KRYETARI I PD, SALI BERISHA, BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, akuzoi qeverinë e Edi Ramës për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe centralizim të pushtetit.
Berisha u ndal te protestat qytetare, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në shtator dhe për intensifikimin e protestave dhe mosbindjes civile. Ai theksoi se PD do të vijojë mbështetjen për protestën qytetare, ndërsa deklaroi se nuk do të marrë pjesë personalisht, për të shmangur politizimin e saj.
Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua sigurisë dhe kriminalitetit. Lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi mënyrën e menaxhimit të ngjarjeve të fundit, përfshirë vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ndërsa për rastin e përleshjes së parandaluar në Kombinat tha se ai dëshmon, sipas tij, shkallën e inkriminimit të vendit.
Kryedemokrati kërkoi masa të ashpra kundër pastrimit të parave, duke propozuar krijimin e një agjencie kombëtare të posaçme dhe konfiskimin e objekteve të ndërtuara me para të paligjshme.
Berisha kundërshtoi gjithashtu projektin për krijimin e një shteti sovran bektashi, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe në kundërshtim me karakterin laik të shtetit shqiptar. Sipas tij, PD do ta kundërshtojë këtë nismë.
Në planin ekonomik, Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal te çmimi i naftës, duke premtuar se një qeveri e ardhshme e PD-së do të përgjysmonte taksën mbi karburantet. Ai foli gjithashtu për subvencionimin e qirave për studentët, duke i konsideruar kostot e banimit në Tiranë një pengesë serioze për të rinjtë.
Duke folur për zhvillimet politike, Berisha kërkoi që vendi të shkojë drejt një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ai deklaroi se shtatori duhet të shënojë një fazë të re të protestave kundër qeverisë Rama.
Në mbyllje, kryetari i PD-së tha se opozita duhet të intensifikojë betejën në disa fronte dhe të punojë për largimin e qeverisë aktuale, duke e lidhur këtë me nevojën, sipas tij, për rikthimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

FJALA HYRËSE
Dëshiroj të theksoj se këtë javë, më të larta se sa temperaturat e këtij gushti, kanë qenë temperaturat e pakënaqësisë së madhe ndaj Edi Ramës, padrinos së Shqipërisë dhe organizatës së tij kriminale që quhet qeveri.
Krahas protestës më të fuqishme në 35 vitet e fundit të dhjetëra mijëra qytetarëve dhe të rinjve në rrugët e Tiranës, prej 15-20 ditësh në një seri qytetesh të vendit, qytetarët protestojnë kundër zhdukjes arbitrare, tiranike të bashkive të tyre nga njeriu që do të fusë në pëllëmbë të dorës të gjithë Shqipërinë.
Njeriu që kërkon të vendosë një centralizëm të tillë në këtë vend që nuk ka ekzistuar as në kulmin e diktaturës komuniste.
Njeriu që po përdor reformën territoriale jo për ripopullimin e Shqipërisë dhe afrimin e shërbimeve me qytetarin, por përkundrazi për shpopullimin e Shqipërisë, largimin e shërbimeve nga qytetarët dhe indirekt dëbimin e tyre të butë nga Shqipëria.
Temperaturat e pakënaqësisë ndaj padrinos dhe qeverisë së tij shprehen kudo.
Por krahas këtyre, ka pasur edhe shfaqje shumë të rënda, dëshmi të mjediseve kriminale që janë krijuar në këtë vend si pasojë e mungesës së shtetit ligjor, zëvendësimit të tij me narkoshtetin.
Përveç ngjarjes tragjike, e them edhe njëherë, të vrasjes shtetërore të 20-vjeçarit portugez që erdhi të kalonte pushimet në Ksamil dhe kthehet në familjen e tij në arkivol, e them shtetërore sepse ishin tre uniforma policie, të cilat në vend që të mbronin turistin, të mbronin 20-vjeçarin, morën anën e vrasësit, fshehën krimin, duke dëshmuar se rojet e sigurisë në lokalet tona, në tërësi, jo të gjitha sigurisht, janë pjesë e krimit të organizuar, i cili kontrollon jetën ekonomike të vendit.
Por, tmerrësisht shqetësuese ishte ngjarja në Kombinat, ku sipas policisë dhjetëra adoleshentë kishin mprehur thikat, revolet për një përleshje, e cila do kishte marrë përmasat e një masakre.
Natyrisht parandalimi i saj meriton dhe ka vlerësim, por fakti që në Shqipëri janë krijuar mjedise të tilla të inkriminuara, ku mund të ndodhin përleshje me armë të ftohta dhe armë zjarri mes dhjetëra qytetarëve, dëshmon edhe njëherë shkallën e lartë të inkriminimit, të sundimit të krimit në këtë vend.
De facto, Shqipëria dominohet tërësisht nga krimi.
Kësaj situate i përgjigjet me cinizëm ekstrem përgjegjësi më kryesor, Edi Rama, i cili vazhdoi pushimet dhe do ta dënoj edhe njëherë këtu, arrestoi gazetarin në detyrë Arjan Konomin, një publicist dhe gazetar guximtar, për fajin e tij të vetëm se guxoi të shtrojë pyetjen: a do gjobisë policia rojet e tij që parkuan në kundërshtim me ligjin?
Dhe këtë akt, këtë pyetje, Edi Rama e mori si një fyerje të rëndë ndaj të shoqes, sepse ajo ishte aty në tavolinë.
E vërteta është se edhe aty tregoi arrogancën e papërmbajtur të tij. Tregoi urrejtjen që ka ndaj medias dhe urdhëroi policët ta marrin nga lokali gazetarin sepse kështu ai shijonte më mirë kafenë.
Edhe këtë akt e kam dënuar dhe e dënoj me forcën më të madhe.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT
Muhamed Kuraj: Rasti i vrasjes së turistit tregoi se resortet luksoze janë në dorë të krimit. A do kërkoni që bizneset e ndershme, që nuk pastrojnë para, t’u propozojnë një nismë për të luftuar konkurrencën e pandershme që u sjell paraja e krimit?
Sali Berisha: Agjenci kombëtare e posaçme, të gjitha objektet e ndërtuara me larje parash konfiskohen.
Vetëm goditja me zero tolerancë e krimit të organizuar është përgjigja më e mirë për garantimin e jetës së turistëve dhe shqiptarëve në Shqipëri.
Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
Edison Breçani: Zjarret që po bien kudo, ka zëra që kanë të bëjnë me Paketën e Maleve. Thua të shkojë deri në atë pikë një qeveri sa t’i vërë zjarrin vendin për interesa meskine?
Sali Berisha: Do më falni, po kjo është organizatë kriminale, nuk është qeveri.
Dhe u garantoj se në funksion të politikave të saj të diktuara nga organizatat kriminale është e aftë të ndërmarrë çdo akt.
Dhe aty ky ka zë, nuk është pa gjë thotë populli.
Arkir Hasani: Doktor, ç’mendim keni për ambasadorin e ri amerikan dhe kur keni vendosur të bëni një udhëtim në SHBA?
Sali Berisha: Me ato që unë kam lexuar, kam mendim shumë pozitiv. Një njeri me një eksperiencë të gjerë, pra mendimi im është tërësisht pozitiv.
Natyrisht, siç kam thënë unë do të shkoj në SHBA më së shumti me rastin e ndonjë konference dhe do u njoftoj.
Eda Gremi: Doktor Berisha, cili është qëndrimi i PD për projektin e Edi Ramës për krijimin e një shteti sovran bektashi? A e konsideron PD këtë një çështje që prek sovranitetin dhe Kushtetutën e Shqipërisë? Nëse ky projekt do çohet përpara, cilat do jenë hapat konkrete të opozitës për ta kundërshtuar? Sa shumë po abuzohet apo me mosreagimin e PD?
Sali Berisha: Faleminderit, Eda. PD ka reaguar fuqimisht. Cilido që është i interesuar për reagimet e PD, i sugjeroj t’u referohet deklaratave të mia. Kam qenë në arrest shtëpie kur unë kam ngritur zërin kundër tij dhe duhet të ketë qenë janari i vitit 2024.
Të njëjtin reagim dhe të fortë, PD ka bërë në vitin 2025.
Dhe, në bindjen time më të thellë, ky është një akt në radhë të parë kundër bektashizmit shqiptar, i cili ka qenë dhe është një shtyllë e vërtetë e atdhetarisë.
Bektashinj ishin Frashërllinjtë, themeluesit e doktrinës së shqiptarisë.
Bektashinjtë ishin rezistentët e pamposhtur ndaj pushtimeve dhe diktaturës.
Ata kanë gjakun e tyre, besimin e tyre, kontributin e tyre në Shqipërinë e pavarur shtet sovran dhe nuk kanë luftuar kundër për një shtet bektashi.
Ata kanë frymëzuar unitetin kombëtar dhe kjo aventurë, e cila siç kemi deklaruar më parë, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij gjer sot, përpiqet të nxisë përçarje fetare në një vend ku toleranca dhe bashkëpunimi fetar është gjëja më madhështore në shpirtin e atij populli.
Kërkon të krijojë edhe monedhën Ed, sepse duhet tani që Ramaduro të lajë miliardat me një bankë të veçantë, të të ashtuquajturit shtetit sovran apo Vatikanit të dytë.
Duke vepruar në verbërinë më të madhe historike. Cilido që njeh historinë e Vatikanit dhe njeh historinë e bektashizmit, kurrë nuk mund të bëjë një krahasim të tillë.
Po, bektashizmi shqiptar ka pasur avantazhin e madh të jetë epiqendër botërore, kryegjyshata botërore.
Dhe shteti shqiptar, ndonëse në Shqipëri feja është e ndarë nga shteti, duhet të përmbushë çdo lloj detyrimi që i rrjedh ose që mund të kontribuojë në rikthimin apo rinjohjen e kreut të bektashizmit shqiptar si kryegjysh dhe si kryegjyshatë botërore.
Kjo, natyrisht, nuk varet vetëm nga shteti shqiptar. Bektashizmi ekziston në disa shtete dhe janë ato shtete që duhet të pajtohen që bektashinjtë e tyre të kenë epiqendrën e tij në Shqipëri.
Pra, bëhet fjalë strikt për një operacion me të cilin Edi Rama do të ketë një shtet për paratë dhe pasaportat diplomatike.
PD ka qenë dhe është e prerë ndaj kësaj nisme antikushtetuese, antishqiptare, antikombëtare, e të tjera me radhë.
Tit Sadiku: Mendoni se shtatori do e ndezë edhe më tej frymën e protestës? A ekziston mundësia që zgjedhjet e përgjithshme të bëhen së bashku me ato vendore në vitin 2027?
Sali Berisha: Z. Sadiku, mendoj se heroizmi, sakrifica e të gjithë atyre që prej 80 e sa ditësh mbajnë me guxim dhe energji të madhe protestën kundër Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij, duhet të frymëzojë sot çdo shqiptar.
Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje demokratëve dhe demokrateve të Tiranës, por edhe mbarë Shqipërisë, por në veçanti të Tiranës, që të shndërrojnë shtatorin me pjesëmarrjen e tyre në protestën qytetare në muajin e goditjes vendimtare të regjimit antishqiptar, të regjimit diktatorial autokratik, të narkoregjimit të Edi Ramës dhe të shkojmë si një komb drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Të realizojmë atë që realizon Kosova në mënyrë të përsëritur.
Ne jemi kombi i vetëm në rajon së bashku me serbët që zgjedhjet i grabisin diktatorët.
Le të jetë shtatori muaji që të ndahemi përfundimisht nga kjo diktaturë.
Prishila Sterkaj: Studentët po vijnë në Tiranë dhe po zhvaten nga agjencitë imobiliare. A do të kërkoni ngrirje qirash për studentët dhe a i ftoni të bashkohen në protesta për këtë çështje?
Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen.
Është e domosdoshme jo të ngrihen, por të subvencionohen qiratë e studentëve.
Qiratë në Tiranë janë të dytat më të lartat në Evropë.
Dhe janë të papërballueshme.
Këto qira janë një levë për shpopullimin e Shqipërisë, sepse kur të rinjtë nuk gjejnë mundësi sistemi, nuk gjejnë mundësi të ndjekin universitetin, marrin rrugët e botës.
Dhe, kjo ndërhyrje është e domosdoshme.
Emiljana Gjonaj: Po përgatitet një masë e madhe patronazhistësh për t’u futur në protestat e shtatorit për të thirrur Berisha ik. Çfarë përgjigje do u jepni këtyre vagabondëve?
Sali Berisha: Këtyre mjeranëve u them se thirrjet e tyre më motivojnë më shumë në betejën kundër tyre.
I garantoj se nuk do ndërpritet kjo betejë gjer në largimin e tyre nga pushteti.
Dhe asgjë nuk mund të ndryshojë qëndrimin tim në mbështetje të protestës.
E kam shpjeguar edhe njëherë, kjo protestë nuk është thirrur nga PD, por nga data 3 qershor ajo është mbështetur fuqimisht nga PD.
Të gjitha pretendimet se PD do ta përçajë apo po e përçan, se PD po e përthith, të gjitha u faktuan mashtrime, trillime të kundërshtarëve të PD.
PD i qëndroi, janë me dhjetëra, qindra dhe mijëra demokratë sipas rasteve që marrin pjesë në këtë protestë dhe unë i përgëzoj ata, sikundër përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit.
Asgjë nuk mund të na pengojë ne të bashkëpunojmë me cilindo që kërkon largimin e Edi Ramës.
Largimi i Edi Ramës nga pushteti është jetik për fatin e vendit, për gjendjen ekonomike të çdo shqiptari, pavarësisht nga sloganet që mund të përdorë opozita e opozitës, që është vegël e qeverisë, por ato nuk na pengojnë ne t’i japim mbështetjen më të fuqishme protestës.
Rejan Menalla: Përshëndetje Doktor, a do të dilni edhe ju në protestë?
Sali Berisha: Jo! Për sa kohë protesta të ketë karakterin qytetar, unë gjykoj se nuk duhet të dal për arsye se të jem i sinqertë, kjo do kuptohej si një përpjekje për partizimin e protestës, çka unë e mbështes plotësisht si protestë rinore qytetare.
Dhe, besoj se çdo qytetar duhet ta mbështesë të tillë.
Përndryshe ne mund të thërrisnim protestën tonë partiake, por në këtë protestë, ndonëse deputetët dhe drejtuesit tanë kanë dalë si qytetarë, personalisht nuk duhet të jap idenë se kjo protestë është një protestë partiake.
Piter Vukman: Doktor, me qëllim zgjerimin e mbështetjes popullore, a do të rishikoni pozicionin tuaj në PD në lidhje me oligarkët, bashkëpunëtorët kryesorë të diktatorit? Mendoj se qytetarët kërkojnë pozicionim të qartë të opozitës ndaj oligarkëve, hajdutë të pasurisë publike. Këtë fakt e tregon edhe sheshi i protestës.
Sali Berisha: E vërteta është që PD ka qenë, është dhe do mbetet kundër oligarkisë, të gjitha formave të përqendrimeve.
Dhe, cilido mund të marrë të analizojë qëndrimet e PD gjatë viteve në pushtet të saj. Kanë qenë përpjekje të fuqishme të barazisë para ligjit, të konkurrencës.
Dhe, ju që më pyeni, unë mund t’u them kaq, në tërësi fondet tona kanë qenë të përqendruara në infrastrukturë. Por nga Hani i Hotit gjer në Gjirokastër, nga Rrësheni gjer në Morinë, nga Tirana në Elbasan dhe Qukës- Qafë Plloçë, që të gjitha janë ndërtuar nga kompani të huaja. Absolutisht jo, se ne diskriminonim shqiptarët, por këto kompani sillnin oferta shumë më të leverdishme dhe më të sigurta.
Dhe fakti është se rrugët e ndërtuara prej tyre, në dallim nga rrugët e ndërtuara nga oligarkët, nuk janë shembur.
Dhe po kalojnë 16 vite, në një kohë kur rrugët e oligarkët janë të gjitha të shembura. Po pse? Sepse janë ndarë paratë me qeveritarët.
Jo, ne nuk kemi qenë, nuk jemi dhe nuk do jemi kurrë parti e oligarkëve.
Për këtë të jetë shumë e qartë.
Zef Berisha: Përshëndetje, z. Berisha! A mendoni se Rama rrëzohet vetëm me protesta?
Sali Berisha: Kombinimi i formave të protestës është ndoshta i domosdoshëm për rrëzimin e tij.
Por, Rama pa protesta qëndron në pushtet edhe 20 vite dhe ai nuk e meriton të qëndrojë as dy orë.
Edi Deliu: Ka ardhur koha që jo vetëm demokratët të zbresin pranë selisë, por që e gjithë trupa drejtuese të zbresë në çdo cep të Shqipërisë. Çfarë po bëhet me këtë hap absolutisht të rëndësishëm në këtë kohë?
Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Ajo që duhet të shtoj me këtë rast është një domosdoshmëri absolute për një ndryshim të madh të PD-së.
Dhe ky ndryshim do ketë në epiqendër anëtarin e saj.
Dita e enjte është një ditë e rëndësishme për partinë. Mblidhet Këshilli Kombëtar, pikërisht për të caktuar veprimtarinë dhe qëndrimet e mëtejshme të PD në përputhje me direktivat e Kuvendit të saj.
Kuvendi i saj, siç e dini, dha disa mesazhe shumë të rëndësishme. Mesazhe konkrete në ripërtëritje.
Dhe e vërteta është se pavarësisht se çfarë komentojnë, por strukturat drejtuese të kësaj partie u ripërtërinë më shumë se kurrë në historinë e saj.
Duhet të pranojmë se kjo ripërtëritje është vetëm një hap, pozitiv pa diskutim, por hapi tjetër është që potencialet e këtij ndryshimi, i këtyre individëve, i këtyre drejtuesve të shndërrohen në vlera për PD.
Dhe këto shndërrohen në vlera vetëm në saj të veprimit të secilit prej tyre.
Dhe në këtë kontekst, u siguroj se i gjithë përqendrimi i kësaj force politike do jetë tek anëtari i thjeshtë.
Si të komunikohet më shumë dhe më mirë me të.
Si të zgjerohet hapësira e tij për kontributin e tij.
Si të ripërtërihemi.
Në qoftë se u ripërtërinë forumet, kjo duhet të përcillet në të gjitha nivelet.
Ripërtëritja duhet parë si një kusht i ekzistencës tonë.
U siguroj se gjatë kësaj vere të nxehtë nonstop janë bërë parapërgatitje për të kaluar në këtë fazë që është komunikimi, modernizimi, organizimi i ri i PD-së.
Griselda Selimaj: Përshëndetje Doktor! Kam vënë re që kur Adriana Kalaja bën denoncime nga SPAK për Irena Gjokën, është vetëm mikrofoni i Syrit. Përse ndodh kjo, mos vallë po mbrohet Irena me shtatë mbiemra nga Rama dhe drejtësia e tij?
Sali Berisha: Irena ka mbrojtje absolute. Është simboli më i shpërfytyruar, më i nxirë i sistemit të drejtësisë.
Tani është folur për të, por nuk mund të mos ndalem të dashur miq, t’u sjell në vëmendje shkallën ekstreme të keqpërdorimit të saj nga padrinoja dhe ushtarët e tij, mercenarët e tij.
Çfarë ka ndodhur në rastin e fundit që zonja Kalaja ka denoncuar mashtrimin, shkeljen e ligjit në blerjen e tokës bujqësore të parkut të sarajeve të Surrelit.
Një park, më i madh se i pallatit mbretëror.
Pasi është e faktuar në të gjithë dokumentet se gjithçka është zhvilluar në kundërshtim me ligjet, dhe mercenarët e Edi Ramës, pavarësisht se bëhej fjalë për kryeministrin, bëhej fjalë për të shoqen e tij, e morën dhe e dërguan në gjykatën e Tiranës.
Prokurori i Tiranës nuk e trajtonte dot.
Si përfundim pasi shkoi në të gjitha shkallët, gjykatësja në Tiranë e ktheu te Skapi i partisë.
Skapi, ku e çoi do thoni ju? Tek Irena Gjoka, e cila deklaroi se nuk ekziston asnjë shkelje dhe ia mbylli Edi Ramës dosjen.
Kjo është Irena me shumë mbiemra, një kriminele në detyrë që ka mashtrim kushtetues, ka mashtrim ligjor, qëndron në detyrë në sajë të mashtrimeve të Altin Dumanit dhe Edi Ramës.
Fatmir Myrtezaj: Doktor, përshëndetje. Protestat në Serbi ia arritën qëllimit ta çojnë vendin në zgjedhje dhe ikja e Vuçiçit duket e afërt. Mendoni se do ketë të njëjtin fat edhe argati i tij në Shqipëri dhe çfarë duhet të bëjnë më shumë shqiptarët për ta shporrur këtë klikë hajdutësh?
Sali Berisha: Fatmir, për fat të keq, zhvillimet në Serbi janë në favor të diktatorit.
Pse?
Sepse, ai përcaktoi zgjedhjet që të kalojë nga president në kryeministër. Në aparencë ato u diktuan nga protesta, në thellësi janë vendimi i diktatorit se po i mbaron mandati i presidentit dhe nuk zgjidhet dot më, për t’u zgjedhur kryeministër.
Dhe kjo është.
Ai komb është i dënuar me padronin e Edi Ramës, apo vëllain siamez të tij, që quhet Aleksandër Vuçiç.
Ema Bushati: Vitin e kaluar keni bërë një nga denoncimet më të forta në lidhje me ndërtimin dhe pastrimin e parave nga grupet kriminale në ndërtim. Si ka mundësi që SPAK nuk vepron?
Sali Berisha: Për fat të keq, është i kapur nga Edi Rama.
Kjo është arsyeja shumë e thjeshtë.
Është i kapur nga Edi Rama.
Klevis Haziraj: Nafta 220 lekë Doktor. Çfarë bëhet me këtë vend dhe si ka mundësi që nuk reflekton kjo qeveri?
Sali Berisha: Në asnjë vend të botës nuk do të tolerohej një gjë e tillë.
Nafta 220 lekë është çmimi më i lartë në botë në proporcion me rrogat, por edhe nominal është një nga tetë çmimet më të larta në botë.
Nafta në këto çmime ka si shkak themelor tatimin e litrit të naftës nga shteti me 1.1 euro.
Tatim që nuk ekziston në asnjë vend tjetër.
Kosova dhe Maqedonia kanë një tatim gjysmën e tatimit që ka Shqipëria, ndaj dhe nafta atje është gjithmonë 500-600 lekë më lirë se në Shqipëri.
Ndaj dhe ne jemi zotuar siç e dini që në mbledhjen e parë të qeverisë së PD do përgjysmohet taksa mbi naftën dhe nuk mund të shitet në Shqipëri naftë më shtrenjtë se në Kosovë dhe Maqedoni.
Ky është zotimi ynë!
Vatin Doshaj: Përse nuk publikohen anëtarët e qeverisë që kanë marrë pjesë në Aruba? Çfarë shihet pas tyre?
Sali Berisha: Fshihet një bashkëpunim i turpshëm i SPAK-ut të partisë me qeverinë.
Fshihet zbatimi i urdhrit të Edi Ramës, i cili ka nisur në Aruba jo një, por disa zyrtarë të lartë, në qoftë se nuk ka qenë edhe vetë, këtë nuk mund ta them.
Dhe natyrisht me këtë akt, SPAK-u dëshmon se është një vegël e partisë.
Ka publikuar emrat e trafikantëve, dhe shumë mirë ka bërë.
Ka publikuar emrat e biznesmenëve, dhe shumë mirë ka bërë.
Nuk ka publikuar emrat e qeveritarëve sepse nuk e lejon Edi Rama dhe e konsiderojnë qeverinë të tyre, janë vegël e qeverisë së PS.
Ardit Frashnishta: A jemi në kushtet e një tradhtie kombëtare me veprimet e Ramës, shkëmbimi i territoreve në Kosovë, shteti bektashi, etj.? A nuk mjafton kjo që ai të arrestohet menjëherë?
Sali Berisha: Unë mendoj se aktet e tradhtisë së tij kombëtare janë disa.
Dhe, kam bindjen se një ditë ai do të gjykohet njëlloj si Esat Toptani në qoftë se nuk shkon dhe merr azil politik dhe varroset diku krah tij në varrezat e Beogradit.
Artur Asllanaj: Kur do e rrëzojmë Edi Ramën, se bektashinjtë nuk na interesojnë. Hidhu në sheshe se po tallen flamingot me popullin, siç u tall Rama.
Sali Berisha: Rruga është protestë, mosbindje civile, protestë.
FJALA PËRMBYLLËSE
Ju falënderoj me shumë respekt për pyetjet që bëtë.
Ju ftoj edhe njëherë të mbështesni këtë protestë qytetare rinore, me të gjithë mundësitë dhe potencialet tuaja.
Ju ftoj gjithashtu, të bëjmë gjithçka për largimin e këtij regjimi, i cili është regjimi që po vjedh shqiptarët më shumë se çdo regjim tjetër në histori.
Qeveritarët e këtij regjimi janë qeveritarë që vlerat morale i kanë zëvendësuar me veset më të liga të njeriut, me vjedhjen dhe mashtrimin.
Shteti që duhet të ekzistojë është inekzistent.
Tri ditë më parë, kryeministri i vendit fqinj Hickovski viziton Prespën, një gjë shumë normale, ku jeton një komunitet i nderuar maqedonas.
Por në ceremoni u ekzekutua vetëm himni maqedonas dhe jo himni shqiptar.
Ndoqa reagimet, të turpshme.
Në reagimet e tij, si Rama dhe ministri, natyrisht shprehnin mospajtimin me aktin, por mbronin autorin kryesor, kryetarin e tyre të bashkisë.
Pra, dilte se kryetari, i cili në të gjithë ligjet e botës dhe protokollin, ishte mikpritësi zyrtar i kryeministrit të vendit mik, dhe shteti duhet të ishte i pranishëm për sigurinë, për protokollin, për çdo gjë, pavarësisht se ajo nuk ishte vizitë zyrtare, dhe këta se si e si të nxirrnin të pafajshëm socialistin e tyre që merret vetëm me tendera dhe nuk ka mendje për asgjë tjetër njëlloj si Rama.
Dhe njoftonin se kryetari i bashkisë kërkoi falje.
Çfarë falje kërkoi kryetari i bashkisë?
Kryetari i bashkisë është përgjegjësi kryesor i atij protokolli dhe fajin na e paska një shoqatë.
Në fakt, realiteti ky është.
Ky shtet është në duart e krimit, në duart e mafies, në duart e kujtdo, por jo të ligjit, jo të Kushtetutës.
Ndaj e rëndësishme është të vazhdojmë këtë betejë në shumë plane.
Të shkojmë me një qeveri teknike drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe shqiptarët të rifitojnë rrugën e të ardhmes.


