PRONONCIM PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA JASHTË PARLAMENTIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, akuzoi Partinë Socialiste dhe qeverinë Rama për veprime antikushtetuese dhe korrupsion, duke përmendur votimin në errësirë dhe vjedhjet e mëdha si tuneli i Llogarasë dhe 400 milionë eurot e inceneratorëve.
Berisha u shpreh para gazetarëve se, rruga e vetme për të luftuar këtë sistem është protesta qytetare, pasi sistemi ligjor dhe parlamentar është i kapur dhe i pandershëm. Gjithashtu, Berisha theksoi se ata që mbrojnë Erion Veliajn, janë të njëjtët që më parë kanë kundërshtuar arrestimin e tij, duke treguar mungesë morali dhe karakteri. Lideri demokrat paralajmëroi se edhe fati i këtyre personave, duke përfshirë edhe Erion Veliajn, është i pashmangshëm. Për këtë arsye, ai ftoi qytetarët të vazhdojnë protestat dhe betejën kundër këtij sistemi.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi sot gjatë prononcimit për media se, Partia Demokratike ka disa kandidatë të denjë dhe të pakrahasueshëm përballë Ogerta Manastirliut, të cilën e quajti “Korbën e Korrupsionit”, nëse ajo do të zyrtarizohet si pasuese e Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës.
Duke komentuar zhvillimet në kampin qeveritar dhe mundësinë e zëvendësimit të Veliajt, Berisha u shpreh se shkarkimi i tij varet vetëm nga firma e kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij ka nisur të kërkojë mbështetje për Manastirliun. Berisha theksoi se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet, edhe pse i konsideron ato një farsë. Ai tha se PD është një forcë konservatore që nuk ndjek taktika guerile, por zgjedh pjesëmarrjen si mjet për të denoncuar dhe përmbysur regjimin aktual.
Kryetari i PD përsëriti se regjimet autoritare nuk largohen me votë, duke e cilësuar qeverinë e Edi Ramës si një “narkodiktaturë” që kontrollon të gjitha pushtetet dhe ka lidhje të drejtpërdrejta me organizata të fuqishme të trafikut të drogës.
Në lidhje me protestat, Berisha tha se opozita do të bëjë publike datën në momentin që ajo të vendoset, por theksoi se mobilizimi qytetar është i domosdoshëm.
PRONONCIMI I PLOTË
Siç e patë vetë, narkoparlamenti i Partisë Socialiste, vazhdoi edhe sot konsolidimin e aktit më antikushtetues në historinë e këtij parlamenti, votimin në errësirë të plotë të narkoqeverisë dhe programit të saj.
Qytetarët e panë se çdo gjë ëshët e pashpresë në rrugë procedurale dhe ligjore dhe rruga e vetme mbetet vendosmëria qytetare, protesta kundër këtij grupi mafioz që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe as moral.
Sot ishte një mundësi që të anullohej seanca dhe me anullimin e seancës rivendosej Kushtetuta.
Por problemi është se këta janë Erion Veliaj.
Janë copy-paste.
Këta e kanë shumë të qartë se i pret fundi i Erionit.
Këta e kanë të qartë se e drejta, e vërteta, vonon, por nuk harron.
Lubi Balluku e ka të qartë se tuneli i Llogarasë është për të tuneli nga i cili nuk do dalë dot ndonjëherë. Le ta fshehë dhe të bëjë ç’të dojë me dosjen Altin Troplini, por ai tuneli mbetet monumenti më i shëmtuar i vjedhjes së Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.
Është e qartë se kur them që janë si Erion Veliaj, janë pa asnjë diskutim edhe më keq se ai në disa aspekte.
Janë 400 milionë të djegësave, të cilat kanë firmën e Edi Ramës, por aktualisht e mbron Altin Troplini.
Mirëpo, ai e di se drejtësia vonon dhe nuk harron.
Këta i panë dje këshilltarët, të quajturit larva njerëzore, njerëz të cilët kishin dalë dhe ishin kacavjerrë dritareve dhe dyerve të prokurorisë dhe gjykatës në protesta kundër arrestimit të Erionit, kurse dje i bënin gjyqin Erion Veliajt, duke dëshmuar se nuk kanë as moral, as karakter, asgjë tjetër.
Ju e patë se si ishin ata sot, ishin në zi, nxinin sepse panë secili në veten e tij, fatin e Erion Veliajt.
Këta e dinë shumë mirë…
E di ndrikull Xhaçka se atë pronë nuk do e gëzojë, pavarësisht se ka aksioner Edi Ramën.
Edi Rama e di mirë se për ato vjedhje monstruoze, dita do i vijë.
E di mirë se Gjipenë nuk do e gëzojë. Nuk do mund ta gëzojë.
Ju lutem, zbërthejeni pak gjyqin e Erion Veliajt dje. Ai ishte supergjyqi i llojit të tyre.
Njerëz që para disa muajsh ishin kacavjerrë, kishin sulmuar gjykatës dhe prokurorë për arrestimin e Lal Vjedhësit, dje i bënin gjyqin pa mëshirë dhe më pasion të tmerrshëm.
Ky është problemi i tyre.
Këta e dinë se secili prej tyre është një Erion Veliaj.
Këta e dinë se asgjë në botë, të vërtetën dhe të drejtën, nuk do e pengojë.
Prandaj dhe këta sot votuan kundër, por ne vazhdojmë betejën.
Gazetarët: Z.Berisha, keni ju një emër për Tiranën? Shkarkimi i Erion Veliaj pret vetëm firmën e kryeministrtit Rama, ndërkohë që kryeministri Rama ka nisur angazhimin, mbledh sot të tijët për t’i kërkuar mbështetjet për Ogerta Manastirliun. Ju kë do të vini përballë?
Berisha: U garantoj se opozita ka jo një, por disa kandidatë të pakrahasueshëm me Korbën e Korrupsionit.
Gazetarët: Ju, z.Berisha, sapo thoni që Shqipëria ka ardhur nga një masakër elektorale, dhe pa u tharë ende kjo masakër elektorale, ju do të shkoni drejt një masakre tjetër elektorale me Edi Ramën?
Berisha: Ambrozia, ka dy taktika. Është qëndrimi i bojkotit dhe mund të përdoret, por ajo kërkon të përgatisësh lëvizje guerile, etj, etj, që ne nuk jemi. Nuk jemi parti e lëvizjeve guerile, jemi parti e vlerave konservatore, edhe i kemi të shpallura ato.
Kjo është arsyeja pse ne nuk bojkotojmë, pse ne marrim pjesë në zgjedhje.
Pavarësisht se ato janë farsë, ne i denoncojmë dhe ne do bëjmë gjithçka për të përmbysur shkakun madhor të farsës, që është Edi Rama. Kjo është e drejtë.
Gazetarët: Z.Berisha, në daljet tuaja të fundit keni artikuluar shpesh se rruga e vetme e opozitës është protesta. Edhe pak me herë në fjalën tuaj komunikuat diçka të tillë. A ka opozita, PD, një datë kur t’i thërrasë në protestë?
Berisha: Sapo të ketë datën e protestës, PD do e komunikojë.
Por atë që e kam thënë, e them dhe e mbroj. Narkodiktaturat nuk ikin me votë. Kjo është shumë e faktuar,.
Regjimet autoritare nuk ikin me votë.
Unë e kuptoj që avoketërit e Edi Ramës brenda e jashtë vendit përgjërohen se nuk është një regjim autoritar.
Unë u them atyre se cili është tipari kryesor i regjimeve autoritare? Nuk është përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë?
Na thoni pak, cila është fuqia e drogës, kur vetëm një klan, në një vit disponon 28 tonelata.
Kur vetëm me një organizatë terroriste, se tani e dini ju, kartelet e drogës në Amerikë Latine janë shpallur nga presidenti Trump si organizata terroriste.
Kur vetëm me organizatën terroriste të Diego Benitez bashkëpunojnë 14 klane shqiptare të lidhura me Edi Ramën.
Ju e kuptoni vetë.
Pyeteni Edi Ramën, pse nuk shkoi në Nju Jork?
Muhamed, ke ndonjë informacion ti, si më i afërt me të? Jo, ë? Nuk ke?!
Ke qenë po nuk je më. Ke bërë mirë që je ndarë prej tij.
Gazetarët: Ju keni bërë gati kallëzimin për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese ndryshimin për rregulloren e Kuvendit. Dërgimi nga ana e PD i emrave sot në parlament, a i legjitimon këto komisione?
Berisha: Jo, është në variantin e dytë që u thashë.
Ka bojkot ose jo-bojkot.
Kjo është e gjitha!
Ne nuk jemi për bojkot.
Në qoftë se do bojkotonim në çdo gjë, ose do firmosnim vetë monizmin dhe për të marrë pushtetin, do të përdornim luftë guerile. Por ne nuk jemi për atë, ne jemi parti e vlerave konservatore.
Ne nuk bojkotojmë, por shfrytëzojmë çdo hapësirë për realizimin e qëllimeve tona.
Kjo hapësira janë të kufizuara, por aq sa janë, ne do i shfrytëzojmë.
Unë e di gjithnjë se ka një mënyrë se do ishte më mirë bojkoti, por unë nuk besoj në atë.
Faleminderit!

