KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se, procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian është bllokuar për shkak të vendimeve të qeverisë dhe ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, përgjegjësit kryesorë janë kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, të cilët, sipas Berishës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e marrëdhënieve me BE-në dhe në ndaljen e progresit të negociatave.
Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se integrimi në BE është procesi më i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një “ëndërr shekullore” dhe investim të gjatë të shqiptarëve dhe vetë BE-së. Megjithatë, ai deklaroi se vendi ndodhet aktualisht në një situatë bllokimi të plotë. Sipas Berishës, një numër vendesh anëtare të BE kanë refuzuar të miratojnë raportin IBAR (raporti për vlerësimin e përkohshëm të standardeve), i cili është kyç për ecurinë e negociatave, veçanërisht për kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. “Pa miratimin unanim të këtij raporti, Shqipëria nuk mund të avancojë në procesin e integrimit. Aktualisht vendi është në vendnumëro,” theksoi kreu i PD.
Në fokus të deklaratës së liderit të opozitës Sali Berisha ishte vendimi i 83 deputetëve të PS-së me në krye Edi Ramën, për të mos lejuar arrestimin e Ballukut, të cilin Berisha e cilësoi si një akt të paprecedentë dhe antikushtetues. Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se, deputetët socialistë kanë vepruar nën presionin e drejtpërdrejtë të Ramës, duke e konsideruar këtë si një goditje të rëndë ndaj shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit. Sipas tij, ky vendim ka ndikuar drejtpërdrejt në qëndrimin negativ të vendeve të BE-së ndaj Shqipërisë dhe në bllokimin e raportit IBAR.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me takimin e sotëm të Edi Ramës, për arritjet në rrugën drejt BE-së, lideri i dmeokratëve Sali Berisha akuzoi Ramën dhe qeverinë socialiste për propagandë dhe përpjekje për të fshehur realitetin, duke pretenduar se mediat janë të kontrolluara dhe po shpërndajnë “informacion të manipuluar” për procesin e integrimit. Ai kundërshtoi deklaratat e Ramës për progres në negociata, duke i cilësuar ato si përpjekje për të devijuar vëmendjen nga problemet reale. Në deklaratën e tij, Berisha përmendi edhe rastin e Mali i Zi, duke theksuar se raporti IBAR për këtë vend është miratuar unanimisht, ndryshe nga Shqipëria. Kryedemokrati e interpretoi këtë si një tregues të qartë të diferencës në përparimin drejt BE-së mes dy vendeve.
Gjatë konferencës me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të marrin në dorë, sipas tij, të ardhmen europiane të vendit. Ai i ftoi shqiptarët që më 17 prill të shprehen për të ardhmen e tyre në Europë, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me zhvillimet politike dhe vendimet e fundit të qeverisë.

FJALA E PLOTE:
Për Shqipërinë dhe shqiptarët, procesi më themelor për të ardhmen e tyre është integrimi i vendit në BE.
Shqipëria në Europë është ëndrra shekullore e shqiptarëve.
Shqipëria në Europë është investimi i tyre 32-vjeçar.
Por Shqipëria në Europë është gjithashtu investimi i BE, Komisionit Europian, vendeve anëtare të BE, miliarda, miliarda, miliarda euro me të cilat ky vend është transformuar sa asnjë vend tjetër, po të kemi parasysh gjendjen në të cilën ishte.
Shqipërisë në Europë i mbylli dyert Edi Rama dhe Lubi Balluku.
Do të ishte e padrejtë që të shkarkonim mbi Lubinë këtë përgjegjësi.
Lubia ka përgjegjësi të mëdha për vjedhjet që ka bërë, për shpërdorimin, për vjedhjen e miliarda eurove.
Lubia ka disponuar 12 miliardë euro investime dhe tani, sipas vetë Edi Ramës, janë ndërtuar thotë ai, që nuk janë kurrë, po le ta supozojmë që është e vërtetë, 1 mijë kilometra rrugë, të cilat u shembën si rrugë kashte njëra pas tjetrës në këtë pranverë.
Por, njeriu që mbylli dyert e Europës, duke përdorur për këtë qëllim dosjen e Lubisë, pasi është dosja e tij, është Edi Rama dhe ka vetëm një emër, që quhet Edi Rama.
Në raportin e tij, në tetor të vitit të kaluar, Komisioni Europian ka ngritur si çështje themelore për Shqipërinë rritjen e presionit politik ndaj gjyqësorit nga Edi Rama, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe problemet madhore me lirinë e medieve.
Këto probleme jo vetëm që nuk morën një adresim të përshtatshëm dhe pozitiv, por njohën përkeqësimet më të mëdha në 32 vite.
Për herë të parë, parlamenti i Shqipërisë bllokon kërkesën e prokurorisë së vendit për arrestimin e zëvendëskryeministres Lubi Balluku.
Dhe këtë vendim, 83 mandatet e krimit që u përdorën si thika kundër drejtësisë nga Edi Rama, deputetët nuk e morën me vullnet të lirë, por në diktat të plotë të Edi Ramës.
Madje, siç e dini, Edi Rama deklaroi në mënyrë të papërgjegjshme se këtë vendim të tillë do ta merrte çdo parlament i çdo vendi demokratik.
E vërteta është se një vendim të tillë nuk e merrte kurrë parlamenti i një vendi demokratik.
E vërteta është se për Brukselin, për shqiptarët dhe për cilindo njeri që ka ABC-në e shtetit ligjor, ky është një vendim antikushtetues me pasoja shumë të rënda, shkatërrimtare për luftën kundër korrupsionit.
Ky vendim detyroi një numër vendesh anëtare të BE që të bllokojnë raportin më të rëndësishëm, de facto progresin drejt integrimit.
Raporti IBAR, apo raporti mbi vlerësimin e përkohshëm të standardeve, në të cilin vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, në sistemin gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit, në dy kapitujt më themelorë të procesit të integrimit, kapitujt 23 dhe 24, në rastin e Shqipërisë, mbeti në klasë.
Për ata të cilët bëjnë fjalë se procesi vazhdon, mund të informoj çdo shqiptar se derisa vendet anëtare të BE të mos e miratojnë në mënyrë unanime raportin IBAR, Shqipëria nuk do mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve.
Kjo është e vërteta.
Pra, Shqipëria është e bllokuar, është në vendnumëro, nuk ecën dot përpara.
Dhe ky raport është unanim, do miratim unanim.
Pra, shqiptarët ta kenë të qartë se Edi Rama me vendimin që mori për të mbrojtur veten e tij duke bllokuar me parlament arrestimin e Lubi Ballukut, bllokoi de facto procesin e integrimit në BE.
Bëj këtë sqarim për mediat, me lutjen që ta përcjellin në mënyrë korrekte.
Këto janë shpjegimet dhe komentet që bënë përfaqësuesit e Komisionit Europian për radion Europa e Lirë, në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të mos mashtrohen nga propaganda e Edi Ramës, dhe ata të Serbisë nga propaganda e Aleksandër Vuçiç.
Por, e vërteta është se IBAR për Malin e Zi kaloi pozitivisht. U votua unanimisht raporti i standardeve.
Raporti IBAR për Shqipërinë, për shkak të kthimit mbrapa të Shqipërisë, nuk u votua dhe kërkon votim unanim.
Janë disa vende, jo një vend, që kundërshtojnë në mënyrë të prerë pas vendimit të Edi Ramës për të asgjësuar sistemin e drejtësisë.
Të marrim përpjekjet e Edi Ramës për të hequr dorë dhe për t’u anëtarësuar si vend anëtar i dorës së dytë jo me të drejta të plota në BE.
Dhe këtu, shqiptarët duhet ta dinë se në BE nuk ekzistojnë anëtarë të dorës së parë dhe të dytë. Sigurisht janë vendet kryesore që kanë peshën më të madhe, por e vërteta është se këto, në tryezën e vendimeve, ulen si të barabarta të gjitha vendet dhe asnjë nuk ulet si i dorës së parë apo dorës së dytë.
Për BE-në, nuk ekziston kuadër ligjor për anëtarësime të dorës së dytë.
Dhe për t’u miratuar ky kuadër ligjor, duhet të votojnë të gjitha vendet.
Pra, përpjekja Rama-Vuçiç është thjesht një përpjekje e turpshme për të cilën ata dëshmuan se janë të gatshëm të sakrifikojnë interesa kombëtare, dinjitetin kombëtar për pushtetin e tyre.
Dhe nuk ka pothuajse asnjë mundësi të pranohet si alternativë.
Nuk ekziston kuadër ligjor.
Por në rast se do ekzistonte një kuadër ligjor, Edi Rama mendon se me drejtësinë e kontrolluar prej tij, ai mund të përfitonte anëtarësimin si vend i dorës së dytë.
Jo absolutisht.
Sepse shteti ligjor dhe funksionimi i tyre janë kushte themelore për të qenë pjesë e BE.
Hiq votat nga ti, është puna jote, vetëposhtërim.
Zhvillo farsa elektorale, nuk pranohesh. Nuk ka shtet ligjor pa zgjedhje të lira.
Nuk ka shtet ligjor pa drejtësi të pavarur.
Nuk mund të jesh në hapësirën evropiane sepse interesat evropiane në këtë hapësirë janë të tillë.
Pra, edhe letra famëzezë Rama-Vuçiç është një dokument turpi i arkivuar në histori pa asnjë vlerë.
Siç e shihni pra, në pamje të parë për Lubi Ballukun, mbyll dyert e Europës, në fakt e ka për veten e tij pasi në dosjet e Lubisë, në çdo dosje të saj, hajdut i parë është Edi Rama, urdhërdhënës është Edi Rama.
Por kështu me AKSHI-n është faktuar kështu katërcipërisht se Agasi i AKSHI-t është Rama, se Mirlinda e AKSHI-t është Linda Rama, se strumbullari i pengmarrjeve është Armand Frangu për paratë e familjes Rama.
Pra, bëra sot këtë shpjegim se në një kohë kur në mënyrë absolute luhet me fatet evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve, luhet shumë keq me këto fate, mediat e vendit, të kontrolluara nga qeveria, nga mëngjesi në darkë, marrin ushqimin toksik nga zyrat e qeverisë, propagandën toksike për të mashtruar qytetarët shqiptarë dhe për t’ua fshehur këto të vërteta.
Tmerrësisht e dhimbshme.
Unë paralajmërova para jush disa ditë më parë se po bëhet gjithçka për ta varrosur çështjen Balluku, de facto çështjen Rama.
Por asnjë njeri nuk duhet të harrojë se ajo çështje është çështje jetike e të ardhmes së shqiptarëve.
E integrimit të tyre në BE.
Çdo kthim mbrapa në aparencë është çështja Balluku, në fakt është dosja Rama që qëndron në çdo faqe të çështjes Balluku.
Ndaj dhe jam këtu për të qëndruar për interesin më të mirë të shqiptarëve, interesin evropian të tyre.
Jam këtu për t’u bërë thirrje shqiptarëve të marrim në dorë fatin tonë, fatin e Shqipërisë.
Të mos lejojmë që akte vjedhjesh të tmerrshme të taksave të shqiptarëve dhe pasurive publike nga anëtarët e organizatës kriminale të kryesuar nga Edi Rama, të na mbyllin ne dyer e të ardhmes evropiane dhe të vazhdojmë të shpërbëhemi si komb siç po shpërbëhemi tani.
Edhe njëherë, BE foli. Nuk mbyllet asnjë kapitull pa votimin e IBAR, dhe IBAR nuk votohet pa arritur standardet e kërkuara.
Bllokimi i IBAR do të thotë bllokim i mbylljes të çdo kapitulli.
Dhe kjo po vjen kryekëput nga bllokimi që i bëri Edi Rama arrestimit të Lubi Ballukut për të mbrojtur veten e tij.
Ftoj shqiptarët me 17 prill të flasin për veten e tyre, për të ardhmen e tyre në Europë!

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Në kulmin e akuzave të opozitës, por edhe qëndrimeve ndërkombëtare se, me vendimin për Belinda Ballukun, rrezikohet procesi i integrimit në BE, Edi Rama po mban një tryezë për progresin e negociatave ku e cilëson atë një proces historik, ku ka bërë dhe deklarata politike, që drejtësia duhet të rrisë profesionalizmin dhe paanshmërinë. E lexoni këtë si një përpjekje për të mbuluar të vërtetën, apo si një sfidë ndaj opozitës dhe ndërkombëtarëve.
Sali Berisha: Para së gjithash, këto janë akte primivite, propagandistike të turpshme dhe të shëmtuara të Edi Ramës.
Unë paralajmëroj shqiptarët se pas vendimi që mori për të mbrojtur me çdo kusht veten e tij dhe për të sakrifikuar çdo interes të qytetarëve shqiptarë, Edi Rama është i gatshëm të marrë çdo vendim tjetër.
Ndaj dhe thirrja ime ta ndalojmë. Ta ndalojmë dhe ti japim përgjigjen e merituar këtij delinkuenti, kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës.
Edi Rama të organizojë tryeza dhe stërtryeza, asnjë kapitull nuk mbyllet pa votimin unanim, pozitiv për IBAR-in. Të gjitha të tjerat janë trillime, mashtrime të brendshme dhe kur vijnë nga jashtë, janë lobime korruptive të Edi Ramës.
Cilido që mendon ndryshe, le të studiojë pak historikun e BE-së.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Keni një koment për emërimin e Skënder Hitajt në krye të Policisë së Shtetit.
Sali Berisha: Emër problematik dhe shumë shpejt me të gjithë arkivën e qytetarit digjital do të paraqitem para jush. Ku punonte herën e fundit ky? Në Fier, Skëndër Balluku.
U emërua Skënder Balluku, ky është një pion i Lubisë, si Karakaçi e stërKarakaçi. Lubizimi nuk është asgjë tjetër veç se, lubizimi i organizatës kriminale.
Dihej ky, është thënë një muaj para që Lubia ka përcaktuar drejtor policie, drejtorin e Fierit.
Pra sidoqoftë shumë shpejt do të paraqesim materialët për të.
Ky është Skënder Balluku, që sot e tutje do ta quani drejtori Balluku. Se në fakt Rama është një skllav i mjerë i Lubisë. Për këtë Lubia do të hyjë në histori.
Mbajeni mend këtë. Do të hyjë në histori.
Lexoni ju, gratë ndonjëherë kanë bërë gjërat më të jashtëzakonshme. Koha provon që Rama është një skllav i saj. Në kuptimin e vjedhjeve, që të jem i hapur me ju.
Po, po. Kanë 25 vjet bashkëveprim, bashkëpunim të ngushtë dhe ajo është shumë e kujdesshme për të regjistruar çdo gjë.
Faleminderit!


