Berisha: Rusmali, kriminel elektoral i shkarkuar për korrupsion. Hetim parlamentar për aferën McGonigal, Rama nuk shpëton dot!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN E PËRJAVSHME ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Në konferencën e përjavshme me gazetarët të mbajtur ditën e sotme në selinë blu, Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij ka denoncuar manipulimet zgjedhore në Elbasan. Berisha tha se, zgjedhjet në qytetin e Elbasanit u manipuluan nëpërmjet operatorëve në qendrat e votimit të cilët dukshëm kanë shkelur ligjin, dhe kjo dëshmohet nëpërmjet videove në masën mbi 70% të qendrave të cilat e kanë kryer këtë akt.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka zbardhur gjithashtu skemën e ndikimit të Shullazit në burg për të ndikuar për Erion Veliajn. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se manipulimet e tmerrshme që u bënë në burgjet e Shqipërisë, mbi 600 të burgosurve në burgun 313 iu janë bërë format më të tmerrshme të presionit nga grupi i Shullazit për të votuar Veliajn.

“Dua t’u informoj se përveç komisionit për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, ne do riformulojmë dhe dorëzojmë në Parlament, komisionin për hetimin e veprimtarisë së McGonigal në Shqipëri”, tha Berisha gjatë fjalës e tij.

Lideri i opozitës e ka konsideruar drejtuesin e Ramës në KAS si kriminel elektoral që po hakmerret duke legjitimuar manipulimin e zgjedhjeve të 14 majit, si hakmarrje personale për shkarkimin e tij për korrupsion nga qeverisja e PD.

I pyetur nga gazetarët se nëse do ulet të diskutojë me grupin tjetër për situatën e PD, Kryetari i PD, Sali Berisha u përgjigj se, ai është i hapur për çdo lloj diskutimi me deputetët e PD, duke përjashtuar dy pengjet të cilët kanë lidhje krimi me Edi Ramën.

FJALA E PLOTË

Unë e di se për gazetarët dhe mediat e njëjta temë nuk është kurrë interesante dhe e preferueshme, por kur ajo është një çështje themelore e shoqërisë, nuk mund t’i kthesh kurrë krahët dhe ta injorosh sepse bëhesh bashkëfajtor në një krim të paparë elektoral.

Jam këtu për tu njoftuar ju se, zgjedhjet në bashkinë e Elbasanit janë një nga farsat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve. Dokumente të pakundërshtueshme, video, faktojnë se në mbi 70% të të gjitha qendrave të votimit, të ashtuquajturit operatorë, shkelin ligji nga mëngjesi deri në darkë. Ligji përcakton qëndrimin e tyre, distancën në të cilën ata qëndrojnë nga aparatura e votimit dhe këta militantë të PS-së, të përzgjedhur me kujdes, anëtar të FRESSH të trajnuar në sipërmarrjen e peshkut të Lucës dhe të trajtuar nga Luca, e vërteta, janë treguar shkelës të ligjit, kriminelë elektoralë, pothuajse në të gjitha qendrat e votimit.

Në një seancë që ka vazhduar deri në 6 të pasdites, provat filmike të pakundërshtueshme janë paraqitur para KRAS-it (KAS) i cili siç del kryesohet nga një kriminel i vërtetë elektoral. Pra, një proces antiligjor i faktuar me dokumente zyrtare të marra nga kamerat e qendrave të votimit, faktohet se është zhvilluar në shkelje flagrante të ligjit dhe fshehtësisë së vcotës.

Injorohet nga një person që ka urrejtjen në çdo qelizë të trupit të tij sepse është shkarkuar nga zv/kryeministër dhe ministër i Drejtësisë për shkak të korrupsionit.

Ai nuk meriton, ai e ka vendin aty ku duhet të jetë çdo kriminel elektoral. Ju i keni ndjekur ndofta dje nga salla e KAS-it, në çdo qendër votimi gjatë gjithë ditës operatorët shkelnin ligjin elektoral, kontrollonin votën e zgjedhësit. Votimi në Elbasan ka kulmuar kur janë lejuar të votojnë edhe fëmijë të moshës 10 vjeçare dhe kjo e filmuar. Pra në qendrën e dytë më të madhe të vendit, defakto nuk është votuar.

Gjithashtu një manipulim i tmerrshëm dhe pseudovotim është bërë në burgjet e Shqipërisë. Informoj publikun se në burgun 313 ku ndodhen rreth 600 të burgosur, të burgosurit nga grupi i Shullazit dhe vetë Shullazit kanë bërë format më të egra të presionit. Shullazi dhe grupi i tij është lejuar në kundërshtim flagrant me rregullore e burgut, të kalojë nga kati në kat për të ushtruar terror mbi të burgosurit, për të bërë fushatë për Erion Veliajn.

Ju informoj ju, të burgosurve u është kërkuar deklaratë. Ata që kanë refuzuar deklaratën, për dinjitetin e tyre nuk kanë pranuar që të angazhohen që të votojnë për Erion Veliajn ata nuk kanë votuar dot. Kjo një qendër është do të thoni ju, por është ikonë e zezë e këtyre zgjedhjeve. Në listën e votimit të kësaj qendre, ditën e premte ka patur gjithsej 130 votues, vetë burgu ka 600. Në qendrën e votimit, ditën e votimit kanë votuar 300 votues.

Terror, para dhe dhunë kanë qenë zgjedhjet në Kurbin. Me datën 13 maj në orët e vona të natës, strukturat e degës së PD-së Kurbin, kanë denoncuar dy fuoristrada që po shpërndanin para. Njëra nga fouristradat ishte me targë të vjedhur dhe brenda saj ishte bashkëshorti i kandidates socialiste, Vladimir Cara. Janë shoqëruar në komisariatin e Kurbinit për hetime të mëtejshme nga policia. I ka marrë policia. Pas pak aty ka mbërritur dhe drejtori i Policisë së Qarkut Lezhë dhe rreth 20 minuta më vonë ka mbërritur kandidatja Cara me rreth 20 persona të tjerë, të armatosur të cilët kanë bërë presion, ofenduar forcat e rendit por edhe drejtorin që e nxorrën me veting jashtë, mos gabohem Vehbi Bushati. Dhe gjithë kjo fyerje dhe sharje kundër  tyre ishte pse ata shoqëruar dy fuoristradat në komisariat.

Me 14 maj qendrat e votimit janë pushtuar nga punonjës të bashkisë së Lezhës, në kundërshtim  me ligjin. Është ndërprerë votimi dhe është lajmëruar policia për të larguar personat e paautorizuar. Po kështu tek shkolla ‘Besnik Syla’ në Mamurras është ushtruar terror mbi zgjedhësit që të mos votojnë. Janë shpërndarë haptas para. Pra, seria e provave është e pafundme dhe ne vazhdojmë i paraqesim ato para  jush, duke deklaruar se kjo farsë elektorale nuk mund të njihet kurrë.

Ne po marrim bashki pas bashkie, ne nuk kemi asnjë tendencë tjetër, vetëm të qëndrojmë fuqishëm kundër një farse të cilën e organizoi Edi Rama me makinerinë e tij gjigante, industrinë e blerjes së votës dhe makinerinë gjigante të frikës, terrorit ndaj votuesve.

Së dyti, dua t’u informoj se përveç komisionit për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, ne do riformulojmë dhe dorëzojmë në parlament, komisionin për hetimin e veprimtarisë së McGonigal në Shqipëri.

Siç e keni marrë vesh, ka një zhvillim shumë dramatik në këtë veprimtari. Gjer para 3 javësh, ish-tradhtari i kombit amerikan, McGonigal, gjykohej për dy çështje kryesore veças. Për çështjen Deripaska dhe lidhjen ruse, për çështjen Rama dhe lidhjen shqiptare. Njëra çështje gjykohej në Nju Jork, çështja tjetër gjykohej në Uashington. Çështja shqiptare kishte të bënte me ryshfet. Çështja tjetër kishte të bënte me probleme, me Kremlinin e të tjera.

Ryshfet me të cilin Edi Rama kishte angazhuar kryezbuluesin e FBI në luftë kundër opozitës shqiptare,  privatisht, ndërkohë që ishte në detyrë. Natyrisht, Edi Rama ka imunitet diplomatik, kjo është e pamohueshme, por çështja e tij nuk mbyllet kurrë.

Le të aktivizojë ai të gjithë miqtë e tij, me Alex e me George, ai nuk i shpëton dot ndëshkimit nga drejtësia amerikane. Por zhvillimi dramatik i para tre javëve është shumë thelbësor. Prokurori amerikan kërkon shkrirjen e çështjeve, çka do të thotë se dosja shqiptare nuk është më vetëm dosje ryshfeti.

Normal se çdo njeri që ka dy pare mend shtron pyetjen: se si ka mundësi që Tirana të lartësohet në nivelin e Nju Jorkut dhe Kremlinit. Mirë këto kryeqytetet e mëdha që synojnë agjentët e njëri-tjetrit, por Tirana ç’ne, çfarë e solli atë në Tiranë, kush e nisi atë në Tiranë, pse zgjodhi ai Tiranën, nuk zgjodhi Londrën, Berlinin apo Parisin. Dhe kjo pyetje, hulumtimet duket se quan në zbulime faktesh që shkrinë në një çështjen shqiptare dhe atë ruse, në çështjen McGonigal.

Në këtë kontekst komisioni hetimor parlamentar do të mblidhet, do apo nuk do Edi Rama, dhe do bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë për hetimin e të gjithë personave të lidhur me aferën McGonigal, në Shqipëri dhe jashtë saj, me mundësitë që kemi.

Faleminderit!

PYETJE-PËRGJIGJE

Rugova Dunisha, CNA: Z.Berisha, ju vazhdimisht keni publikuar fakte me atë që ju e quani farsë zgjedhore, ndërkohë keni nisur dhe një analizë të brendshme. Keni rezultate mbi analizën e brendshme të PD?

Dhe një pyetje tjetër në lidhje me protestat. Për të çrrenjosur këtë sistem ju keni paralajmëruar, keni kërkuar nga populli që të ngrihet në protesta. Kur do vazhdojë stina e protestave?

Berisha: Analiza në PD nuk ka filluar, sepse siç po konstatoni ndoshta, ne jemi në çdo ditë në analizë të procesit elektoral. Jo çdo gjë është në duart tona. Nuk janë në duart tona materialet që na duhen, janë në duart e institucioneve të shkatërrimit të zgjedhjeve, janë në duart e afateve të gjykatave. Pra, janë një seri procesesh që kërkojnë durimin dhe kohën, por ne do t’i shkojmë deri në fund.

Ja, përshembull sot ne, ju informuam ju, se dje kemi paraqitur me video dhe mund t’i marrim ato video dhe t’ua paraqesim radhën tjetër këtu ju, sesi në Elbasan të paktën në 70% të qendrave operatori ka bërë votimin, ka shkatërruar votimin, me video. Ky është rasti kur e bën komisionin 7 me 0, apo 6 me 1, kur voton fëmija 10 vjeç.

Me të mbaruar kjo analizë që e kemi detyrim absolut, përndryshe ne bëhemi bashkëfajtorë në farsë elektorale, ne legjitimojmë farsën elektorale. Ne nuk e bëjmë kurrë, jo nuk pajtohemi. Në mbyllje të kësaj, do jetë analiza. Janë të sigurta që do ndodhin. Me kaq seriozitet sa po bëjmë shqyrtimin e farsës elektorale, të jesh e sigurtë se po me aq seriozitet dhe pëgjegjësi do të bëjmë analizën e partisë dhe do ndërmarrim protestat e fuqishme me shqiptarët për rikthimin e votës së lirë.

