Berisha: Ripërtëritja e PD-së ka filluar, kryengritja paqësore është leva e Arkimedit për votën e lirë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBYLLJE TË KUVENDIT KOMBËTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për gazetarët në fund të Kuvendit Kombëtar, deklaroi se procesi i ripërtëritjes së partisë ka nisur dhe do të shtrihet në të gjitha nivelet organizative, duke filluar nga seksionet bazë. ‘Ky Kuvend, me debatet dhe dokumentet e tij, përcakton si qëllim ripërtëritjen e Partisë Demokratike në kilometrin e saj të fundit, si kusht themelor për rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët dhe fitoren e opozitës,’ u shpreh Berisha.

Kryedemokrati Sali Berisha u zotua përpara delegatëve se PD do të vijojë me përkushtim procesin e transformimit të brendshëm. ‘Me përkushtim të madh do të bëjmë gjithçka që përcaktimet dhe premtimet e këtij Kuvendi të kthehen në vepra konkrete,’ tha ai.  Duke vlerësuar diskutimet në Kuvend, Berisha theksoi se ato reflektojnë një fazë të re për partinë. ‘Ajo që kishte atmosfera e sallës ishte ripërtëritja dhe ndryshimi në drejtimet e përcaktuara të Partisë Demokratike,’ deklaroi ai.

Në lidhje me procesin zgjedhor të brendshëm dhe kandidaturat për Këshillin Kombëtar, lideri i demokratëve Sali Berisha garantoi transparencë dhe garë. ‘Çdonjëri prej tyre mbetet një aset i çmuar i Partisë Demokratike. Çdo njeri që ka dyshimin më të vogël do të ketë të drejtë të numërojë votat e veta,’ u shpreh ai. I pyetur për vonesën në publikimin e listave të kandidatëve, kreu i PD pranoi se ka pasur vonesa procedurale. ‘Ka pasur një vonesë nga degët në përcjelljen e tyre, kjo është arsyeja pse nuk është respektuar afati,’ tha Berisha.

Duke komentuar mungesën e zërave kritikë brenda Kuvendit, lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se debati ka qenë i pranishëm përmes sugjerimeve dhe propozimeve. ‘Brenda Partisë Demokratike kritikat janë një normë konstante,’ tha ai. Berisha hodhi poshtë pretendimet për përjashtime politike brenda PD-së, duke theksuar se individët që kanë vepruar kundër partisë nuk janë pjesë e saj. ‘Cilido që punon kundër Partisë Demokratike, nuk ka më lidhje me të,’ u shpreh ai.

Në fokus të deklaratës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha ishte edhe procesi i ripërtëritjes së strukturave të partisë. ‘Ripërtëritja ka filluar. Kjo parti kthehet te seksioni dhe do të kalojë në të gjitha nivelet,’ deklaroi Berisha. Duke iu përgjigjur kritikave për hapjen dhe reformimin e brendshëm, ai shtoi: ‘Ai që ripërtërin veten, si mund të ketë frikë nga ripërtëritja?’

Në përmbyllje kryedemokrati Sali Berisha nënvizoi rolin e protestave në strategjinë e opozitës. ‘Kryengritja paqësore është leva e Arkimedit për të rikthyer votën e lirë të shqiptarëve,’ tha ai, duke paralajmëruar se protesta e radhës do të përcaktohet së shpejti.

FJALA E PLOTE:

Me diskutimin e Jonathan Panos u mbyll seria e diskutimeve të shkëlqyera në këtë Kuvend, i cili me debatin, me dokumentet, përcakton si qëllim ripërtëritjen e Partisë Demokratike në kilometrin e saj të fundit, si kusht themelor që të realizojë objektivin e vet, rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët dhe fitoren e opozitës.

Potencialet janë të mëdha, vullneti është i hekurt, ndaj dhe unë zotohem para demokratëve, demokrateve dhe mbarë opozitarëve se me përkushtim të madh do bëjmë gjithçka të kthejmë në vepra, të konkretizojmë përcaktimet dhe premtimet e këtij Kuvendi në mënyrë që Partia Demokratike të ecë e vendosur dhe të përmbushë misionin e saj.

Unë ndoqa me shumë interes diskutimet, jam i inkurajuar prej tyre, mendimet që u shprehën. Pra, në qoftë se do të lexoni të palexueshmen, atë që kishte atmosfera e sallës, ajo ishte ripërtëritja dhe ndryshimi në drejtimet e përcaktuara i Partisë Demokratike.

Kështu që ju falënderoj dhe ju për ndjekjen që i bëtë punimeve të këtij Kuvendi. Do ta quaja unë në shumë aspekte një Kuvend jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe e vërteta është që me një zhvillim normal, për të mos thënë të përsosur.

Tani le të presim rezultatin e votimeve, të cilat në mos gaboj do fillojnë nga ora 8 e darkës.

Këtu dua të garantoj, sigurisht, se kur janë për një vend mbi dy kandidatura, njëri fiton, tjetri nuk fiton, por një gjë theksoj: se në vlerësimin tim ato kanë qenë kandidaturat më dinjitoze që janë paraqitur ndonjëherë. Së pari.

Së dyti, pavarësisht nëse marrin apo jo votat, çdonjëri prej tyre mbetet një aset i çmuar i Partisë Demokratike.

Së treti, çdo njeri që do ketë dyshimin më të vogël do të ketë të drejtë të numërojë votat e veta.

Kjo është maksimumi i transparencës që mund të bëjmë.

Pyetje: Zoti Berisha, sa transparent mund të quhet procesi në kushtet kur lista e kandidatëve për Këshillin u publikua vetëm sot para nisjes së Kuvendit. A kanë patur kohë të mjaftueshme delegatët që të njihen me kandidaturat?

Sali Berisha: Bravo. Tani çfarë janë kandidaturat? Në tërësi janë kandidatura të propozuara nga degët. Kësaj here një specifikë e veçantë ka qenë se kandidaturat kanë ardhur nga degët dhe në qoftë se e vutë re ju, u votua sipas qarqeve. U votua… prandaj, domethënë, në këtë kuadër kandidaturat e tjera që nuk kanë ardhur nga degët, nuk janë të panjohura në tërësinë e tyre, janë personalitete. Tani, e tjetra, bravo.

Pyetje: A e cilësoni si problem faktin që u shkel statuti edhe këtë herë zoti Berisha? U shkel statuti edhe këtë herë për publikimin e listave, sanksionohet në statut që duhen pesë ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar publikimi i listave.

Sali Berisha: Ju përgëzoj për leximin e statutit. E besoj plotësisht, jo, jo nuk e vë në dyshim. Edhe një herë nuk po e vë fare në dyshim. E ke shumë, e ke, po. Në fakt, në fakt ka patur një vonesë nga degët në përcjelljen e tyre, sepse kësaj here realisht janë degët burimi kryesor i kandidaturave dhe të shpallnim kandidatura pa degët kjo nuk mund të realizohej, kjo qëndron, kjo që thoni ju. Por kjo ka qenë arsyeja sepse nuk është vepruar në këtë mënyrë siç është vepruar kësaj here, që në tërësi kandidaturat nuk kanë qenë të kryesisë qendrore, ka prej tyre që janë të kryesisë qendrore departamentet për shembull.

Pyetje: Pra, ka patur shkelje të statutit?

Sali Berisha: Kjo një po, vonim po, sigurisht vonim po, por janë degë të cilat i kanë vonuar për arsyet që s’duhet t’i vononin.

Pyetje: Një pyetje zoti Berisha. Ju thatë që i keni dëgjuar të gjithë diskutantët. A ju bëri përshtypje që nuk kishte asnjë zë kritik, domethënë të gjithë zërat kritikë janë jashtë partisë jo brenda. Dhe një zë ndryshe mund të themi ishte i deputetit të CDU-së Peter Beyer, i cili u tha demokratëve zgjidhni një kryetar të ri, një president të ri.

Sali Berisha: E përgëzoj. Për sugjerimin që bëri. E kam mik…

Pyetje: Zoti Berisha, ju bëri përshtypje që nuk ka më kritika brenda partisë, por vetëm jashtë?

Sali Berisha: Jo, jo, nuk janë tamam ashtu, po të jesh se i ndoqe, ato që ndoqa në tërësi, ishin ndarë në tërësinë e tyre dy pjesë. Njëra pjesë ishte vlerësimi i periudhës nga Kuvendi në Kuvend, por e vërteta nuk ishte pjesa kryesore. Pjesa e dytë ishin sugjerime, ishin propozime të cilat në vetvete fshihnin edhe kritikën, por edhe konstruktivitetin, ndaj dhe t’i marrim me këtë formë, por shiko, brenda Partisë Demokratike kritikat janë absolutisht një normë konstante. Ju garantoj për këtë, janë norma më konstante brenda Këshillit të Partisë Demokratike dhe nuk e di si pashë disa, Partia Demokratike ka ca kritikë të përhershëm brenda në Këshill.

Pyetje: Cili ndonjë shembull? Zoti Berisha, disa demokratë ditën e djeshme ishin në një tjetër tubim…

Sali Berisha: Asnjë demokrat nuk ishte aty të ç’është e vërteta. Asnjë absolutisht…

Pyetje: I kemi parë nëpër protesta…

Sali Berisha: Jo, më falni një minutë. Tani t’i themi të vërtetën asaj pune. Unë jam i gatshëm të bëj prova… Jo, jo s’ka nevojë fare, ata që folën, më fal, falni një minutë, ata që ishin dhe ata që folën janë të përjashtuar nga Partia Demokratike ose s’kanë qenë kurrë në Partinë Demokratike.

Pyetje: Pse janë të përjashtuar?

Sali Berisha: Sepse janë kritikë? Jo s’janë kritikë, jo. Arsyet mbeten të ndara…

Pyetje: Janë të përjashtuar apo të vetëpërjashtuar?

Sali Berisha: Urdhëro? Jo nuk janë, jo nuk kanë ardhur vetë. Përveç, përveç atyre që unë i kam quajtur të vetëpërjashtuar, por asnjë demokrat aty, asnjë demokrat nuk ishte…

Pyetje: Zoti Salianji a ka qenë pjesë e… Hysen Kadiu, zoti Berisha…

Sali Berisha: Cili do që ndjek Salianjin, i mbyll hesapet me PD-në. Në rregull, shumë mirë. Absolutisht, cili do që ndjek atë, do të ketë të drejtën e vet, po ama me Partinë Demokratike s’kanë asnjë lidhje.

Pyetje: A nuk është ky një lloj përjashtimi edhe ndaj kritikëve zoti Berisha? Ata po thonë që Partia Demokratike po shkon drejt greminës…

Sali Berisha: Jo, nuk janë kritikë ata. Kritikë ka sa të duash në gjirin e partisë që s’pësojnë asnjë gjë dhe nuk i pyet asnjë, kurse ata kanë veprime konkrete kundër Partisë Demokratike. Në qoftë se ti, më fal një minutë, në qoftë se ti je larguar gjatë fushatës, atëherë ti, një gjë është e sigurt, minimumi që vend drejtues nuk mund të marrësh.

Pyetje: Zoti Salianji ka qenë në burg gjatë fushatës…

Sali Berisha: Jo, nuk ishte në burg, jo nuk ishte në burg. Tjetër punë, tjetër punë…

Pyetje: Tani kujt zoti Berisha mund t’i besojmë, atij të parit që thoshte se i burgosur politik apo këtij që thoni ju tani?

Sali Berisha: Po edhe prapë them është i burgosur politik. Po çfarë përgjegjësie kam unë që u bë byrazer me Oltion Bistrin dhe me Pllumin? Çfarë përgjegjësie kam unë që u birësua tek fati? Nuk kam unë përgjegjësi për atë, nuk kam unë… për një minutë… Cila është përgjegjësia ime? Përgjegjësia ime është kjo, unë t’i besoj…

Pyetje: News24 ka ndjekur gjithë procesin…

Sali Berisha: Ju përgëzoj, ju përgëzoj, ju falënderoj, por unë them që lidhur me ata që largohen, le të largohen. Në qoftë se ti në mes të fushatës shkon dhe punon për socialistët, s’ke më lidhje me PD-në.

Pyetje: Po punove për partinë tjetër në fushatë…

Sali Berisha: S’ke më lidhje me partinë tënde.

Pyetje: Zoti Berisha, ripërtëritja do të shohim frytet shumë shpejt apo si kilometri i fundit që do presim gjatë?

Sali Berisha: Ripërtëritja ka filluar të them të vërtetën. Të drejtë keni, do ta paraqesim. Kjo parti kthehet tek seksioni dhe do fillojmë me seksionin dhe do kalojë në të gjitha nivelet. Ky është një proces që ka filluar prej dy muajsh, por nuk është promovuar, sepse kemi pasur probleme të tjera.

Pyetje: Keni frikë se prekeni nga ripërtëritja?

Sali Berisha: Po ai që ripërtërin veten si mund të preket?

Pyetje: Protesta e radhës kur do të jetë?

Sali Berisha: Protesta e radhës do përcaktohet sot ose nesër. Edhe do t’jua njoftojmë, do të ketë pa diskutim. Ne ziejmë, presim demokratët të protestojnë.

Pyetje: Mbaron në kilometrin e fundit apo vazhdon?

Sali Berisha: Protestat duhet t’i kuptojmë, krahas ripërtëritjes të bazuar në vizion, modernitet, organizim, por kryengritja paqësore është leva e Arkimedit për të rikthyer votën e lirë të shqiptarëve.

Faleminderit, ju përshëndes.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale