KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediat, ka renditur arsyet se pse, rritja ekonomike e vendit, në fakt nuk pasqyron aspak gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Gjatë konferencës, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha deklaroi se, “në agjencitë shtetërore, 90 përqind e prokurimeve fitohen nga 2-3 kompani. Shqetësimi ynë i dytë shumë i madh është gjendja e biznesit në Shqipëri, në të cilën dora e zezë e qeverisë ndërhyn në mënyrë të egër’.
Gjatë analizës së tij në konferencë me gazetarët, kryedemokrati Berisha u shpreh se, Edi Rama dhe qeveria e tij do të shpenzojnë 430 milionë euro për investitorët strategjikë, ndërsa qytetarët shqiptar fitojnë vetëm 4 euro për turist.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me zhvillimet e ditës së martë, kur është thirrur protesta tek Parlamenti, lideri i opozitës Sali Berisha, tha se do të ketë mobilitet dhe se qëllimi i opozitës është miratimi i minimumit jetik prej 200 eurosh.
Në lidhje me takimet e drejtuesve të PD, me diasporën, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se, këto do takime do të mobilizojnë shqiptarët kudo që janë në mbështetje të Partisë Demokratike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar edhe ekzekutimin e gjobës ndaj shtetit shqiptar, që e përfiton Francesko Beketi. Berisha tha se, për këtë gjobë ‘do të konfiskohen sarajet e Surrelit dhe pasuritë e tjera të Ramës për të kompensuar sadopak këtë humbje’, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
Mirëdita.
Një përshëndetje për gazetarët e pranishëm.
Përshëndetje për qytetarët që ndjekin këtë takim me mediat.
Sot jam para jush për të shprehur shqetësimin tim më të thellë për gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare.
Së pari, shpreh shqetësim dhe hidhërimin tim sepse në Shqipëri si rrallë, shumë rrallë në ndonjë vend tjetër të planetit, në vendet e diktaturave më të egra, rritja ekonomike e vendit nuk pasqyron rritjen apo përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.
Është tejet e hidhur se dyfishimi i prodhimit të përgjithshëm të vendit në 11 vite, i të ardhurave në buxhet në 11 vite nuk ka gjetur asnjë pasqyrim në ekonominë dhe buxhetin familjar të rreth gjysmës së shqiptarëve.
Përkundrazi, në prani të kësaj rritje, e cila theksoj dhe njëherë, shënon rreth dyfishimin e prodhimit të brendshëm dhe të buxhetit në 11 vite, 800 mijë pensionistë shqiptarë nuk kanë gëzuar asnjë rritje të pensionit të tyre.
Ajo çfarë iu është dhënë pensionistëve si indeksim, e vërteta ka indeksuar as 50 përqind të asaj që duhej të indeksonte.
Ndaj dhe sot, me pensionin aktual, çdo pensionist pas këtij indeksimi, blen 30-40 përqind më pak ushqime se sa blintenë vitin 2013 apo 2014.
Kjo rritje ekonomike dhe ky dyfishim buxheti nuk ka pasur kurrë pasqyrimin e duhur as në rritjen e rrogave minimale dhe mesatare.
Rrogat minimale dhe mesatare mbeten më të ulëtat në rajon, ndërkohë që në vitin 2013 këto ishin rrogat më të larta në rajon.
Ato që kanë pësuar rritje stratosferike dhe janë më të lartat në rajon, janë rrogat më të larta.
Pra, rritja ekonomike nuk ka një pasqyrim.
Rritja ekonomike nuk ka asnjë pasqyrim në jetën e 66 mijë familjeve në ndihmë ekonomike.
Ajo mbetet krejtësisht e huaj, pothuaj inekzistente për 40 përqind të popullatës në fshat, e cila merr si subvencion në buxhetin më të madh në histori prej 8.2 miliardë eurosh, gjithsej 40 milionë euro.
Rritja ekonomike nuk është pasqyruar në detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve të vet, ish-të përndjekurve politikë dhe pronarëve legjitimë të konfiskuar nga regjimi komunist.
Rëndom mund të shtrohet pyetja: çfarë ndodhi, si ka mundësi që prodhimi i brendshëm bruto dyfishohet, kurse varfëria rritet nga 13 në 43 përqind.
Si ka mundësi që buxheti dyfishohet, kurse mjerimi, varfëria ekstreme, rritet nga 1.04 në 3.4 përqind?
Si ka mundësi që të mashtrohen 800 mijë pensionistë me indeksimin dhe të mos indeksohet as gjysma e rritjes së çmimeve?
Çfarë ndodh me të ardhurat e krijuara nga rritja ekonomike?
Kemi të bëjmë me një shpërndarje që shkon përmes grabitjes në masën 90 përqind në kontot bankare dhe investimet e Edi Ramës, zyrtarëve dhe qeveritarëve të tij vendorë dhe qëndrorë.
Kemi të bëjmë me dhurata që Edi Rama u bën narkotrafikantëve, investitorëve strategjikë dhe ministrave të tij investitorë strategjikë.
Rikujtoj qytetarët shqiptarë se kjo kategori e investitorëve strategjikë përfiton nga shteti rreth 430 milionë euro.
Ndërkohë është 8 vite pa taksa.
Ndërkohë nga çdo turist që vjen në këto resorte, qytetari shqiptar merr gjithsej 4 euro.
Të shpenzosh 430 milionë euro për resortet e investitorëve strategjikë, pasi u ke dhuruar atyre 6 milionë metër katrorë tokë në troje turistike, do të thotë të shfrytëzosh me egërsi qytetarët shqiptarë dhe të krijosh parajsën për një grup qeveritarësh dhe delinkuentësh që nuk ngopen kurrë.
Ekonomia rritet, buxheti dyfishohet, por në spitalet tona mungojnë ilaçet më jetike për të sëmurët.
Tragjike është se për shkak të vjedhjes së fondeve të ilaçeve, Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoria e QSUT janë shpallur me të drejtë si Bursa e Vdekjes.
Prodhimi i brendshëm bruto dyfishohet, por cilësia e arsimit dhe investimi për arsimin bie në mënyrë katastrofale.
E gjitha kjo sepse vidhet.
Ndaj dhe Shqipëria rrokulliset në treguesin e cilësisë në PISA me 68 pikë.
Mekanizmat e krijuara nga qeveria për të vjedhur buxhetin janë të lemerishme.
Ato konsistojnë në vjedhjen 100 përqind të fondeve të caktuara për punë publike, siç është rasti i djegësave.
Janë investuar nga taksat e shqiptarëve 200 milionë euro në 3 djegësa. Asnjë prej tyre nuk punon. I Tiranës nuk është ndërtuar fare, i Fierit nuk u vu në përdorim, kurse i Elbasanit ka funksionuar gjithsej 2 javë.
Vjedhja e fondeve publike nga qeveritarët është e pakufishme, rikujtoj se vetëm me Unazën e Tiranës, projektin e megakorrupsionit Rama-Balluku, 13 km të saj janë ndarë në 14 kontrata, në mënyrë që të gjobiten 14 kompani dhe të vidhen.
Këto janë pra shqetësimi ynë i madh për ekonominë dhe gjendjen e saj, nga e cila nuk përfitojnë qytetarët shqiptarë, por varfërohen.
Shqetësimi ynë i dytë shumë i madh është gjendja e biznesit në Shqipëri, në të cilën dora e zezë e qeverisë ndërhyn në mënyrë të egër.
Shqipëria është i vetmi vend në planet në të cilin gjatë 11 vite, sistemi ligjor tatimor ka pësuar 60 ndryshime, gjë që hedh në erë çdo siguri juridike për investitorët në Shqipëri.
Shtojmë këtu faktin se një çështje civile, për t’u gjykuar në gjykatat e reformës së Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës, kërkon 14 vite.
Bëjnë që investitorët e huaj të kthejnë kokën dhe të mos pranojnë të investojnë të ardhurat e tyre në Shqipëri.
Goditja në zemër e konkurrencës nga klientelizmi i qeverisë është një faktor madhor që e mbyt ekonominë shqiptarë dhe e bën aët të varur kryekëput nga narkoekonomia.
Rritja ekonomike është narkorritje.
U detyrohet kullave, të cilat janë 4 miliardë gjer tani, investime të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit.
Në agjencitë shtetërore, 90 përqind e prokurimeve fitohen nga 2-3 kompani. Kampion për këtë është kryekorrupturja dixhitale AKSHI, apo siç e quajnë ndryshe kopshti prapa shtëpie i Edi Ramës, ku kunati i Lindës dhe baxhanaku i Ramës bëjnë kërdinë me tendera, vetë apo me kompani të tjera të lidhura.
Në këtë agjenci ka arritur që gjer në 80 përqind të tenderave t’i marrë një kompani.
4-5 janë kompani që marrin tenderat e Lubi Ballukut.
PD zotohet për zbatimin me rreptësi të ligjeve të konkurrencës dhe garanton garë të ndershme
për bizneset shqiptare.
Ajo zotohet të hapë ekonomike mbi bazën e rregullave të forta, ligjeve të zbatuara për biznesin ndërkombëtar.
Zotohet pra të garantojë lirinë ekonomike, vizioni ynë është gara e ndershme, është shteti ligjor.
Po vizioni ynë janë taksat e ulëta.
Edhe njëherë, ne garantojmë biznesin se përgjysmimi i taksave mbetet shtyllë kryesore e programit tonë.
Roli i qeverisë do jetë i kufizuar dhe vetëm i kufizuar në mënyrë që sipërmarrësit të gëzojnë lirinë që meritojnë për suksesin e bizneseve të tyre.
Një nxitje të veçantë do ketë inovacioni, sipërmarrja, start-upet, kreditë e buta për të rinjtë, pra qeveria do bëjë gjithçka të favorizojë dhe mbështesë biznesin.
Një fond i fuqishëm do garantojë eksportet e shqiptarëve.
Vetëm një ekonomi që eksporton është një ekonomi që bazohet mbi prodhimin.
Shqipëria është një nga vendet me pasuritë më të mëdha, me një potencial të madh eksporti, por edhe prodhimi të brendshëm industrial.
Ndaj dhe ne në programin tonë, duke përcaktuar si shtyllë kryesore të këtij programi ekonominë, zotohemi që në një periudhë të shpejtë, së pari të shndërrojmë rritjen ekonomike në mirëqenie, përmirësim të buxhetit të qytetarëve shqiptarë dhe së dyti, me një klimë miqësore ndaj biznesit të nxisim gjithnjë e më shumë suksesin, të mbështesim suksesin e tij.
PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:
Mola Luku, Ora News: Z. Berisha, teksa na ndajnë vetëm disa ditë nga protesta që ju keni paralajmëruar ditën që në parlament do të votohet dhe buxheti për vitin 2025. A mund të na jepni disa detaje se si do të pozicionohen në fakt deputetët e opozitës, brenda parlamentit apo do t’i bashkohen protestuesve jashtë saj?
Sali Berisha: Do të ketë mobilitet, brenda dhe jashtë parlamentit. Qëllimi ynë është të miratohet amendamenti që vendos minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar që merr më pak se kaq, apo që nuk merr asgjë.
Pra ky është një hap i parë i një rëndësie jetike për të shuar, ulërimin e sirenave të mjerimit dhe varfërisë anë e kënd vendit. Natyrisht këto sirena ulërinë më shumë se kudo tjetër, tek pensionistët shqiptarë.
Elda Menga, TCH: Ju, në fjalimin tuaj që sapo mbajtët denoncuat qeverinë, segmente të caktuara, ministri për korrupsion, për abuzime. Po ashtu, pati një protestë pak më herët kundër kryetarit të Bashkisë Tiranë, e ndërkohë në Komisionin e Ligjeve, kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi denoncoi kryebashkiakun e Tropojës për tendera korruptivë. Po ndërkohë që, ju denonconi kryebashkiakët e majtë për korrupsion, këshilltarë të djathtë votojnë për rritjen e pagave të tyre. A keni një koment për këta këshilltarë dhe a do të ketë masa ndaj tyre?
Sali Berisha: A mund të jepni ndonjë rast.
Elda Menga, TCH: Këshilltarët e Fierit kanë votuar për rritjen e pagave të tyre dhe të kryebashkiakut Subashi.
Sali Berisha: Ata që kanë votuar për rritjen e rrogës së Subashit, ata kanë bërë një gabim të rëndë dhe kanë votuar në kundërshtim me programin e PD. PD e ka shpallur të qartë se, nuk rrit rrogat e larta. Ndaj dhe kanë vepruar në kundërshtim me direktivën e partisë.
Elda Menga, TCH: Z. Berisha në prag të zgjedhjeve elektorale duket se po lindin shumë parti të reja, levizje të cilat kanë paralajmëruar dhe bashkim të tyre. Ndërkohë sot, ish-aleati juaj mund të themi, Dashamir Shehi, ka folur për një pol të tretë në prag të këtyre zgjedhjeve. A mendon se ky krijim i partive, ose ky bashkim i forcave mund të dëmtojë PD në këto zgjedhje dhe a i druheni, apo t’i marrin votat e djathta?
Sali Berisha: Ne jemi të hapur për koalicion dhe bashkëpunim me çdo force politike që konsideron narkodiktarutën e Edi Ramës, të keqen më të madhe të këtij vendi.
Çdo forcë politike ka të drejtën e vet të përzgjedhë aleancat. Natyrisht këto krijimet para zgjedhjeve kanë një qëllim padyshim, por PD është forcë kryesore opozitare dhe besoj se shqiptarët do të dallojnë midis opozitës së të vërtetës dhe atyre të tjerëve që në një mënyrë apo një tjetër, përpiqet ti bëjnë fresk Edi Ramës.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Në fillim të kësaj jave ju i bëtë thirrje qytetarëve që të ndjekin rrjetet sociale, por edhe përfaqësuesve të opozitës që të jenë më aktivë në rrjetet sociale. Ju si ndjekës i mirë i rrjeteve sociale, a e kanë respektuar porosinë tuaj përfaqësuesit e opozitës dhe pse i adresoheni në drejtim të këtyre kanaleve të komunikimit?
Sali Berisha: Mendoj se anëtarët e opozitës duhet të jenë minimumi, dy herë më aktivë seç janë në rrjetet sociale. Çdo anëtar i opozitës që beson dhe aspiron fitoren e opozitës, duhet të fillojë ditën e punës, të mendojë për shprehjet e tij, të mendimeve, për publikimin e statusve të tjerëve që i pëlqejnë në rrjetet e veta sociale.
Nuk besoj se anëtarët e opozitës janë në nivelin ku duhet të jenë, por kanë çdo mundësi dhe, gjykoj unë, detyrim që të aktivizohen shumë më tepër në rrjetet sociale se sot.
Anisa Kadesha, RTSH: Më datë 19 që ju mbani edhe protestën, Gjykata Kushtetuese do të vendosë edhe për çështjen tuaj. Cila është pritshmëria që keni nga gjykimi i i Gjykatës Kushtetuese?
Sali Berisha: Procesi ndaj Sali Berishës është procesi më i turpshëm në historinë e këtij vendi.
Është një proces politik i ndërmarrë në kuadrin e grushtit të shtetit të mafies shqiptaro-amerikane të Xhorxh Sorosit kundër opozitës shqiptare.
Është një proces që nxori në pah të gjithë shëmtinë e atyre që organizuan puçin kundër opozitës shqiptare dhe demokracisë shqiptare për t’i dhënë të gjitha pushtetet Edi Ramës.
Procesi politik, por jo vetëm, por edhe procesi ndaj Salianjit, Belerit, Metës, Malltezit, Mediut, etj, janë procese të një narkodiktatori, i cili i zhytur gjer në veshë në krime të rënda, me firmën dhe vulën e tij, përpiqet të bëjë çdo gjë për të grabitur mandatin e katërt.
Nuk mund të them se çfarë qëndrimi do mbajnë, por ky është qëndrimi ynë.
Është një proces në kuadër të grushtit të shtetit që u organizua kundër opozitës konservatore në Shqipëri dhe Sali Berishës.
Kjo është e vërteta dhe unë vazhdoj betejën time i palëkundur kundër kësaj diktature, duke garantuar qytetarët shqiptarë se kjo diktaturë të ardhme nuk ka dhe se kauza jonë e drejtë do triumfojë.
Mafia ndërkombëtare më e rrezikshme e kohërave, me në krye Xhorxh Sorosin, mori një goditje ndër më të fuqishmet në kokë me datën 5 nëntor nga qytetarët amerikanë, të cilët me votën e tyre firmosën mrekullinë amerikanë dhe jo vetëm.
Kështu që është një betejë e gjerë, është një betejë jo e lehtë, por natyrisht shqiptarët nuk do kenë më çdo dy javë mysafir të paftuar për shumicën e tyre, kryemafiozin Aleksis Soros, i cili në udhëtimet e tij enigmatike, nuk ka njeri që mund të thotë se pse vinte çdo dy javë dhe çfarë transportonte ai, por edhe këto po shkojnë drejt fundit.
E garantoj Aleksis Soros se në aktet e para, fondacioni i tij do mbyllet njëherë e përgjithmonë në Shqipëri dhe ai do shpallet non-grata.
Kurse Edi Ramën, edhe njëherë e theksoj, e pret McGonigali.
Mos harroni se në procesin gjyqësor të Uashingtonit është dënuar vetëm gjysma e krimit. Gjysma tjetër e krimit qëndron në ndërtesën e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe ky është Edi Rama.
Anisa Kadesha, RTSH: Në një studio televizive ju thatë se, kryeministri ka kërkuar azil politik në një vend europian. Nga e keni ju këtë informacion dhe për çfarë vendi bëhet fjalë?
Sali Berisha: Nuk kam thënë vend evropian, janë informacione që duhen verifikuar dhe shqyrtuar, por të dhënat janë se ai ka parashikuar një ekzil diku sepse e di që do jetë ‘ëanted’ jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe drejtësia e vendeve të tjera.
Nuk e kam specifikuar vendin. Se mund të shkojë edhe te Lukashenko, se i lidh Alabari me Lukashenkon.
Po drekonte dje a pardje me të në Baku.
Mola Luku, OraNews: Z. Berisha, ju në datën 17 keni lajmëruar një takim me emigrantët shqiptarë në Angli, ndërkohë që keni emëruar edhe znj.Jozefina Topalli si drejtuese politike për diasporën. A do të jetë znj.Topalli e pranishme në këtë takim, apo do ta bëni ju vetë personalisht, kështu siç bëni edhe konferencat me ne?
Sali Berisha: Në këtë takim do të jenë të pranishëm, anëtarja e kryesisë së PD, zëdhënësja e kësaj partie, zonja Floriana Garo, do të jetë i pranishëm drejtori i drejtorisë së Komunikimit, Alfred Lela dhe unë do të ju drejtohem nga zyra ime dhe do ti përshëndes.
Zonja Topalli është në një udhëtim tjetër, të parashikuar përpara, kështu që ajo do të vazhdojë axhendën e vet, edhe ajo shumë axhendë e rëndësishme në përpjekjen tonë për të mobilizuar sa më shumë diasporën në mbështetje të PD-së për zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë takim do të jetë edhe Besart Xhaferri, kryetar i FRPD. Do të ketë një organizim për takimet, sepse një njeri nuk i përballon dot, çfarëdo që të bëjë. Ndaj dhe për ne është një rëndësi e veçantë, takimet me diasporën janë shumë të rëndësishme.
***
Doja ta përmbyllja duke u ndalur në dy momente të tjera, në momentin për të cilin shqiptarët duhet të informohen, se nga buxheti i tyre, biznesmeni italian Beketi arriti të marrë, bazuar në vendimin e gjykatës ndërkombëtare, 120 milionë euro, krim i shëmtuar direkt i Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Të dashur qytetarë, 120 milionë euro përbëjnë katërfishin e shumës së parashikuar për indeksimin e pensioneve këtë vit, apo përbjnë tetëfishin e shumës së parashikuar për indeksimin e pensioneve vitin e ardhshëm.
Me këtë shumë, pensionet do mund të rriteshin përafërsisht 15-16 përqind.
Dhe kjo shumë që i merret buxhetit të Shqipërisë është kryekëput krim i Edi Ramës, io cili njëlloj si biri i të atit, xhelat i fjalës së lirë, i vuri drynin televizionit Agon Channel, sepse nuk sillej si Top Channel po tre televizionet e tjera shtetërore, por sepse zbatonte rregullat e informimit të qytetarëve shqiptarë.
Në një akt urrejtje ndaj fjalës së lirë, së bashku me Erion Veliajn, mbyllën televizionin dhe i bëjnë të mundur biznesmenit të rikuperojë në gjykatë ndërkombëtare dëmin që i shkaktuan.
Por atë dëm nuk e paguan me sarajet e Surrelit Edi Rama.
Nuk e paguan me 8300 metra oborr të këtyre sarajeve.
Nuk e paguan, siç thotë OSBE, as me 200 milionë euro të fshehura që në vitin 2014 në kontot offshore.
Nuk e paguan as Erion Veliaj me pasuritë e krijuara për veten, vëllain, bashkëshorten e me radhë.
E paguajnë qytetarët shqiptarët dhe ky është ndëshkim 100 përqind i pamerituar.
Garantoj qytetarët se një proces gjyqësor do hapet për këtë çështje, të cilën mercenar Dumani thotë nuk mund ta gjykoj dhe sarajet e Surrelit, kopshti i tyre dhe çdo pronë e këtyre hajdutëve, do konfiskohet për të kompensuar sadopak këtë humbje të buxhetit të shqiptarëve.
Së dyti, me vendosjen e përfaqësuesve të mafies në të gjithë drejtoritë e qarqeve, vrasjet, tritoli janë bërë rregull i përnatshëm.
Unë dënoj vrasjen e biznesmenit Reçi, ish-punonjës i përgjegjshëm, oficer i përgjegjshëm i Shërbimit Informativ, për të cilin nuk figuron asnjë lloj implikimi, asnjë lloj problematike.
Një vrasje mafioze e shtetit mafioz, dhe që si çdo vrasje tjetër, mbetet pa autor dhe pa u zbuluar.
Ju falënderoj shumë për interesin që treguat.
Faleminderit!