FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E ‘RIPËRTËRITJES’ NË KORÇË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë fjalës së tij të mbajtur në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ në Korçë, akuzoi qeverinë për shpopullimin e vendit, varfërinë dhe vështirësitë ekonomike. Ai deklaroi se Edi Rama është ‘njeriu më i urryer i kombit në histori’. Berisha tha se opozita i ka kapërcyer betejat e saj dhe tashmë duhet të fokusohet te problemet e qytetarëve dhe përballja me qeverinë.
‘Sot në Korçë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa ç’lindnin 100 vite më parë, kur Shqipëria në territorin e saj kishte gjithsej 1 milion banorë’, deklaroi ai. Sipas Berishës, largimi i shqiptarëve nga vendi ka marrë përmasa dramatike. Në fjalën e tij, kreu i PD-së bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve të Korçës, Pogradecit, Kolonjës dhe Devollit, duke e lidhur këtë me atë që ai e cilësoi si ‘shpëtimin e Shqipërisë nga ky regjim’.
‘Çmimet në Strasburg ishin baras ose dy herë më të ulëta se këtu, ndërsa rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës në Korçë, duke u ndalur te rritja e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qytetarët. Berisha tha se, ndërsa familjet shqiptare e kanë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve të përditshme, sipas tij, qeveritarët vijojnë të bëjnë shpenzime luksoze. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se prenoton hotele me çmime që arrijnë në 15 mijë euro nata dhe e përdori këtë si shembull të kontrastit që, sipas tij, ekziston mes standardit të jetesës së qytetarëve dhe atij të drejtuesve të vendit.
‘Ripërtëritja e PD-së ka vetëm një qëllim të vetëm: të ripërtërijë Shqipërinë në të gjitha aspektet’, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë ‘Foltores së Ripërtëritjes’ në Korçë. Berisha prezantoi disa prej objektivave që, sipas tij, opozita synon të zbatojë në rast se merr drejtimin e vendit, duke përmendur dyfishimin e pagave dhe pensioneve, minimumin jetik dhe rimbursimin e ilaçeve. ‘Ne kërkojmë të na votoni për ato që do bëjmë’, u shpreh Berisha, duke theksuar se fokusi i PD-së duhet të jetë te përmirësimi i kushteve të jetesës dhe rikthimi i asaj që ai e cilësoi si ‘dinjitetin’ e qytetarëve. Kryetari i PD-së tha gjithashtu se partia e tij do të ndjekë një politikë të taksave të ulëta dhe të lirisë ekonomike. ‘Në filozofinë tonë, paratë janë më të vlefshme në xhepin tënd, o biznesmen, se në arkën time’, deklaroi Berisha.
‘Shqipëria e ripërtërirë kërkon një PD të ripërtërirë. Dhe vetëm një forcë vitale, funksionale, që afron rreth vetes vlerat më të mira, do të mund të jetë parti e shpresës, parti e fitores, parti e të ardhmes’, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë ‘Foltores së Ripërtëritjes’ në Korçë. Berisha u ndal te problemet e fermerëve shqiptarë, duke akuzuar qeverinë se nuk u ka krijuar kushte të barabarta konkurrence me fermerët e vendeve të rajonit. Ai solli si shembull subvencionet dhe situatën e blegtorëve, duke pretenduar se importet kanë dëmtuar prodhuesit vendas. Në vijim, kryetari i PD-së tha se ripërtëritja e opozitës duhet të shoqërohet me afrimin e të rinjve, grave dhe figurave që, sipas tij, përfaqësojnë vlerat më të mira të shoqërisë. ‘Asnjë njeri nuk ka pse të na votojë ne për ato që kemi bërë. Të gjithë do të na vlerësojnë ne me ripërtëritjen që do t’u paraqesim atyre’, u shpreh Berisha.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Korçës, të pranishëm në këtë sallë, në qytet, në fshatra, në këtë qark dhe kudo që jeni sot, përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të madh për ju, shpirtin tuaj liridashës, shpirtin tuaj punëtor, virtytet tuaja.
Të dashur miq, sot vij këtu në takimin e shtatë pas 15 tetorit të vitit 2021.
Atëherë kam ardhur në një foltore, në të cilën ne u betuam për të shpëtuar opozitën.
Dashuria për Korçën, dashuria për Shqipërinë na ftonte ne që të qëndronim që Shqipëria dhe Korça të kishin një opozitë të vërtetë.
Në këto vite ne kaluam, të themi një lloj kalvari, por ne nuk u mposhtëm. Jo se ne jemi të mbinatyrshëm, jo, por se kauzat që ne mbronim ishin kauza të drejta, ishin kauza frymëzuese.
Ndaj dhe ne sot nuk mblidhemi më për çështjet tona, por ne sot mblidhemi këtu në këtë Foltore të Ripërtëritjes për çështje të qytetarëve të Korçës dhe mbarë Shqipërisë.
PD dhe opozita kapërceu betejat e veta, por ato nuk ishin qëllim në vetvete. Ato kishin një qllim, një opozitë të vërtetë, e cila të shndërrohej në lokomotivë të forcës së forcave opozitare dhe shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim.
Ndaj dhe kjo Foltore e Ripërtëritjes është një apel, është një kushtrim për çdo qytetar, për të gjithë Korçën në këmbë.
Për çdo pogradecar dhe Pogradecin në këmbë.
Për Kolonjën dhe kolonjarët në këmbë.
Për Devollin dhe devollinjtë në këmbë.
Sot, të gjithë në këmbë drejt fitores tonë, drejt shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim antishqiptar.
Nga ky regjim, i cili ka dëmtuar qenien tonë si shqiptarë në themel më shumë se çdo pushtim tjetër në shekuj e shekuj.
Ky regjim ka pakësuar në mënyrën më dramatike qenien tonë.
Sot në Korçë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa ç’lindnin 100 vite më parë kur Shqipëria në
territorin e saj kishte gjithsej 1 milion banorë.
Sot në 1 mijë shqiptarë rezidentë në Shqipëri, 466 janë të regjistruar në BE.
Po të shtojmë këtu ata që jetojnë në vendet e tjera jashtë BE, u garantoj se mbi 60 përqind e kombit nuk ndodhet më në Shqipëri.
Asnjë komb, në asnjë luftë, në asnjë epidemi, në asnjë fatkeqësi, nuk ka pasur në 10 vite një pakësim si ky që kemi sot.
Sot Edi Rama është bërë njeriu më i urryer i kombit në histori.
8 mijë kilometra nga Tirana dhe shqiptarët e gjuajnë me vezë e domate.
U lumtë!
Theksova se koha kërkon nga ne të merremi me të gjithë potencialin tonë, me problemet e mëdha të qytetarëve.
Probleme me një dhimbje të jashtëzakonshme.
Probleme që kushtojnë qindra dhe mijëra jetë.
Sot, shqiptarët janë më të varfrit, më të keqpaguarit në të gjithë Evropën, në të gjithë Ballkanin.
Sot mijëra e mijëra pensionistë shqiptarë u shkurtojnë jetën sëmundjet sepse nuk mjekohen dot, sepse nuk marrin dot ilaçet.
Një mik i imi, i cili është në pension dhe merr një pension jo të vogël, e lexoj, shkruante një ditë: shkova në farmaci për të marrë ilaçin, ilaçi ishte për ata që jepet kundër mpiksjes së gjakut. Farmacistja më tha që nuk ka marrë rimbursim.
E llogarita ilaçin që duhej të blija, në një vit më kushtonte tre pensione vetëm ky ilaç.
Po unë t’u them ju, se për ata që nuk kanë pension të plotë, ky ilaç kushton 12 pensione.
Çfarë do të thotë? Këtë ilaç nuk mund ta marrin. Por mpiksja e gjakut me moshën shtohen.
Po sa e sa nëna e baballarë, njerëz të nderuar që kanë shkrirë jetën e tyre për të mësuar fëmijët tanë, në ara, në biznese, në ferma, në fabrika dhe kudo, infermierë që kanë kaluar jetën duke ndihmuar të sëmurët, tani nuk marrin ilaçet me këto pensione.




Nga viti 2013 gjer sot, në mënyrën më të frikshme, çmimet janë rritur pakrahasimisht më shumë se rrogat.
Isha në Strasburg, ishin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u futa për kuriozitet në një market, absolutisht të gjithë çmimet që të gjitha ose baras ose dy herë më të ulëta se këtu.
Po rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ne kemi ardhur në një kohë shumë të vështirë, në një kohë në të cilën nuk jemi si në vitin 1990, kur dyqanet i kishim bosh, por rrogat i kishim në xhep aq sa ishin.
Sot i kemi xhepat bosh, dyqanet plot, por nuk i blejmë dot.
Kjo është varfëria, e cila ka vetëm një shkak: vjedhjen e papërbajtur të taksave dhe pasurive publike të Korçës dhe gjithë Shqipërisë.
Edi Rama prenoton hotelin me 15 mijë euro natën.
A e dini ju që sarajet e tij, të cilët i kanë themelet dy herë sa vila e Enverit, i ka ndërtuar kur ka pasur gjithsej 3800 euro të deklaruara dhe 400 mijë lekë. Por kompania që ndërtoi sarajet, ka marrë me dhjetëra tendera nga qeveria.
Pallati pesëkatësh në pajë i zonjës së tij, për të cilën nuk ekziston asnjë faturë, por ai që ka ndërtuar pallatin, rrugën Qukës- Qafë Plloçë, është po ai, çmimi, ua them unë ju, kur ne prokuruam këtë rrugë në vitin 2009 me supervizion bankar, ka qenë 73 milionë euro. Përfundimi i saj është 320 milionë euro. 40 përqind më shumë kilometri se sa i autostradës me tunel Elbasan-Tiranë.
Pra, vjedhje, vjedhje të pakufishme.
Por kjo është vetëm njëra anë.
Ka një anë tjetër të padukshme dhe është akoma më dramatike dhe këtu ne do të kemi përparësinë absolute.
Ana tjetër është se në këtë mjedis të krijuar, ku krimi bën ligjin, ku televizionet, mediat janë njëlloj narkoze me korruptimin e gjuhës dhe të mendimeve, në këtë mjedis, në këtë shoqëri, po humbet në mënyrë të tmerrshme ajo që quhet bashkëndjesi.
Tani kanë marrë një fjalë të huaj, empati.
Humbja e bashkëndjesisë, e ndjesisë për dhimbjen e tjetrit, për vuajtjen e tjetrit, për mospasjen e tjetrit është shkatërrimtare.
Nuk vuan kush për bukë, thotë ai. Po sigurisht se për vete hap shishen 36 mijë euro, dhe të hapësh shishe 36 mijë euro në një kohë kur pothuajse të gjithë pensionistët nuk blejnë dot ushqimet e muajit, atëherë natyrisht nuk ndjen asgjë për ta.
Atëherë varfëria të duket paaftësi e tjetrit dhe vetë lan duart, unë nuk kam përgjegjësi.
Atëherë padrejtësia të duket një gjë normale.
Atëherë dobësia të duket faji i tij.
Ne do ta përmbysim në mënyrën më emergjente këtë situatë.
Do të thoni ju, po si mundet një njeri t’u përgjigjet problematikave të tilla të 700 mijë, 800 mijë qytetarëve?
Po absolutisht mundet, sepse ajo qeveri që nuk i ka njerëzit numra, ajo që qeveria që nuk i ka njerëzit etiketa, ajo mendon në radhë të parë vetëm për ata, si t’ua qetësojë dhimbjet e varfërisë, si t’u japë mundësi të mjekohen.
Dyfishohen rrogat, dyfishohen pensionet, jepet minimumi jetik, rimbursohen të gjitha ilaçet.
Para një jave shkruanin, për të rritur një fëmijë kushton 66 përqind të rrogës.
Po mo ka mundësi shteti që të mos kushtojë asnjë qindarkë, që t’ia paguajë të gjitha.
Dhe këto do i bëjmë ne. Absolutisht. Sepse, miq është ai virtyt që mban njerëzit të lidhur njëri me tjetrin, që bën njerëzit të ndjejnë përgjegjësi për njëri-tjetrin, për vuajtjet, për dhimbjet, për suksesin, për dështimin.
Ai është zhdukur me këtë propagandë dhe me këto qëndrime.
Jo, ne do bëjmë gjithçka për rikthimin e tij.
Dhe unë u garantoj se nëse PD ka ndërmarrë ripërtëritjen si moton e saj më kryesore, ka vetëm një qëllim të vetëm për të ripërtërirë Shqipërinë në të gjithë aspektet.
Për t’u rikthyer shqiptarëve pasuritë që ata kanë.
Për asgjë shqiptarët nuk duhet ta votojnë ne për ato që kemi bërë.
Ne kërkojmë të na votojmë për ato që do bëjmë.
Po!
Por u them një gjë ama, në rast dyfishuam rrogat dhe pensionet, në rast se e zgjatëm në një vit lejen e lindjes, në rast se morëm një seri masash të tjera, e bëmë jo se nuk kishim ku t’i shpenzonim ato para, por e bëmë se donim që në radhë të parë t’i shpenzonim tek njerëzit.
Donim në radhë të parë t’u jepnim dinjitetin që meritonin.
Donim që shqiptarët të paguheshin më mirë se maqedonasit, se shqiptarët në Kosovë, se malazezët, se serbët, se boshnjakët, se bullgarët, se rumunët.
Pse? Jemi më të pasur se ata ne në pasuri natyrore. Nuk ka asnjëri prej tyre pasuritë tona. Jo, nuk i ka.
Ndaj dhe ne qëndrojmë fuqishëm dhe ne jemi parti e taksave të ulëta.
Po pse jemi parti e taksave të ulëta ne? Edhe ne na duhen paratë.
Por në filozofinë tonë, paratë janë më të vlefshme në xhepin tënd o biznesmen se në arkën time.
Dhe kjo filozofi është filozofia e lirisë. E lirisë ekonomike.
Dhe ne qëndrojmë fuqishëm prapa këtyre parimeve.
Por miqtë e mi, që ne të transformojmë këtë vend, që fermeri korçar, i cil është më punëtor se çdo fermer tjetër, se as ata në Maqedoni, se kudo, ua them unë ju, të konkurrojë me dinjitet me fqinjët, ata marrin 6 herë subvencione më shumë se sa fermerët e Korçës.
Si do ia bëjë ky pastaj? Nga do i dalë?
Dhe mbi të gjitha shkon në mënyrën kriminale hap kufinjtë me Ballkanin e Hapur dhe natyrisht e bën të pamundur çdo lloj konkurrence.
E tregova edhe një ditë në një takim tjetër, kam një mik, kushëriri i të cilit është çoban dhe unë e njoh atë çobani. Çobani, një tufë 300 delesh, krenar dhe më tregonte se çfarë bënte. I them mikut, ku shkove për pushime? Më tha shkova te kushëriri, tek ky.
Si ishte?
Jo mirë, tha.
Pse?
Ai fitimet i nxirrte me qengja. Shiste qengja, tani qengjat futeshin nga Serbia dhe nuk i leverdiste më qengji atij.
Dhe ai tani po shkonte drejt likuidimit të tufës.
Po sa fermerë kanë falimentuar për shkak të Ballkanit të Hapur që është kryekëput interesi i një vendi tjetër?
Ta bësh këtë do të thotë që ti nuk ke ndjesitë më minimale ndaj këtyre njerëzve që punojnë, që djersijnë, që nxjerrin kafshatën e gojës me djersën më të madhe. Ti nuk pyet për ta.
Naftën, rritet nafta për shkak të Hormuzit, të gjitha vendet e tjera ulin taksën, japin kompensimin, kurse ky asnjë ndërhyrje.
Sheikët vijnë me jahte dhe marrin 500 mijë litra naftë gjer në 1 milion me 500 lekë në Durrës dhe shkon një drekë me kaviar dhe shampanjë ky me ta.
Po ato më mirë jepja fshatarëve ti me 500 lekë atë naftë.
Nuk ka asnjë lloj ndjesie, asnjë ndjesi, as ata, as ata që ka përreth.
Ndaj dhe ky transformim do të jetë e thellë.
Kjo betejë e jona, kjo ripërtëritje është për të ripërtërirë Shqipërinë.
Por miqtë e mi, e thashë edhe më parë, asnjë njeri nuk ka pse të na votojë ne për ato që kemi bërë.
As njeri nuk do të na votojë ne për qëndresën që dëshuam, e cila është një heroizëm i vërtetë, por është e shkuar.
Të gjithë do na vlerësojnë ne me ripërtëritjen që do u paraqesim atyre.
Me vlerat me të cilat do dalim para tyre.
Me të rinjtë, të cilët do i tërheqim në radhët tona.
Me zonjat, zonjushat, të cilat janë shumica absolute e kombit në Shqipëri për rrethana të caktuara.
Pra, në qoftë se Kuvendi dhe forumet e tjera me votë e shprehën me besnikëri ndaj jush këtë motiv, tani na përket ne të gjithë të tjerëve ta shprehim në çdo përpjekje tonë, në seksion, në grupseksion, me veten tonë, si individë e me radhë.
Shqipëria e ripërtërirë kërkon një PD të ripërtërirë.
Dhe vetëm një forcë vitale, funksionale që afron rreth vetes vlerat më të mira do mund të jetë parti e shpresës, parti e fitores, parti e të ardhmes së Partisë Demokratike.
Rroftë Korça, rroftë Shqipëria!


