Berisha sfidon Ramën: Hajde ngremë komision hetimor për pasurinë time dhe tënden. A mund t’u thuash ti qytetarëve, si t’u 16-fishuan ty pasuritë në 10 vite kryeministër?

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar asamblenë e socialistëve të udhëhequr nga Edi Rama. Në fjalën gjatë protestës maratonë të mbështetësve të tij në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha theksoi se ‘është e disata herë që kupola e krimit të qeverisë mblidhet, dhe për të fjala qytetar nuk ekziston, sepse nuk ekzistojnë qytetarët’.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha u ndalu edhe te qeverisja e tij në vitet 2005-2013, duke vlerësuar se prokurimet publike gjatë kohës së tij, kanë transformuar Shqipërinë.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka sfiduar kryeministrin Edi Rama në lidhje me pasuritë e tyre personale. ‘A mund t’u thuash ti qytetarëve, si t’u 16-fishuan ty pasuritë në 10 vite kryeministër?’, u shpreh Berisha gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’.

Kryedemokrati, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ishte ai që i mohoi opozitës të drejtën e komisioneve në parlament. ‘Ne nuk jemi nuk do të jemi partia e bojkotit, ne jemi partia e alternativës’, u shpreh Berisha.

FJALA E PLOTË:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të zjarrta dhe mirënjohje të pakufishme për ju qëndrestarë, misionarë të të vërtetave të mëdha të individit, shoqërisë dhe kombit shqiptar.

Përshëndetje oratorëve që çdo natë me fjalët e tyre këtu në parlamentin e lirisë ndriçojnë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.

Miqtë e mi!

Sot ishte një ditë në të cilën kupola e krimit doli e zhveshur me të gjithë shëmtinë e saj para shqiptarëve. Kjo është e treta apo e katërta herë që ajo që quhet asamble, por që në të vërtetë nuk është gjë tjetër veç se kupolë e mafias më të rrezikshme shtetërore të kontinentit, u mblodh sot.

Dhe për shqiptarët, problemet, rrogat, pensionet e tyre, shkollat e tyre, shërbimin e tyre shëndetësor, transportin e tyre, ilaçet e tyre, nuk u tha një fjalë e vetme.

Është e disata herë që kupola e krimit mblidhet dhe për të, fjala qytetarë nuk ekziston sepse nuk ekzistojnë qytetarët.

Sot kupola doli me të gjithë shëmtinë e saj para publikut tek dëgjonte kreun e organizatës kriminale në qeveri, i cili nga rreshti i parë tek i fundit, mashtroi, trilloi, gënjeu në çdo fjalë dhe fjali.

Edi Rama sot në fjalën e tij si njeriu që për primitivizëm, apo një defekt të tmerrshëm psiçik nuk mund ti njohë vetes kurrë qoftë dhe përgjegjësinë më të vogël.

Fajësoi opozitën për qëndrimin e saj stoik dhe qëndrimin e saj në mbrojtje të parlamentit dhe parlamentarizmit.

Të dashur miq!

Ai që ai e quajti çmenduri ishte beteja më epike për mbrojtjen e kushtetutës, parlamentit dhe pluralizmit parlamentar.

Nuk ishte opozita ajo që kërkonte bllokimin, ishte Edi Rama ai që u mohoi deputetëve të opozitës të drejtën e komisioneve.

Ishte Edi Rama ai që u mohoi deputetëve të opozitës të drejtën ligjvënëse.

Ishte Edi Rama ai që u mohoi të drejtën e opozitës për të pasur në krye njerëzit që donin në parlament.

Të dashur miq!

Ju dhe unë keni dëgjuar komente të shumta, por ju garantoj se komenti dhe interpretimi i vetëm është ky: Opozita nuk bojkotoi parlamentin dhe gjatë këtyre muajve i kam thënë vetes me dhjetëra herë që ai nen i statutit që nuk lejon PD-në të bojkotojë siç bëri në vitet e kaluara, ai është neni i artë i statutit të kësaj partie.

Deputetët, përfaqësuesit tuaj nuk ndoqën rrugën e vjetër, por çelën një rrugë të re fitimtare.

Qëndruan me stoicizëm, me mosbindje civile, e shndërruan çështjen tuaj të drejtë në çështje ndërkombëtarë dhe parlamenti do të filloi normalisht punën e tij.

Ky ka qenë qëllimi ynë madhor, ku do të jetë qëllimi unë, ne nuk jemi nuk do të jemi partia e bojkotit, ne jemi partia e alternativës.

Siç thotë populli që shkon gjuha ku dhemb dhëmbi, edhe atij sot i shkoi gjuha te dhëmbi i kalbur.

Po ju rikujtoj çfarë tha sot, se natyrisht boshti i përroit të tij psikik, aksi i përroit të tij psikik është Sali Berisha, vetëm Sali Berisha.

Miq!

