Berisha: Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten motivimi më i fuqishëm për mua në këto 8 dekada të jetës sime. Ajo që ndodhi në vitin 2021 ajo ishte një thirrje e brendshme e shqiptarizmit në shpirtin e Sali Berishës

KRYETARI I PD-së, SALI BERISHA BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT NË FB

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një mesazh të dhënë për qytetarët, në nisje të bashkëbisedimit të tij me ta, është shprehur se, në këtë ditë të veçantë të tij, në 80 vjetorin e lindjes, shqiptarët kanë qenë dhe mbeten motivimi më i fuqishëm për të.

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha beteja e fundit është beteja më e vështirë që ka bërë opozita shqiptare ndonjëherë. Sipas tij, tani opozita po ecën e sigurtë drejt fitores përfundimtare në zgjedhjet e ardhshme.

Shpalljen e tij ‘non grata’, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se, për të ishte një thirrje e brendshme e shqiptarizmit të Sali Berishës. ‘Dua të jem i sinqertë, ajo që ndodhi në vitin 2021, ajo ishte një thirrje e brendshme, një thirrje genuine e shqiptarizmit në shpirtin e Sali Berishës. Duhet të qëndroja ndaj atyre të cilët u përpoqën jo të godasin një njeri, absolutisht, u përpoqën nga pozita korruptive majtiste, të fshijnë një histori të kombit tim 30-vjeçare’, theksoi Berisha.

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, me zgjedhje të lira partia e krimit të Edi Ramës do ndahet më keq se e njëjta parti e Ramiz Alisë në vitin 1992. ‘Në dorën e demokratëve, të PD dhe opozitës, që në këtë betejë të rikthejë votën e lirë,’ tha Berisha.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi se, me të ardhur në pushtet qeverisja demokrate do të vendosë minimumin jetik prej 200 eurosh dhe pagën minimale prej 500 euroshe.

FJALA E PLOTE:

Përshëndetjet më të përzemërta të gjithëve ju që na ndiqni në këtë komunikim në rrjetet sociale me miqtë e mi.

Unë zgjodha si momentin më kryesor të ditëlindjes sime, 80-vjetorit, komunikimin me miqtë e mi në rrjetet sociale.

Udhëtimi në 8 dekada dhe ngjitja në majën më të bukur të jetës sime, ngjall më shumë se çdo gjë tjetër mirënjohjen e pakufishme ndaj qindra mijëra, por edhe miliona shqiptarëve, që gjatë gjithë këtyre viteve, me mbështetjen e tyre, kanë qenë frymëzim i pashtershëm për mua.

Vitet natyrshëm kanë peshën e tyre, por asgjë nuk i bën ato më të parëndësishme, më të lehta se sa motivimi i njeriut, frymëzimi i tij.

Në këtë kuadër, unë dua t’u siguroj se mbështetja juaj ka qenë frymëzimi më i madh për mua.

Ka qenë motivimi më i fuqishëm dhe në disa aspekte vetë ky udhëtim në 8 dekada, ka pasur momente kur ju me besimin dhe mbështetjen që më keni dhënë, keni rrezikuar, keni treguar veten guximtarë, keni treguar veten njerëz të parimeve dhe idealeve të vërteta njerëzore.

Keni besuar tek unë edhe në kohërat më të vështira.

Keni mbështetur Sali Berishën edhe kur ajo kishte një çmim.

U ndala për të thënë këto vetëm e vetëm për të theksuar se sa mirënjohës, se sa borxhli, sa i motivuar dhe i frymëzuar ndjehet Sali Berisha sot në këtë majë të 8 dekadave udhëtim.

E bukur shumë, ua them ju.

Nuk kisha ëndërruar ndonjëherë se kjo majë do të ishte aq e bukur për Sali Berishën, pavarësisht nga vështirësitë, ndërlikimet, por ne bëmë një betejë atëherë kur nuk e prisnin.

Një mik i imi francez në një libër lavdëron trimërinë e orës 2 të mëngjesit. E pyeta mikun tim, pse e ke veçuar trimërinë e orës 2 të mëngjesit. Sepse ora 2 e mëngjesit është ora e befasisë më të madhe dhe që ai arrin të reagojë në ora 2 të mëngjesit, ai përballon çdo befasi.

Të tillë ishit ju.

Ndodhi ajo që asnjë nga ne nuk e imagjinonim. Qeveria shqiptare me mafien më të rrezikshme të Xhorxh Sorosit, u angazhuan në një aksion puçist, në një grusht të vërtetë shteti kundër demokracisë në Shqipëri.

Them grusht shteti, normalisht grushtet e shtetit bëhen për të përmbysur qeveritë, por në Shqipëri dhe ndonjë vend tjetër ka ndodhur që janë bërë për të përmbysur opozitat.

Për t’i shndërruar ato në kukulla.

Për t’i kontrolluar ato për qëllime, për të ndihmuar qeverinë apo qëllime të tjera.

Por një vend kurrë, siç e dimë ne që përjetuam diktaturën, sovranitet i brendshëm nuk ekziston

pa opozitë të vërtetë.

Në këtë kontekst, ju miqtë e mi, mbështetësit e mi të dashur, në një akt heroik do të thosha, me një besim të palëkundur, u ngritët absolutisht që të gjithë pa përjashtim pro-amerikanë, por përsëri Amerika është e madhe, për ju dhe për mua, e vërteta është më e madhe.

Kështu që nuk mund të pajtoheshit ju me individë të korruptuar të papërgjegjshëm që ju rikujtonin barin e Enver Hoxhës.

Nuk mund të pajtoheshit ju me ata që bënin persekutorin publik në një vend tjetër.

U ngritët në ora 2 të mëngjesit, siç e thotë miku im.

Reaguat, reaguam për të mbrojtur interesat më jetike të këtij vendi, për të mbrojtur pluralizmin politik, për të mbrojtur demokracinë.

Kjo betejë ishte më e vështira që një opozitë ka bërë ndonjëherë në Europë, por edhe më e suksesshmja.

Ne e fituam betejën tonë, ne ecim të sigurt drejt fitores përfundimtare.

Kurse atyre që ndërmorën grushtin e shtetit në një vend anëtar të NATO-s, do u mbetet turpi i historisë.

Shqipëria do ngrihet përsëri.

Ju me mbështetjen tuaj u shndërruat në shtyllën kryesore energjie dhe frymëzimi për mbarë shqiptarët në rrugën e tyre drejt demokracisë, lirisë, prosperitetit, integrimit.

Edhe njëherë, mirënjohja më e pakufishme ndaj jush.

Ndjehem shumë krenar me mbështetjen e secilit prej jush.

PYETJE PERGJIGJET:

Artan Nebiaj: Duke ju uruar 80 vjetorin e lindjes, cili është sipas jush, aktualisht bilanci i angazhimit tuaj politik.

Sali Berisha: Në qoftë se më pyet, sigurisht që unë e kam menduar. Jam angazhuar në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 kundër një diktature, e cila ishte e egër, e cila ekzekutonte të rinjtë në kufi, por prapë se prapë ishte në rënie të pashmangshme. Pas saj, me të gjithë përpjekjet e mia, jam përpjekur që Shqipëria të mos jetë më ajo që ishte. Dhe unë mendoj se Shqipëria njohu kuantum lipe të vërteta, një vend që vinte nga honet e varfërisë dhe mjerimit njerëzor si vendi i tretë më i varfër i planetit, doli në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. U anëtarësua në NATO. Ecte me program të sigurt drejt procesit të anëtarësimit në BE. Të gjitha këto, përbënin për mua disa rezultate, apo disa gurë kilometrikë në udhëtimin tim. Por dua të jem i sinqertë, ajo që ndodhi në vitin 2021, ajo ishte një thirrje e brendshme, një thirrje genuine e shqiptarizmit në shpirtin e Sali Berishës. Duhet të qëndroja ndaj atyre të cilët u përpoqën jo të godasin një njeri, absolutisht, u përpoqën nga pozita korruptive majtiste, të fshijnë një histori të kombit tim 30-vjeçare. Në këtë kontekst, mendoj se me veprimtarinë time është ky një nga shërbimet më të mëdha që e bëj për kombin tim që unë e adhuroj. Nuk mundet kurrë të pranoja unë, që isha votuar nga ky popull më shumë se kushdo tjetër në 30 vite, të damkosesha për të turpëruar ata, ndaj dhe deklarata ime ishte e thjeshtë: kur të gjendet një dokument i vetëm, një provë e vetme e korrupsionit të Sali Berishës, largohem përfundimisht nga politika. Nisa betejën, sot ku jemi? Sot, pas katër vitesh hetime intensive, shterruese nga mercenarët dhe vetingut 30-vjeçar, u konkludua se nuk kishte shkelur kurrë ligjin. U konkludua se njeriu i vetëm, njerëzit e vetëm të cilët kishin paguar për Sali Berishën, ishin vajza e tij, ishte dhëndri i tij. U konkludua se në asetet e tij, ai kishte 100 mijë euro, pas 54 viteve punë, dhe një apartament 40 metra më të madh se ai ka pasur në diktaturë. Natyrisht, ju që më besuat në fillim, i kishit shumë të qarta këto. Por të gjithë të tjerët kishin të drejtë të dyshonin duke e ditur se kjo akuzë absurde vinte nga kryediplomati i botës. Sot pas 4 vitesh, çdo njeri që përtyp mashtrimet e tij, i them kontrollo xhepat e tu.

Daniel Katana: Përshëndetje doktor Berisha, sot është e qartë që kemi të bëjmë me një sistem opozite që përdoret kundër opozitës, një Shqipëri ku çdo pushtet e kontrollon Edi Rama dhe mediat që bëjnë propagandë për qeverinë dhe kundër opozitës. Çfarë plani ka PD për tu përballur me këtë regjim dhe për të fituar.

Sali Berisha: Është e vërtetë që në republikën e Xhorxh Sorosit, jo Xhorxh Oruellit, drejtësia u shndërrua në degë të ekzekutivit. Por është e vërtetë që PD beson në një drejtësi të pavarur.

Beson në një drejtësi që zbaton ligjin dhe Kushtetutën. Në këtë kontekst, ne jemi të angazhuar në një betejë pa kthim të mosbindjes civile për krijimin e një qeverie teknike në mënyrë që shqiptarët të mund të votojnë të lirë, me bindjen më të thellë se me zgjedhje të lira, partia e krimit të Edi Ramës do ndahet më keq se e njëjta parti e Ramiz Alisë në vitin 1992. Pra, është në dorën e demokratëve, të PD dhe opozitës, që në këtë betejë të rikthejë votën e lirë, të garantojë rotacionin dhe normalizimin e Shqipërisë.

Greta Beqiri: Z. Berisha ju uroj dhe qindra vite të bukura, cilat do të jenë politikat për shtresat në vështirësi ekonomike që bëjnë dhe shumicën e popullsisë dhe së dyti, a mendoni se duhet të ketë koordinim edhe për protesta lokale dhe jo vetëm në Tiranë, që edhe ata njerëz nuk vijnë do në Tiranë, të shprehin mendimet e tyre

Sali Berisha: Ajo që ndjej unë sot më shumë se çdo gjë tjetër në këtë vend janë sirenat e mjerimit. Pavarësisht nga kullat dhjetëra katëshe. Pavarësisht nga lumenjtë e veturave. Pavarësisht nga lustra e televizioneve. Përsëri u garantoj ju dhe të gjithë ata që janë në nevojë se asgjë nuk mendoj më shumë se sa gjendjen e tyre. I garantoj se ndërhyrja do të jetë emergjente. E kam theksuar dhe theksoj, akti i parë do jetë vendosja e minimumit jetik, i përllogaritur nga Avokati i Popullit, prej 200 eurosh. Do të jetë vendosja e rrogës minimale 500 euro. Do të jetë asnjë pension ndën minimumin jetik dhe dyfishim i pensioneve të tjera. Do të jetë synimi që të dalim përsëri në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet. Do të jetë heqja e menjëhershme e TVSH-së për të gjitha ushqimet. Nuk ka gjë më të dhimbshme kur kujton se një pensionist me 100-130 euro, u drejtohet dyqaneve dhe blen ushqime me çmime më të shtrenjta se italianët, gjermanët, francezët. Pra, kjo do marrë fund. Është jetike kjo paketë që unë paraqes para shqiptarëve. Mund të ketë njerëz që thonë ky i ka për politikë këto. Gabojnë. Në mënyrë absolute e kam nga bindja ime më e thellë se në këtë vend të bekuar, me këto pasuri që ka, nuk duhet të ketë një shqiptar të vetëm të vuajë për kafshatën e gojës. Nuk duhet të ketë një shqiptar të vetëm të vuajë për ilaçet, për mjekimet. Sigurisht rëndom më shtroni pyetjen se ku do merren paratë? A do e bëja unë një premtim të tillë nëse nuk do isha 100 përqind i sigurt nëse nuk do e bëja? Kurrë nuk do e bëja. Por jam 100 përqind i sigurt, madje edhe këtë vit nëse PD do ishte në pushtet. Ku merren paratë? 8 miliardë euro është buxheti i këtij viti, rreth 800 milionë euro është fondi i pagave të administratës. Pra, mbetem 7.2 miliardë euro. Unë zotohem 100 përqind se këta hajdutë, pa ndjenja ndaj shqiptarëve, ndërtojnë një rrugë me çmime 10 herë më të shtrenjta se në Kroaci. Unë informoj shqiptarët se autostrada me 4 korsi dhe me ndriçim Lushnje-Fier është ndërtuar me 1 milion dollarë kilometri. Kurse këta ndërtojnë rrugë 10 milionë euro, 15 milionë euro. Është inauguruar rruga Shëngjin-Velipojë dhe është trefishuar çmimi në mënyrën më të pacipë. Kjo sepse vidhet! Rruga Tiranë-Plepa, një rrugë 37 kilometra, kjo rrugë nuk mund të shpenzohen më shumë se 700 mijë euro për kilometër. E parashikuan 40 milionë, e rritën në 90 milionë. Në çdo projekt të tyre mund të ndash për kafshatën e qytetarëve të paktën 60-70 përqind të parave që vidhen. Pra, nuk ekziston ndjenja. U tha pensionistëve, do ta mbyll me këtë, me qëndrimin më cinik që mund të mbahet ndonjëherë, u tha pensionistëve që do ua rrisim pensionet në mars. Çfarë bëri? Ua indeksoi 4 përqind në tetor. Po sa ishte inflacioni? Ishte 9.4 përqind për ushqimet. Pra, jo vetëm nuk u indeksuan pensionet, por çdo pensionist shkon tani në dyqan dhe blen më pak se një vit më parë. Kjo do të marrë fund. Unë do isha i gatshëm të ndërprisja çdo punë publike dhe të ktheja paratë te qytetarët, por nuk ka nevojë në mënyrë absolute, ka nevojë të mos vidhet, të mos vidhet, të mos vidhet. Gërshërët e ligjit do presin duart e hajdutëve, cilido që të guxojë të prekë paratë publike.

Erjon Shima: Mosbindja civile në çfarë forme pritet të vijojë, se populli opozitar është i gatshëm për vijimësinë e saj.

Sali Berisha: Mirënjohje të pakufishme popullit opozitar. Ai ajo mosbindje civile e 7 tetorit u dëshmoi të gjithë skeptikëve në opozitë se cili është shpirti i vërtetë opozitar i qytetarëve shqiptarë. Të gjithë ata që murmurisnin dhe pëshpëritnin se shqiptarët nuk ngrihen, e panë se cilët ishin shqiptarët dhe sa të gatshëm ishin. Duhet të vazhdojë menjëherë dhe sa më shpejt me 77 metoda, praktika të mosbindjes civile. Asgjë nuk na ndalon ne në realizimin e qëllimeve tona, qeverinë teknike dhe rikthimin e votës së lirë.

Silvana: A ka strategji PD për të komunikuar me emigrantët për mënyrën se si ata do të votojnë dhe sa e sigurt do të jetë vota e tyre.

Sali berisha: PD ishte promotore e këtij procesi që nga viti 2013. Natyrisht ky proces nuk është i thjeshtë, pse u vendos ligji. Por së pari, do bëjmë gjithçka që ky proces të jetë sa më i zhdërvjellët dhe sa më i mundshëm për çdo emigrant shqiptar. Së dyti, thirrja ime për popullin opozitar, për të gjithë familjet opozitare, për të gjithë qytetarët, të regjistroni njerëzit tuaj, adresat e tyre kudo që janë, në mënyrë që të bëjmë gjithçka për t’ua lehtësuar atyre procesin e votimit, të flasin edhe me votë. Pa diskutim që partia do organizojë grupet, ka vendosur lidhjet në disa nga qendrat më të rëndësishme dhe do të vazhdojë me insistim duke e vlerësuar këtë si një faktor shumë të rëndësishëm zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme.

Fatjon Zeneli: Në momentin që do të vini në pushtet a do vendosni minimumin jetik për fëmijët nga 0 në 18, ashtu siç është në BE?

Sali Berisha: Përgjigja është absolutisht pozitive. D.m.th, gjithçka, investimi i parë dhe kryesor do jetë tek njeriu, nga i sapolinduri gjer te i moshuari. Ata që dyshojnë, gabojnë. Në vitet kur PD ishte në pushtet, ka pasur një buxhet a gjysma e këtij, se ne jemi parti e taksave të ulëta, por ajo nuk na pengoi ne të dyfishojmë rrogat, pensionet, listën e barnave, ndihmën ekonomike. E vërteta është që mundësitë janë të plota. Kështu që ne qëndrojmë në mbështetjen në radhë të parë, në qoftë se ne nuk ndalim në krye të rajonit për rrogat, pensionet, minimumin jetik, të gjitha, ne ngadalësojmë ecjen drejt të ardhmes.

Devis Samarxhiu: Nëse Trump zgjidhet president i SHBA. Sa janë gjasat që ju të rehabilitoheni plotësisht nga administrata e Trump dhe sa janë gjasat që fitorja e Trump të jetë një shtysë e fortë për PD në 2025.

Sali Berisha: Së pari, lidhur me këtë çështjen e rehabilitimit. Unë jam shqiptar, për mua rikthimi që bënë të mundur shqiptarët është Everesti i jetës sime. Tani, lidhur me zgjedhjet në SHBA, PD nuk ndërhyn në zgjedhje, por anëtarët dhe mbështetësit e saj kudo që janë, e dinë se PD është e afiluar në bashkimin ndërkombëtar demokrat me Partinë Republikane, e cila faktikisht e kryeson këtë union. Ndaj dhe ata e kanë të qartë që mund të votojnë për kë të duan, por nëse kanë për bazë partinë, votojnë për Partinë Republikane, kandidatët e saj. Unë kam besim, pavarësisht se kush do jetë pas zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë, nuk besoj kurrë se do të pranojë të trashëgojë akte të mafies shqiptaro-amerikane, të cilat janë në çdo aspekt të turpshme.

Qerim Shehaj: Çfarë qëndrimi do të mbajë PD kundrejt emigrimit të ligjshëm dhe të paligjshëm, nga vendet e lindjes, të Afrikës, drejt Shqipërisë?

Sali Berisha: PD do bëjë gjithçka që shqiptarët të qëndrojnë në Shqipëri dhe të kthehen në Shqipëri. PD nuk është një parti ksenofobike, jo nuk jemi. Ne, në qoftë se e keni fjalën për qendra si kjo që qeveria italiane ndërtoi në Gjadër, ne kemi shprehur të gjithë rezervat tona, qëndrimet tona të hapura. Në asnjë rrethanë, asnjë qendër tjetër nuk mund të pranohet në Shqipëri, pavarësisht se Edi Rama për hir të karriges është i aftë të bëjë çdo lëshim, çdo akt kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Endri: Përballë regjimit të Ramës pas gati 12 vitesh pushtet, a e keni menduar ndonjëherë se ai mundet vetëm duke përdorur të njëjtat mjete për të ardhur në pushtet?

Sali Berisha: Ai erdhi në pushtet me aleancën e qelbësirave. Ne duhet të vijmë në pushtet me aleancën e vlerave dhe njerëzve të ndershëm, shqiptarët që besojnë në vlerat, që besojnë në familjen e tyre, janë patriotë, që besojnë në respektin ndaj tjetrit, besojnë Zotin.

Ne synojmë të bashkojmë rreth vetes mbarë shqiptarët rreth vlerave të përbashkëta që ndajnë.

Petrit Matia: Shohim që parti të reja po krijohen nga ish-bashkëpunëtorë tuajit. Ky diversitet në opozitë, sipas jush nxit votën opozitare apo faktorizon partinë në pushtet?

Sali Berisha: Së pari, në një sistem pluralist krijimi i partive është një e drejtë kushtetuese, por kur krijojnë parti ata që në darkë dalin nga kryeministria dhe shkojnë nëpër studio televizive për të bërë opozitën e opozitës, sigurisht është e dhimbshme. Por shqiptarët janë të mençur, dinë të mos orientohen. Ne bashkohemi me gjithë ata të cilët janë të gatshëm të përballen me Edi Ramën. Besoj se, çdo njeri që i dhimbset ky vend, kur konstaton se nga viti 2014-2022, pa llogaritur 2023-2024, janë larguar për vetëm në vendet e BE 930 mijë shqiptarë që gjumi nuk i ze për t’i bërë një betejë sa më të ashpër kësaj qeverie.

Damian Shehu: Si e komentoni faktin që BE hapi sot kapitujt e anëtarësimit me Ramën edhe pse qeveria e tij vodhi të gjitha fondet e bujqësisë, IPARD-it të dhëna po nga BE?

Sali Berisha: Së pari, unë përshëndes hapjen e kapitullit, sepse vendimi për negociatat është marrë para dy vitesh dhe hapen kapituj. Por theksoj, ekziston sot një debat në BE, debat që lidhet para së gjithash me dy autokratët kryesorë të rajonit, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama që ky rajon nuk duhet të jetë pjesë në rrugën e anëtarësimit, por të jenë partnerë. Dhe ky është një ndëshkim i madh në të cilin unë nuk jam kurrë dakord. Në këtë kontekst, vazhdimi i procesit është për t’u përshëndetur, sepse ngushton hapësirën, shton hapësirën e kësaj rryme që beson se këto vende nuk e meritojnë që të bëhen pjesë e BE. Kështu që, kam vetëm vlerësim për kryesin hungareze dhe për komisionin për vendimet që kanë marrë. Por duke qenë e vërtetë, deklaroj se Shqipëria nuk plotëson sot përveç kriterit gjeostrategjik, asnjë kriter për t’u ulur në tavolinën e negociatave në BE për kapituj të veçantë. Ky vend nuk plotëson në radhë të parë, kriterin e zgjedhjeve të ndershme. Edi Rama me dokumentet e OSBE-ODIHR është autokrat elektoral, është njeri që makinerinë e frikësimit të zgjedhësve dhe industrinë e blerjes së votës, banda, patronazhistë, etj., ka vendosur në kontroll të plotë vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Dhe ky është konkluzioni që ka ODIHR, jo unë.

Së dyti, është vendi i vetëm në Europë në shkallën e persekutimit politik, që në ndonjë aspekt ia kalon edhe Putinit dhe Lukashenkos. Nuk di ndonjë vend tjetër, ku 3 drejtues kryesorë të partive opozitare dhe 3 eksponentë të tjerë të opozitës të jenë të burgosur, apo në arrest, apo nën akuza me dëshmitarë fals, me akuza false, apo me fabrikime nga një drejtësi e kontrolluar totalisht nga Edi Rama. Së treti, Shqipëria është narkoshteti i vetëm dhe i pari në Europë. Dhe këtë jo se e themi ne, këtë e thonë mediat e lira të botës, por e thonë dhe institucione serioze në botë. Në këtë aspekt, në qoftë se bëhet fjalë për protektorat krimi, për zëvendësim të shtetit ligjor me narkoshtetin, rasti më tipik është Shqipëria.Ftoj të gjithë ata mund të vënë në dyshim këto që them. Merrni vetëm një nga 35 dosjet e mbi 900 mijë faqeve të ardhura nga trasnkriptimet e telefonave të koduar, nga të cilët Edi Rama ka pasur nga 2 apo 3 sipas rastit.

Çfarë tregojnë ato?

Ato tregojnë një lidhje organike midis krimit dhe politikës në nivelet më të larta duket filluar nga Edi Rama e poshtë. A përbën pra kjo një kriter? Po korrupsioni?

Çdo shqiptar dhe çdo i huaj duhet ta dijë se, në Shqipëri rrugët ndërtohen me çmime 10 herë më të larta se në Kroaci. Punët publike ndërtohen me çmime 6 deri në 10 herë më të larta se mesatarja e BE. Duhet ta dijë se Edi Rama pa garë, në shkelje të çdo parimi ka shpërndarë 1.6 milionw metër kator tokë, ngatë cilët përfitues është edhe vëllai i tij, Olsi Rama me 38 mijë metër katror tokw, dhe nuk ka asnjë hetim. Duhet ta dinë se Edi Rama ka marrë me familjarët e tij 224 mijë m2 tokë në zonën më turistike të vendit pa asnjë dokument kadastral, pa asnjë dokument shpronësimi. Duhet ta dijë se po ndërton parajsën e tij, Dubai City-n e Durrësit me Albarin e Lukashenkos me 12 500 apartamente dhe 1 milionw metër katror tokë, që të gjitha për vete dhe Alabarin. Duhet ta dijë, se në këtë vend nuk ka drejtësi, epse krimi elektoral nuk hetohet. Sepse sot, është tre herë me Skapin e partisë dënimet për korrupsion janë mbi tre herë më të ulta se sa ishin në vitin 2007-2008. Dosjet ku firmos Edi Rama nuk guxon kush t’i prekë.

Çdo ditë ka raste. Dje akuzohej kryetari i Pogradecit se i kishte dhënë leje vëllait të tij në një kohë kur Edi Rama i jep leje bashkëshortes së tij në sheshin e pallateve, dhe nuk guxon kush.

Dje akuzohej dikush tjetër për një gjë punë trojesh, në një kohë kur Edi Rama i merr pronarët e truallit dhe ia jep Olsi Ramës. ra, Shqipëria, e vërteta është kjo dhe ne këtë të vërtetë do ta përcjellim kudo. Nuk plotëson asnjë prej kritereve për në procesin e integrimit në BE. Por hapja e negociatave është pikërisht vendosja në tavolinë e të gjitha këtyre problemeve.

Pyetje: Doktor Berisha gëzuar ditëlindjen. Kisha një pyetje. Si e komentoni që Kosova me ekonominë më të re dhe me GDP më të ulët se Shqipëria rriti pensionet me 20%, ndërsa Shqipëria vetëm 4%?

Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Dje tre burra të mëdhenj në botë morën çmimin Nobel, pikërisht në një farë mënyre në përgjigje të pyetjes që shtroni ju. Ata morën çmimin Nobel, sepse gjetën që kombet që vidhen nuk pasurohen. Ata morën çmimin Nobel sepse faktuan atë që njeriu i thjeshtë e konstaton. Se kombet që vidhen, rrënohen. Shkojnë pohtë e më poshtë.

Qeveria e Kosovës, është një qeveri e cila është shumë më transparente. Po në qoftë se shihni Barometrin e fundit të Ballkanit, Kosova e kishte ryshfetin 4 herë më të ulët se Shqipëria.

Kryeministri i Kosovës padiskutim nuk mendon të bëhet miliarder si kryeministri i Shqipëri, po iu thotë pensionistëve që çdo pensionist do të ketë 20% më shumë. Dhe çfarë bën? Mori 100 milionw euro nga buxheti. Fondi i pensioneve në Kosovë ishte 500 milionw euro, dhe e bëri 600 milionw euro. Krahasoni pak me cinikun e pashpirt që u tha, do ua rrisim në mars dhe ua mori paratë nga marsi gjer në tetor i futi në xhep, nuk ua dha dhe ja ua rrita tha me 700 lek apo me 400 lek sipas rasteve. Nuk vjedh qeveria e Kosovës. Kryeministri i Kosovës nuk i ka vu vetes qëllim të bëhet miliarder si Alabari, po i ka vënë vetes qëllim të lehtësojë jetën e qytetarëve të tij, dhe e ka faktuar këtë në çdo rast. Erdhi Covid, ai mbështeti qytetarët e tij 2 gjer në 3 herë më shumë se sa Shqipëria, në çdo anë. Por edhe për ta mbyllur. Kosova ka një buxhet fiks më pak se 50% më të vogël se sa buxheti i Shqipërisë në këtë vit. Po të mos blesh vazo 4 mln euro stoli në oborr, po të mos udhëtosh për vakanca të harxhosh miliona e miliona euro me avion taksi, paratë janë. Po të ndërtosh rrugën me çmime europiane, me çmime që ndërton Kroacia, paratë teprojnë. Prandaj dhe kjo situatë është plotësisht e ndryshueshme dhe ne do ta ndryshojmë.

Afërdita Hasimi: Jemi thuajse 6 muaj nga zgjedhjet e 2025, cilat janë sipas jush 5 premtimet kryesore elektorale për të cilat shqiptarët duhet t’i japin votën PD?

Sali Berisha: PD po punon me grupet më të mira shqiptare dhe të huaja, duhet t athemi këtu për programin e plotë të saj. Por për qëndrim të parë dhe në total do të jetë tek njerëzit në nevojë. Duhet të pushojnë së rëni sirenat e mjerimit në një vend që ka kaq pasuri të mëdha. Nuk mund të them se mund të bëhen të gjithë të pasur, por për jetë normale Shqipëria ka çdo potencial për çdo qytetar, dhe paketa që unë kam shpallur dhe që do ta përsëris do të jetë pjesë palcore, sigurisht program i veçantë duhet për arsimin, program i veçantë duhet për mjekësinë. Nuk ka gjë më të hidhur kur dëgjon mediat të thonë se është bërë bursë vdekjeje.

Po të hysh të shikosh situatën në Spitalin Onkologjik, nuk ka gjë më lënduese për secilin prej nesh, se si sillen me ata të sëmurë, sikur të mos jenë të sëmurë, por kavje.

Duhet të ketë detyrimisht një politikë demografike. Shqipëria po zbrazet. Duhet të ketë një politikë për rikthimin e emigrantëve, duhet të ketë një politikë për fëmijën e tretë. Sirenat e zbrazjes së vendit janë sirenat më të lemeritshme në histori. Pra, detyrat janë të shumta, por mundësitë janë më të mëdha.

Alfons: Sa mendoni ju që janë gjasat për një rotacion politik në kushtet ku sipas jush Rama ka aleancë me krimin, bandat dhe nga ana tjetër faktori ndërkombëtar duket ose i përgjumur, ose i korruptuar.

Berisha: Rotacioni do të ndodhë i sigurt kur secili nga ne të vendosë të marrë fatin në duart tona. Të mos ia lëmë një njeriu dhe një regjimi për të cilin jemi armiq për të vjedhur dhe për t’u larguar nga Shqipëria. Por të mos ua lëmë dhe të tjerëve. Askush nuk do të vijë të votojë për ne. Fuqitë tona, të garantoj se janë shumë herë më të mëdha nga çfarë mendojmë ne për t’u përballur me këtë regjim. Nuk ka hajdut trima, harrojeni shqiptarë. Hajduti vetëm trim nuk është. Hajduti është hije natën që nuk mund të rezistojë kurrë betejës me njerëz të ndershëm.

Pyetje: Nëse do të kishit mundësi të ktheheshit në kohë, cilat janë tre gjërat që do kishit dashur të ndryshonit?

Sali Berisha: Nëse do kthehesha në kohë, ligji 7501 nuk do të ishte ky që është.

Nëse do kthehesha në kohë, piramidat nuk do të ndodhnin kurrë.

Nëse do kthehesha në kohë, janë shumë gjëra, por këto dyja janë më kryesoret që i kam peng.

Faleminderit shumë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale