BASHKËBISEDIMI ONLINE I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar reformën e re territoriale të qeverisë Rama si një projekt politik dhe elektoral, që sipas tij synon të thellojë shpopullimin dhe centralizimin e pushtetit vendor. Gjatë bashkëbisedimit të sotëm online me qytetarët, ai theksoi se opozita do ta vendosë reformën territoriale në qendër të betejës së saj politike dhe do të zhvillojë një debat të gjerë me qytetarët.
‘Ne absolutisht e shndërrojmë këtë çështje në çështje kryesore’, tha lideri i demokratëve Sali Berisha, duke akuzuar mazhorancën se reforma synon të kontrollojë edhe ato bashki që aktualisht nuk janë nën drejtimin socialist. Sipas tij, projekti i ri nuk lidhet vetëm me administrimin territorial, por me një strategji më të gjerë të qeverisë. ‘Ky është një projekt për të thelluar më tej shpopullimin, për të fshirë nga faqja e dheut njësitë, bashkitë, shërbimet, dhe për të detyruar shqiptarët të largohen sa më shumë nga vendet e tyre’, deklaroi kreu i PD-së.
Lideri i opozitës, Sali Berisha tha se kanë paraqitur një hartë me 100 njësi vendore, por theksoi se propozimi mbetet i hapur për konsultime dhe për shtimin e bashkive të tjera të vogla. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se reforma territoriale e vitit 2014 ka dobësuar decentralizimin dhe ka dëmtuar shërbimet në zonat rurale. Sipas Berishës, reduktimi i njësive vendore nga 373 në 61 bashki ka sjellë një përqendrim të jashtëzakonshëm të pushtetit. ‘Nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa Shqipëri rurale të zhvilluar’, tha ai, duke argumentuar se administrata vendore duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe jo vetëm e përqendruar te punësimi administrativ.
Kryetari i PD-së Sali Berisha ka përshëndetur edhe zgjedhjen e ambasadorit të ri Amerikan në Tiranë, Eric Wend. Ai deklaroi se, ndan të njëjtat qëndrime me ambasadorin e ri lidhur me kartelet e drogës, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. ‘Unë ndaj plotësisht pikëpamjen se trafikantët e drogës janë terroristë të egër. Dhe kur ata janë miliarderë, ata ngjiten në nivelet më të larta në klasifikimin si terroristë. Ata përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për kombin e vet, por dhe për kombet e tjera. Krimi shqiptar është një krim shumë i rëndë.’, theksoi Berisha.
Në bashkëbisedim me qytetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha e cilësoi protestën që sot është futur në ditën e 70 të saj, si ‘protesta më e fuqishme rinore qytetare në historinë e këtij vendi’ pas viteve ’90 dhe u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që ta mbështesin. Berisha deklaroi se, PD nuk duhet të përpiqet të marrë nën kontroll protestën, por ta mbështesë atë.
Kreu i PD-së Sali Berisha sulmoi edhe mënyrën se si, sipas tij, Edi Rama mazhoranca po ushtron kontroll mbi institucionet dhe zgjedhjet. Duke folur për SPAK-un, Berisha përsëriti akuzën se ky institucion është bërë ‘gardian i krimit kushtetues elektoral’ dhe se nuk ka hetuar në mënyrë të mjaftueshme, sipas tij, shkeljet e pretenduara zgjedhore.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e lidhi reformën territoriale me një betejë më të gjerë politike për decentralizimin, zgjedhjet dhe të ardhmen e zonave rurale. ‘A është e drejtë kauza e saj? Dhe në përgjigjen e kësaj pyetje çdo qytetar të marrë të gjithë vendimet e tij’, u shpreh lideri i demokratëve Sali Berisha, duke iu referuar protestës qytetare dhe duke i ftuar shqiptarët ta mbështesin.

FJALA E PLOTE
Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë, e cila ka në themel mungesën e plotë të legjitimitetit të qeverisë aktuale dhe kreut të saj Edi Rama për disa arsye madhore.
Së pari, është faktuar se kjo qeveri erdhi në pushtet me një farsë elektorale, duke dhunuar masivisht zgjedhjet dhe duke bllokuar çdo hetim me kapjen e saj të partisë, të krimeve monstruoze kushtetuese elektorale.
Së dyti, kjo qeveri si asnjë tjetër në Europë faktoi para shqiptarëve dhe botës se jo vetëm vjedh shqiptarët në mënyrë të papërmbajtur, por hajdutët e saj, Rama dhe Balluku, janë mbi çdo ligj në këtë vend, ndaj dhe përdoren 83 mandatet e krimit.
83 mandatet e krimit për të mbrojtur aferat e mëdha të korrupsionit. Një qeveri që nuk lufton korrupsionin dhe një qeveri që mbron korrupsionin, pavarësisht sa vota apo si i ka marrë ato, humbet legjitimitetin e saj para qytetarëve.
Përfaqëson botën e krimit, përfaqëson antiligjin dhe meriton të largohet sa më parë nga pushteti.
Së treti, kjo qeveri nuk ka asnjë legjitimitet sepse prej 70 ditësh, në një protestë epike për Shqipërinë dhe Europën, dhjetëra, qindra, mijëra qytetarë shqiptarë kanë protestuar dhe vazhdojnë të protestojnë në rrugë dhe sheshet e Tiranës për orë të tëra.
Për probleme madhore, kundër politikave antishqiptare, të shpopullimit të Shqipërisë. Kundër politikave shkatërrimtare të mjedisit dhe jetës në këtë vend, kundër vjedhjes masive të shqiptarëve nga qeveritarët dhe pavarësisht se zëri i tyre ka ushtuar fuqishëm në mbarë botën, në të gjitha vendet e lira të botës, ka fituar mbështetje dhe simpati të jashtëzakonshme.
Sepse në të vërtetë e jashtëzakonshme ka qenë, me shumë dimensione kjo protestë.
Për Edi Ramën, në një akt të thuash cinik është pak, por në një akt kriminal të paprecedentë, ata janë shumëzuar me zero.
Ditë për ditë janë etiketuar në mënyrat më të pamerituara, janë përdorur mediat si hanxhar ndaj tyre, fyerje dhe poshtërime po kështu dhe parlamenti.
Edi Rama nuk ka më legjitimitet dhe qeveria e tij, siç faktoi me hartën elektorale, me hartën e ndarjes së pushtetit lokal.
Këto vite faktuan për shqiptarët se ndarja territoriale e vitit 2014 që shkurtoi, pakësoi nga rreth 400 njësi të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, në 61 njësi, ishte goditja më e fuqishme që iu bë parimit demokratik të decentralizimit.
Por ishte gjithashtu platforma më e egër për shpopullimin e Shqipërisë dhe largimin, dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, për mungesë shërbimesh, për bojkot total të tyre.
Reforma territoriale e Edi Ramës së bashku me politikat e ndjekura nga 2014 e gjer sot, kanë tejkaluar në fuqinë e përzënies së shqiptarëve nga shtëpitë dhe fshatrat, qytetet e tyre, mbi dy herë platformën e Vaso Çubrilloviçit, e cila për hir të së vërtetës, përveç zbatimit të largimit të shërbimeve, rrënimit të arsimit, shëndetësisë, injorimit të infrastrukturës, intimidimit me polici, pati dhe një marrëveshje ndërkombëtare me Turqinë për tërheqjen e shqiptarëve nga Kosova në Turqi.
E megjithatë regjimin opresiv të Gjeorgjeviçit dhe Paniçit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Edi Rama tejkaloi me dy herë numrin e të dëbuarve nga Shqipëria krahasuar me ata që u dëbuan nga Kosova.
Por, i pangopur në politikën e përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij, të centralizimit të plotë, duke tejkaluar në disa aspekte dhe Enver Hoxhën, i pangopur në zbimin e shqiptarëve, gjenocidin e butë ndaj shqiptarëve, ai ndërmori hapin tjetër.
Ku në vend që të korrigjonte gabimet katastrofale të reformës së parë, vazhdoi me shkurtimin e 15 bashkive të tjera duke ulur numrin në 46 bashki.
Kjo ka sjellë një reagim të fuqishëm të banorëve të bashkive të shkurtuara, por dhe një reagim të fuqishëm të banorëve të cilët humbën pushtetin vendor në mënyrën më të pajustifikueshme në vitin 2014.
Edi Rama me këtë centralizim prej sulltani që nuk e ka patur kurrë në historinë e Shqipërisë një sundues, kërkon që çdo pushtet ta ketë në pëllëmbë të dorës. Kërkon të vazhdojë më tej zbimin e shqiptarëve dhe mbushjen e Shqipërisë me qytetarë të marrë nga Azia apo vende të tjera në aktin më kriminal, më antishqiptar.
Me këtë rast unë përshëndes përzemërsisht të gjithë ata qytetarë, të rinj, të moshuar, burra, gra, që në 70 ditë protestë lartësuan si kurrë më parë nderin dhe dinjitetin e kombit shqiptar në betejën e tij për të ardhme.
Përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetarë në mbarë Shqipërinë nga bashkitë të cilat Edi Rama i ka përcaktuar për zhdukje me reformën e re dhe të atyre të tjerave që po përgatiten të ngrihen në një kryengritje paqësore të fuqishme gjer në përmbysjen e sulltanit të Surrelit, këtij sundimtari që ka humbur çdo legjitimitet.
Ju falënderoj për ndjekjen dhe mbetem i hapur për çdo pyetje që të dëshironi.

BASHKËBISEDIMI ONLINE ME QYTETARET
G. N. Grimci: Përshëndetje doktor. A po e pret Rama në besë shtresën e mesme se i ka dhënë besën krimit? Sot zoti Berisha, Shqipëria është një parajsë për të kriminalizuarit, pasi askush nuk u kërkon llogari për miliona euro që qarkullojnë. Nga ana tjetër vendi është kthyer në ferr financiar për shtresën e mesme. Çfarë do të bëni ju përballë këtij realiteti?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen.
Edi Rama, betejën me shtresën e mesme dhe përpjekjen e tij për dëbimin e shtresës së mesme nga Shqipëria, e filloi me taksën 23% që u vuri profesioneve të lira, të cilat duhet ta pranojmë, përbëjnë pjesën më vitale të shtresës së mesme dhe të shërbimeve në Shqipëri.
Nuk janë vetëm profesionet e lira, por të njëjtin fat ai po i rezervon me çdo kusht kësaj shtrese në mënyrë që në Shqipëri të mbeten ai, oligarkët e tij dhe punonjës skllevër të cilët nuk votojnë por, marrin rrogat dhe të shtypur qëndrojnë në punë, njëlloj si në vende të tjera pa të drejta, nga vendet e Azisë, Afrikës e të tjerë. Unë garantoj shtresën e mesme, garantoj profesionet e lira, se politika fiskale e kësaj partie do t’u krijojë atyre mundësi të shpalosin të gjitha aftësitë dhe të gëzojnë prosperitetin që meritojnë.
Shtresa e mesme është shtylla më kryesore e shoqërisë, është promotori i zhvillimit të saj. Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka për begatimin, prosperitetin, zhvillimin e saj, por do bëjmë gjithçka të rikthejmë sa më shumë shqiptarë nga Shqipëria, me qëllim shtimin e kësaj shtrese dhe rritjen e numrit të popullatës.
Politika e ripopullimit do të jetë një nga linjat më kryesore të politikës sonë.
Arsen Dushku: Zoti Berisha, ju keni qenë koherent në sulmet kundër SPAK, e sot po faktohen akuzat tuaja. A ka shpjegim se sa më shumë hetime ka për Ballukun, aq më lart gradohen ushtarët e Ballukut në bashki dhe qeveri? Goditjet e SPAK ndaj krimit në vend që të ndikonin në pastrimin e parave, kanë bërë të kundërtën. Fenomeni ka marrë përmasa dramatike dhe këtë e fakton edhe rënia e euros.
Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen. Unë jam ish-president dhe ish-kryeministër.
Kurrë, kurrë nuk do të preferoja dhe nuk dëshiroj të sulmoj punonjës të organeve të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit.
Problemi im duhet të jemi hapur me ju me SPAK-un që kur unë jam rikthyer në Partinë Demokratike por dhe më parë ka qenë një, më kryesori. Dhe për fatin më të keq, për fatin më të keq, në këtë vend, qenë shumë, shumë të paktë ata të cilët e realizuan.
SPAK-u ju faktoi shqiptarëve, jo vetëm opozitarëve, por të gjithë shqiptarëve që besojnë tek vota e lirë, besojnë se pluralizmi politik është promotori dhe lokomotiva jo vetëm e demokracisë, por e të ardhmes së një vendi, pa të cilin nuk ka të ardhme.
SPAK-u u bë gardian i krimit kushtetues elektoral. Dhe unë betejën time kundër këtij institucioni nuk e fsheh, e kam filluar pikërisht atëherë kur u bindëm dhe konstatova se ky institucion është armiku i egër i pluralizmit. Kush të dojë le të marrë deklaratat e mia.
Ata patën pafytyrësinë të më dërgojnë mesazhe duke besuar se do mund të shuanin zërin tim. Por kurrë ajo s’mund të ndodhte. Dhe sot po faktohet që ai ushtron në një vegël, në një armë të partisë shtet. Përsëri, ju keni shumë të drejtë që përmendni krimet e ministrave.
Por për Sali Berishën dhe për ju, ju garantoj se kryekrimi i tyre është amnistia e krimit elektoral.
Pse? Sepse ata zgjedhjet kanë dy aspekte: kanë aspektin e zhvillimit të tyre ku forcat politike, ekzekutivi kanë përgjegjësinë e tyre, por kanë aspektin e trajtimit të të gjitha parregullsive, të cilat janë totalisht kompetencë dhe atribut i SPAK-ut.
Në qoftë se SPAK-u nga dhjetëra e dhjetëra dosje krimesh monstruoze të cilat janë të sanksionuara në këtë, në këtë libër me 1500 faqe, 1500 faqe me 2500 prova fakte, ka dërguar në, ka hetuar vetëm 3-4 persona.
Në një kohë kur Edi Rama me ministrat e tij është autor kryesor i asaj farse, SPAK-u i jep qeverisë licencën për të manipuluar, për të grabitur, për të dhunuar zgjedhjet dhe legjitimon të palegjitimueshmen farsën elektorale.
Përsa i përket Lubisë, do them dy fjalë këtu.
Unë që them këto fjalë për SPAK-un mund të them se në rastin e Ballukut ai prokuror që dërgoi dosjen dhe ata që e hetuan atë u treguan të guximshëm, bënë detyrën e tyre. Por atyre Edi Rama u shpalli luftë.
Dhe imagjinoni ju, imagjinoni ju një njeri familjar apo jo që vihet në sulme të gjithanshme nga kreu i Meduzës, kryeministri shqiptar, tek vrasësit serialë të kontraktuar nga qeveritarët, si e ndjen veten? Ai njeri i ka shërbyer vendit.
Por ai njeri nuk mundet të asgjësojë 83 mandatet e krimit, të cilët rrëzuan kërkesën e tij kushtetuese ligjore. Ndaj dhe pse i them këtë? I them këtë se ndaj tyre nuk mund të kërkojmë ato që ata s’mund t’i bënin.
Në luftë me Edi Ramën ata janë të mundur, sepse ekzekutivi ka të gjithë forcën. Për të qenë hyrë në një betejë të tillë antidemokratike. U përket qytetarëve shqiptarë të qëndrojnë atëherë kundër këtij regjimi që ka nxjerrë, që nxjerr veten, ministrat e tij mbi ligjin dhe kushtetutën. Faleminderit.
Dalila Myrta: Përshëndetje doktor. Eric Wend është konfirmuar nga Senati Amerikan si ambasador i ri në Shqipëri. Në një reagim, ambasada e SHBA-së deklaroi se ai do të mbështesë vizionin e Trump për siguri të përbashkët. Çfarë mund të ndryshojë me këtë konfirmim në vendin tonë? Sidomos duke e ditur që administrata Trump është përqendruar në goditjen e krimit të organizuar, lidhjet e të cilave në Shqipëri janë të ngushta me qeverinë Rama.
Sali Berisha: Së pari i uroj mirëseardhjen ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, zotit Eric Wend, dhe kam bindjen se në zbatim të direktivave të qeverisë amerikane dhe presidentit Trump, të aktit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për rajonin, lufta për zbatimin e ligjit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbështetja e Shqipërisë në këto fusha do të jenë të një rëndësie shumë të madhe dhe shpresoj dhe besoj se do të jetë një përparësi dhe për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesit e saj, ambasadorin në Tiranë.
Unë ndaj plotësisht pikëpamjen se trafikantët e drogës janë terroristë të egër. Dhe kur ata janë miliarderë, ata ngjiten në nivelet më të larta në klasifikimin si terroristë.
Ata përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për kombin e vet, por dhe për kombet e tjera. Krimi shqiptar është një krim shumë i rëndë.
Imagjinoni vetëm një moment, ka një vend në Evropë në portet e të cilit nuk kapet më asnjë kilogram drogë. Pse? Sepse portet u janë dorëzuar karteleve. Ato i menaxhojnë dhe flitet rëndom se kryeministri merr për portin e Durrësit nga karteli i drogës 300 milionë euro në vit taksë.
Nuk e di, s’mund të them, po ajo që di me siguri, është kjo, se nuk është kapur prej 5 vitesh asnjë kilogram drogë.
Se ka ndodhur gjatë kësaj periudhe që kontejneri ka kaluar pa, jashtë skanerit, ka ardhur në Shkozet, është shkarkuar dhe pasi është shkarkuar, është rikthyer për t’u kontrolluar.
Ka ndodhur, dhe ka ndodhur para një muaji shkarkimi i tre kontejnerëve plot euro, me vinç. Këto kanë ndodhur. Kështu që në këtë aspekt, Shqipëria është një rrezik i madh.
Por përveç kësaj, krimi i organizuar shqiptar është një problem madhor për Shqipërinë, për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Le të marrim pak anëtarin e grupit të organizuar kriminal, Ermal Beqiri.
Ermal Beqiri ka disponuar çdo të dhënë që ka ekzistuar dhe ekziston në internet për shtetas shqiptarë dhe të huaj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nga kontrolli absolut që ai ka patur mbi internetin.
Dhe këto të dhëna, Ermal Beqiri midis të tjerash, ta dini ju, është dhe njeriu që ka eksportuar edhe sistemin TIMS. Këto të dhëna Ermal Beqiri me urdhër të Edi Ramës i ka nisur kudo që ka dashur Edi Rama, kudo që ka dashur ai vetë.
Nuk e di nëse ishte akt spiunazhi apo jo, do të jetë drejtësia franceze ajo që do vërtetojë fluturimin e tij mbi instalimet bërthamore të Francës, por një gjë është e sigurt, se ai dispononte të dhëna që kurrë nuk duhet t’i dispononte. I ka përdorur vetëm për grupet kriminale shqiptare, apo armiqtë e Shqipërisë, unë nuk besoj të jetë ndalur vetëm te grupet kriminale.
Erlis Sina: Doktor, si mendon se mund ta ndihmojë opozita protestën që po zhvillohet prej 70 ditësh?
Sali Berisha: Njëherë në radhë të parë, unë përshëndes çdo pjesëmarrës në këtë protestë epike. Në këtë protestë që pati dhe ka dimensione të jashtëzakonshme. Jo se unë dua të përdor superlativa, por se unë dua ta lexoj, dua ta paraqes atë në realitetin që ishte.
Pas viteve ’90, kjo është protesta më e fuqishme rinore qytetare në historinë e këtij vendi. Kjo është protesta më ta quajmë pan-kombëtare, që bashkoi shqiptarët kudo që janë në botë për një çështje të përbashkët.
Kjo është protesta në të cilën u ngrit në zenit ndërgjegjja e shqiptarëve edhe për çështjet mjedisore që janë çështje jetike, që dikur kanë qenë dytësore e tretësore.
Të rinjtë shqiptarë që dalin e protestojnë kundër krimeve mjedisore meritojnë një dekoratë lirie që të gjithë. Protesta ishte e jashtëzakonshme edhe për frymën e saj qytetare. Kërkon largimin e diktatorit autoritar Edi Rama, e atij që të tjerët e kanë quajtur Shqipërinë autokraci elektorale, e cila është sinonim plotësisht i diktaturës autoritare.
Tani Erlis, absolutisht në mënyrën më të vazhdueshme, më konstante, opozita, Partia Demokratike ka bërë thirrje dhe ka bërë gjithçka për një prani sa më të madhe të anëtarëve dhe mbështetësve të saj, jo si përfaqësues partie, por si qytetarë, duke respektuar prapë plotësisht frymën e qytetarisë.
Siç ke qenë në dijeni, i kam mbështetur plotësisht kërkesat e saj, sepse për ato kërkesa ç’është e vërteta, Partia Demokratike ka bërë një betejë të gjithanshme në parlament, në komisione, por edhe në protesta dhe në sheshe.
A mund të ishte më e madhe prania e Partisë Demokratike? Mund të ishte dhe më e madhe. E them këtë megjithëse kanë marrë dhe sot janë një shumicë, pjesëmarrësit janë demokratë.
U desh pak kohë që të adaptoheshin me situatën, për arsye se protesta krahas kërkesave të drejta kishte dhe slogane me të cilat ata barazonin Edi Ramën me Sali Berishën.
Erlis, protestat janë procese të një rëndësie fundamentale. Ato dhe çdo gjë tjetër duhet të mbështeten në të vërteta dhe analiza të vërteta. Në qoftë se ti krahason të pakrahasueshmet, ti zbret në atë që quhet nga Friedrich Nietzsche, mashtrim i rafinuar.
Për arrestimin e Sali Berishës dhe varjen e tij në litar, u ngritën dhjetëra mijëra, mos qindra mijëra komunistë në ’91-shin, pasi rrëzuam shtatoren e Enver Hoxhës.
Vazhdoi ky avaz në ’97-ën, grupet e rebelimit komunist të njëjtën gjë. Vazhduan me akuza nga më monstruozet. Imagjino, 8 muaj para se Haga të akuzonte Milosheviçin për krime kundër njerëzimit, Arben Rakipi më akuzoi mua.
Një ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, më akuzoi mua për krime kundër njerëzimit, duke paraqitur një shishe Pepsi-Cola si provë se paskam hedhur lëndë helmuese në Vlorë.
Edi Rama përdori miliona e miliona në mënyrë që Sali Berisha të sanksionohej. A është e vërtetë kjo?
Edi Rama me krenari të madhe rrahte gjoksin se s’kalon dot Atlantikun Sali. Edi Rama në konferencat e thirrjes së tij, e ka përdorur kushedi sa herë në konferenca, se vetë ekzistenca e SPAK-ut vihet në diskutim pse nuk po arreston Sali Berishën.
Edi Rama organizoi atentat kundër Sali Berishës në mes të bulevardit. E arrestoi atë 333 ditë. Nuk ka verbëri më të madhe se të krahasosh të pakrahasueshmet.
Tani, do vijmë këtu. Pse unë dhe pse Partia Demokratike ka bërë thirrje për pjesëmarrje? Po. Së pari, kërkesat janë shumë të drejta. Së dyti, këto slogane i kanë të armiqve të Partisë Demokratike.
Pra, janë slogane të opozitës së opozitës, që është vegël e qeverisë. Ky slogan është gjithashtu i qarkulluar nga grupet sorosiane, duke ditur armiqësinë e madhe që unë kam me ideologjinë dhe qëndrimet e George Sorosit.
Mirëpo sado që unë ua kam bërë të qartë qytetarëve se këto nuk mund të jenë një pengesë, dhe nuk janë absolutisht një pengesë. Pse? Pse nuk janë pengesë këto? Sepse kundër Edi Ramës ne do bashkëpunojmë edhe me armiqtë tanë. Në parimin e lashtë romak: armiku i armikut tim, është miku im.
Në parimin e mëvonshëm kam dhënë dhe shembuj që janë dukur pak fantazmagorikë: aleancën që bënë, Shtetet e Bashkuara bënë me Bashkimin Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Ndaj dhe asnjë demokrat nuk duhet të ishte dhe nuk duhet të pengohet pa marrë pjesë në këtë protestë.
Dhe thirrja ime është të marrin pjesë, të kontribuojnë në maksimumin e tyre. Natyrisht siç e dini që në fillim, ne jemi shprehur se protesta nuk është protestë e thirrur nga ne. Dhe se ne nuk bëjmë kurrë përpjekjen më të vogël për të akaparuar, për të përçarë këtë protestë. Jo.
Ne e admirojmë atë, ne e respektojmë atë dhe i garantoj ata qytetarë që dalin çdo natë se po të mos ishte një protestë qytetare, Sali Berisha çdo natë do të ishte aty, por një lider partiak nuk i shërben asaj.
Dhe nuk ka nevojë që të jetë aty t’i cenojë sado pak frymën rinore, qytetare të saj. Jo. Unë besoj se tërësia e idealeve të saj është e idealeve të së ardhmes së këtij kombi. Ndaj prapë bëj thirrje ta mbështesim atë me të gjithë forcën.
Konkretisht ju garantoj se ne do bëjmë çfarë kemi në dorë që ta mbështesim këtë protestë. Natyrisht Erlis, do të kthej dhe një diçka që nuk e them publikisht.
Nuk kam ndonjë këshillë dhe nuk është mirë që të gjithë ata që mund të kenë kritika ndaj protestës, të merren me kritikat, por të merren me anën si ta ndihmojnë atë.
Se po të merren me anën si ta ndihmojnë atë, do bëjnë detyrën e tyre. Pastaj të tjerat janë më të parëndësishme. Dhe njëherë urimet më të përzemërta të gjithë atyre që çdo natë protestojnë në rrugët e Tiranës për identitetin kombëtar, për lirinë e shqiptarëve.
Alfred Feto: Si shpjegohet që në 36 vite të ashtuquajtur demokraci, nuk ka një kod zgjedhor të qëndrueshëm, të drejtë, të barabartë dhe të pranuar nga të gjithë. Demokracia fillon me zgjedhjet. Listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë dëmtojnë demokracinë, duke penguar qarkullimin e elitave intelektuale përmes konkurrencës së ndershme.
Sali Berisha: Tani, në traditën e vendeve demokratike, i nderuar zotëri, Kodet Zgjedhore dhe infrastruktura zgjedhore janë produkte konsensuale të pozitës dhe opozitës. Kjo është e vërteta.
Sistemet zgjedhore në Shqipëri kanë variuar nga mazhoritar i plotë në vitin ’91, në pseudo-mazhoritar dhe proporcional i plotë, siç është sistemi gjerman, që ishte një sistem shumë i mirë.
Në rajonal, siç është sistemi që u vendos në vitin 2008, por që u deformua në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të njëanshme, kryesisht të njëanshme, por në një moment dhe në bashkëpunim nga Edi Rama, në një moment dhe në bashkëpunim me Lulzim Bashën.
Unë nuk kam patur në dorë sistemin mazhoritar të ’91-shit. Jam përpjekur për vendosjen e sistemit gjerman, pothuajse të njëjtin pas vitit ’92.
Personalisht e kam konsideruar shumë problematikë faktin se në sistemin e mëparshëm, arriti një moment kur socialistët që ishin qindra mijë, nga Kamza dhe gjer në Vermosh dhe Valbonë nuk kishin asnjë përfaqësues në parlament.
Demokratët nga Vjosa gjer në Kakavijë nuk kishin asnjë përfaqësues në parlament.
Nuk mu duk, ose nuk më pëlqente një parlament i tillë, ku faktikisht ishte me disa vija ndarëse pa interes. Mbi këtë bazë, vendosëm të marrim sistemin, rajonal quhet, të cilin e ka adaptuar Greqia me sukses, e adapton edhe Spanja e ndonjë vend tjetër.
Ky sistem mund të akuzohet, por autori kryesor i këtij sistemi, po ta quajmë kështu, Sali Berisha, humbi zgjedhjet, i fitoi në 2009-ën, i humbi në 2013-ën.
Pra, ky sistem lejonte rotacionin.
Së dyti, e vërteta është që dhe Partia Socialiste mbrapa, gjer sa i bëri ndryshimet e thella, kur fitoi zgjedhjet në 2017-ën me një numër të kufizuar, me një mazhorancë të kufizuar jo të madhe. Pra, ndryshimet e tjera u bënë dhe e deformuan krejtësisht.
Ku qëndrojnë sot, ku qëndron Partia Demokratike dhe aleatët e saj?
Qëndrojnë për lista të hapura plotësisht. Dhe ne jemi dakord ta praktikojmë këtë sistem që ka dhe Kosova dhe disa vende të tjera.
Olta Nikolin Gjonaj: Doktor, duke qenë se Partia Socialiste kontrollon shumicën parlamentare dhe si rrjedhojë po e çon përpara draftin e saj për reformën territoriale. A ka Partia Demokratike një hap konkret apo një ndërhyrje të mundshme përtej shpresës se mund të reagojnë ndërkombëtarët?
Sali Berisha: E drejtë pyetja. Ne do ndërmarrim një debat të gjerë me shqiptarët, i cili ishte në vazhdim me komisionin e reformës territoriale.
Por meqenëse sallat që të gjitha të organizuara nga Partia Socialiste, se ata i organizonin takimet, ishin kundër reformës së vitit 2014 dhe Edi Rama kishte projekte të tjera, u larguan në mënyrë të njëanshme.
Ne absolutisht e shndërrojmë këtë çështje në çështje kryesore. Jo vetëm se ky projekti i Edi Ramës është një projekt tërësisht elektoral, që të fusë në dorë dhe ato pak bashki që s’i ka. Por mbi të gjitha, ky është një projekt për të thelluar më tej shpopullimin, për të fshirë nga faqja e dheut njësitë, bashkitë, shërbimet, dhe për të detyruar shqiptarët të largohen sa më shumë nga vendet e tyre.
Ky është qëndrimi ynë. Ne do bëjmë çdo gjë. Ju keni parë që këto bashki janë në protesta pothuajse të përnatshme.
Përshëndes shumë përzemërsisht qytetarët e Memaliajt, qytetarët e Divjakës, qytetarët e Dimalit, Selenicës, Orikumi ka shpallur një protestë të madhe shumë në ditët që vijnë.
Klosi është në protestë të përditshme, Cërriku, pra janë ngritur në mbarë Shqipërinë fshatarësi e të tjerë kundër zhdukjes së qeverive të tyre vendore, shërbimeve ndaj qytetarëve.
Por ne nuk jemi vetëm për këto, ne vërtet kemi paraqitur një hartë me 100 njësi vendore, por ajo është e hapur në konsultime për të shtuar dhe një numër tjetër të komunave, bashkive të vogla, në zona të tjera ku është e mundur.
Ndoc Bushgjoka: Pse jemi vendi më i varfër, me më pak liri e të drejta, me më shumë padrejtësi, ku pushtetarët, ligjet e kushtetutën i shkelin e i ndryshojnë sipas mendjes e qejfit të tyre? Pse kur zogistët e të tjerë thonë se Zogu bëri shtet e s’kishte si ai, kur enveristët e të tjerë thonë se Hoxha ishte burri më i madh që ka nxjerrë kombi shqiptar, kur dëgjoheshin thirrjet ‘po vjen Ismail Qemali’ për Fatosin që kish lënë mjekrën e sapo kishte dalë nga burgu, kur PD-istët thonë se Berisha është legjendë e gjallë dhe aktualisht ky tyrrahorri i sotëm merr 75 mandate dhe quhet lider global… Pse pra jemi kombi më i mjerueshëm dhe në zgrip që të shuhemi?
Sali Berisha: Pyetje jashtëzakonisht e rëndësishme zoti Bushgjoka, pyetje themelore.
Shkaku më themelor i kësaj, është një dhe vetëm një: Partia Socialiste është parti krimi. Është themeluar mbi krimin, është ndërtuar mbi krimin, ka qeverisur dhe qeveris mbi krimin.
Do më lejoni ju lutem ta zbërthej pak këtë tezë…
Me këtë, në mënyrë absolute kurrë nuk dua të them se anëtarët, simpatizantët, mbështetësit e saj janë kriminelë. Jo. Me këtë, kjo nuk është e vërtetë, dhe unë gjërat e pavërteta nuk i them. Po ka një të vërtetë tjetër të tmerrshme që është në zemrën, në shpirtin e kësaj partie.
Kjo parti u themelua mbi krimin. E themeloi Dušan Mugoša dhe Miladin Popović, dhe kjo është tashmë e padiskutueshme, në mënyrë që ta kontrollonin ata, ta kishin ata instrument anti-shqiptar. E vërteta është, ata e themeluan në Shqipëri, ata përdorën këtë parti për të themeluar njësitë partizane. Për të cilat unë, pa diskutim, për çdonjërin që lufton kundër pushtuesit kam pasur dhe kam adhurimin më të thellë. Por ata i themeluan këto njësi për t’i përdorur për qëllime anti-shqiptare.
Siç i përdorën. E kthyen luftën çlirimtare ndaj pushtuesve, në një krim monstruoz vëllavrasës brenda vendit. A është e vërtetë kjo? Besoj se nuk ka më diskutime, sot kanë dalë dokumentet e pafundme.
Dhe një herë tjetër theksova për këtë çështje, ata që dyshojnë të marrin të shohin vrasjet që ka bërë Mehmet Shehu në Lushnje, ballistëve, nacionalistëve. Vrasjet që kanë bërë brigadat në Lumë e kudo, pushkatimet pa gjyq. A kishte krim më të shëmtuar, se në një kohë kur Mbretëria u shpërbë, Mbretëria Jugosllave u shpërbë, Federata Jugosllave ekzistonte vetëm në letër e shpallur nga Titoja në malet e Bosnjes.
Dhe Enver Hoxha, grisi Mukjen.
Mukja, e mbledhur, ç’është e vërteta me mbështetjen e misionit britanik, (duhet ta njohim atë se ne e kemi kollaj për të thënë), kishte një qëllim: të bashkonte shqiptarët në luftë, kudo që ishin në luftë kundër pushtuesit.
Ajo ishte rruga absolute më e sigurt e bashkimit të kombit shqiptar. Pse? Sepse fitimtarët në Paris do ta njihnin si një komb që luftoi, siç përcaktonte Mukja në të gjithë territoret e tij kundër pushtuesve.
Çfarë bëri Partia e Krimit? Grisi Mukjen, një javë mbrapa me urdhër të Dušanit dhe Miladinit. Ja grisen Mukjen Enver Hoxhës, Enver Hoxha grisi Mukjen.
Dhe Kosovën e vendosi në varësi të celulave komuniste, në varësi të Partisë Komuniste Jugosllave. Se ishte dhe vetë një seksion i saj. Dhe çoi atje eksponentë kosovarë si Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin e të tjerë, i çoi në varësi të Partisë Komuniste Serbe.
Jo vetëm kaq, prit. Në qoftë se duam të kuptojmë atë që thatë ju, ne kurrë s’do ta realizojmë pa realizuar këtë që kjo është parti krimi. Çoi brigadat… është e vërtetë që gjatë pushtimit gjerman, në territorin e Trepçës, Mitrovicë e të tjerë, morën pashaporta të Rajhut të Tretë për qëllime strategjike të tij, po Kosova po luftonte.
Shaban Polluzha me një brigadë dhe jo vetëm ai, luftonin si gjermanët ashtu dhe serbët. Po jo, Enver Hoxha dërgoi brigadat partizane shqiptare që u pritën si çlirimtarë aty dhe që në fakt shkuan si pushtues, të cilët i dorëzuan Kosovën brigadave serbo-malazeze që s’i kishin dashur kurrë Kosovën.
Për ta mbyllur këtë kapitull, kthehemi tek Tivari. Pasi brigadat serbo-malazeze u futën në Kosovë, atëherë ata mblodhën mijëra e mijëra djem të rinj. Jo vetëm nga trevat e Kosovës por dhe të Maqedonisë.
Në mënyrë që të mos kishte shqiptarë që t’u rezistonin masakrave të tyre. I mblodhën, i sollën nga Morina, në Kukës, në Pukë, u vranë me dhjetëra në territorin shqiptar me bekimin e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Kaluan Bunën dhe përfunduan në Tivar, ku brenda një nate, u gjetën midis dhjetëra qindra mitralozave, u ekzekutuan.
Partia e Krimit, jo vetëm që ishte bashkëautore në këtë krim monstruoz, në këtë gjenocid, por Enver Hoxha i shkruante letër Stalinit: ‘Se Kosovën e lashë me Titon, se është më e sigurt dhe bëra mirë, dhe ne po përgatitemi…’ propozonte që Josip Broz Tito të zgjidhej Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare.
Imagjinoni ju, agjenti serb Koçi Xoxe i thoshte ‘jo, jo duhet të jesh ti’. Jo i thoshte Enver Hoxha, s’ka pse të jem unë sepse kjo e shpejton bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Erdhën në pushtet. Si qeverisën? Lanë në gjak një popull. Mijëra e mijëra shqiptarë i ekzekutoi, i internuan, qindra e mijëra të tjerë. Pra me krimin. Dhe po të lexosh librat e tyre, ata e dinin që kryenin krime.
Kryenin gjenocid, ndaj besimeve fetare. Më thuaj atëherë, a nuk është kjo një parti krimi? Erdhën në pushtet, e pranoi pluralizmin Ramiz Alia sepse nuk donte të përfundonte si Çaushesku.
Çfarë bënë kur erdhën në pushtet në atë shtatorin? Erdhën me rebelim. Por duhet të pranoj, Fatos Nano pavarësisht lidhjeve të tij me krimin, pavarësisht se Azem Hajdari u ekzekutua si armiku më i egër i sistemit të baballarëve të tyre tek dera e selisë së Partisë Demokratike… përsëri ai pranoi verdiktin e popullit, dorëzoi pushtetin.
Dorëzoi dhe partinë, bëri një hap të rëndësishëm. Erdhi ky. Përsëri krimi. Po i bie më shkurt, kam qenë mjek kardiolog siç e dini, po midis të tjerëve kam trajtuar edhe të burgosur politikë por kam trajtuar edhe anëtarë të byrosë politike.
Çfarë kisha konstatuar? Kisha konstatuar se ata e dinin që kishin vrarë. Ata e dinin që kishin armiq. Por ata respektonin më shumë se të gjithë të tjerët xhelatët dhe kasapët që thyenin kocka dhe kafka në qeli për pushtetin e tyre. Ata ishin më të respektuarit.
Çfarë do të thotë kjo? Krimi i dobishëm për të qëndruar në pushtet. Ky është Edi Rama sot. Çfarë do të thotë droga, çfarë do të thotë lidhjet e tij me Troplinin, çfarë do të thotë lidhjet e tij me Suel Çelën, çfarë do të thotë lidhjet e tij me Bajrët, me Pëllumb Gjokën?
Cilat janë këto, pse janë këto lidhje? Të gjitha këto i dashur mik janë sepse i duhen për pushtetin e tij. Njësoj si baballarëve xhelatët që thyenin kocka kundërshtarësh politikë.
Ndaj dhe ajo që thoni ju, të jeni i sigurt, shkaku më themelor i kësaj që përjetojnë shqiptarët dhe Shqipëria është partia e krimit, Partia Socialiste që ka këtë emër të tretën apo të katërtin që nga themelimi i saj.
Milaim Nela: Cili është qëndrimi juaj dhe i Partisë Demokratike për deklaratën e Marko Gjuriç rreth dakordësisë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër? Duket se kjo dakordësi është arritur pikërisht atëherë kur ministrja serbe Panunoviç bënte deklaratën e tmerrshme rreth spastrimit etnik të Kosovës.
Sali Berisha: Njëherë një përshëndetje nga unë Milaim dhe të falënderoj. Nuk ka një akt më, një dëshmi tjetër flagrante se si Edi Rama sillet tërësisht si një argat i Vuçiçit.
Po të marrësh Milaim dhe të analizosh raportet e tij me Vuçiçin mund të vësh shumë etiketa.
Në fakt, dua t’ua them shqiptarëve t’jau rikujtoj se takimi vetëm për vetëm në Beograd, nuk ka qenë vetëm për vetëm. Ka qenë Danjolli i Sherkos, ka qenë Baton Haxhia.
Se pse do ishte agjenti personal i Stanishiçit në takimin e quajtur me katër sy, atë e dinë Vuçiçi dhe Edi Rama. Po unë nuk hyj në hipoteza që s’i faktoj dot, por them me përgjegjësi të plotë se Edi Rama pas atij takimi është sjellë si argat, në kuptimin që ka zbatuar çdo porosi të Aleksandër Vuçiç.
Dhe në qoftë se po marrim këtë zhvillimet e fundit, deklarata e monstrës ministre, s’i njoh, Zvezhanka Paunoviç a si quhet, u dënua mbarë Europën, u dënua nga Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, u dënua nga Komisioni Europian.
Tirana qeveritare dhe zyrtare asnjë dënim, asnjë dënim. Përkundrazi, në një akt, si të thuash karshillëku ndaj shqiptarëve, ndaj kombit, shpallën rikthimin pas 70 e sa vitesh të konsullatës serbe në Shkodër, konsullatë të cilën e mbylli Enver Hoxha pas lufte me urdhër të Beogradit.
Pra, është një akt që bie në kundërshtim flagrant, absolutisht flagrant, me Konventën e Vjenës për konsullatat.
Në asnjë pikë të nenit të kësaj konvente që i referohet hapjes konsullatave, nuk plotësohet në rastin e Shkodrës, përveç vasaliteti i Edi Ramës ndaj Aleksandër Vuçiçit.
Bulent Tupi: Doktor, çfarë mendimi keni për nismën e re të Ministrisë së Shëndetësisë për centralizimin e sistemit shëndetësor dhe monopolizimin e çdo shërbimi dhe barne në treg? Ky rast duket identik si rasti me shoqërinë KAO, aty ku Edi Rama ia kaloi shumicën e kuotave një miku të tij izraelit, Roni Yefet, person që aktualisht është në gjykatë për mashtrim në Florida. Ministrja Sala nuk ka bërë ende asnjë reagim për këtë çështje dhe mendoj se PD-ja duhet të kërkojë tërheqjen e menjëhershme të saj.
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Është absolutisht vendimi i Edi Ramës që të përfitojë familjarisht qindra e qindra milionë euro nga tregtia me ilaçet.
Hapi i parë, po marrim vetë aktin e shtetëzimit të tregtisë së ilaçeve. Rikthimit të saj në kushtet e diktaturës hoxhiste, sistem të tillë sot s’ka as Bjellorusia, e ka vetëm Koreja e Veriut.
Por, dhe me kaq, Edi Rama ka me borxh që në çdo tender, në çdo veprim 20-25% t’i kalojnë atij. Po jo, nuk është kështu, është pak më tutje. Është ajo që thoni ju.
Një Yfet tjetër është bërë gati, u them unë, do e shifni dhe ne po e ndjekim. Është bërë gati që pasi të krijohet ndërmarrja shtetërore, të primavizohet dhe ti kalojë një Yfeti tjetër.
Një trafikant ndërkombëtar, mashtron shqiptarët dhe botën se Shqipëria, prodhoka automjete të blinduara të cilësisë së lartë, në një kohë kur ndërmarrja e tij ka 11 punëtorë.
I them këtij zotërie se punët e pista që të ka ngarkuar qeveria, janë akte të shëmtuara kriminale. Dhe tani është gjetur dhe Yfeti tjetër dhe të garantoj që fill pas saj do dalë dhe ai, po me lidhje me Edi Ramën, në mënyrë që pastaj të fshihen të gjitha magazinat e Afrikës, Azisë e të tjerë e të tjerë dhe shqiptarëve t’u jepen ilaçe jashtë çdo lloj standardi, Edi Rama bashkë me atë Yfetin tjetër të ndajnë qindra milionë euro.
Kjo është e tëra. Asnjë arsye tjetër nuk ka, dhe ju e keni kap bukur, sipërmarrja e KAO-s është një sipërmarrje jashtëzakonisht problematike, e trafiqeve ndërkombëtare të armëve, e punëve, por cilat Partia Demokratike do bëjë gjithçka në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, për hir të sigurisë së këtij vendi, po dhe të partnerëve tanë, ta zbërthejë ashtu siç është, ta paraqesë të vërtetën e saj ashtu siç është.
Eda Grimci: Para reformës territoriale të vitit 2013-2015, kishte 19.625 punonjës në 373 njësi vendore. Në vitin 2023, Ministria e Financave raporton rreth 37.000 punonjës në nivel vendor. Reforma territoriale e asaj kohe u justifikua pikërisht me rritjen e efiçencës dhe uljen e kostove administrative, duke kaluar nga 373 njësi në vetëm 61 bashki. Gjithçka ishte mashtrim me synimin e kontrollit dhe vjedhjes së votës. Sot kërkon të ulë akoma më shumë numrin e bashkive, por nuk flitet se çfarë do të ndodhë me njerëzit e punësuar në administratën vendore. Cili është opinioni juaj? A po i kërcënon Rama administratën në prag të zgjedhjeve vendore me qëllim kontrollin mbi votën e tyre me anë të kërcënimit për largime nga puna?
Sali Berisha: Së pari, me dyfishimin e numrit të punonjësve në qeverisjen vendore, Edi Rama dyfishoi numrin e patronazhistëve kundër qytetarëve dhe votës së lirë.
Dhe përveç kësaj, këta punonjës të dyfishuar janë parazitët më ekstremë pasi asnjë shërbim nuk i ofrojnë qytetarëve.
Eda, në marrëdhënien normale, të bazuar në parimin e decentralizimit dhe dekoncentrimit, të gjitha këto rroga do të ishin shërbime, mbështetje sociale, mbështetje për bujqësinë, ujësjellësa dhe kanalizime për komunitetet.
Me reformën e vitit 2014, dhe do të vlerësoja shumë cilindo që e dëgjon këtë bisedë, po të ketë fakte të më kundërshtojë… Koha e ndaloi për Shqipërinë rurale. Mirëpo ndalimi i kohës në Shqipërinë rurale do të thotë ndalimi i zhvillimit të Shqipërisë.
Nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa Shqipëri rurale të zhvilluar, nuk ka. Një fshat mesjetar, le të jetë qyteti dhe Silicon Valley, nuk është i zhvilluar vendi, pa patur dhe fshatin të zhvilluar, sepse jetojnë njerëz, sepse ka shumëlloj kushtesh.
Çfarë bënë këta? Këta i hoqën njësitë, ata ishin të zgjedhur, çfarë do të thotë kjo? Ai i zgjedhuri kishte përgjegjësi ndaj atyre qytetarëve. Dhe ne që paguanim gjysmën e këtyre punonjësve, vendosëm një raport jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.
Raporti ishte ky: ju projektet, ne financimin! Përveç trefishimit të fondeve për bashkitë dhe komunat. Përsëri: ju projektet, ne financimin! Çdo bashki, çdo komunë, hartonte me dhjetëra, dhjetëra projekte, një pjesë i financonte me paratë e veta, të tjerat – qeveria – sepse shteti i kishte trefishuar.
Pra, paratë tona nuk shkonin për rroga, shkonin për qytetarët. Dhe e kam theksuar e theksoj, kam gjetur një herë, kam vizituar bashkinë, e Xhafzotaj, Agim Hoxha kishte asfaltuar me paratë e komunës dhe me subvencione nga shteti, me financimet e qeverisë, 49 kilometra rrugë.
Edi Rama, të cilit ja kisha trefishuar fondet, kishte asfaltuar në katër vite 12 kilometra rrugë në Tiranë. Kjo është e vërteta. Ndaj dhe pa diskutim që këta i ka vektorë elektoralë, i ka terroristë elektoralë, dhe nuk ka asnjë synim tjetër përveç pushtetit.
Brahim Miftaraj: Zoti Berisha, sipas kushtetutës së Shqipërisë, 30 deputetë kanë të drejtë të paraqesin në kuvend amendament për ndërhyrje në kushtetutë. Duke ditur se ju i keni mbështetur protestat që po zhvillohen në Tiranë prej 69 ditësh, kush ju pengon ju dhe grupin parlamentar të Partisë Demokratike që të ndërmerrni nisma ligjore për të plotësuar pesë pikat kryesore të protestës? Kjo do të ishte rruga e domosdoshme e juaj dhe e Partisë Demokratike për të fituar besimin e protestës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Sali Berisha: Shumë faleminderit për pyetjen zoti Brahim.
Kam kënaqësinë t’ju informoj se, jo tani, po që javën e dytë të protestës, pasi u formuluan pesë pikat që përmendet ju, deputetët tanë hartuan amendamentet për ndryshimin e ligjeve të kushtetutës dhe kushtetutës në përputhje me kërkesat e, në përputhje me kërkesat e protestuesve, të cilat kishin qenë, siç e dini ju, kërkesat tona.
Ne, në qoftë se ju kujtohet, kundërshtuam me forcën më të madhe, batërdinë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Kundërshtuam me forcën më të madhe rrënimin e atij parku, i cili, e them me bindjen më të plotë, nuk ka një të dytë si ai në Evropë.
Vizitorët që shkojnë dhe vizitojnë qytetin e lashtë, amfiteatrin dhe të gjitha të tjerat, shohin një gjë jashtëzakonisht të veçantë. Por ju siguroj se nuk është më pak e veçantë, në qoftë se do të shkojnë, të gjejnë tek Mali i Milesë, dhe t’i hedhin një sy parkut, pjesës tjetër të parkut.
Është një gjë përrallore, mahnitëse. Ai park u ruajt nga ne, 9000 hektarë. E ruajtëm, ai duhet të ruhet, të trashëgohet nga shqiptarët nga brezi në brez.
E kam shpjeguar edhe njëherë, kemi zgjeruar rrugën, dhe Lordi Rothschild, që krijoi një fondacion për promovimin e tij, më dërgoi një letër bashkë me Lordin Salisbury, me një lloj revolte: Pse u zgjerua rruga? Domethënë, pse u prek parku me zgjerimin e rrugës?
Sepse shtohen turistët dhe kishte rreziqe. Ja shpjeguam. Nuk u prek asnjë, nuk u lejua asnjë lloj ndërtimi. Ruajtja e tij, zhvillimi i tij. Çfarë bëri Edi Rama? Dhe më vjen keq se protesta jonë ishte shumë e fuqishme, në rast se ju kujtohet.
Edi Rama e dorëzoi parkun, fondacionit shqiptaro-amerikan, duke u hequr, duke i lënë atyre shumicën. Çka nuk e ka as ligji amerikan. Unë i kisha miq ata, ata u turbulluan me mua, po unë mbrojta interesat e shqiptarëve, s’kisha asgjë unë, unë kisha miq.
Unë kisha vlerësuar shumë punën e tyre. Por ata hyjnë në pazare me Edi Ramën. Dhe këto ditë, në qoftë se e keni dëgjuar ju, merrni vesh mirë. Që i biri i Lordit Rothschild, edhe ky Lord Rothschild është, a takoi Edi Ramën, i tha i ke hequr parkut 800 hektarë.
Po si ia hoqi parkut, ja u them unë. Aha, ja hoqi parkut, sepse në marrëveshjen me ADF-në, Edi Rama ndjeu duart e lira, ia dorëzoi qytezën ADF-së, në kundërshtim me ligjet, në kundërshtim me UNESCO-n, në kundërshtim me ligjin amerikan, vetëm e vetëm për të pasur duart mbi pjesën natyrale, duart e lira në pjesën natyrale të parkut.
Ne i ngritëm këto, ne luftuam shumë për këto. Dhe u zemëruan shumë me ne, por ne prapë i mbrojtëm. Më vjen mirë që në fund Lordi Rothschild me një vonesë të kurrë ngriti zërin e tij në nderim të të atit që dua të them të vërtetën, bëri gjithçka për ruajtjen e atij, e atij parku. Kontribuoi.
Vijmë tek tjetra.
Ne kundërshtuam me forcë aeroportin e Vlorës. Unë i admiroj këta të rinj që protestojnë për flamingot, por nuk mund të mos jem realist. Flamingot do t’i zhdukë aeroporti, të themi të vërtetën. Sepse fluturimi i avionëve mbi lagunë i tremb flamingot. Kaq e vërtetë është kjo, saqë për ata që duan lagunën, flamingot dhe mjedisin, unë ju kujtoj vetëm një moment.
Ne po ndërtonim autostradën Levan-Vlorë me financim të Bashkimit Evropian. Në një moment, Bashkimi Evropian, bankat e tij thonë: Ne nuk e financojmë më tutje. Pse? Sepse trajektorja ku kalon autostrada shqetëson flamingot, zhurma e autostradës.
Duhet të jetë një distancë më e largët që flamingot të mos shqetësohen. Dhe më vjen ministri, më thotë bankat kanë porosi nga Komisioni Evropian të stopojnë financimin dhe tani na mbetet ose ta vazhdojmë ne, ose të zbatojmë… Jo i thashë, do ta zbatojmë atë!
Po ajo çfarë kërkonte? Ajo kërkonte ribërjen e projektit se s’kishte si të bëhej ndryshe tani, u shtua një urë në Vjosë, u ndryshua trajektorja, u rrit me një 20 milionë kostoja, u vonua edhe 18 muaj më gjatë.
Por ne e mbrojtëm koloninë e flamingove se ishte për t’u mbrojtur. Këtu këta erdhën, ndërtuan aeroportin që i shkatërron flamingot. Mos të… I kam admirim unë për ata që mbajnë ato, që mbajnë flamingot në dorë këtu në protestë, por flamingot i shkatërron aeroporti i Vlorës, i cili s’duhej të ndërtohej kurrë aty.
Edhe atë, edhe atë e kemi kundërshtuar. Pse e kundërshtuam? Sepse ne donim ta ndërtonim aty vetë. Shkoi grupi i ekspertëve dhe tha jo tha. Nuk mund të ndërtohet aty. Pse?
1. Flamingot, shkatërron koloninë.
2. Është vetëm një metër mbi nivelin e detit dhe përmbytet.
3. I shërben vetëm Vlorës, duhet t’i shërbejë edhe Fierit, edhe Beratit edhe këtyre. Ndaj dhe gjetëm një tokë të lirë fare te kthesa e Levanit. Te kthesa e Levanit. Ne i përgatitëm, për të ndërtuar aeroportin tek kthesa e Levanit.
Pra ne i respektonim. Këto kërkesa që këta bëjnë, Ina Zhupa, Jorida Tabaku, deputetët tanë, kanë bërë, kanë bërë përpjekjet më maksimale kundër këtyre ligjeve, për korporatën e investimeve strategjike, me dhjetëra herë.
Por për të ardhur tani tek fundi i pyetjes: Çfarë ndodhi? Kryesia e parlamentit nuk pranonte t’i sillte amendamentet tona në parlament. Çka u detyruam të bojkotojmë sesionet parlamentare dy herë rresht.
Shkelte kushtetutën. Se në kushtetutë ata janë të detyruar t’i bien në parlament dhe të votojnë pro ose kundër sipas dëshirës së tyre. Ama mos sjellja në parlament është shkelmim i kushtetutës. Ky ishte qëndrimi ynë pra.
***
Të dashur miq që ndoqët këtë bisedë.
Ju falënderoj me shumë respekt për pyetjet dhe komentet tuaja. Ju siguroj se Partia Demokratike mbetet e angazhuar tërësisht për një reformë elektorale që ka në epiqendër qytetarin dhe shërbimet ndaj tij.
Që bazohet në parimet demokratike të decentralizimit dhe dekoncentrimit. Në këtë kuadër unë ftoj të gjithë qytetarët të solidarizohen me qytetarët e bashkive në zhdukje.
Po ftoj gjithashtu qytetarë të tjerë të cilët kanë argumente, kanë prova se mund të ndërtohen dhe njësi të tjera të qeverisjes vendore, t’i bashkojnë ato dhe të vazhdojmë përpjekjen tonë për t’i dhënë Shqipërisë reformën territoriale që meriton.
Ftoj gjithashtu çdo shqiptar, në këto momente jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, të mbështesë protestën rinore qytetare të Tiranës. Kjo protestë në të vërtetën më të madhe është një protestë shprese, është një protestë e lirisë, e cila meriton çdo mbështetje.
Asnjë qytetar, e ftoj të mos shtrojë pyetjen se sa do realizojë dhe si do shkojë. Po të shtrojë vetëm një pyetje: A është e drejtë kauza e saj? Dhe në përgjigjen e kësaj pyetje të marrë të gjithë vendimet e tij. Faleminderit.


