Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, pas denoncimit të deputetit të PD, Asllan Dogjani rreth sulmeve politike që SPAK dhe qeveria bëjnë ndaj opozitës dhe deputetëve të saj, kryedemokrati, Sali Berisha shtoi në replikën e tij se, deputeti Asllan Dogjani dhe të tjerë, përfshirë Ervin Salianjin dhe kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, po përballen me procese të montuara politikisht, që ai i cilësoi si “torturë çnjerëzore publike”.
Berisha e përshkroi këtë si një abuzim të sistemit të drejtësisë, që sipas tij, është shndërruar në një armë politike të diktaturës.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se do të angazhohen për të paraqitur këtë çështje në instanca ndërkombëtare si Hagën, Komisionin Antitorturë në Këshillin e Europës, dhe në organizata të tjera ndërkombëtare si OKB-ja, për të kërkuar drejtësi dhe për të denoncuar këtë si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe një rast të keqtrajtimit publik.
REPLIKA E PLOTË
Nuk ka dyshim që është krejtësisht proces politik,
Por tani është bërë botërisht e njohur që ky institucion dhe drejtësia është një armë politike në duart e diktaturës.
E tillë është rasti yt, i tillë dhe shumë i rëndë është rasti ndaj Ervin Salianjit, rast të cilin ne do ta paraqesim në të gjitha instancat ndërkombëtare sepse ai është aty vetëm se guxoi të denoncojë mafien, të kryejë detyrën e tij, misionin e tij si deputet.
I tillë është rasti i kryetarit të Partisë së Lirisë. Ne duhet të përgatisim dosjen për në Hagë sepse është torturë çnjerëzore publike.
Ne do punojmë me Partinë e Lirisë të dërgojmë dosjen në Komisionin Antitorturë në Këshillin e Europës dhe të ndjekim të gjitha instancat në OKB dhe kudo.
Sepse ekzistojnë komisione antitorturë dhe ajo ishte një torturë publike, ishte një keqtrajtim çnjerëzor publik.
Prandaj me juristët më të miër, ai rast do të paraqitet në të gjitha instancat si një rast i ushtrimit për hakmarrje të torturës publike.
Rast i pandodhur ndonjëherë.