Berisha: Sharra është minierë floriri e Ramës dhe Veliajt, bashkë kanë vjedhur 54 mln euro. SKAP-i i partisë është mbuluar nga plehrat e qeverisë.

Afera e djegësve është një aferë super mafioze e grupit të strukturuar të udhëhequr direkt nga Edi Rama. Një hetim i hollësishëm, serioz, i dokumentuar, i publikuar dje nga Partia e Lirisë dëshmon në mënyrë përfundimtare denoncimin që kemi bërë me dhjetëra herë dy vitet e fundit.

Edi Rama është kreu i organizatës kriminale, dhe se në rastin konkret fusha e plehrave në Sharrë është shndërruar në minierën e floririt për Edi Ramën dhe Erion Veliajn.

Dje u faktua se Edi Rama për sipërmarrjen e tij prej së cilës pret prej saj çdo ditë euro, ka mashtruar publikisht dhe nën betim. Që Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve që po përvetësojnë qindra-milionë euro, kjo faktohet në mënyrën më të pakundërshtueshme. Me firmën e tij për kontratën e djegësave, kontratë e cila është negociuar, është firumosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vednit, me praktikat e prokurorimeve. Edi Rama ka firmosur një kontratë në shkelje të çdo parimi, vetëm e vetëm se ajo është sipërmarrja e tij. Vetëm e vetëm se ai zgjodhi plehrat për t’u bërë milioner dhe më shumë se milioner. Ai zgjodhi plehrat për të kryesuar mafien.

Ai firmosi pasi Autoriteti Kombëtar i Prokurimeve në mënyrë të përsëritur i dërgoi shkresën pas së cilës kjo praktikë është anti-ligjore. Edi Rama siç e dini ju, ka firmosur për t’i dhënë bonus kompanisë së tij të trajtimit të plehrave në Sharrë, për t’i dhënë bonus 8%, në dhjetor të 2016-tës, në një kohë kjo kur kjo kompani nuk ekzistonte në asnjë rregjistër, në asnjë dokument të këtij shteti, dhe ai kishte në tavolinën e zyrës shkresën e firmosur nga ministrja për parlamentin, Ermonela Felaj, ku njoftohej se kompania për të cilën kërkohej mendimi që të merrte bonusin 8%, nuk ekziston.

Kjo nuk e pengoi Edi Ramën, sepse ai kishte ndërmend ta krijonte kompaninë. E vërteta është se kompania u krijua tetë muaj më vonë. Kompania e Edi Ramës dhe Erion Veliajt ka një kontratë për fushën e Sharrës. Në atë kontratë shkruhet se për cdo ton plehra të depozituar nga qarku i Tiranës në fushën e Sharrës bashkitë do të paguajnë 11 euro në rast se ato nuk digjen, por seleksionohen, dekompozohen, apo ndiqen praktika të tjera. Dhe do të paguajnë 29 euro në rast se ato digjen, prej 6 vitesh.

Ndërkohë, në fushën e Sharrës nuk është djegur asnjë kilogram pleh-mbetje. Bashkitë e qarkut të Tiranës, qytetarë të qarkut të Tiranës paguajnë për çdo ton, jo 11, por 29 euro. Kjo do të thotë se 16 apo 17 euro përfundojnë në kontot bankare të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Ja se si Sharra është minierë floriri e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Hetimi, investigimi i publikuar dje, faktonte në mënyrën më të pakundërshtueshme se plehrat, mbetjet, jo vetëm nuk seleksionoheshin sipas natyrës së tyre, por groposen siç janë groposur 20 vite më parë, pa asnjë veçim, pa asnjë seleksionim, pa asnjë djegie. Pra, në qoftë se kostoja për seleksionimin për të cilin zotohet dhe betohet në parlament Edi Rama se po ndodh, se atje po bëhet diçka lege artis, se konto e tij bankare fryhet e fryhet vetëm me këtë mekanizëm Rama e Veliaj kanë vjedhur 54 milionë euro.

Pra, të gjitha plehrat të cilët qytetarët i veçojnë në kosha, bashkohen dhe groposen si 20 vite më parë. Ky është një mashtrim, një vjedhje e paimagjinueshme.

SKAP-i i partisë është mbuluar nga plehrat e qeverisë, nga djegësat e qeverisë.

Faktet e paraqitura dje, provonin katërcipërisht se Edi Rama ka mashtruar në çdo fjalë.

E vërteta është se çdo i ashtuquajtur OPGJ, apo BKH, apo SKAP-ist, mjafton të merrte një automjet dhe të shkonte në Sharrë të konstatonte se si Edi Rama dhe Erion Veliaj presin çdo ditë para dhe euro për kontot e tyre. Se si vjedhin ditën dhe natën në fushën e plehrave. Se si qytetarët paguajnë për ta, jo 11 euro siç thotë kontrata, por me taksat e tyre paguajnë 29 euro, siç do Edi Rama dhe Erion Veliaj për kontot e tyre.

Nuk është një krim i shëmtuar, kjo një vjedhje monstruoze. Kjo kërkon një përgjigje dhe këtë përgjigje mund ta japin vetëm qytetarët, kur bëhet gjithçka për të mbuluar këtë krim të shëmtuar, këtë vjedhje të madhe. Kur ai që quhet SKAP-i është shndërruar në SKAP vetëm kundër opozitës. Kur atë e mbulojnë plehrat e aferës së djegësave.

Qytetarë dhe qytetare, shpresa e vetme jeni ju, revolucioni është zëri juaj, është fuqia juaj.

Kjo qeveri po bllokon çdo mekanizëm të hetimit të saj dhe ka hapur dyert për vjedhjen tuaj ditën e natën, dhe në mënyrë të pandërprerë.

Ju bëj thirrje të ngrihemi fuqishëm kundër kësaj organizate kriminale që nuk ndalet para asgjëje, që mbulohet nga ajo drejtësi, e cila është shndërruar e tëra në një bashkëpunëtore të rrezikshme në vjedhje e krim të qeverisë shqiptare.

Unë kam besim të madh se ftesës së opozitës, qytetarët do i përgjigjen me vendosmërinë më të madhe.

Shqipëria na fton t’i dalim zot! Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale