FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PARLAMENT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi ashpër qeverinë e Edi Ramës nga foltorja e Kuvendit, duke deklaruar se protestat masive që prej javësh kanë pushtuar Tiranën janë një revoltë qytetare kundër autoritarizmit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi.
Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi poshtë përpjekjet e mazhorancës për ta etiketuar lëvizjen qytetare si anti-amerikane apo anti-Trump, duke theksuar se shqiptarët kanë dalë në rrugë për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor.
‘Shqiptarët janë derdhur në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të tyre në emër të përgjegjësisë qytetare. Ata kanë mbushur rrugët dhe sheshet kundër një diktature autoritare që shkelmon të drejtat e njeriut dhe që ka ndërtuar në Shqipëri narkoshtetin e vetëm në Europë’, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të opozitës, protesta përfaqëson reagimin më të madh qytetar në historinë e pluralizmit shqiptar ndaj një qeverie që, sipas tij, ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik. Ai akuzoi Edi Ramën se po përpiqet të fshehë aferat korruptive dhe lidhjet me krimin, ndërsa kërkoi që Kuvendi të ndërpresë çdo procedurë tjetër dhe të trajtojë urgjentisht kërkesat e protestuesve.
‘Kjo nuk është lëvizje anti-Trump’, tha kryetari i PD-së Sali Berisha. ‘Kjo është lëvizje për shtetin ligjor, për transparencën, për ligjin ndërkombëtar’, theksoi Berisha, duke shtuar se axhenda e qytetarëve në protestë ka marrë mbështetje edhe nga Parlamenti Europian.
Lideri demokrat Sali Berisha e cilësoi protestën si ‘më madhështoren në historinë e vendit’ dhe u bëri thirrje institucioneve të dëgjojnë zërin e qytetarëve që kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe fundin e asaj që ai e quajti ‘regjim i narkoshtetit’.
FJALA E PLOTE:
Të nderuara deputete e deputetë, të dashur qytetarë që ndiqni këtë seancë e cila përbën një akt cinik, një akt të vërtetë lufte ndaj atyre qindra mijëra qytetarëve që kanë pushtuar rrugët dhe sheshet e Tiranës në mbrojtje të rendit kushtetues, në mbrojtje të ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare të dhunuara në mënyrë flagrante nga Edi Rama dhe klanet e tij me pushtet dhe në bodrumet e karteleve të drogës.
Janë 18 ditë të papara në historinë e Shqipërisë.
Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk janë derdhur në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të tyre në emër të asaj përgjegjësie, që është përgjegjësia më e lartë pas përgjegjësisë para Zotit, përgjegjësisë qytetare.
Qytetarët dhe rinia shqiptare kanë mbushur sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, absolutisht jo kurrë si një lëvizje fashiste apo antisemite apo antitrampiste, jo dhe jo. Ata kanë mbushur rrugët dhe sheshet kundër një diktature autoritare që shkelmon, që zvarrit, që shkelmon të drejtat e njeriut dhe që zvarrit qytetarët paqësorë.
Kundër një diktature autoritare që ka ndërtuar në Shqipëri narkoshtetin e vetëm në Evropë.
A e kuptoni ju si jeni tani?
Unë shoh ku i keni pozicionet në piramidën e narkoshtetit ju.
Se janë trafikantët.
Janë biznesmenët.
Por në krye jeni ju.
A e kuptoni apo jo se çfarë ndodh?
Pse janë ata njerëz në shesh?
Pse janë?
Vetëm Gjika me Alinë kanë lëvizur 50 ton kokainë. Të paktën 7 miliardë euro.
A i shihni ju ndërtimet? Dhe dëgjoni, do t’u them një gjë këtu, Altin Troplini, ta dini këtë, në dosjen e Sali Berishës ka kryer njërin prej akteve më të ulëta që mund të kryejë një hetues.
Ka bërë publikë emrat e tre fëmijëve me autizëm.
Asnjë nënë, asnjë baba nuk do donte kurrë të shihte emrin e fëmmijës së tij me autizëm në mediat e vendit.
Dhe pse i publikoi thoni ju?
Sepse vajza dhe djali im sponsorizonin familjet e atyre, që nuk i njihnin fare, në qendrën e autizmin, të cilën e drejton bashkëshortja ime prej 20 vitesh pa asnjë shpërblim.
Dhe këtë ky Dumani juaj e konsideronte konflikt interesi dhe korrupsion, se po paguanin tre fëmijë, siç paguajnë shumë biznesmenë dhe familje të tjera njerëzit në nevojë.
Kurse tani ky Duman, që mund t’i vesh njëqind epitete, po unë nuk e prish gojën, fsheh emrin e Engjëll Agaçit, fsheh emrin e Olsi Ramës, fsheh emrin e Damian Gjiknurit, të cilët ishin dërgata e tij…
Damian, tani, edhe po nuk ke qenë, të gjithë për ty thonë.
Bëj be sa të duash, nuk ta besojnë.
Nuk ta besojnë tani, nuk e kam unë fajin.
Pra, fsheh emrat e këtyre dhe ata janë me fotografi, janë me film, janë me video, janë me zë.
Shikoni tani.
Dhe kush është tani fashisti, kush është stalinisti?
Qytetari që proteston në rrugë për të drejtat themelore që pa që një qytetar u zvarrit sikur të mos ishte një njeri.
Qytetari që proteston në rrugë sepse në një dosje në një zonë të mbrojtur, dosja ka zero transparencë.
Sepse kërkon të shohë inceneratorin e Tiranës por nuk e gjen kurrë.
Sepse kërkon të shohë impiantin e ujërave të Tiranës dhe janë 120 milionë dollarë të zhdukura.
Sepse kërkon të dijë se si u bë Edi Rama me sarajet 720 metra themele të gjata, më të gjata se presidenca e republikës, dhe kopshtin 8500 metër.
Dhe ai nuk duket në parlament.
Dhe këta mbrohen.
Dhe t’u them tjetrën, ça po bëjnë.
Belindën po e përgatit për në arrati.
Cila nga ju ka shoqëruar Belindën në udhëtimet e saj në Greqi me skafe?
Do dilni se kujtoni ju se deti nuk ka sy.
Edhe deti ka sy.
Ua them unë ju.
Dhe ai po pret që të kalojë pak që të arratisë Belindën.
Ndaj dhe Skapi i partisë nuk e sjell, bën sikur e sjell, po nuk e sjell mandat arrestin e saj për së dyti.
Jo, rrini të qetë, nuk e keni këtu se ajo po përgatitet për të ikur.
Ku e keni Agaçin?
Ku e keni Endri Fugën?
Ku i keni të arratisurit.
Ata që po protestojnë janë heronjtë e vërtetë të këtij populli.
Ai të fshihet se nuk vjen në parlament.
Dhe ju mashtroni.
U them unë ju, jeni damkosur, mos gënjeni shqiptarët.
Sigurisht amendamenti që atakonte presidentin Trump nuk u lejua, dhe i përgëzoj ata.
Nuk është lëvizje anti-Trump kjo.
Kjo është lëvizje për shtetin ligjor, për transparencën, për ligjin ndërkombëtar.
Nuk ka asgjë të përbashkët as me anti presidentin Trump, as me anti-zionizëm, me asnjërën nga këto.
U përpoq Edi Rama t’ua japë të gjitha.
Pra, edhe njëherë, të ndërpresim çdo gjë.
Të merremi me kërkesat.
Dhe Parlamenti Evropian kërkon me urgjencë tërheqjen e ndryshimeve të ligjeve që janë bërë në këtë parlament.
Kërkon moratorium për çdo leje të re dhe për çdo veprim të ri para se të ndryshohet ligji.
***
Zoti kryetar, në procesverbal keni censuruar fjali të tëra për shkak të tmerrit që keni nga fjala ime.
Por ato i kanë dëgjuar qytetarët dhe nuk është qëllimi pse e marr fjalën.
Qëllimi pse e marr fjalën është se gjithçka lexuat ju aty, nga e para tek e fundit, është një sfidë, është një karshillëk, është përçmim për protestën e qindra mijëra shqiptarëve të cilët kanë një axhendë ndër më të drejtën që ka pasur ndonjëherë, axhendë që u mbështet fuqimisht nga Parlamenti Evropian dje.
Ky parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç axhendës së qytetarëve në protestën më madhështore në historinë e këtij vendi.
Ndaj dhe tërhiq rendin e ditës, t’i rikthehemi axhendës.
Mendoj se ky është detyrimi absoluit i këtij parlamenti në mënyrë që të mos përfundojë edhe ky aty ku e meriton sa më shpejt.


