KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në konferencën me gazetarët të mbajtur gjatë ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti një tablo të situatës politike në vend, që ka sjellë dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pas vendimit të marrë nga Edi Rama për të mos i hequr imunitetin Belinda Ballukut dhe lejimin e SPAK për arrestimin e saj.
Në fokus të deklaratës së kryedemokratit, Sali Berisha ishte raporti IBAR për integrimin, për të cilin ai deklaroi se ‘Shqipëria mbeti në klasë’, duke theksuar se mosvotimi nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian përbën një sinjal alarmi për dështimet e qeverisë shqiptare. Ai e cilësoi këtë zhvillim si ‘dramatik’, duke shtuar se vendet partnere ‘kanë shtruan një seri çështjesh themelore’ dhe po kërkojnë një proces integrimi të bazuar në meritë, të cilin ai e konsideroi ‘interesi absolut më i mirë i qytetarëve shqiptarë’.
Lideri i demokratëve Sali Berisha deklaroi sot, se ‘Edi Rama është pengmarrësi më i madh pas Enver Hoxhës në histori’, ndërsa e përshkroi Shqipërinë aktuale si ‘një piramidë madhore mashtrimi’ dhe ‘çiflig’ të kryeministrit. Sipas tij, procesi jashtë meritës ‘është ndëshkim për qytetarët shqiptarë dhe mbështetje për kusarët qeveritarë’.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha hodhi poshtë çdo pretendim për një ‘interpretim shqiptar’ të imunitetit, duke e cilësuar atë ‘një mashtrim’. Ai theksoi se në të kaluarën ‘është hequr imuniteti i Ilir Metës, Fatmir Mediut, dhe dy herë i Lulzim Bashës’, duke argumentuar se standardi ka qenë gjithmonë i bazuar në kërkesat e prokurorisë dhe në interpretim kushtetues e ligjor. ‘Mbrojtja me imunitet e vjedhjeve është interpretim i Edi Ramës’, deklaroi Berisha.
Lideri i demokratëve Sali Berisha ngriti shqetësime edhe për çështje konkrete që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë, si rasti i imunitetit të zyrtarëve të lartë, funksionimi i institucioneve, mediat dhe lidhjet me krimin. Ai përmendi gjithashtu çështjen e Ergys Agasit, duke sugjeruar se zhvillimet rreth tij tregojnë një tendencë drejt ‘konsolidimit të narkoregjimit’.
Gjithashtu kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke e cilësuar 22 marsin si ‘ditën e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria’, dhe ftoi qytetarët të dalin në protestë për të shprehur ‘revoltën, zemërimin dhe përçmimin’ ndaj qeverisë.

FJALA E PLOTE
Sot, Edi Rama është pengmarrësi më i madh pas Enver Hoxhës në histori, pengmarrësi më i madh i Shqipërisë.
Zhvillime dramatike vijnë për procesin e integrimit të Shqipërisë.
Raporti IBAR mbeti në klasë pasi një seri vendesh anëtare të BE nuk e votuan, por shtruan një seri çështjesh themelore dhe unë jam këtu të falënderoj, të shpreh mirënjohje ndaj këtyre vendeve, të cilat insistojnë që procesi i integrimit të jetë një proces i bazuar në meritë.
Sepse ky proces i bazuar në meritë është interesi absolut më i mirë i qytetarëve shqiptarë.
Procesi jashtë meritës është ndëshkim për qytetarët shqiptarë dhe mbështetje për kusarët qeveritarë shqiptarë.
Ndaj dhe dua të falënderoj një seri vendesh të BE, të cilat dora-dorës po e kuptojnë se Edi Rama dhe narkoregjimi i tij nuk plotësojnë asnjë kusht, asnjë kriter, asnjë standard për integrimin e Shqipërisë në BE.
Sepse Shqipëria e Edi Ramës është një piramidë madhore mashtrimi.
Sepse Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në çifligun e vet për ta vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të çmendur.
Ndaj dhe jam këtu për të deklaruar se për PD, objektivi më madhor i saj është integrimi i bazuar në meritë.
Pra, edhe njëherë qytetarëve shqiptarë, njeriu që për muaj të tërë nxirrte nga xhepi një pasaportë false kallpe dhe u thoshte kjo është pasaporta evropiane që u garantoj unë, e ndërroi dhe nxjerr pasaportën e Beogradit, pasaportën e Vuçiçit.
Ky është zhvillimi dramatik sepse ai mbron vjedhjet e tij.
Dhe një gjë njerëzisht duhet t’u them partnerëve tanë se cilido që u thotë ju të nderuar miq dhe të dashur se çështja e imunitetit të Ballukut është sipas interpretimeve shqiptare, është një mashtrues i paguar ose i papaguar nga Edi Rama.
Sepse standardet shqiptare të imunitetit kanë qenë në qeverinë paraardhëse, heqje e çdo imuniteti të kërkuar nga prokuroria e përgjithshme.
Dorëzim edhe paraprak, pa u kërkuar nga prokuroria, për hetimin.
Dhe interpretimi shqiptar i imunitetit, ua them atyre që pretendojnë me këtë deklaratë të turpshme, ka qenë interpretim kushtetues dhe ligjor.
U hoq imuniteti i Ilir Metës dhe ka dhënë dorëheqjen.
Është hequr imuniteti i Fatmir Mediut.
Është hequr dy herë imuniteti i Lulzim Bashës.
Të gjitha këto të kërkuara nga një prokurore e përgjithshme e verbër.
Por natyrisht kjo nuk mundej kurrë, në standardin shqiptar dhe interpretimin shqiptar, i them atij që paraqet këtë argument dhe i falënderoj ata që nuk ia besuan por e hodhën poshtë me përçmim, të vërtetat janë këto, ky është imuniteti i hajdutëve që paguajnë lobistët.
Ky është interpretimi i hajdutëve, mbrojtja me imunitet i vjedhjeve është interpretim i Edi Ramës, kreut të organizatës kriminale dhe ministrave të tij, deputetëve të tij.
Nuk është standard shqiptar ky.
Nuk është interpretim shqiptar ky.
Por i hajdutëve armiq të kombit shqiptar si Edi Rama me ministrat e tij.
Së dyti, vazhdojnë qarkullimi i Ergys Agasit, i lirshëm fare, dhe sipas qytetarit dixhital, ai është parë me makinën e tij, jo në eskortën e Edi Ramës siç ka qenë përpara, por është parë në një rrugë duke shkuar në Surrel, duke u ngjitur përpjetë.
A fshihet ai në Surrel apo shkoi për një takim në Surrel, këtë nuk mund ta them.
Por u them me siguri se Ergys Agasi, që së shpejti do i hiqet masa e arrestit, sepse Edi Rama me Sokol Sadushin e çliroi Agasin nga masa e arrestit si person nën hetim.
Nuk ka më masë arresti për Agasin kështu që gjithçka po shkon drejt konsolidimit të narkoregjimit dhe janë vetëm shqiptarët, qytetarët shqiptarë që do marrin fatin në duart e tyre.
22 marsi është dita e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e saj.
Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar në rrugët dhe sheshet e Tiranës të tregojmë revoltën, zemërimin, përçmimin tonë ndaj këtij regjimi.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Moskalimi i raportit të IBAR, ka lidhje me mosvotimin e imuniteti të Ballukut, apo me çështje të tjera. Keni ju informacion?
Sali Berisha: Në fakt nëse i Malit të Zi, u votua dhe u mbyll, siç e keni marrë vesh, i Shqipërisë mbeti në shqyrtim, sepse një seri vendesh ngritën një seri pyetjesh shumë serioze, të lidhura para së gjithash me imunitetin e Lubi Ballukut, AKSHI-n, me mediat, me krimin, dhe një seri problemesh të tjera.
Pra, Mali i Zi u votua, Shqipëria nuk u votua sepse vendet partnere, vendet anëtare të BE-së kanë bërë një seri pyetjesh dhe presin përgjigje.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Ditën e djeshme në mbledhjen e kryesisë është hapur gara për kryetarin e PD. A e konfirmoni ju pjesëmarrjen në këtë garë.
Sali Berisha: A mund të më thuash pak, kush të tha ty që jo njëherë. Si e bën këtë pyetje. Kaq përgjigje.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: A bie ndesh me nenin 46 pika 8 e statutit të PD, nenin e quajtur nga ju ‘neni Basha’ pjesëmarrja juaj në garë.
Sali Berisha: Neni flet për zgjedhje, jo për farsë elektorale. Nëqoftëse ka një realitet absolut të padiskutueshëm është, zgjedhjet ishin farsë elektorale.
Pra sa herë zgjedhjet humben kur ato janë normale, është detyrë e atij që udhëheq, të largohet, të japë dorëheqjen. Farsa elektorale është tjetër, është detyrë të luftojë diktaturën, duhet të luftojë. Ne e bëmë luftën tonë dhe po e bëjmë, në kuptimin që ne, farsë elektorale ishte dhe 2021. Po absolutisht, e kam shkruar dhe i qëndroj 100%, vota vdiq pa hyrë në kuti.
Por ai zotëria e kishte mendjen koalicion të madh me Edi Ramën, nuk kishte mendjen të mbronte votën e qytetarëve shqiptarë. Dhe unë ja thashë atij të nesërmen, kjo është farsë ne duhet të mbrojmë votën e shqiptarëve.
Pse është farsë?
Mos harroni 2021, Edi Rama nuk kishte arrestuar liderët e opozitës në vit elektoral.
Në 2021 Edi Rama nuk dha 100 euro në mes të fushatës elektorale.
Në 2021 Edi Rama nuk fali 2 miliardë euro 3 ditë para zgjedhjeve, gjoba dhe kamata.
2021 Edi Rama nuk licencoi 28 mijë hektarë mbjellje kanabisi.
2021 Edi Rama nuk organizoi 4530 evente në periudhën parazgjedhore, por bëri mjaftueshëm sa të deklarojë që vota vdiq pa hyrë në kuti.
Pse? Dha 130 milionë euro disbursime nga thesari i shtetit në kontot e 10-12 mijë familjeve për dëmet, meremetimet e dëmeve të tërmetit. Kjo ishte e mjaftueshme. E bëri këtë në muajin prill. 90 milionë e dha në muajin prill, 40 milionë i dha në muajin mars.
Pra, e bëri në prag të fushatës dhe kjo është e mjaftueshme.
Përveç të tjerash, sistemi patronazhist, bandat etj., që ishin aktive. Pra dhe në 2021, por problemi ishte se ti duhet ta faktosh, dhe ai që ishte para meje, nuk e kishte ndërmend ta faktonte, nuk i interesonte sepse kishte ndarë pushtetin me Edi Ramën, kishte bërë skemën e ndarjes së pushtetit, kjo është e vërteta.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Ka një grup pune me 10 anëtarë me në krye Gazment Bardhin për të parë ndryshime te mundshme statusore në Kuvendin e 6 qershorit. A do jetë një prej neneve që do ndryshojë neni 46/8, i ashtuquajturi nga ju ‘neni Basha’?
Sali Berisha: Ai nen nuk ka pse të pësojë asnjë ndryshim.
Ai bën fjalë për zgjedhje. Dhe unë edhe njëherë mund t’u them, në radhë të parë ndryshimet e statutit janë një proces normal para çdo Kuvendi. Në çdo Kuvend ka propozime të ndryshme dhe je i detyruar t’i shqyrtosh ato.
Njëra anë.
Ana tjetër, ai nen nuk ka pse të ndryshojë se ai thotë zgjedhje dhe zgjedhjet kanë një gjë, nuk janë vetëm një… vlerësimi i tyre nuk është vetëm kombëtar, vlerësimi i tyre është edhe ndërkombëtar.
U jap një shembull ju. Zgjedhjet e vitit 2009 u vlerësuan, thuhet në raport se këto zgjedhje plotësuan kriteret kryesore ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe kjo ishte merita e tyre.
Kurse po të jap dy konkluzione, Këshilli i Europës u shpreh se në këto zgjedhje në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Kaq mjafton. Zgjedhjet janë pra në kushtet e partisë shtet, çka nuk bëhet më fjalë për zgjedhje, por për farsë.
Apo në Parlamentin Europian, kryetari i delegacionit që vëzhgoi zgjedhjet konkludoi se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.
Atëherë pra nuk ishin zgjedhje, ishin farsë.
Kështu që ky nen, mendoj unë, nuk duhet të preket.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Po nëse grupi i punës e sugjeron ndryshimin?
Sali Berisha: Nuk besoj që sugjeron asnjë ndryshim sepse ne jemi në të njëjtin koncept.
Aty janë bërë propozime të tjera, kurse ky nen është shumë normal.
Humbja e zgjedhjeve në kushtet e zgjedhjeve që respektojnë standardet ndërkombëtare, absolutisht ai që drejton duhet të largohet.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Dua të huazoj edhe një pyetje që është bërë nga kolegët pas vendimit të kryesisë që kanë pohuar se garimi juaj sërish për kryetar të PD e ka vdekur Rithemelimin. A vdiq Rithemelimi që në vitin 2021?
Sali Berisha: Kush e thotë këtë?
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Janë disa analistë…
Sali Berisha: I marrin nga zyra e Edi Ramës. Përkundrazi. Po këtë e përhap Edi Rama. Zyra e tij i përhap, që po kandidoi rithemeluesi, rithemelimi vdes. Po ka absurditet më të madh mbi tokë.
Sikundër u thotë, zgjedhjet thotë, po dha dorëheqjen Sali Berisha, zgjedhjet nuk fitohen. Por me Sali Berishën, zgjedhjet nuk fitohen. Mund të dëgjoni ju marrëzira të tilla?
I hap të gjitha zyra e tij.
Pse i hap? Çfarë fiton ai me këtë? Fiton se në një frazë fut dy herë fjalën zgjedhje për të ngulitur mendjen tek të tjerët se ky bën zgjedhje.
Ky nuk bën zgjedhje, ky bën farsë elektorale.
E kupton?
Janë që të gjitha, bëhet një betejë midis atyre që besojnë në votën e lirë dhe që e konsiderojnë votën e lirë kushtin më themelor të demokracisë dhe atyre që shpërblehen nga Edi Rama dhe që janë tellall të farsës elektorale.
Pra nuk janë kolegët e mi këta, asnjë prej tyre nuk e thotë këtë se ata kanë të njëjtin koncept.


