FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES NË ELBASAN
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi këtë pasdite në Elbasan “Foltoren e Ripërtëritjes”, ku bashkëbisedoi me demokratët dhe qytetarët në kuadër të procesit të ripërtëritjes së strukturave të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Berisha e përqendroi mesazhin te gjendja ekonomike dhe sociale në vend, emigracioni, pensionet, çmimet dhe lufta kundër krimit të organizuar, ndërsa kërkoi mobilizimin e opozitës për kilometrin e fundit drejt fitores.
Berisha e nisi fjalën duke vlerësuar qëndrueshmërinë e demokratëve të Elbasanit, të cilët kanë përballuar presione dhe vështirësi gjatë viteve të fundit. Ai akuzoi qeverinë Rama se ka ndërtuar një sistem të bazuar në korrupsion, krim të organizuar dhe abuzim me pushtetin.
Duke folur për situatën demografike në vend, kreu i PD-së u ndal te emigracioni dhe rënia e lindjeve. “Nuk ka asnjë pushtues që kemi njohur ne, që në 10 vite të ketë përzënë kaq shqiptarë nga Shqipëria sa regjimi i Edi Ramës”, deklaroi Berisha, duke e lidhur largimin e qytetarëve me kushtet ekonomike dhe sociale në vend.
Ai solli si shembull edhe situatën e pensionistëve, duke theksuar se të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet bazë dhe ilaçet. Berisha rikujtoi edhe periudhën kur ushtronte profesionin e mjekut dhe tha se gjatë asaj kohe kishte hasur pacientë që nuk mund të blinin medikamentet e përshkruara për shkak të varfërisë.
Sipas tij, sot problem për qytetarët janë edhe çmimet e ushqimeve, qiratë dhe kostoja e rritjes së fëmijëve. “Dyqanet janë plot, por xhepat bosh”, u shpreh Berisha, duke e përdorur këtë frazë për të përshkruar vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet shqiptare.
Në këtë kontekst, Berisha prezantoi edhe disa prej premtimeve që PD-ja synon të vendosë në qendër të programit të saj. Ai deklaroi se një qeverisje e ardhshme e opozitës do të synojë dyfishimin e pagave dhe pensioneve, ndërsa premtoi heqjen e taksës për ushqimet.
“Ne do vendosim dyfishimin e rrogave dhe të pensioneve si kushti i parë i mandatit të parë. Do heqim taksën për të gjitha ushqimet”, tha kreu i PD-së.
Një pjesë tjetër e fjalimit iu kushtua luftës kundër krimit të organizuar. Berisha deklaroi se opozita do të ndjekë politikën e “zero tolerancës” ndaj organizatave kriminale dhe u dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë grupeve kriminale, duke thënë se vendi i tyre duhet të jetë përpara drejtësisë.
Berisha foli edhe për reformën territoriale, duke kundërshtuar çdo reduktim të mëtejshëm të numrit të bashkive. Sipas tij, PD-ja ka një tjetër projekt për administrimin vendor, i cili parashikon shtimin e njësive vendore.
“Ne jo që nuk heqim bashki, por ne shtojmë të paktën edhe 40 bashki, dhe këtu në qarkun e Elbasanit dhe në çdo qark të Shqipërisë, në mënyrë që qytetarët të jenë sa më afër pushtetit”, deklaroi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, lideri demokrat u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të angazhohen në përpjekjen e opozitës për ndryshim politik. Berisha tha se Partia Demokratike duhet të hapet ndaj të rinjve, grave dhe vlerave të reja, ndërsa strukturat e saj duhet të jenë më funksionale dhe më pranë qytetarëve.
“Demokratët duhet të jenë sot dhe do të jenë në krye të përpjekjes shqiptare për të ardhmen e vendit”, tha Berisha, duke e mbyllur fjalën e tij me thirrjen për “ripërtëritjen e Shqipërisë” dhe rikthimin të së ardhmes që qytetarët meritojnë.

FJALA E PLOTË
Të dashur demokrate e demokratë, qytetare dhe qytetarë të Elbasanit, të pranishëm në këtë sallë, në qarkun e Elbasanit dhe kudo që ndodheni sonte, përshëndetjet e mia më të përzemërta, më vëllazërore, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush.
Të dashur deputetë të Partisë Demokratike, drejtues të Partisë Demokratike të Elbasanit, vlerësimin tim më të madh, respektin tim për përfaqësimin dinjitoz që ju i bëni këtij qyteti të bekuar dhe këtyre qytetarëve të mrekullueshëm.
Vëllezër e motra, zonja e zotërinj, jemi në një nga momentet ndoshta më të veçanta në historinë tonë kombëtare. Jemi në momentet e shpërbërjes së turpshme të një regjimi i cili qeveris këtë vend i bazuar çdo orë, çdo ditë në vjedhjen e qytetarëve shqiptarë, në krimin e organizuar, për zënien e tyre nga Elbasani dhe Shqipëria.
Në këtë aspekt, në këtë kuadër, në këtë shpërbërje, asgjë s’ka patur rol më përcaktues sesa guximi, qëndresa e juaj, dashuria juaj për Elbasanin dhe Shqipërinë në këto vite. Ju u përballët me këtë regjim që mund t’i vësh çdo epitet dhe që në fakt, në fakt e ka dëmtuar farën tonë, qenien tonë kombëtare, më shumë se çdo pushtues i të gjitha kohërave. Nuk ka asnjë pushtues që kemi njohur ne, që në 10 vite të ketë përzënë kaq shqiptarë nga Shqipëria sa regjimi i Edi Ramës.
Për të matur, për të parë efektet shkatërrimtare të këtij regjimi mbi qenien tonë si popull, po ju jap sot vetëm një tregues.
Sot në Elbasan dhe në Shqipëri, kemi atë numër lindjesh që kishim 100 vite më parë, në kohë kur ishim më pak se 1 milion. Pra, vjedhjet e tmerrshme të këtij regjimi, organizatat e krimit dhe droga e tij, kanë qenë shkatërrimtare për kombin tonë më shumë se gjithçka tjetër.
Sot, jo në një, por në disa aspekte, qytetarët e Elbasanit dhe të Shqipërisë përballen po me atë varfëri që u përballën në periudhën e hiperkolektivizmit. Dallimi atëherë është ky: se atëherë dyqanet ishin bosh, nuk kishin ç’të blinin, kurse sot dyqanet janë plot por xhepat bosh. Dhe nuk arrijnë dot pensionistët, të cilët janë jo pak po janë më shumë se një e treta e tyre që kanë shkrirë jetën për të qenë ne këtu ku jemi, dhe ata, në mënyrë absolute, nuk blejnë dot ilaçet për mjekim.
E kam thënë dhe një herë tjetër, po ua them dhe ju. Kam qenë mjek, dhe një nga gjërat që më therte më shumë në shpirt dhe në zemër, ishte momenti kur unë i çoja të sëmurit recetën kur bëhej gati me dal nga spitali. E llogarisja me mendjen time mundësisht ilaçet më të lira të mundshme që ta përballonte. Por ai s’e merrte recetën, sepse aty për aty më thoshte që: doktor, dita ime në punë në kooperativë është kaq, dhe unë me kaq mezi marr bukën, s’marr dot asgjë tjetër. Kurse sot, sot pensionisti nuk bëhet fjalë të marrë dot ilaçet të cilat i duhen për sëmundjet më të zakonshme të moshës së tij.
Sot, jo vetëm ilaçet, por mbi 600 mijë pensionistë janë me pensione të pjesshme. Janë me pensione me të cilat absolutisht nuk marrin dot as dy javë ushqime, pa le ndihmë nga familjarët e tyre.
Këto ditë publikohet lajmi se për të rritur një fëmijë, foshnja në vitin e parë, kërkon 66% të rrogës. Prandaj dhe ne jemi, kemi rënë në këtë mënyrë. Qiratë kanë kapur nivelin e rrogës mesatare. Pra, janë bërë mollë e ndaluar apartamentet për qytetarët.
Të gjithë këta faktorë shtyjnë qytetarët tanë të ikin, të ikin, të ikin. Ndërkohë, vendi është absolutisht vendi i pasurive përrallore. I pasurive përrallore të gjithanshme. Nuk ka tokë dhe vend më të begatë se Shqipëria në çdo aspekt. Por të gjitha këto janë shndërruar në një mënyrë apo në një tjetër, në mallkim për qytetarin shqiptar.
Janë shndërruar në parajsë për qeveritarë të pangopur dhe hajdutë, të cilët në mënyrë identike me ata që shtypën shqiptarët 46 vite, urrejnë qytetarin. Mund të listojmë një listë të pafundme të problemeve të jashtëzakonshme të rënda që përballet qytetari, për shëndetin e tij, për shkollimin e fëmijëve.
U ndala në këtë paraqitje për të theksuar se sirenat e nevojës për rithemelimit të Shqipërisë bien në të katër anët e vendit. Shqipëria realisht ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës.
Ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ndaj dhe ripërtëritja e Partisë Demokratike është jetike dhe përcaktuese për ripërtëritjen e Shqipërisë.
Ju them unë ju, keni meritë të jashtëzakonshme, sepse në kushtet më të vështira i qëndruat opozitarë. I qëndruat dhëmbë për dhëmbë këtij regjimi. I qëndruat të pamposhtur pavarësisht nga të gjitha, nga dhuna, terrori, burgosjet, shantazhet, presionet e të tjerë, të gjithë makinerinë e tij.
Pa ju, pa qëndresën tuaj, pa guximin tuaj, ky regjim nuk ishte i shpërbërë në të sotmen. Jo. Pra, në këtë kuadër, fitorja jonë është një domosdoshmëri. Jo për t’u kthyer shpinën, jo për t’i injoruar ata qëndrestarë që për mua janë heronj, heronj të vërtetë. Por për të përshkruar kilometrin e fundit drejt fitores.
Për të ecur drejt fitores. Për të ecur drejt fitores. Demokratët, populli opozitar pret fitoren. Shqipëria pret me padurim fitoren e opozitës. Dhe kjo është përgjegjësi e madhe ndaj vendit.
Ky është motivi i jashtëzakonshëm për ne.
Ne jemi një forcë politike e cila në kushtet aktuale duhet të jetë e hapur ndaj çdo vlere të këtij qyteti dhe të këtij vendi. Jemi një forcë politike e cila sot strukturat e saj duhet t’i ketë më funksionale se kurrë, më moderne se kurrë.
Jemi një forcë politike anëtarët dhe mbështetësit e saj sot më shumë se kurrë duhet të vendosin një dialog intensiv me çdo qytetar të Elbasanit dhe të Shqipërisë.
Mos harroni një gjë, se sot propaganda e këtij regjimi ka vendosur, ose ky regjim, ka vendosur tiraninë mediatike mbi qytetarët shqiptarë.
Të dezinformimit, të propagandës, të manipulimit. Kjo është e vërteta.
Të pyes unë ju, o miq të mirë, a i dëgjoni ndonjëherë të flasin për dëbimin e këtij kombi këta? A i dëgjoni ndonjëherë të flasin se si ne vetëm në 10 vite në hapësirën e Shengenit kemi emigruar 1 milion e 99 mijë shqiptarë?
A i dëgjoni ndonjëherë të flasin këta se një pensionist s’merr dot as një të tretën e ilaçeve që i duhen në një muaj?
A i dëgjoni ndonjëherë të flasin këta për çmimet e ushqimeve, të cilat janë më të larta se në Itali, se në Greqi, se në Gjermani dhe se në Amerikë, për të cilët, për ata që kanë rroga pesë herë, dhjetë herë më të ulëta se qytetarët e këtyre vendeve?
Vite më parë një prift shëtitës kishte qenë në shumë vende, erdhi dhe në Shqipëri dhe shkruan: ishte viti ’91. Këtu thotë, varfëria në këtë vend thotë, është e frikshme dhe shumë e dhimbshme. Por dhe kam parë vende po kaq të varfra në Afrikë edhe numëronte pikërisht ato Angolën, Ugandën.
Dallimi midis tyre është thotë se në Angola dhe Uganda dyqanet ishin plot, por njerëzit ishin me bark bosh.
Në atë kohë, për ironinë e fatit tonë, ne krahasoheshim në të ardhurat për frymë, i kishim të njëjta me Ugandën dhe Angolën, të tretët në botë me të ardhurat më të ulëta. Por thotë, ata i kishin dyqanet plot, këtu thotë dyqanet s’kanë asgjë.
Tani ne u bëmë me dyqane plot, dhe përsëri si Angola dhe Uganda. Ku njerëzit s’blejnë dot.
A mund të imagjinoni ju që qytetarët me rrogat më të ulëta dhe pensionet më të ulëta të kenë naftën më të shtrenjtë në Europë? A mund të imagjinoni ju që nga viti i kaluar në këtë vit çmimi i ushqimeve të rritet, çmimi i kafshatës, të rritet në Shqipëri 3.2%, të rritet në Europë 0.2%? Gjashtë herë më shumë, shtatë herë më shumë, në Shqipëri?
Pra këtu jemi, ndaj dhe kjo ripërtëritja jonë është jetike për ripërtëritjen e Shqipërisë. Ne kemi një vizion me të cilin do t’i japim përgjigjen më të merituar, më të sigurt, kësaj gjëme që ka pllakosur kombin tonë, kësaj varfërie, këtij mjerimi që ecën me shpejtësi.
Ne do vendosim dyfishimin e rrogave dhe të pensioneve si kushti i parë i mandatit të parë. Do heqim taksën për të gjitha ushqimet. Pa taksa. Nuk mund të ketë problem, ishte e paimagjinueshme të jetë ushqimi problem në një vend që ka pasuri përrallore si Shqipëria.
U ktheva nga Franca në vitin ’78 dhe një i afërmi im më pyeti, Sali tha, si e kishin punën me ushqim? I thashë, ata nuk kishin problem ushqim. Ky u skuq. Kur unë i thashë këtë gjë.
Ky nuk mund ta imagjinonte këtë.
Dhe për koincidencë ky njeri ma ka rikujtuar këtë skuqjen e tij edhe 25 vite mbrapa. Kur ma the tha, u skuqa, nuk e besoja.
S’mund të ketë Shqipëria problem, por Shqipëria vidhet njëlloj siç shkatërroheshin tre të katërtat e shtëpisë në tregimin e Dino Buxatit, që e shemben shtëpinë gjatë një vere, edhe këta të pangopur, këta zyrtarë të shpërfytyruar, pa asnjë normë morale.
Këta njerëz i kanë vjedhur qindra, qindra milionë që hyjnë dy tre vite në burg dhe dalin për të prekur milionat e tyre. Pra ripërtëritja jonë është një emergjencë kombëtare. Ne duhet të hapemi ndaj vlerave, ndaj të rinjve, ndaj zonjave dhe zonjushave.
Ne duhet t’i paraqesim shqiptarëve vizionin më të mirë. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
U deklaroj këtu nga kjo sallë, organizatave kriminale të Elbasanit, të Durrësit, të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, se vend mbi tokë nuk do të keni përveç burgut. Jo.
Keni, keni dëmtuar rëndë qytetarët, qytetet, Shqipërinë.
Jeni rreshtuar në mashë të një regjimi çnjerëzor. Ndaj dhe ne do jemi dhe do bëjmë gjithçka për sigurinë tuaj. Imagjinoni ju sot shefja, kryetarja e shërbimit informativ kombëtar, drejtori i përgjithshëm i policisë, drejtori i policisë, i laboratorit të policisë, e të tjerë të gjithë në një dosje me Edi Ramën.
Edhe një gjë do t’ju them.
Nuk janë asgjë ato mesazhe që shihni që tregojnë se çfarë llumi janë. Çfarë janë mesazhet e Edi Ramës në këto grupe? Kur i kërkoi dorëheqjen Lubi Ballukut në një seancë pesë orëshe në kryeministri në prani të Engjëll Agaçit dhe të ministrit të drejtësisë, ai thoshte jo, s’kam pse të jap dorëheqjen. Në fund i thotë ky, po ato mesazhet thotë, mesazhet thotë, ato janë lule, siç janë mesazhet tua aty thotë. Edhe ky u tërhoq menjëherë.
Ky u tërhoq menjëherë.
Këta njerëz vërtet kanë vjedhur dhjetëra qindra milionë, por absolutisht që të gjitha aktet e tyre i kanë kryer me urdhër të Edi Ramës. Ndaj dhe gjërat kanë dalë. Është mençuria më e madhe e njeriut të ndahet nga e keqja. Nuk ka mençuri më të madhe se kjo.
Se e keqja mund të vijë edhe kur s’e don, edhe kur lufton kundër saj. Po një gjë është, vendimtar dhe përcaktuese për fatin tënd, vendimi yt për t’u ndarë nga e keqja. Dhe ne duhet të ndahemi nga kjo e keqe e madhe, duhet të ndahemi sa më shpejt.
Demokratët duhet të jenë sot dhe do të jenë në krye të përpjekjes shqiptare për të ardhmen e vendit, për largimin e këtij regjimi.
Prej 120 ditësh qytetarët dhe të rinjtë shqiptarë zvarrisin Edi Ramën në rrugët e Tiranës, njëlloj siç zvarritej dikur statuja e Enver Hoxhës. Tani u përket mbarë shqiptarëve, demokratëve, të ngrihen për të përmbushur këtë mision të madh, për të ripërtërirë Shqipërinë, për t’i rikthyer Elbasanit dhe Shqipërisë të ardhmen që meriton.
Nuk kanë asnjë interes qytetarët për të shtënë Shqipërinë të tërën në dorë në reformën territoriale, në vend se të korrigjohen gabimet shumë të mëdha që u bënë, po
thellohen më tej duke hequr edhe 15 bashki të tjera, në qarkun e Elbasanit 3 bashki të cilat janë absolutisht funksionale, të suksesshme në interes të qytetarëve.
Pra, nuk kanë interes tjetër, përveç pushtetit të tyre.
Ne kemi një projekt.
Projekti ynë është publik. Ne jo që nuk heqim bashki, por ne shtojmë të paktën edhe 40 bashki, dhe këtu në qarkun e Elbasanit dhe në çdo qark të Shqipërisë, në mënyrë që qytetarët të jenë sa më afër pushtetit.
Duke përfunduar, u bëj thirrje ju, u bëj thirrje qytetarëve të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, të vendosur dhe me guxim t’i japim përgjigjen përfundimtare këtij regjimi që s’meriton të qëndrojë në pushtet asnjë ditë.
Asgjë, asgjë s’do të ndalojë dot opozitën shqiptare, Partinë Demokratike, pa përmbysur këtë diktaturë që bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Rrofshi ju, rroftë Elbasani, rroftë Shqipëria!


