Berisha: Raporti i PPE thotë se Shqipëria është një shtet i kapur, një regjim ku zgjedhjet janë farsë elektorale. Rezoluta i jep mbështetje të fuqishme protestës rinore qytetare në Tiranë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për mediat, pas pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë Politike të Partive Popullore Evropiane (PPE). Në deklaratën e tij, Berisha deklaroi se Shqipëria është vendosur në qendër të një raporti të fortë ndërkombëtar që, ekspozon një regjim të konsoliduar mbi kapjen e shtetit dhe deformimin e zgjedhjeve.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha tha se së bashku me përfaqësues të opozitës shqiptare, përfshirë deputetët Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Gent Strazimiri dhe zyrtarë të tjerë të PD-së, mori pjesë në diskutimet e PPE ku ‘pas Ukrainës, Shqipëria ishte në epiqendër të punimeve të asamblesë politike’. Sipas tij, asambleja miratoi një raport faktmbledhës të delegacionit të PPE-së të ardhur në Shqipëri në muajin Shkurt 2026, dhe një rezolutë të posaçme për Shqipërinë, të cilat përbëjnë një akt të rëndësishëm politik në nivel evropian.

‘Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës’, deklaroi kryedemokrati Sali Berisha, duke akuzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij se zgjedhjet i ka kthyer në farsë elektorale. Ai theksoi se dokumenti,  përshkruan një sistem ku ‘Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi, droga, organizatat kriminale’, duke shtuar se raporti ndalet edhe te rrjeti i patronazhistëve, blerja e votës dhe përdorimi i grupeve kriminale në procese elektorale.

Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka zhdukur ndarjen mes institucioneve dhe strukturave partiake, duke e cilësuar situatën si një ‘makineri gjigante e larjes së parave të krimit dhe të drogës’. Ai përmendi gjithashtu koncesionet, PPP-të dhe prokurimet publike, të cilat sipas tij janë të kapura nga klientelizmi politik. Duke iu referuar çështjeve të ndryshme hetimore dhe institucionale, Berisha përmendi edhe ‘dosjen Balluku’ dhe AKSHI-n, duke pretenduar ndërhyrje dhe presion politik mbi drejtësinë.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nënvizoi se raporti i PPE sugjeron nevojën për një qeveri teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. ‘Raporti sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm’, tha ai, duke shtuar se opozita mbështetet në këtë dokument ndërkombëtar. Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se ka angazhuar fonde dhe kompani të huaja në një betejë kundër protestuesve dhe kundër lëvizjeve opozitare në rrjete sociale. ‘Ka angazhuar shuma të mëdha,  në betejën kundër algoritmit vetëm e vetëm që t’u marrë protestuesve algoritmin’, u shpreh Berisha.

Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se, në frymën e raportit, PPE në Asamblenë Politike të mbajtur në Vjenë miratoi edhe një rezolutë, ku shpreh mbështetjen për protestën qytetare. ‘Meqenëse raporti ishte i shkurtit dhe është pasuruar me disa ndryshime, dua t’u them se rezoluta i jep mbështetje të fuqishme protestës rinore qytetare në Tiranë. Dhe ne përdorëm mundësitë e krijuara për të hedhur poshtë propagandën armiqësore të Edi Ramës i cili, siç u informuam, ka shpërndarë me qindra dhe mijëra mesazhe në të gjithë elitën evropiane, në të cilat e paraqet lëvizjen e idealeve më fisnike të të rinjve shqiptarë, si një lëvizje të organizuar dhe të frymëzuar nga Garda Revolucionare famëzezë e Iranit në një përpjekje për ta damkosur ndërkombëtarisht këtë lëvizje’, theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha për gazetarët.

FJALA E PLOTE

Dy ditët e fundit, së bashku me zonjat Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe Enrik Çenon, Genti Strazimirin, morëm pjesë në punimet e asamblesë politike të Partisë Popullore Evropiane.

Ajo çka unë mund t’u raportoj sot përveç një seri takimesh që zhvilluam me përfaqësues të partive simotra, takime e biseda të shkurtra me presidentin e PPE, me kancelarin e Austrisë dhe me përfaqësues të vendeve të tjera mike, pas Ukrainës, Shqipëria ishte në epiqendër të punimeve të asamblesë politike të PPE.

Për Shqipërinë, asambleja miratoi raportin e misionit faktmbledhës që dërgoi, të përbërë nga 27 anëtarë, në datën 26-27 shkurt të vitit 2026.

Dhe po për Shqipërinë, asambleja miratoi një rezolutë të veçantë kushtuar Shqipërisë dhe gjendjes në Shqipëri.

Unë shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të pakufishme për drejtuesit e PPE, presidentin Veber, sekretaren e përgjithshme Monstserrat, të gjithë ata që erdhën në misionin faktmbledhës për raportin e jashtëzakonshëm që ata publikuan dhe miratuan dje në asamblenë politike të PPE.

Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës, regjimit që ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, regjimit që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, që kontrollon mediat dhe drejtësinë, regjimit të bazuar në kapjen e shtetit, drogën, krimin dhe korrupsionin.

Kurrë ndonjëherë në ndonjë raport ndërkombëtar, të vërtetat e hidhura të Shqipërisë nuk kanë dalë aq qartë sa në këtë raport.

Raporti ka një bosht, dhe mund t’u them se boshti i tij është kapja e shtetit.

Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi, droga, organizatat kriminale.

Shqipëria sipas raportit, i cili citon V-Dem, thotë se ka deficite të thella, të mëdha në parimet themelore të procesit zgjedhor.

Shqipëria, sipas raportit, ka ndërtuar një rrjet patronazhistësh, sistemin e blerjes së votës, ka angazhuar grupet kriminale për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve.

Ka zhdukur linjën ndarëse midis institucioneve të shtetit dhe strukturave partiake.

Shqipëria pra është vendi në të cilin narkoeurot janë shndërruar në një faktor që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare.

Vendi në të cilin gara nuk ekziston ose është krejt fiktive.

Makineri gjigante e larjes së parave të krimit dhe të drogës.

Vendi në të cilin zyrtarisht mbrohet korrupsioni.

Raporti ndalet plotësisht në dosjen Balluku, në qëndrimet e Edi Ramës ndaj kësaj dosje që e implikojnë atë direkt, në sulmet që Edi Rama i bën prokurorisë dhe gjykatës për këtë dosje.

Ndalet tek AKSHI, tek dora e zezë e tij në dosjen e AKSHI-t.

Ndalet tek koncesionet dhe PPP-të.

Tek prokurimet publike me klientelë.

Edhe këtu, nuk ka garë, nuk ka linjë ndarëse. Gjithçka e përqendruar në duart e Edi Ramës.

Kurrë ndonjëherë një raport i tillë nuk është votuar në një organizatë kaq prestigjioze, kaq të rëndësishme siç është PPE.

Raporti sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Mbështet PD-në në të gjitha përpjekjet e saj në kushtet më të vështira.

Pra, kemi të bëjmë me një raport si asnjë tjetër më parë.

Unë e di që Edi Rama bën gjithçka ta censurojë, por unë ftoj mediat, ftoj qytetarët shqiptarë ta lexojnë atë raport për të parë se cili është qëndrimi i PPE, parti e cila de facto me qeveritë në pushtet, qeveris Evropën.

Bazuar në këtë raport, në të njëjtat terma qëndron rezoluta e miratuar.

Në të njëjtat denoncime, në të njëjtat konstatime, në të njëjtat sugjerime.

Por, meqenëse raporti ishte i shkurtit dhe është pasuruar me disa ndryshime, dua t’u them se rezoluta i jep mbështetje të fuqishme protestës rinore qytetare në Tiranë.

Dhe ne përdorëm mundësitë e krijuara për të hedhur poshtë propagandën armiqësore të Edi Ramës i cili, siç u informuam, ka shpërndarë me qindra dhe mijëra mesazhe në të gjithë elitën evropiane, në të cilat e paraqet lëvizjen e idealeve më fisnike të të rinjve shqiptarë, si një lëvizje të organizuar dhe të frymëzuar nga Garda Revolucionare famëzezë e Iranit në një përpjekje për ta damkosur ndërkombëtarisht këtë lëvizje.

Edhe në bisedat e veçanta, por edhe në fjalën time që mbajta, garantova të pranishmit se ai është një trillim i paskrupullt i Edi Ramës.

Se ajo është një lëvizje, një shpërthim i idealeve më fisnike, më të larta të rinisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë.

Dhe se Edi Rama po përpiqet me çdo kusht ta përlyejë pa asnjë fakt, bazë apo dokument.

Sikundër informova se ka angazhuar kompani të huaja, ka angazhuar shuma të mëdha, një numër të madh, një armatë të tërë në betejën kundër algoritmit vetëm e vetëm që t’u marrë protestuesve algoritmin.

Dhe se ai merret në kundërshtim me çdo ligj, me të dhënat e tyre personale, me të cilat kërkon të identifikojë një lëvizje qindra mijëra qytetarëve nga Shqipëria dhe diaspora kundër tij.

Konstatova me kënaqësi një mbështetje të madhe për këtë lëvizje dhe kjo u sanksionua edhe në rezolutën që asambleja politike e PPE miratoi për Shqipërinë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Klajdi Bodlli, SYRI TV: Zoti Berisha, duke u ndalur tek protesta, dhe duke qenë se edhe rezoluta e Partive Popullore e ka përmendur dhe e ka mbështetur, a keni një koment në lidhje me sjelljen e djeshme dhe dhunën e ushtruar nga policia në drejtim të protestuesve?

Sali Berisha: E kam dënuar që dje nga Vjena. E kam quajtur një egërsi shtazore. E kam quajtur një egërsi shtazore. Unë kam parë, s’ua di emrat, përveç Goxhajt që e ka shpallur Edi Rama agjent të SHIK-ut, po ata të tjerë me radhë, me radhë, të cilët absolutisht nuk po kryenin asnjë akt dhune.

Përkundrazi, po mbanin një qëndrim, mund të them, edhe dashamirës ndaj policëve, po u ofronin ujë në atë vapë të tmerrshme. Dhe vërsulja me tërbim ndaj tyre… ajo skena me atë djalin me bluzë të zezë, ajo rikujtonte skenën e Zvërnecit.

Edhe atë djalin e zvarritën katër-pesë burra, metra të tëra. E çfarë kishte bërë ai? Asgjë, u lirua.

Pra, ishte një egërsi shtazore e dëshmuar ndaj protestuesve. E kam dënuar dje, e dënoj me forcën më të madhe.

***

Rezolutë Emergjente e PPE-së për Shqipërinë

Asambleja Politike e PPE-së: 29-30 qershor 2026, Vjenë

Demokracia, shteti i së drejtës dhe të drejtat e qytetarëve kushte thelbësore për të ardhmen Europiane të Shqipërisë

Paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë

Duke qenë se Shqipëria vazhdon të përjetojë regres demokratik të karakterizuar nga kapja e shtetit, korrupsioni i përhapur, ndikimi i krimit, përqendrimi i pushtetit, dobësimi i shtetit të së drejtës, mungesa e ndarjes së pushteteve dhe rënia e besimit publik;

Duke qenë se Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2025 i Transparency International, Raporti i Demokracisë i V-Dem, Raporti Përfundimtar i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 dhe Misioni Studimor i PPE-së në Shqipëri evidentojnë shqetësime serioze lidhur me korrupsionin, integritetin zgjedhor, kapjen e shtetit, dobësimin e institucioneve demokratike, keqpërdorimin e burimeve shtetërore, mjegullimin e kufirit ndarës mes shtetit dhe partisë, si dhe nevojën për reforma të thella demokratike dhe zgjedhore;

Duke qenë se, pavarësisht presionit politik, trysnisë gjyqësore dhe arrestimeve të drejtuesve të opozitës, opozita demokratike ka mbetur e angazhuar në mbrojtjen e pluralizmit, demokracisë dhe të ardhmes Europiane të Shqipërisë;

Duke qenë se dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë po protestojnë në mënyrë paqësore në mbrojtje të demokracisë, transparencës, të drejtës së pronës, mbrojtjes së mjedisit dhe shtetit të së drejtës;

Duke qenë se Rezoluta e Parlamentit Europian e datës 17 qershor 2026 kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi për zhvillimet në zonat e mbrojtura deri në garantimin e përputhshmërisë me standardet mjedisore të Bashkimit Europian;

Duke qenë se protestuesit paqësorë janë përballur me fyerje, intimidim, fushata denigruese dhe veprime ligjore;

Asambleja Politike e PPE-së:

Shpreh shqetësim të thellë për regresin e vazhdueshëm demokratik në Shqipëri, dobësimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës, mbikëqyrjes parlamentare, transparencës, llogaridhënies dhe ndarjes së pushteteve.

Rikonfirmon se demokracia kërkon pluralizëm, zgjedhje të lira dhe të ndershme, një ndarje të qartë mes shtetit dhe partisë, mbikëqyrje efektive parlamentare, një gjyqësor të pavarur, media të lira dhe pjesëmarrje kuptimplote të opozitës.

Njeh angazhimin e vazhdueshëm të opozitës demokratike për mbrojtjen e rendit kushtetues, lirive demokratike dhe të ardhmes Europiane të Shqipërisë, pavarësisht presionit dhe përndjekjes politike të paprecedentë.

Shpreh solidaritet me mijëra qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore dhe riafirmon se e drejta për tubim paqësor është një liri themelore demokratike.

Njeh legjitimitetin e shqetësimeve dhe kërkesave të ngritura nga opozita dhe protestuesit paqësorë, përfshirë llogaridhënien politike, një reformë zgjedhore të vërtetë dhe gjithëpërfshirëse, një ndarje të qartë mes shtetit dhe partisë, hetime efektive ndaj korrupsionit në nivele të larta, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore, shfuqizimin e legjislacionit dhe praktikave qeveritare që bien ndesh me interesin publik, si dhe mbrojtjen e mjedisit, zonave të mbrojtura, trashëgimisë kulturore dhe të drejtave të pronës.

Mirëpret përfundimet e Misionit Studimor të PPE-së, i cili rekomandon një dialog politik gjithëpërfshirës, me mbështetjen e partnerëve Europianë kur është e nevojshme, mbi mekanizma që mund të garantojnë një ndarje të qartë mes institucioneve shtetërore dhe partive politike gjatë periudhave zgjedhore. Diskutime të tilla mund të mbështeten në praktika demokratike, përfshirë modele të qeverive kujdestare ose teknike, për të rikthyer besimin publik, për të mbrojtur neutralitetin institucional dhe për të garantuar kushte të barabarta për të gjithë garuesit politikë.

Dënon çdo përpjekje për të frikësuar, ndjekur penalisht ose heshtur protestuesit paqësorë, gazetarët, aktivistët mjedisorë, ekspertët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre demokratike.

U bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen në dialog të mirëfilltë, të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, Parlamentit Europian dhe Misionit Studimor të PPE-së, si dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme për të rikthyer besimin publik dhe për të garantuar zgjedhje të besueshme në të ardhmen.

I kërkon Komisionit Europian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE) dhe institucioneve të Bashkimit Europian të vazhdojnë monitorimin e afërt të zhvillimeve në Shqipëri dhe të sigurojnë që progresi në procesin e anëtarësimit në BE të mbetet i lidhur ngushtë me demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat themelore, mbrojtjen e mjedisit dhe pjesëmarrjen publike.

Rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të PPE-së për qytetarët e Shqipërisë në përpjekjet e tyre për të mbrojtur demokracinë, pluralizmin, llogaridhënien, shtetin e së drejtës dhe të ardhmen Europiane të vendit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale