fund të viti kur votohet nen për nen duke qenë se ka diferencë?
Berisha: Do të diskutohet data dhe do të njoftohet, por protestat tani janë ligji ynë.
Mosbindja civile se nuk janë protesta më.
Mosbindje civile ka mjetet e saj.