Osman Stafa, Neës24: Z.Berisha, sa herë një votues fals ka votuar në zgjedhjet e 14 majit?

Berisha: Çfarë dimë ne deri tani? Shumë e drejtë. Ne dimë që me manipulimin e listave u krijua një potencial prej 540 mijë votues shëtitës. Nuk kanë votuar kaq, këta janë potencialë.

Pse u krijuan këta? Këta u krijuan me të vetmin qëllim për t’u përdorur si votues shëtitës. Këtu nuk ka asnjë iluzion. Është e vërtetuar kjo. E vërtetuan gazetarët e Piranjas kur gjetën se në katër apartamente drejtori i Erion Veliajt kishte regjistruar 16 apo 20 banorë të zonave krejt të tjera, pa lidhje me Tiranën, kjo është e vërtetuar. Kjo është e sigurtë, është shtetërore kjo.

– Po në qoftë se këta qytetarë kanë votuar, po themi dy herë minimalja?

Berisha: Jo, nuk them se të gjithë, jo. Nuk mundet, se të gjithë nuk e besoj se mund të kenë votuar.

– Kështu i bie që PS do t’i mungojnë vota? Sepse keni bërë një deklaratë që kanë votuar nëntë herë.

Berisha: Jo, ndryshe. Deklarata ime për këtë është kjo, që kanë votuar më shumë se një herë, por tek shoqërimi ka që kanë shoqëruar nëntë, sipas dëshmitarëve okularë dhe jo videos, edhe shumë herë më shumë se nëntë me operatorin. Është tjetër kjo e operatorit. Pra, votimi me operatorin është tjetër, votimi shëtitës është tjetër. Votimi shëtitës është kur një zgjedhës nga Vora vjen dhe voton në Tiranë, se është i majtë.

– Po në Vorë voton?

Berisha: Voton, 100%.

– Pra, po e marrim me dy. Voton në Vorë dhe në Tiranë, në Elbasan dhe në Durrës?

Berisha: Kjo kërkon një hetim, kjo që thua ti. A shkon, vjen nga Vora në Tiranë, nga Tirana shkon në Elbasan, pastaj në Durrës. Duhen hetuar. Po këta të gjithë janë të mundshëm të bëjnë këtë gjë. Këta të çrrenjosur me adresën janë të mundshëm të bëjnë këtë gjë, janë të vendosur në apartamente siç ishin.

Për t’ua rikujtuar këtu pak, se ndoshta ju edhe nuk ju kujtohet.

Në vitin 2001 u gjetën 300 votues nga fabrika që nuk kishte as xhama, as dritare, asgjë fare, banorë të asaj fabrike. Pra, ky është një mekanizëm që këta e kanë përdorur në vitin 2001, e rikthyen për herë të parë tani. A do mund të identifikojmë ne sa? Mundet, por do punë. Do analizë, do punë.

– Sa përket situatës brenda PD z.Berisha, ka disa deputetë që nuk janë mbështetës tuajit, janë për idenë që ju duhet të bëni një hap pas për t’i lënë një zgjidhje PD që të riformohet dhe më pas të jetë konkurruese për Edi Ramën. Kanë hedhur idenë që të gjithë deputetët duhet të bëhen bashkë, të ulen dhe të diksutojnë për situatën e PD. A jeni dakord ju z.Berisha që të gjithë deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021 të ulen së bashku dhe të diskutojnë një zgjidhje për situatën?

Berisha: Tani, me përjashtim të dy personave që kanë lidhje të tmerrshme krimi me Edi Ramën me të gjithë deputetët e tjerë jam gati të ketë çdolloj debati, diskutimi, mirëkuptimi, pa përjashtim, sepse ata në moment themelor, në një akt themelor, ata mbështetën kandidatët e Primareve. De Facto mbështetën statutin e PD, mbështetën PD, dhe ky është investimi i tyre. Nuk ndodh kjo për Sali Berishën, por këtu ata investuan në partinë që i përkasin.

Ndaj tyre PD është plotësisht e hapur.

Tani, jo që nuk bëj një hap prapa, por bëj një hap para për t;i ftuar ata. Unë i ftoj ata, të ulen, të diskutojmë, të vendosim për më të mirën për PD, opozitën dhe të ardhmen e vendit. Kjo është përgjigja ime.

Ardit Hoxha, Euroneës: Duke marrë shkas nga ajo se çfarë ka ndodhur në dy apo tri ditët e fundit të PD, por edhe nga kontributi që ju thatë që një pjesë këtyre deputetëve kanë dhënë në zgjedhjet lokale të 14 majit. A jeni ju i gatshëm që për hir të bashkimit me këtë pjesë të PD, dhe për hir të ambicjes apo dëshirës së PD dhe opozitës për të qenë rivale e denjë në zgjedhjet e 2025, ju vet, kur përmendim fjalën hap pas, ju vet të lëshoni diçka nga pushteti juaj personal si Sali Berisha, ndoshta edhe qasjen tuaj në lidershipin e partisë?

Berisha: Gjithçka përcaktohet nga anëtarësia e partisë. Ne kemi një statut më demokratik që mund të ketë sot. Ai statut ka të gjitha hapësirat për çdo ininciativë të anëtarëve të saj. Unë i qendroj me korrektesë statutit. Nuk ndërtohet partia mbi bazën e dëshirave të mia, apo të tjetrit, ndërtohet mbi bazën e rregullave që respektojnë liritë dhe të drejtat të saj dhe parimeve mbi të cilat qendron.

Pra, kjo është përgjigja ime. Ka dy përcaktime statutore. Njëri qëkur kryetari humbet zgjedhjet lokale, votëbesohet dhe nuk kanë përcaktim aty farsë elektorale, apo zgjedhje. Dhe e dyta, në zgjedhje të përgjithshme. Po humbi zgjedhjet e përgjithshme, ai largohet.

Asnjëlloj përcaktimi tjetër jashtë kësaj nuk i shërben PD dhe opozitës, dhe ju nuk duhet të harroni se Shqipëria ishte, ose është vendin në të cilin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës u krye një grusht shteti kundër opozitës shqiptare me qëllimin e vetëm për të forcuar pushtetin mafioz të Edi Ramës dhe për të shkatërruar opozitën.

Edhe njëherë, kjo luftë nuk filloi me Sali Berishën, të jem i sinqertë. Kjo lufë filloi që në 2015 me përpjekjet e imagjinueshme, jam dëshmitar i tyre, për ta përjashtuar opozitën nga të gjitha proceset kryesore në mënyrat më diabolike. Ua them unë ju, por s’kanë vlerë tani. Vazhdoi me kontraktimin e McGonigal në një kohë kur ishte në detyrë. Me angazhimin e Loui Bladel, Marko Rosit, me ndikimin e fuqishëm të George Sorosit, të Aleksit, etj,

Pra, janë të gjitha këto përpjekje për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Ju nuk e harroni ndonjëherë besoj kur Lulzim Basha i akuzuar nga qeveria e SHBA për financime ruse. Përfaqësuesi i asaj qeverie bënte çdo gjë për ta mbajtur në krye të PD. Po pse e kishte? Se ai ishte një peng i Edi Ramës.

Mos harroni kontekstin e këtyre zhvillimeve. E ka një gjë çfarë tregon Shqipëria? Mënyra eficente për të shkatërruar një komb është t’i shkatërrosh opozitën. Shqipëtarët në 8 vite kanë ikur nga ky vend sa asnjë komb. 10 herë më shumë se çdo komb tjetër i Europës. Statistika e fundit e EUROSTAT tregon se shqiptarët kanë ikur nga vendi i tyre, 10 herë më shumë se cdo komb tjetër i Europës. Ja ku jemi pra.

Nuk është një çështje këtu e Sali Berishës, e këtij, apo e atij. Është një përpjekje makabre për të shkatërruar një komb nëpërmjet shkatërrimit të opozitës.

Bekim Bici, Top Neës: Në fakt ju dje keni hedhur akuza ndaj z.Rama lidhur me një draft të propozuar ndaj tij në lidhje me Asocacionin e komunave serbe të Kosovës. Së pari, do doja të dija nëse ju e keni këtë draft dhe e keni lexuar, pasi ditën e sotme radio Evropa e Lirë, duke cituar burime diplomatike nga Brukseli, këto burime diplomatike e kanë vlerësuar draftin si cilësor për sa i përket propozimit të kryeministrit Rama?

Berisha: As që e kam lexuar dhe nuk kam asnjë interes. Unë u them atyre që përpiqen të përdorin Ramën, vetëm sa komplikoni mos zgjidhjen e problemit. Çështja e Asociacionit nuk është çështje drafti.

Draftin e Ramës, sigurisht e ka shkruar Vuçiçi. Kjo është për t’i thënë Albin Kurtit, që ti as këtë që ka hartuar Tirana, nuk e pranon. Kjo është një thikë pas shpine që Aleksandër Vuçiç, doktrinari i gjenocidit, arrin t’i fusë Kosovës përmes vasalit të vet, Edi Rama. Nuk është asgjë tjetër, Brukseli, Uashingtoni, Londra, Parisi, Berlini kanë grupet më të shkëlqyera të ekspertëve, por për hir të së vërtetës, ai draft duhet të hartohet nga ata që do e zbatojnë.

Futja e Edi Ramës në mes, ishte vetëm për t’i futur një thikë, siç bëri me hartat. Kush vraponte me hartat e ndarjes së Kosovës dhe kufijve? Iniciatori i atij projekti, rezulton sipas burimeve shumë serioze të jetë Edi Rama, pra të jetë Vuçiçi nëpërmjet argatit të tij. Dhe me këtë rast, mund të them se, nëse procesi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë eci brenda dy vitesh me një kurs të pandalshëm, që nga viti 2013 deri sot është shndërruar në pëlhurë të Penelopës.

Dhe ndiej shumë keqardhje. Unë kam mbështetur marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë, dhe jam i bindur që po të zbatohej nuk jepte zgjidhje politike. Kishte një titull të ndërshëm: normalizim i marrëdhënieve ekonomike, bazohej në konceptin e marrëveshjes Abraham. Askush nuk mund të mohojë se ajo marrëveshje pati efekt atje ku u zbatua, u hodh poshtë. Për mua ishte shumë e gabuar, nuk iste zgjidhja politike, por ishin nja 12 miliardë dollarë që do investoheshin nga Durrësi deri në Beograd që do ndikonin fuqishëm edhe në botëkuptim, dhe në klimë dhe në çdo gjë. Iku ajo.

Erdhi plani franko-gjerman, personalisht e kam mbështetur. Erdhi marrëveshja e Ohrit e pafirmosur. Vuçiç refuzoi firmosjen. I gjithë komuniteti ndërkombëtar pas një marrëveshje të pafirmosur, por si tekst ishte i pranueshëm nga të dyja palët, dhe të paktën klimën e ndryshoi. Se duhet të ndryshojë klima njëherë në radhë të parë. Kjo është klimë, jo luftë e ftohtë, por stërluftë e ftohtë. Gjithçka u rrokullis brenda tri ditëve dhjetë ditë më parë, po kjo është pëlhura e Penelopës.

Del tani ky. Sa filloi të qetësohet dhe të shkohet drejt një skedule shtensionimi dhe zgjidhjeje, siç janë zgjedhjet lokale të përsëritura, që është gjë shumë pozitive, nuk është një proces automatik, se duhet serbët të binden që të marrin pjesë në ato zgjedhje, pra ka një seri masash që duhet të merren.

Tani, del ky, në shërbim të hapur të Vuçiçit, dhe ndërhyn në një kohë kur ky është njeriu i hartave dhe ndarjes së kufijve. Mos harroni, e kam denoncuar me kohë. Ky, në sintoni me Vuçiçin, synon ndarjen e Kosovës. Dhe kjo është absolutisht e vërtetë. Por ndarja e Kosovës nuk është opsion kurrë. Ndaj Edi Ramës i ra maska, Kosova bëri reagimin e vet në unison, përveç të ndonjë idividi të caktuar. Nga të gjithë kryeministrat që ka patur Kosova, njeriu që e ka shpërfillur totalisht këtë për shkak të tij është Albin Kurti. Atëherë, çfarë roli mund të luash ti?

Më thuaj mua, ti je mik i Vuçiç, ti nuk je zëvnedës i tiji, por thuaj e kam mik, je skllav i tiji, je vasal i tiji, ç’punë ke ti që përzihesh. Ky përzihet në emër të Vuçiçit. Në emër të Kurtit? Jo! Në emër të faktorëve të tjerë politikë? Jo! Atëherë, në emër të Vuçiçit.

– Nëse do të ndalojmë sërish te kjo çështje, a e shikoni politikën e reciprocitetit si mundësi zgjidhjeje për sa i përket Asociacionit. Pra, bashkim të komunave serbe në Kosovë që janë me shumicë serbe, nga ana tjetër bashkim të komunave me shumicë shqiptare në Serbi.

Berisha: Serbia nuk pranon kurrë reciprocitet. Këtu gjithçka që bëhet, nuk bëhet për të drejtat e sëerbëve, këtu bëhet për hegjemoninë serbe, për Serbinë e Madhe, aty ku janë serbët është serbi, thjeshtë fare.

Në qoftë se, nuk është kjo Asosacioni është shumë i thjeshtë, edhe nuk ka kryeministër e as qeveri që mund ta ndalojë atë. Çdo pakicë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe kombëtar ka të drejtë të krijojë shoqëri, Asosacion, shoqatë për ruajtjen dhe konsolidimin e gjuhës, kulturës dhe besimit fetar, nuk është ky qëllimi.

Qëllimi është krijimi i segmenteve shtetërore serbe në Kosovë, dhe një Serbi e Madhe në realitet.

– Më 15 maj ju keni deklaruar që dispononi videon e atentatit ndaj Salvador Kaçajt në Lezhë. A e keni ende atë video, dhe në qoftë se po, kur do ta publikoni?

Berisha: Ajo video është paraqitur, ndër të tjera drejtuesve të PD. Por, meqënëse procesi është nën hetim nuk mendoj se shërben shfaqja e saj, por ajo video iu është paraqitur drejtuesve të PD.

Ermal Rizaj, Syri Tv: Sa i takon çështjes së Kosovës, ju keni patur komunikime me zyrtarët e qeverisë së Kosovës, apo edhe me z.Kurti duke iu referuar tensioneve në veri të Kosovës, por edhe propozimit të bërë nga z.Rama? Keni patur konsultime, diskutime?

Berisha: Nuk bëj asnjë konsultim unë, në qoftë se nuk më kërkon kush. E kam ligj unë këtë punë. Albin Kurti nuk ka kërkuar asnjë konsultim dhe unë nuk kam asnjë komunikim për këtë çështje.

Natyrisht, ka reagimin tim, sepse shoh që një interes kombëtar, Tirana është shndërruar në një megafon të Beogradit. Fatkeqësi është se, në një farë mënyre kjo është përdoru edhe nga të tjerë, unë kam patur këtë koncept. Asnjë ndërhyrje të Tiranës zyrtare në problemin midis Prishtinës dhe Beogradit. Dhe për kohën që unë kam qenë në pushtet dhe është zbatuar ky parim, procesi ka ecur non stop, ka ecur pandalur. Futja e Edi Ramës në emër të Vuçiçit, se tani, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një personalitet i njohur, deklaron para tri javëve se është Edi Rama, domëthënë pas takimit në Beograd, shtoj unë këtu, që ka shtuar, ka bindur udhëheqjen politike të Kosovës, Hashim Thaçin ka bindur për ndryshimin e kufijve

Pse e besoj unë këtë? E besoj unë këtë, se po të hysh të gjesh deklaratat e përbashkëta të miat me z.Thaçi, të miat me z.Krasniqi e me radhë me radhë janë që të gjitha kundërshtim i prerë i kufijve.

Erdhi ky, Sandri e nanuriti dhe ky pastaj mori flamurin e Serbisë së Madhe. Kaq.

– Sa i takon çështjeve dhe zhvillimeve brenda PD, ju deklaruat se jeni gati, apo do t’i bëni ftesë deputetëve të opozitës që të bashkohen. Jeni ju të gatshëm që javën që vjen të bëni një mbledhje të përbashkët me të gjithë deputetët? Dhe kur thoni që vendos anëtarësia sa i takon lidershipit, a mund të ketë një proces tjetër riorganizimi të PD, duke përfshirë edhe deputetët që nuk kanë qenë pjesë më herët?

Berisha: Në çdo kohë jam i gatshëm, përveç dy vetë. Dy nuk mundet, sepse janë pengje të Edi Ramës, dhe nuk mund të tallem me opozitën unë.

– Kur thoni se vendos anëtarësia sa i përket lidershipit të PD, mund të ketë një riorganizim të partisë sërish nga baza, duke përfshirë deputetët që nuk kanë qenë më herët në çështjet e organizimit?

Berisha: Nuk mund të ketë diskriminim ndaj deputetëve. Deputetët të cilët janë anëtarë të Grupit Parlamentar të PD dhe vendosin të tillë, nuk mund të kenë asnjë lloj dallimi nga këta që ishin dhe këta që janë, jo, janë një ata, dhe unë thashë edhe njëherë, në qendrimin themelor të kësaj partie, se çfarë bëri PD gjatë këtyre dy viteve? Risia më madhore e saj ishin Primaret, risia më madhore e statutit të saj ishin Primaret, ata mbështetën Primaret, kaq.

Nuk kanë pse t’ia dinë për nder fare Sali Berishës, u treguan parimorë, bënë vlerësimin, nuk nisem unë kurrë nga ato që tha kështu për Berishën, tha ato, ky është një univers njerëzish të lirë.

Enkel Xhangoli, Klan Neës: Kohët e fundit kemi parë një rikthim të Bashës në skenën politike, ndërkohë që PD, ose grupimi tjetër që mban dhe vulën zyrtare ka caktuar edhe datën e zgjedhjeve për kryetar të ri më 29 korrik. Çfarë do të bënit ju nëse z.Basha ritkhehet përsëri të paktën si kryetar i atij grupimi, dhe do tentojë të marrë selinë në të njëjtën formë që ju bëtë më 8 janar. A do ta blindoni selinë, apo do t’ia hapni derën?

Berisha: Është një përdorim për së dyti i tiji nga Edi Rama, dhe si peng që është ai është i pashpresë. Nuk ka mëshirë Edi Rama. Kaq mund të them për arë njeri unë. Ai nuk ka gjetur kurajë që të çlirojë shpirtin e tij që do shkojë 6 vite në burg. 6 vite burg nuk është i gatshëm që t’i bëjë, ndaj dhe Edi Rama e përdor si do. Partia është ë anëtarësisë, nuk është e atyre pengjeve të Edi Ramës, nuk mund të shndërrohet kështu në këtë mënyrë.

Ju falënderoj dhe ju uroj një uikend të këndshëm!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale