Berisha: Reforma territoriale është kusht i BE, Rama po paraqet një raport në kundërshtim me ligjin. Projekti ynë parashikon nga 90 në 110 bashki dhe rikthimin e komunave

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po shkel ligjin dhe po minon procesin e reformës territoriale, duke paraqitur në Kuvend një raport të njëanshëm, që sipas tij nuk është miratuar më parë në komisionin përkatës.

Në një prononcim për gazetarët jashtë sallës së parlamentit, lideri i demokratëve Sali Berisha deklaroi se reforma territoriale dhe ajo zgjedhore janë dy kushte të përcaktuara nga Bashkimi Europian për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërprerë në mënyrë arbitrare punën e përbashkët sapo kuptoi se qytetarët po kundërshtonin ndarjen aktuale territoriale.

‘Ky raport paraqitet absolutisht kundër ligjit. Edi Rama ndryshoi menjëherë qëndrim kur e pa se në mbarë Shqipërinë qytetarët po kundërshtonin reformën që ai kishte bërë dhe ndërpreu në mënyrë të njëanshme punën e komisionit’, u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës Sali Berisha bëri të ditur se Partia Demokratike ka përfunduar një raport prej mbi 400 faqesh dhe një projekt alternativ për organizimin territorial të vendit, i cili, sipas tij, është hartuar mbi analiza të detajuara dhe konsultime.

‘Ne kemi projektin tonë, i cili parashikon një numër bashkish që varion nga 90 në 110, por edhe rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme. Nuk synojmë kthimin te modeli i vjetër me mbi 400 komuna, pasi ndryshimet demografike e bëjnë atë jo realist, por kemi ndërtuar një model të ri dhe serioz’, deklaroi kreu i PD-së.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, opozita kishte pritur që propozimet të shqyrtoheshin në praninë e ekspertëve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, të cilët do të luanin rolin e ndërmjetësit mes palëve. Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se nuk ka vullnet për një reformë të vërtetë territoriale. ‘Edi Rama nuk dëshironte reformën. Do me çdo kusht ta kthejë Shqipërinë në çifligun e vet’, tha ai.

Prononcimi i kryetarit të PD, Sali Berisha:

Dënoj dhunën e egër, përdorimin e lëndëve djegëse, gazeve helmuese, sprajit të ariut, topave të ujit ndaj protestuesve paqësore, akte me të cilat dëshmohet fytyra e vërtetë diktatoriale e regjimit.

Por dënoj me forcën më të madhe cilësimin si terroristë të protestuesve paqësorë në një akt të pashembullt nga kryegangsteri i grupit parlamentar të partisë së krimit, Taulant Bego Yaris dhe me shumë mbiemra.

Këto janë qëndrimet më të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve, të cilët protestojnë në mënyrë paqësore.

Kërkoj edhe njëherë përfundimin e këtij parlamenti pasi këta deputetë në mënyrë absolute nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, përfaqësojnë votat e plaçkitura me banda, me para krimi. Votat e plaçkitura me patronazhistë. Votat e plaçkitura në shumë mënyra të tjera.

Sot gjithashtu siç e patë ju, në parlament, në një akt tërësisht të njëanshëm, kjo pseudomazhorancë do të lexojë raportin e komisionit të reformës territoriale të paparaqitur në komision.

Ky raport, që kanë sjellë socialistët, është një raport që nuk është paraqitur në komision. Pra është një raport që paraqitet absolutisht kundër ligjit në një kohë kur çdo gjë po ecte sipas një axhende të miratuar bashkërisht për konsultat me qytetarët, e me radhë, Edi Rama ndryshon menjëherë qëndrim kur e pa se në mbarë Shqipërinë qytetarët po kundërshtonin reformën që ai kishte bërë, dhe natyrisht e kuptoi se edhe projektin e tij nuk do ta miratonte njeri, ndërpreu në mënyrë të njëanshme punën e përbashkët në komision dhe tani do të paraqesë raportin në mënyrë të kundërligjshme.

Ne kemi raportin tonë 400 e sa faqe, por ne kemi qenë seriozë në mënyrën tonë dhe nuk kemi bërë publike propozimet sepse donim që të ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, të cilët sigurisht do të ishin broker në variantet që do paraqiteshin.

Ky akt bën të pashpresë reformat në Shqipëri.

Por unë them një gjë, që jo në dokumentet e fundit të BE, por edhe në raportin e KE të tetorit që kaloi, dy janë kushtet. Janë të dy reformat, territoriale dhe elektorale, kushtet që Shqipëria të avancojë në këtë proces.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Zoti Berisha, ju thatë se e keni gati raportin mbi 400 faqe, a keni ju një propozim se si duhet të jetë ndarja e vendit në sa bashki…

Sali Berisha: Absolutisht ne kemi një propozim shumë të mirë. Ne kemi bërë punën më serioze, kemi ndjekur të gjithë procesin dhe ne kemi pritur rastin kur përfaqësuesit që kanë një ekspertizë shumë të lartë, Kongresi i Autoriteteve Lokale, të ishte i pranishëm dhe ne të paraqisnim variantin tonë. Pala tjetër do paraqiste variantin e vet dhe do merrnim ekspertizën më të mirë. Sigurisht që ne kemi variantin tonë, që është varianti më i shkëlqyer.

Mund të na i tregoni? Sepse puna e komisionit ka përfunduar zoti Berisha.

Sali Berisha: Jo, s’ka përfunduar puna, më fal një minutë. Janë dy gjëra krejt të kundërta, puna dhe afati. Afatet e komisioneve bipartizanë janë shtyrë, nuk ka komision bipartizan që të ketë përfunduar punën në afatin e përcaktuar, gjithmonë ato janë shtyrë. Edhe ky afat duhej të shtyhej, dhe diskutimi i fundit që është bërë si komision, është bërë pikërisht për shtyrjen e afatit. Por Edi Rama ka urdhëruar në mënyrë arbitrare Maznikun, që të paraqesë në mënyrë të njëanshme, të kundërligjshme, sepse ky raport nuk është paraqit në komision. Nuk mund të paraqitet në parlament një raport që s’është paraqitur në komision.

A ka pasur një dakordësi, në dijeninë tuaj, në komision që t’i jepet një rol ndërmjetësuese këtyre ekspertëve ndërkombëtarë, pra palët vijnë me secili me draftin e vet?

Sali Berisha: Pa diskutim. Dhe ky rol ndërmjetësues është i domosdoshëm. Pse? Kongresi i Autoriteteve Lokale e Rajonale, por edhe në Komisionin Evropian, sepse Evropa është edhe Evropa e rajoneve. Edhe në Komisionin Evropian kanë një ekspertizë të jashtëzakonshme për reformat territoriale, dhe ne duhet ta merrnim atë në mënyrë që t’i jepnim vendit një reformë të vërtetë territoriale. Kaq është. Këta veprojnë në mënyrë të njëanshme. Asgjë s’çuditemi, ne e kemi pasur të qartë që në fillim që ai kështu do të veprojë. Por ai e pa se konsultat kudo, qytetarët u ngritën dhe hodhën poshtë ndarjen e tij territoriale.

Sipas Partisë Demokratike, cila duhet të jetë ndarja? Në sa bashki duhet të jetë i ndarë vendi?

Sali Berisha: Ne kemi projektin tonë i cili ka një numër bashkish që varion nga 90 në 110, por shton komunat. Ne nuk themi të shkojmë tek modeli i përparshëm, jo, sepse ka ndryshime demografike, të cilat modelin e përparshëm me katërqind e sa komuna e bëjnë jo shumë realist. Por ne kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme. Ose aty ku kanë qenë dy apo tre komuna, mund të krijohet një komunë. Pra, ne kemi bërë një punë shumë serioze në hartë në përcaktimin e njësive të ardhshme. Por kjo nuk u lejua sepse u ndërpre. Edi Rama nuk dëshironte reformën. Do me çdo kusht ta kthejë Shqipërinë në çifligun e vet.

Zoti Berisha, prishja e paktit për reformën territoriale, a do të thotë dhe largim nga tryeza e reformës zgjedhore?

Sali Berisha: Unë nuk di pakt që nuk shkel Edi Rama. Edi Rama nuk ka moral, nuk njeh ligj, njeh vetëm ambiciet e tij të shfrenuara për pushtet.

A do e prekë edhe reformën zgjedhore ky hap i mazhorancës?

Sali Berisha: Të sigurt të jeni që ai nuk pranon asgjë përveç asaj që mendon vetë. Por ne, me përgjegjësi të plotë para qytetarëve shqiptarë, të cilët na kanë kërkuar masivisht që të marrim pjesë në këtë reformë. Përveç kësaj, kjo reformë është kusht në raportin e Komisionit Evropian të tetorit të vitit të kaluar, është kusht për Shqipërinë që të ecë më përpara.

Pyetja ime ishte nëse do e braktisni reformën zgjedhore për shkak të prishjes së paktit?

Sali Berisha: Të garantoj që Edi Rama ka të njëjtin skenar.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale