KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme për shtyp denoncoi atë që e cilësoi si një nga aferat më të rënda korruptive në historinë e vendit, të lidhur drejtpërdrejt me familjen e kryeministrit Edi Rama dhe përdorimin e tenderëve publikë për përfitime private. Sipas Berishës, ‘mafia e Surrelit është mafia më e rrezikshme e Europës’, një organizatë që ‘u kushton shqiptarëve në çdo punë publike, në çdo tender, qindra dhe miliarda euro’.
Duke iu referuar pallatit të ndërtuar për bashkëshorten e kryeministrit, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se familja Rama ‘nuk është në gjendje të paraqesë qoftë edhe një faturë të vetme doganore, tatimore, ndërtimore apo mjedisore’, ndërsa ndërtesa është ngritur ‘në kundërshtim me çdo kondicion urbanistik’. ‘Ky pallat, me pesë kate mbi tokë dhe po aq nën tokë, ka rënë si me parashutë dhe për të nuk ekziston asnjë dokument ligjor,’ u shpreh Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha, theksoi se hetimi administrativ mbi origjinën e pallatit u ndërpre menjëherë pas shkarkimit të paligjshëm të ish-zyrtares Zana Xhuka, duke deklaruar se Edi Rama ‘e shkarkoi në mënyrë antikushtetuese vetëm për të mbrojtur veten dhe familjen e tij’. Berisha lidh drejtpërdrejt ndërtimin e pallatit me tenderët publikë, konkretisht me rrugën Qukës–Qafë Plloçë, e ndërtuar nga e njëjta kompani. ‘Shqiptarët kompaninë që ndërtoi pallatin nuk e kanë paguar me 100 apo 200 milionë, por me së paku 300 milionë euro vetëm në rrugën Qukës–Qafë Plloçë,’ deklaroi Berisha.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha sqaroi se projekti fillestar i rrugës, i parashikuar me 73 milionë dollarë, u fry pas vitit 2013 në shifra që arrijnë deri në 400 milionë euro. Duke cituar hetime mediatike, Berisha u ndal veçanërisht tek Loti 3 i kësaj rruge: ‘Një lot prej 9.3 kilometrash, pa asnjë tunel dhe pa asnjë urë, ka kushtuar 87 milionë euro, sa kilometri i Rrugës së Kombit me dhjetëra ura e tunele.’ Gjithashtu, ai denoncoi zhvatjen e fondeve për forcimin e skarpateve: ‘Nga 2.5 milionë euro të parashikuara për skarpatet, janë përdorur vetëm rreth 900 mijë euro. Prandaj rruga shembet si të ishte prej kartoni.’
Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se pallati është regjistruar në emër të ndërtuesit, i cili ‘ka paguar edhe taksën e regjistrimit në hipotekë’, ndërkohë që ka fituar edhe tenderin e mirëmbajtjes së rrugës, e cila sipas supervizorëve ‘nuk plotësonte kushtet për t’u marrë në dorëzim’.
Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se Edi Rama ‘nuk do të pranojë kurrë të heqë imunitetin e Belinda Ballukut’, pasi sipas tij kjo do të sillte edhe përgjegjësinë penale të vetë kryeministrit. ‘Është fjala juaj, është guximi juaj, është zemërimi juaj,’ u shpreh Berisha, duke theksuar se ‘10 shkurti do të jetë triumfi i qytetarëve shqiptarë ndaj kësaj organizate kriminale’. Ai ritheksoi, se Shqipëria nuk mund të ketë drejtësi, transparencë dhe zgjedhje të lira pa largimin e këtij pushteti të delegjitimuar dhe u bën thirrje qytetarëve të reagojnë kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
FJALA E PLOTE:
Mafia e Surrelit është mafia më e rrezikshme e Europës.
Është mafia që u kushton shqiptarëve në çdo punë publike, në çdo tender, qindra dhe miliarda euro.
Sot unë kam zgjedhur të ndalem para qytetarëve shqiptarë se sa paguajnë ata për pallatin në pajë të Linda Ramës.
Pallat për të cilin, Linda Rama dhe bashkëshorti i saj, kryehajduti i kombit, Edi Rama, nuk janë në gjendje të paraqesin qoftë edhe një faturë të vetme doganore, tatimore, ndërtimore, mjedisore apo të çdo lloji.
Pra, pallati në pajë i ndërtuar në sheshin e pallateve, në tokën e tyre, kjo duhet theksuar. Ajo ka qenë tokë e familjes Basha, Basha është mbiemri i vajzërisë së zonjës Rama.
Pra, i ndërtuar në sheshin e pallateve në kundërshtim me çdo kondicion urbanistik.
Por ky është kapitull i veçantë.
Kapitulli tjetër është se zonja nuk paraqet dot qoftë edhe një faturë të vetme për pallatin 5 kate mbi tokë, sa ka nën tokë, shkoni dhe kontrollojeni vetë.
Kur ky superskandal u denoncua me dokumente nga PD në atë kohë, dhe kur ILDKP filloi procedurën e hetimit për origjinën e pallatit, origjinën e pallatit pa asnjë faturë, Edi Rama shkarkon në mënyrë të rrufeshme zonjën Zana Xhuka, një nga zyrtaret më serioze të administratës shtetërore, e shkarkon në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vetëm për të mbrojtur veten dhe familjen e tij nga pallati që mbi apo që ra si me parashutë i Linda Ramës, për të cilin ajo tha se është ndërtuar me para gjaku.
Nuk besoj se vëllai i saj në emigracion të jetë marrë as me drogë, as me vrasje. Jo. Po se si e lëshoi ajo atë fjalë, e di vetë dhe kjo është çështje e tyre familjare.
Por tani dëgjoni pak se sa e paguajnë shqiptarët pallatin.
Shqiptarët pallatin e paguajnë, siç thotë vetë shprehja e tyre popullore, më shumë se frëngu pulën.
Shqiptarët, kompaninë që ndërtoi pallatin, kompaninë 2T të famozit Sako, vëllait të ish-komandantit të gardës, aktualisht kryetar bashkie në Tepelenë, e paguajnë jo 100 apo 200, por e paguajnë së paku 300 milionë euro pasi rruga Qukës- Qafë Plloçë, e filluar në vitin 2009, 43 kilometra, e parashikuar me një shumë prej 73 milionë dollarë të Bankës Islamike, kjo rrugë pas vitit 2013 iu besua ndërtuesit të pallatit në pajë.
Ndërtuesi Sako, në rrugën Qukës- Qafë Plloçë, arriti të fryjë çmimet, fjala është në 310 milionë, e vërteta rreth 400 milionë euro në mënyrën më të pabesueshme.
Për të kuptuar se sa u kushtoi shqiptarëve pallati në pajë i gjysmës më të mirë të Edi Ramës, zonjës Linda Rama, do u jap këtu shembull vetëm lotin 3 të kësaj rruge.
Loti 3 i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, sipas hetimit që ka bërë emisioni investigativ Plug, rezulton se ka një gjatësi 9.3 kilometra.
Loti 3 nuk ka asnjë urë në ato 9 kilometra. Nuk ka asnjë tunel, pra ka një terren më të zakonshmin, dhe ka kushtuar me çmimet Sako 87 milionë euro.
Ka kushtuar ky lot sa ç’ka kushtuar kilometri në Rrugën e Kombit me dhjetëra ura, tunele, siç e dini vetë, dhe me gjerësi 27 metra.
Besoj se del shumë e qartë se çfarë hajdutësh të shpërfytyruar janë këta.
Pra, 9 kilometra rrugë me gjerësi 10 metra rruga, kushton sa mesatarja e Rrugës së Kombit me tunele e ura, kjo pa asnjë tunel dhe urë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe gazetarët investigativë kanë gjetur se paratë- ua kam thënë këtu disa herë- paratë e parashikuara për forcimin e skarpateve, që është një kusht i pakapërcyeshëm në ndërtimin e rrugëve, parashikuar me 2.5 milionë euro, janë pjesëtuar me katër nga firma dhe janë përdorur për vëllime të tjera, të cilat nuk maten. Për mashtrim pra.
Nuk janë përdorur për armimin e shpateve, për forcimin e skarpateve. Jo. Edhe ato i ka pjesëtuar me 4. Nga 2.5 milionë, janë përdorur rreth 900 mijë.
Pra janë përdorur vetëm 900 mijë për skarpatet, prandaj ato shemben si me qenë shpate kartoni sepse ato nuk janë përforcuar.
Sako që mori qindra milionë shpërblim për pallatin në pajë, për të cilin ai vetë ka paguar, dhe jo zonja Rama, ka paguar edhe taksën e regjistrimit në hipotekë.
E kuptoni ju? Dhe e ka të regjistruar në emër të tij pallatin në pajë.
Është i regjistruar në emrin e tij.
Jo në emrin e familjes Basha, familjes së saj.
Pra, ky person shpërblehet me rreth 300 milionë euro, të cilat sigurisht i ndan me Ramën, vetëm në rrugën Qukës-Qafë Plloçë.
Ky person fiton edhe tenderin e mirëmbajtjes së kësaj rruge, dhe rruga inaugurohet pa u marrë në dorëzim.
Pra, ajo vallja Rama-Balluku me daulle dhe gërneta në inaugurimin e saj, ishte një shou i turpshëm sepse rruga, sipas supervizorit, nuk plotësonte kushtet për t’u marrë në dorëzim.
Dhe megjithatë ai që e ndërtoi, merr edhe disa milionë të tjera për mirëmbajtje.
Dhe nga mirëmbajtja, siç e shihni ju, ajo shembet në çdo segment.
Pra, kjo është lidhja e pallati në pajë me rrugën fatkeqe, që pa u marrë në dorëzim, shkon në shembje pas shembje, të ndërtuar nga kompania që i dhuroi familjes Rama pallatin në pajë, e vëllait të komandantit të gardës, kompania Sako e vëllezërve Sako.
Besoj se kjo është një dëshmi flagrante.
Janë jo më të pakta shpërblimet që kanë marrë ndërtuesit e sarajeve të Surrelit.
Do të jetë objekti i një konference tjetër që shqiptarët të mësojnë se çfarë gjobash paguajnë, se si paguajnë qindra milionë ndërtuesve të vilës së Surrelit, të cilat sigurisht i ndajnë me Edi Ramën, duke përdorur pushtetin e tij.
Po ajo është një temë e një konference tjetër.
Ndaj edhe ky fakt provon se Edi Rama nuk do të pranojë kurrë të heqë imunitetin e Lubi Ballukut dhe kjo vetëm e vetëm se ai dorëzon në atë moment imunitetin e tij.
Dhe ai është i gatshëm me çdo çmim ta mbrojë se i takon të dergjet dhe kalbet burgjeve ndoshta edhe për 30-40 vite për aferat e tij korruptive, edhe më shumë.
Qytetarë është fjala juaj.
Është guximi juaj.
Është zemërimi juaj.
Asnjë shpresë nuk ka përveç guximit, revoltës, zemërimit tuaj ndaj kësaj organizate kriminale që nuk njeh ligj as moral në vjedhjen, plaçkitjen tuaj.
Unë kam besim se data 10 shkurt do të jetë triumfi i qytetarëve shqiptarë ndaj kësaj organizate kriminale.
Pra, fjala është e qytetarëve.
Drejtësia, e patë se ku ka rënë.
Patë shoun më të turpshëm në historinë e drejtësisë shqiptare dhe botërore të Gjykatës Kushtetuese, se si njerëzit të vendosur nga Kushtetuta në një nga pozicionet më të larta të shtetit, provojnë se janë të degraduar, të degjeneruar në shkallë ekstreme në raport me ligjin dhe detyrën e tyre.
Se nuk kanë nder as dinjitet e as moral zyrtari.
Se janë një turp për veten, për familjen e tyre, për rrethin e tyre, janë një turp për një komb të tërë.
PYETJE-PERGJIGJE ME GAZETARET
Marsi Korreshi, SYRI TV: Gjykata Kushtetuese nga njëra anë dhe çështja e imunitetit në Parlament nga ana tjetër janë dy çështje të ndara nga njëra-tjetra dhe të pavarura nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Kjo lëvizje e Edi Ramës është për të evituar përgjegjësinë direkte të tij, që ai vetë ka për heqjen e imunitetit për Ballukun.
Sali Berisha: Këto janë të lidhura. Edi Rama ka bërë parzmore strofullën e fundit të plaçkitësve në Shqipëri, Gjykatën Kushtetuese.
Edi Rama nuk i heq imunitetin Lubisë, kjo është shumë e qartë. Imunitetin asaj dhe Edi Ramës do të ja heqin populli shqiptar dhe vetëm shqiptarët. Dhe ju garantoj që do ta realizojë.
Por zemërimi po vlon në shpirtin dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë. Temperaturat po rriten me shpejtësi. Asgjë nuk mund ti shpëtojë popullit të zemëruar, kurrë. Zemërimi po shkon gjer në palcë.
Ndaj dhe ai çfarë do që të marrë, ai me gjykatën kushtetuese po turpëron në mënyrë ekstreme. Imagjinoni një gjykatës që ikën si mi, nga seanca e gjykimit.
Ikën sepse i shkon mesazhi, me videot dhe fotot e Oltion Bistrit. Një turp njeri, një turp njeri.
Por e di se nuk pëson gjë sepse është urdhëri i Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, siç është ai Ibrahimi. E di që nuk pëson gjë dhe ikën.
Nuk ka detyrë, nuk ka nder, nuk ka flamur. Ai nuk ka asgjë. E urdhërojnë të dalë nga salla dhe del, ikën. Urdhëro çfarë gjykate është.
Nuk kam fjalën për ata që mbajnë qëndrime të kundërta. Nuk e kam fjalën për ata, por siç e shihni ata janë pakicë. Ata janë kot aty.
Anisa Kadesha: Cila do të jetë strategjia e protestës së opozitës më 10 shkurt dhe a po shkon PD drejt protestave të qëndrueshme?
Sali Berisha: Strategjia e PD është absolutisht betejë gjer në rrëzimin e Edi Ramës.
Edi Rama nuk ka më legjitimitet. Për çdo qytetar, ne shohim një zgjerim të madh të mirëkuptimit dhe jemi shumë të inkurajuar, shumë mirënjohës ndaj qytetarëve.
Sepse që një qytetar të zemërohet ndaj pushtetit të vendit të tij, duhet të ketë motive të forta.
Dhe qytetarët e kanë kuptuar se kanë motivet më të fuqishme që mund të ekzistojnë.
Qeveria nuk ka legjitimitet. Ka shndërruar zgjedhjet në farsë.
Motivi i dytë, qeveria ka vjedhur qindra dhe miliarda euro dhe jo vetëm që nuk do të ndjejë përgjegjësinë, por bllokon drejtësinë.
Janë dy faktorë madhorë që delegjitimojnë çdo pushtet.
Dhe shqiptarët janë të vendosur një minutë e më parë me çdo çmim nga një pushtet i paligjshëm si ky që është sot.