Sali Berisha për Edi Ramën është i gjithëfuqishmi, është fundi i tij, ndaj dhe sot u tha anëtarëve të kupolës së krimit se ata që numërojnë udhëtimet e mia me çarter dhe bërtasin për miliona euro të shpenzuara, edhe pse sot shpenzimet e mia janë më pak se ato të paraardhësit tim.

Le të ndalemi pak këtu miq!

Nëse të ka mbetur, i them atij, por absolutisht nuk i ka mbetur, qoftë edhe një nonagram guxim, kurajo, integritet hajde të krijojmë komision hetimor qytetar.

Zgjidh ti 5 deputetë të partisë tënde dhe 5 deputetë demokratë.

Zgjidh ti 5 socialistë jashtë parlamentit dhe 5 demokratë jashtë parlamentit dhe të bëjnë një hetim të plotë për çdo gjë për Edi Ramën dhe Sali Berishën.

Edi Rama ti s’mund ta pranosh kurrë këtë, ti nuk e pranon dot kurrë këtë.

Se Sali Berisha pas 53 viteve punë, me kursimet e rrogës së vet dhe bashkëshortes ka arritur të ketë 37 metër katrorë sipërfaqe banimi më shumë se ajo që ka patur në vitin 1987.

Edi Rama se bën dot ti se në vitin 2009 kishe të deklaruara në ILKP, 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Ndërkohë ndërtojë sarajet me gjatësi themelesh 57 metra, sa një pallat.

Edi Rama nuk e bën dot ti këtë sepse Sali Berisha jeton si qytetar në një apartament me 125 metër katrorë.

Kurse ti, jeton në saraje me gjatësi 57 metra, me materiale super të kushtueshme.

Jeton në saraje me një kopsht 5 mijë metra katrorë.

Se bën dot ti këtë sepse ke mashtruar se blerë me 2 dollarë metrin katrorë të tokës në një kohë kur kushtonte minimumi 20-25 dollarë me dokumente zyrtare.

Nuk e bën dot ti këtë Edi Rama, sepse edhe atë kopsht e ke plaçkitur në shkelje të ligjeve të vendit sepse nuk mund të shndërrohej në park, e as kopsht privat sepse kishte krejtësisht tjetër destinacion si tokë në atë vend.

A mundesh ti, të krijojmë një komision hetimor, edhe ndërkombëtar po deshe.

Të hetojmë pak, kur ishe kryetar bashkie për ty Tirana gumëzhinte mister 20%. Ndërtuesit rëndom e dinin se jepje lejen vetëm të një shkalle dhe duhej të të paguanin dhe për shkallën tjetër dhe të tretën me radhë.

Dhe të gjitha këtu u përmblodhën në një raport të OSBE-së që thanë se, ke 200 milionë euro në bankat ofshore, sapo u bëre kryeministër.

Hajde pra Edi Rama ti kontrollojmë të gjitha llogaritë, edhe ato ofshore edhe këto onshore, edhe ato ku i ke fshehur edhe këto në Tiranë.

Le ti lëmë ato ku i ke fshehur, po merrem vetëm me këto në Tiranë.

A mund ti thuash ti qytetarëve, si tu 16-fishuan ty pasuritë në 10 vite kryeministër. Nga të bien ty, nga qielli të bien ty këto pasuri.

Edi Rama është koha të hetohemi.

Do të vij pak te vendimet.

Ta dinë shqiptarët se në 8 vite Sali Berisha ka firmosur 7500 vendime, ligje të Këshillit të Ministrave dhe urdhra të kryeministrit.

Nxirri të gjitha një e nga një dhe i ke nxjerrë se me ato larot e tu, vite e vite nuk ke bërë gjë tjetër veç duke i kontrolluar ato.

Edi Rama me larot e tu në Skap, ke quajtur shkelje ligjin apo vendimin e rikthimit në përdorim të bonove të privatizimit, të cilat çdo qeveri, në çdo vend që i prodhon i ripërtërin përdorimin e tyre në mënyrë periodike siç bëri javën e kaluar, organizata kriminale e Edi Ramës.

Edi Rama ai vendim i vitit 2009 u mor 1 muaj pasi familja Begeja kishte paguar mbi 90% të të gjithë detyrimeve që kishte për parablerjen e objekteve i kishte paguar në lekë.

Mbetja ishte për dhëndërrin e Sali Berishës, gjithsej 64 euro letra me vlerë.

Edi Rama ti ke firmosur për ti dhënë kompanisë tënde dhe të Erion Veliajt 8 pikë, një vit para se ta regjistronit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Dhe çmimi është i tmerrshëm, qindra milionë.

Edi Rama, Sali Berisha ka firmosur me dhjetëra e qindra prokurime, por asnjë, asnjëherë pa garë të hapur, por vetëm me garë të hapur.

Ato prokurime me garë të hapur kanë transformuar Shqipërinë nga Hani i Hotit në Gjirokastër, autostrada, superstrada, Rruga e Kombit.

Ato prokurime me garë të hapur kanë bërë të mundur ndërtimin gjer tani të mbi 100 HEC-eve që prodhojnë 60% të energjisë në Shqipëri.

Që të gjitha me garë të hapur, me pjesëmarrjen e kompanive më të mëdha.

Kurse ti në errësirë, pa garë në kundërshtim me ligjin, hajdut i shpifur si ti, nuk ekziston ndonjëherë.

Edi Rama ke tmerr nga Sali Berisha, sepse kur kthen kokën mbrapa shikon se ke lënë kudo, krim, vjedhje, vjedhje, krim.

Kurse Sali Berisha, shikon autostradat, Shqipërinë në NATO, shikon TAP, projektin e shekullit, kaskadën e Devollit.

Rikujton qytetarët me rroga të dyfishuara dhe më shumë, investimet publike.

Miqtë e mi!

Sot Edi Rama para kupolës së krimit zgjodhi të sfidonte me numrin e turistëve.

Është një agjenci e vlerësimit që quhet Lonely Planet. Në mënyrë të përsëritur në vitin 2011-2012, por jo vetëm ajo, dhe shumë të tjera, vlerësuan Shqipërinë destinacionin e parë turistik.

Turizëm dhe vizitorë në vitet 2005-2013 numri i rrit nga 310 mijë në 4 milionë e 700 mijë. U rrit fiks 14 herë.

Pa na thuaj pak.

Me këtë turizëm i cili ka rrënjë tërësisht në transformimin e infrastrukturës së Shqipërisë dhe përpiqesh ta lidhësh me udhëtimet e tua.

Përpiqesh të mbrosh vjedhjet e tua me ardhjen e turistëve, turp e faqja e zezë.

Na thuaj pak.

Po si ndodh që me turizmin që shpallni 7 apo 8 milionë në tatimet e shtetit kanë hyrë gjithsej 8 milionë euro.

A e imagjinoni miqtë e mi.

I bie pra nga 3 euro për shqiptar.

Po pse, sepse ti noton me gjithçka me klanin tënd në informalitet.

A e dini ju miqtë e mi se sa janë investuar me destinacion turizmin?

Janë investuar sipas tij, por janë vjedhur, 4.2 miliardë.

Po sa janë fituar? E dëgjuat, 8 milionë euro në tatimet e shtetit.

Së fundmi thashë dhe njëherë, shkon gjuha tek dhëmbi dhe tani kërkon e thotë se me udhëtimet e tij të panumërta, të pafundme, me Ismailin e tij me të cilin e falimentoi ‘Air Albanian’, po e falimenton linjën, deklaron me papërgjegjshmëri të plotë se janë shpenzime më të ulëta se të paraardhësit tim.

Nuk ka paturpërsi më të madhe, nuk ka gënjeshtër më të turpshme.

Edi Rama hajde ti marrim çdo qindarkë shpenzimet.

Shpenzimet e Sali Berishës në 8 vite janë shumë më të vogla, shumë herë më të ulëta se shpenzimet e tua me Ismailin në 6 muaj.

Janë 22 mln euro me 142 udhëtime në 18 muaj.

Jo vetëm kaq.

Gjerësisht përflitesh se me avion tënd privat të përdorur në mënyrë më abuzive me transportuar, dhe kjo don hetim, para, dengje, baule me euro dhe narko euro, të vjedhura në tendera, prokurime, ryshfete etj.

Ke transportuar me baule diplomatike drogëra të forta.

Hajde shpëlaju para shqiptarëve për të gjitha këto.

Hajde të bëjmë hetime, ti bëjmë hetimet një për një, të dalësh, por nuk del dot ti, se ti je i kalbur ti vdes nga frika e Sali Berishës.

Ja sepse me larot e tij të organizatës kriminale skapi i partisë dhe gjykatës të korruptuar, pa dinjitet, delikuent ka urdhëruar mbajtjen në arrest shtëpie të kundërshtarit politik.

Mbajtjen në arrest shtëpie të Jamarbër Malltezit që ka marrë me të gjitha procedurat ligjore 410 metër tokë të paraardhësve të tij, të pushkatuar nga regjimi komunist.

Kurse ti Edi Rama nga kjo tokë për Bolinën tënd, me 4 vendime me firmën tënde, ke grabitur 1500 metër katror.

Ti Edi Rama me firmën tënde, u ke dhënë investitorëve, narkotrafikantëve Gjoka e kompani, jo 1 mijë, jo 100 mijë, jo 1 milionë, por 6 milionë metër katrorë tokë publike dhe private.

Flitesh gjerësisht se je të paktën 30% pronar.

Hajde pra njëherë, hajde dhe shtrohemi, mos përdor laro Dumanër dhe surretër të tjerë, mos përdor Gjoka e kompani, dil në shesh të burrave, dil në dritën e diellit të të shohin se çfarë kalbësire je.

Miqtë e mi!

Kjo betejë nuk ndalet gjer në krijimin e qeverisë teknike, gjer në fitoren e Partisë Demokratike.

Çdo ditë që kalon, fitorja bëhet më e afërt, çdo ditë që kalon tmerri i Edi Ramës bëhet më i madh.

Edi Rama nuk ka të ardhme.

Fitore, fitore, fitore.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale