Berisha: Raporti i Parlamentit Europian është formulimi më ligjor dhe më i drejtë i farsës elektorale në Shqipëri. Vlerësoj misionin faktmbledhës që erdhën dhe panë gjërat në vend

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë përbën, sipas tij, ‘formulimin më ligjor dhe më të drejtë të farsës elektorale në vend’, duke e cilësuar atë si një dokument me rëndësi të veçantë për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri.

Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u ndal te procesi i hartimit të raportit dhe misioni faktmbledhës i eurodeputetëve në Shqipëri, të kryesuar nga David McAllister. ‘Raporti është hartuar pas një vizite jashtëzakonisht të rëndësishme faktmbledhëse. Ata erdhën në Shqipëri në misionin e Shën Thomait, t’i shohin vetë të gjitha gjërat në vend,’ u shpreh Berisha. Ai shtoi se vizita e delegacionit europian, sipas tij, ‘i ka shërbyer qytetarëve shqiptarë’, ndërsa theksoi se opozita ka luajtur rol në denoncimin e situatës në Bruksel. ‘Kemi mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë nga një armik i shpërfytyruar i tyre… një njeri që ka sjellë moralin e etërve të tij vrastarë,’ deklaroi ai, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.

Kryedemokrati Sali Berisha foli gjatë për zgjedhjet dhe sistemi politik, duke u shprehur se, raporti europian konfirmon farsën elektroale të 11 majit dhe probleme serioze me procesin elektoral. ‘Ky raport përbën formulimin më ligjor dhe më të drejtë të farsës elektorale në Shqipëri,’ tha ai, duke shtuar se raporti evidenton ‘fushë të pabarabartë loje’ dhe ‘keqpërdorim të burimeve administrative’. Sipas tij, dokumenti ngre shqetësime për: financimin e partive politike, blerjen e votave, presionin mbi votuesit dhe dominim e mediave nga qeveria. ‘90 përqind të mediave të kontrolluara nga qeveria,’ deklaroi Berisha, duke kërkuar që raporti të bëhet publik në mënyrë të plotë.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha kritikoi gjithashtu funksionimin e Kuvendit, duke e cilësuar atë si të dëmtuar nga polarizimi politik dhe kufizimi i rolit të opozitës. ‘Mohimin e të drejtave tona kushtetuese në mënyrën më brutale si kurrë më parë në historinë e pluralizmit,’ tha ai. Sipas tij, raporti europian kërkon forcimin e komisioneve parlamentare dhe garantimin e mbikëqyrjes institucionale. ‘Ne nuk tërhiqemi. Ne nuk bojkotojmë, ne qëndrojmë duke denoncuar,’ shtoi ai.

Në fjalën e tij, kryetari i PD-së Sali Berisha foli edhe për ligjin e konfliktit të interesit, që sipas tij është një ‘ligj themelor për mbrojtjen e qytetarëve’. ‘Ligji i konfliktit të interesit është ligji themelor që ju mbron ju nga vjedhja e pushtetarëve,’ tha ai. Ai akuzoi Edi Ramën dhe familjen e tij, për shkelje të këtij ligji dhe për përfitime nga pasuritë publike, duke përmendur raste konkrete dhe institucione të ndryshme. ‘Ky është ligji i korrupsionit dhe faktori më kryesor i përhapjes së korrupsionit është shkelmimi i ligjit të konfliktit të interesit,’ deklaroi ai, duke përmendur dhe thjeshtrën e Edi Ramës që nuk bën asnjë deklarim pasurie, edhe pse me ligj është e detyruar.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u është përgjigjur dhe kritikëve, që gjoja ai po sulmon gazetarët. Berisha u shpreh pronarët e mediave dhe disa analistë janë të kapur nga pushteti me favoret që marrin. ‘Është krijuar një mafie e fjalës së lirë nga pronarë të cilët për favoret që marrin nga Edi Rama, korruptojnë gjuhën dhe fshehin krimet e qeverisë,’ tha ai. Ai shtoi se beteja e PD-së nuk është kundër gazetarëve, por ndaj, siç i quajti ai, ‘pronarëve mafiozë’. ‘Nuk kemi betejë me gazetarët e ndershëm, por me këto standarde s’pajtohemi kurrë,’ u shpreh Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e përmbylli fjalën duke e cilësuar raportin e Parlamentit Europian si një dokument udhërrëfyes për opozitën dhe procesin e integrimit. ‘Mendoj se ky raport përbën një program të shkëlqyer pune në qëndrimet tona për integrimin e vendit në Bashkimin Europian,’ theksoi kreu i PD-së.

FJALA E PLOTE:

Jemi në prag të 8 majit, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për opozitën shqiptare dhe shqiptarët.

Ndaj dhe njëherë në mënyrën më të vendosur u bëj thirrje që çdo minutë, çdo orë t’ia kushtojmë përgatitjes së këtij akti të kryengritjes paqësore të 8 majit, si mesazhi më i rëndësishëm që ne u përcjellim shqiptarëve në kushtet kur përpiqen me çdo mjetet t’i dekurajojnë.

Përpiqen me të gjitha mjetet të mbjellin terror në grahmat e fundit.

Të dëshmojmë se ne nuk pranojmë kurrë Edi Ramën, qeverinë e tij si të ligjshme, nuk ka asnjë legjitimitet për shkak të zgjedhjeve që ka rrëmbyer, për shkak të vjedhjeve me të cilat është kapur.

Dhe, të provojmë se ne jemi zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve dhe jemi forca kryesore integruese, forca kryesore që punojmë për të ardhmen e këtij vendi.

Por dua të them se në këtë kuadër, një zhvillim i një rëndësie të jashtëzakonshme ka ndodhur dje në Bruksel, në tempullin e demokracisë.

Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian është miratuar raporti i këtij komisioni.

Raporti është hartuar pas një vizite jashtëzakonisht të rëndësishme faktmbledhëse të përfaqësuesve të këtij komisioni, të kryesuar nga kryetari i komisionit, David McAllister dhe të përbërë nga përfaqësues të rëndësishëm të të gjitha grupeve parlamentare.

Ata erdhën në Shqipëri në misionin e Shën Thomait, t’i shohin vetë të gjitha gjërat në vend.

Në morinë e informacioneve të dërguara nga të gjitha anët, ndër të tjera edhe nga opozita, ata erdhën t’i shihnin gjërat në vend.

Dhe nga kjo vizitë mund t’u them se kanë fituar shumë qytetarët shqiptarë.

Edi Rama ka tre muaj që akuzon opozitën se bën denoncime në Bruksel. Duhet të ndjehemi krenarë se kemi mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë nga një armik i shpërfytyruar i tyre, nga një armik i egër i shqiptarëve, i demokracisë.

Nga një njeri, që ka sjellë moral të qeverisjes, moralin e etërve të tij vrastarë.

Nga një njeri, që ka vendosur parimet e regjimit të etërve të tij si parime të Shqipërisë që sot ecën drejt BE.

Nuk ka krenari më të madhe se sa të mbrojmë me ndershmëri, me sinqeritet, interesat e shqiptarëve në Tiranë dhe kudo në botë.

Por të jemi realistë, ky raport i shkëlqyer nuk është meritë e jona, ne kemi bërë punën tonë, por ai është meritë e atyre burrave, grave, që erdhën në mision me vlerësimin më serioz për gjendjen në Shqipëri. Erdhën për t’i parë gjërat në vend, për të vërtetuar dhe u faktuan me faktorë nga më të ndryshmit të shoqërisë shqiptare.

Dëgjuan të gjitha palët, u njohën me dokumentet dhe ajo që është ana më pozitive, se ky raport i hartuar nga socialisti Andreas Schieder dhe i amenduar nga deputetë të grupeve të tjera, është raport unanim i komisionit.

Mund të themi se për herë të parë në historinë e Shqipërisë miratohet një raport i tillë.

Dhe njëherë, ne këtë raport do ta kemi program pune.

Aq sa na takon ne, do i përgjigjemi me të gjitha mundësitë tona, bazuar në atë parim që thotë raporti, integrimi i Shqipërisë duhet të jetë i bazuar në meritë.

E thekson jo njëherë, por disa herë. Dhe ne të tillë koncept kemi.

Meqenëse censura është ligji i medieve të kontrolluara nga qeveria, do kërkoj dhe mirëkuptimin tuaj që ta ekspozojnë pjesët kryesore të këtij raporti për publikun shqiptar, se përndryshe ky mbetet i fshehur.

Mediet e kontrolluara nga qeveria ose lexojnë çerek rreshti dhe bëjnë gjithçka për ta relativizuar, për ta interpretuar sipas oreksit të tyre dhe këto janë të papranueshme.

Raporti fillon që në hyrje me standardin europain.

Duke qenë se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet, thotë raporti, nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektiv i reformave në vend, vetëm miratimi formal i legjislacionit nuk shërben duke qenë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme në çështje themelore, duke filluar me sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike, duke qenë se cila e reformave të nevojshme të një vendi përcakton afatin kohor për anëtarësim.

Pra, raporti tregon se gënjeshtrat, lobingjet e korruptuara nuk pinë ujë.

Shqipëria duhet të performojë, duhet të zbatojë reformat, ligjet, Kushtetutën.

Lidhjet e qarta midis reformave dhe afatit kohor të anëtarësimit është bërthama ligjore dhe politike e të gjithë këtij dokumenti.

Një. Demokracia dhe reforma zgjedhore. Kuadri zgjedhor.

Të gjithë spekulantët, avoketërit e farsës elektorale që përdornin termin kompetitiv si një avantazh të madh, për të bërë avokatinë e farsës, bien në dëshpërim të thellë sepse teksti i raporti qartëson si drita e diellit.

Çfarë thotë?

Ndërsa Komisioni dhe OSBE/ODIHR e vlerësojnë kuadrin ligjor zgjedhor të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshëm për zgjedhje kompetitive, pra kuadri ligjor lejon zgjedhje kompetitive, dhe jo se zgjedhjet ishin kompetitive, është një ridimensiom i fortë.

Sigurisht fjala kompetitive do të thotë shumë kandidatura, por ka edhe pjesën tjetër që në garë duhet të jesh i barabartë dhe pikërisht për këtë arsye është bërë një riformulim i kompetitivitetit.

Raporti identifikon dështime të vazhdueshme, fushë të pabarabartë loje, keqpërdorim të burimeve administrative që shuajnë linjën e ndarjes midis institucioneve shtetërore, e zbërthejnë fjalën shtet këtu, dhe zbërthejnë edhe fjalën parti, strukturave të partisë.

Pra ka një shkrirje midis institucioneve dhe strukturave të partisë në zgjedhje.

Financimi i partive politike. Pretendimet për blerje votash dhe presion mbi votuesit.

Me këtë, Komisioni i Jashtëm tregon se çfarë ishin zgjedhjet në Shqipëri për këtë komision.

Dhe kërkon reforma për të forcuar kuadrin zgjedhor, duke përfshirë transparencën e financimit të fushatave, eksesin e barabartë në media.

Imagjinoni, 90 përqind të medieve të kontrolluara nga qeveria.

Garancitë kundër keqpërdorimit të burimeve administrative dhe zbatimin efektiv të këtyre garancive.

Mendoj se ky është formulimi më ligjor, më i drejtë i farsës elektorale në Shqipëri.

Mosfunksionimi parlamentar.

Ne, siç e dini, jemi opozitë.

Çështja e dyta madhore pas zgjedhjeve që ne kemi shtruar pamundësinë tonë për të kryer detyrimet tona kushtetuese ndaj zgjedhësve në parlamentin shqiptar.

Mohimin e të drejtave tona kushtetuese në mënyrën më brutale si kurrë më parë në historinë e pluralizmit në këtë vend.

Polarizimi politik, shkruhet në raport, përshkruhet si përpjekje për të minuar mbikëqyrjen parlamentare.

Pra, qëndrimet e tyre, përjashtimet masive të deputetëve, kanë si qëllim të minojnë mbikëqyrjen parlamentare.

Po kush e bën mbikëqyrjen?

Opozita në radhë të parë se deputetët e shumicës kanë qeverinë, ata duhet të mbikëqyrin, por janë të verbër, nuk mund të mbikëqyrin, por opozita nuk mund të jetë e verbër.

Besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe të komisioneve parlamentare.

Kërkon fuqizimin e komisioneve parlamentare, kushte pune, jo mbajtjen e dokumentacionit, mosdhënien e dokumentacionit deputetëve.

Mosparaqitjen në interpelanca të kryeministrit, ministrave, etj.

Ndaj dhe janë ndalur në këtë çështje si një çështje kryesore e demokracisë shqiptare.

Ne, kemi bërë dhe do bëjmë çdo përpjekje për të përmbushur misionin tonë.

Ne nuk tërhiqemi.

Ne nuk bojkotojmë se gjithë qëllimet e këtyre akteve të paimagjinueshme që kanë kryer këta gjer sot kanë qenë që ne të braktisim parlamentin.

Por ne nuk braktisimin, ne qëndrojmë në pozicionin tonë duke denoncuar dhe rezulton se e drejta vonon, por nuk harron.

Sundimi i ligjit dhe antikorrupsioni.

Lubi Balluku është në çdo rresht.

Dhe e paskemi ne këtë, qenkan fjalët tona atje, nuk është Lubia me hajnitë e saj bashkë me Ramën.

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian rikujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kornizës së duhur kushtetuese për të siguruar funksionimin e institucioneve demokratike.

Thekson se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret rreptësisht në përputhje me dispozitat kushtuese dhe procedurat ligjore të vendosura pa ndërhyrje politike dhe pa vonesë të pajustifikueshme.

Tre muaj Edi Rama, duke u bërë avokat i shpërfytyruar i vjedhjeve të tij dhe duke menduar se shqiptarët janë budallenj dhe nuk e kuptojnë se nuk po mbronte Belindën, por po mbronte veten e tij.

Fraza për ndërhyrje politike dhe pa vonesë të justifikuar është pra goditje direkte për Edi Ramën, i cili ka ndërhyrë politikisht, ka vonuar sa ka mundur. Dhe Belindën sigurisht.

Tani jemi këtu, çfarë tregon kjo gjuhë këtu?

Kjo gjuhë tregon se nëntë vende të BE kanë ngritur zërin për raportin e ndërmjetëm të themeloreve, të këtyre proceseve, të shtetit ligjor, të zgjedhjeve, të parlamentit dhe me radhë.

Dhe tregon për shqiptarët se pse nuk është pranuar raporti IBAR.

Si përgjigje pas tre muajsh, nxjerrin një mashtrues profesionist, ministrin e jashtëm që në vend të dorëheqjes para shqiptarëve, vjen e thotë se nuk është votuar. Po sigurisht që nuk është votuar, ajo dihet, kush tha që është votuar?

Nuk është pranuar të votohet dhe nuk kalohen me mashtrime, por kalohen duke u thënë shqiptarëve, jo si vasal i Edi Ramës, por duke u thënë shqiptarëve të gjitha problemet që kanë shtruar.

Ja ku është ai padroni i tij, Vuçiçi, të gjitha i publikon.

Sepse në COELA ka përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe ai është i detyruar t’ia thotë shqiptarëve, siç ia thotë Serbia, Mali i Zi, siç ua thotë çdo vend tjetër përveç Shqipërisë.

Që sillen si mafioze ndaj qytetarëve të vet dhe vjen ai e thotë se nuk është votuar IBAR-i.

Kanë shtuar kërkesat dhe është ndërruar raporti fare sa për dijeni të shqiptarëve. Ta dinë shqiptarët. Raporti që ka dorëzuar në IBAR presidenca, është ndryshuar krejtësisht. Pikërisht para ndërhyrjes së vendeve të tjera.

Po këto s’duhet t’i themi ne, s’ka nevojë t’i themi ne. Këto do t’i thotë qeveria, që e ka aty përfaqësuesin.

Po qeveria ndjek kritere të mafies.

Dënon edhe korrupsionin në rritje dhe rënien e Shqipërisë me disa vende, 11 vende brenda një viti në raportet e Transparency International.

Kërkon forcimin e transparencës.

Tani, të dashur miq dhe të dashur qytetarë.

Kemi denoncuar në dhjetëra herë si deputetë, qëndrimin, asgjësimin e ligjit të konfliktit të interesit.

Ligji i konfliktit të interesit, të dashur qytetarë dhe qytetare, është ligji themelor që ju mbron ju nga vjedhës, nga vjedhja e pushtetarëve, nga përdorimi i pushtetarëve të pushtetit për t’ju vjedhur ju, për të ndarë pasuritë me familjarët e tyre.

Tre herë i referohet raporti ligjit të konfliktit të interesit.

I cili është shuar. Edi Rama me dy vendime i jep hajdutit Olsi Rama, 38,000 m² tokë të privatit.

38,000, në shkelje të ligjeve, sepse ka qenë repart ushtarak dhe ligji detyron, në qoftë se ia ndërron destinacionin, automatikisht i kalon pronarit.

Jo ia kalon vëllait, jo pronarit, vllaçkos, që është një mafioz i dytë pas vëllait.

Edi Rama në 2017-ën bën vendimin e kunatit, Lindës.

Vendimin ‘Frangu’. Çfarë është vendimi ‘Frangu’? ‘Frangu’. Vendimi është ky.

Në qoftë se gjer në 2017-ën, të gjitha agjencitë, drejtoritë, ministritë, kudo, problemet që kishin me mirëmbajtjen apo me pajisjet apo me shtrirjen e rrjetit të kompjuterik, zhvillimit të mëtejshëm me high-tech-ut, ato kishin, vepronin nga autoriteti i tyre.

Dhe më rikujtohet që sot kishte kompani që absolutisht kontraktonin IBM-in. Kishte kompani që kontraktonin kompani të tjera të mëdha, kishte kompani, më falni, institucione, nuk kishte asnjë centralizim.

Në 2017-ën, me nxitje direkte të Linda, Lindës së Surrelit, Edi Rama lëshon, firmos vendimin që të gjitha prokurimet në fushën e IT-së do të bëhen nga AKSHI, sepse kështu donte Armand Frangu.

Dhe AKSHI bëhet një prokurues gjigand i qindra e qindra milionë euro, me procedura të fshehta, ku çdo pengmarrje është bërë që Armand Frangu të jetë fituesi i të gjitha tenderave.

Ky person, se jemi te konflikti i interesit, që s’duhet të vijë te pjesët e tenderave.

Ky person ka fituar qindra tendera me procedurë sekrete.

Ky person ka fituar qindra tendera me procedurë me prokurim direkte.

Dhe, cila është problemi më madhor? Ja, janë këtu disa, jo unë, të cilëve zyrtarë shumë të përgjegjshëm, shumë të informuar, të huaj, ju kanë thënë se kjo që ju dini për AKSHI-n është vetëm 10% e çështjes.

Është vetëm 10% e çështjes.

Dhe keni parë ju të bëjnë një emision për AKSHI-n? Kanë bërë, po se përmendin Lindën e Surrelit në mënyrë absolute, një herë të vetme.

Po që e kemi denoncuar me dhjetëra dhe qindra herë me të drejtë apo jo dhe kurrë me tendencë. E kemi bërë dhe në qoftë se e kemi bërë, e kemi bërë që të ndihmojmë dhe mediat, se shumë raste është mirë dhe është detyra jonë që edhe për t’i lehtësuar mediat në qëndrimet e tyre direkte, i t’i themi ne përpara, pastaj jua hapim rrugën gazetarëve.

Po të përmendin Lindën, asnjë. Nuk gjeni një. Të gjithë e dinë.

Të gjithë e dinë Armand Frangun.

Të gjithë e dinë dosjen që kam lexuar unë para publikut, regjistrimin e Geron Meçes, ku thotë se kompania ABC është e Armandit, jo e imja, dhe po është regjistruar formalisht tek unë.

Ku thotë se Linda e Surrelit përcakton tenderat.

Pra, jo më kot komisioni ka qëndruar fuqishëm tek respektimi i ligjit të konfliktit të interesit.

Tani, jemi këtu, është e domosdoshme që ne qëndrimin ndaj këtij ligji në çdo sektor ku jemi, ta kemi një përparësi absolute. në çdo sektor. Po, këta ndajnë para.

Lubia, çfarë i thonë atij, Abazin, me dhëndrin, e të tjerë me radhë. Xhafa me vajzën. A ka ky shtet, a ka ky vend, a kanë këta qytetarë një mbrojtje nga pushtetarët? Vajza e Xhafës na merr park fotovoltaik. Po ky është vetëm një. Kështu janë të gjithë këta.

Këta ndajnë pasurinë njëri me tjetrin. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë një, se pse e bën? Se e bën Rama. Se e bën Rama vetë. Ky është ligji. Ligji i korrupsionit dhe faktori më kryesor i përhapjes së korrupsionit është shkelmimi i ligjit të konfliktit të interesit.

Ai ligj mbron qytetarët. Por Rama, po thjeshtra, arrin gjerë aty, se jemi këtu, thjeshtrën, njëherë i thotë vajza e familjes dhe flet për të. Dhe në ligj është absolutisht vajzë e familjes. Sepse ligji thotë, fëmijët ose fëmijët e partnerëve. E ka shumë të qartë ligji. Thjeshtra, vite të tëra, asnjë deklaratë në ILDKP. Asnjë deklaratë.

Dhe kur shkojnë thonë, i thonë, jo thotë, nuk është familja ajo. Kur ti, a ka ligj apo jo këtu? Dhe ky është ligji i konfliktit të interesit. Ligji i konfliktit të interesit përcakton rrethin e njerëzve të konfliktit të interesit. Jo thotë, thjeshtra nuk është këtu, kur s’i leverdis.

Pra, mirëpo ky, dhe ne duhet, duhet të merremi gjatë me këtë, se ky është frymëzuesi i të gjitha akteve korruptive në Shqipëri.

Thamë për imunitetin, shpreh mirënjohje dhe i falënderoj pasi kanë bërë diagnozë të shkëlqyer. Kanë përcaktuar faktorët e hajrit të rrezikut të lartë në Shqipëri. Kush janë? Prokurimet publike dhe koncesionet. Këtu janë.

Fondet publike dhe koncesionet.

Ndërtimi dhe urbanistika Rama Rroko me Adelajdën. Kanë bërë diagnozë të shkëlqyer. Pra që të gjitha çojnë tek Rama. Natyrisht larja e parave dhe trafiqet e drogës janë një shqetësim shumë i madh, për parlamentin Europian, janë një shqetësim shumë i madh për partnerët tanë kudo, ndaj dhe raporti ka përcaktimet e tij shumë të fuqishme lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, larjes së parave.

Investimet e huaja.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, Parlamenti, Komisioni Evropian kërkon listën. se e dinë që Edi Rama ja u ka dhënë mafiozëve këto investime strategjike. Kërkon listën e investimeve strategjike. I kanë bërë autopsi.

Misioni fact finding. Dhe lista e investimeve strategjike kërkon anulimin përveç të tjerave të amendamenteve të vitit 2024. Kërkon shqyrtim, rishqyrtim të tyre. Pra, jemi në një analizë të shkëlqyer të gjendjes, udhëkryqit shumë të rrezikshëm të vendit.

Kërkon pavarësinë e SPAK-ut, dhe burime të përshtatshme, zgjerimit të kapaciteteve hetimore dhe mosminimin e punës së tij. Ja ku jemi këtu, të deklarojmë publikisht se në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë shans që ne të marrim një votim apo një bashkëpunim me Edi Ramën për të dobësuar veprimtarinë apo për të ndryshuar ligjet për organet e drejtësisë. Jo.

Ato mund të kenë ndonjë problem, por ky e ka me qëllime tërësisht për t’i dëmtuar ato dhe veprimtarinë e tyre dhe kjo s’do pranohet në asnjë mënyrë nga Partia Demokratike.

Do të denoncohet, përkundrazi. Do bëjmë gjithçka që dyert, që puna e tyre të mos pengohet. Shteti të ketë ndarjen e pushteteve. Jo të gjitha pushtetet në duart e një e një kreu të organizatës kriminale që ka vendosur si moral të regjimit të tij, moralin e etëreve të tij.

Kërkon t’ju të respektohet pavarësia e gjyqësorit. Jo t’i diktohet si t’i dikton ky. Në fakt, në çdo rresht, po ta përkthesh në shqip, këtu lexohet Rama dhe Lubia, Lubia dhe Rama.

E vërteta është. Mbetet pak për të tjerët.

Ka dhe detyra dhe për ne, pa diskutim. Dhe ne e themi këtu, ne do i zbatojmë këto.

Çfarë rekomandohet për opozitën, opozita do i qëndrojë fuqishëm dhe do bëjmë gjithçka për të përmbushur detyrimet tona ndaj, ndaj vendit tonë dhe ndaj procesit të integrimit.

Liria e mediave.

Sulmet ndaj gazetarëve. Mizogjenia e Edi Ramës. Të gjitha janë këtu. Tani, dënon fuqishëm thotë, armiqësinë kundër gazetarëve dhe profesionistëve të mediave të pavarura.

Të dashur miq, këtu duhet të ndalemi një moment.

Në traditën më të keqe të dizinformimit, të mashtrimit, të trillimit, çfarë ka ndodhur këto ditë? Reagimeve të mia ndaj mafies së fjalës së lirë, e cila absolutisht është për mua një betejë e një rëndësie të jashtëzakonshme. Cilido që mendon se unë kam qoftë dhe minimumin e minimumit në këtë qëndrim nga sulmet që më bëhen, gabon rëndë.

Sali Berisha është ndër themeluesit e fjalës dhe shtypit të lirë në këtë vend me Partinë Demokratike. Por, në mënyrën më të pamohueshme, është krijuar një mafie e fjalës së lirë nga pronarë të cilët për favoret që marrin nga Edi Rama, për dhjetëra e dhjetëra milionë që urdhërohen t’ju jepen nga tenderat, siç kanë provuar dokumentet gjyqësore.

Për titujt e investitorëve strategjikë, siç kanë provuar dokumente zyrtare. Për mijëra e mijëra metër tokë në mes të Tiranës me 1 euro, dhe që bëjnë nga mëngjesi gjer në darkë censurën, korruptojnë gjuhën, fshehin krimet e qeverisë. Këta janë denoncuar dhe do denoncohen.

Por një gjë, gjerë sot unë me emër janë shumë të paktë gazetarë apo analistë që kam sulmuar. Ata po. Ata janë pjesë e mafies.

Imagjinoni një moment.

Unë flas për Fanen, reagojnë se fola për gazetarët. Jo, unë nuk kam folur për gazetarët. Nuk më tregon dot njeri mua për të folur për atë që duhet. Po nuk flas kundër bindjeve të mia.

Se ato që ka bërë Fania, i ka bërë ai vetë direkt. I ka bërë direkt me urdhër të Edi Ramës, se do që të përmirësojë.

Po të ishin gazetarë, them, janë gazetarët përgjegjës. Nuk janë. Dhe nuk kam sulmuar. Pronarët mafiozë të përgatiten mirë. Kjo është një betejë që, kjo është një betejë në emër të interesit publik.

A mund të pranohen për analizë, më thoni ju mua, një njeri i inkriminuar, i dënuar disa herë nga gjyqet, Idajet Beqiri. A ndodh kund? Më pyesni ju mua. A ndodh kundër në botë?

A mund të pranohet para analist Kreshnik Spahiu? Një bastard i cili në raporte ndërkombëtare kërkonte 300.000 euro për transferimin e gjykatësit. Raporte zyrtare. Dhe që tret paratë e vjedhura në Gjermani.

Ç’lidhje ka ai me analizën? Ai duhet të jetë në burg. Ai e ka vendin në burg.

A mund të pranohet si analist një shpifarak si Arben Meçe, që del pallati digjet, mezi shpëtuan banorët, del dhe mashtron qytetarët. Çfarë analistësh, çfarë analistësh janë këta? Më na thoni pak.

Si mund të pranohet analist Sokol Balla? Sokol Balluku, i cili, të cilit, mbi të cilin rëndojnë dhjetëra milionë euro transaksione. Ky qenka analist? Dhe këta do ta përdorin etiketën e gazetarit për t’u mbrojtur?

Jo. Këta janë mafiozë. Dhe këta do të diskreditohen çdo ditë nga Partia Demokratike dhe nga anëtarët e saj. Kjo i ndihmon mediat. Po pse shkojnë? Ja u japin pronarët po. Po nuk ka gazetarë që do të ulet me një njeri të dënuar për falsifikim, për çdo lloj vepre si Idajet Beqiri.

Çdo gazetar e ka turp të ulet. Kur i thotë pronari, do ulesh me të se vetëm ky shans i duhet. Cili është gazetari që do të ulet me Kreshnik Spahiun? Të gjithë e dinë që është një hajdut me çizme. Pra, beteja jonë vazhdon.

Beteja jonë vazhdon, se këta me korruptimin e gjuhës, me mashtrimet që bëjnë, këta kanë krijuar tek qytetarët një shkallë mosbesimi ekstrem. Këta maskojnë të vërtetat, mohojnë të vërtetat.

Mirëpo mos harroni një gjë. Ata që janë marrë me gjuhën, filozofët më të mëdhenj, çfarë thotë, Ëittgenstein? ‘Gjuha ime është bota ime’. Tek fjala pra.

Tjetri thotë, kur fjala humbet kuptimin, individi humbet lirinë. Shiko pra sa të rrezikshëm janë këta për një shoqëri.

Ne duhet të luftojmë. Ne nuk bëjmë betejë me gazetarët e ndershëm, përkundrazi i kemi mbrojtur, do t’i mbrojmë. Por ne me këto standarde s’pajtohemi kurrë. Ta kemi shumë të qartë.

Dhe ne do punojmë me durim.

E patë ju si kërcyen dhe krahasonin mua tani me Edi Ramën.

Edi Rama një mizogjen, që e merr gazetaren për, për dhe e nxjerr jashtë vetëm se guxon t’i bëjë pyetje. Pra, megjithatë, këtu duhet të jemi të kujdesshëm shumë.


Nuk kemi betejë me gazetarët, kemi pa diskutim me pronarët të cilët ushqehen me paratë e taksapaguesve për t’i mashtruar taksapaguesit. Ushqehen me paratë e taksapaguesve për të shpifur për opozitën, për të sulmuar opozitën, sepse duan një Shqipëri pa opozitë. Me këta kemi dhe do të kemi punë dhe është një betejë jashtëzakonisht frymëzuese.

Së fundi, se ky raport është i gjatë dhe ju duhet ta lexoni të gjithë. Do ndalem në një çështje shumë, shumë të rëndësishme. Dënon Ballkanin e Hapur. Dhe i falënderoj shumë.

Ne kemi protestuar. Kemi mbushur bulevardin kundër Ballkanit të Hapur. Një nismë antishqiptare, antieuropiane. Dhe jo vetëm Ballkanin e Hapur.

Tani, ka një gjë të bukur këtu shumë. Tani, në fakt Ballkani i Hapur, ky ka tre, tre vjet që është varrosur. Pse, pse e kanë vënë këtu? E kanë vënë për shkak të letrës të cilën padroni tha se është iniciativë e imja.

Vuçiçi tha se kjo letra, unë e kam marrë unë atë iniciativë, dhe natyrisht i kam thënë dhe argatit tim ta firmosi, Edi Ramës. Prandaj me shumë të drejtë parlamentarët e nderuar e kanë interpretuar me të drejtë fare këtë letrën si një vazhdimësi në formë tjetër të Ballkanit të Hapur. Dhe të nismave që shkoi, shkoi në Spanjë, një nismë krejtësisht jo europiane, s’u mor vesh.

Pra i thonë që këto nisma, le që njëherë kërkojnë që të gjitha këto të miratohen në parlament.

Sepse dalin dy, dy aventurierë si Vuçiçi dhe ky dhe thonë, ne thonë, duam të anëtarësohemi po pa procesin e Kopenhagenit, vetëm, po kë pyetët ju? Cilin pyetët? A pyetët një shqiptar, a pyetët një serb këta, përveç karriges së tyre? Asnjë njeri.

Shikoni çfarë janë?

Dhe aty u thuhet që nismat e tilla që minojnë procesin e integrimit europian nuk duhet të ndërmerren dhe çdo nismë duhet të miratohet në parlament.

Mendoj se ky raport përbën një program të shkëlqyer pune në qëndrimet tona, në platformën tonë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale