Berisha: Ramës do i bëj gjyqin publik, me fakte konkrete. Ai dënohet me 8-12 vite burg për ndryshimin e destinacionit të terrenit të klubit sportiv ‘Partizani’

EKSTRAKT

Në konferencën e mbajtur me gazetarët ditën e sotme Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha se, procesin politik të Ramës do ta kthejë në gjyqin publik ndaj tij, ku ky i fundit paraqitet në Shqipëri si njeriu më i rrezikshëm pas Enver Hoxhës.

Berisha në konferencën e mbajtur për media tha se, këtë gjyq do ta bazojë jo në epitete, por vetëm në fakte të pakundërshtueshme për t’i dhënë përgjigjen e merituar Edi Ramës dhe larove të tij.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama me larot e tij në drejtësi aludojnë dhe pretendojnë se Sali Berisha reformën në sistemin e pronësisë për programin e PD e ndërmori për të favorizuar dhëndrin e tij për t’i dhënë 140 m2 tokë, e cila ishte e trashëguar sipas të gjitha dokumenteve zyrtare nga familjarët e tij, konkretisht gjyshja e tij.

Berisha tha se, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave në vitet 2006-2012, sipas dosjeve arriti që me 53,775 vendime t’ju rikthejë shqiptarëve 1,016,000,000 m2. Përveç kësaj kompensoi me tokë apo me para edhe 561,400,000 m2. Në 6 vite iu riktheu apo kompensoi pronarët shqiptarë me 1,577,400,000 m2, nga ku Jamarbër Malltezi në përputhje me të gjitha dokumentet zyrtare ka marrë 140 m2, e gjitha kjo trashëgimi me të gjitha dokumentet zyrtare nga familjarët e tij dhe tokë e konfiskuar 60 vite më parë nga regjimi komunist dhe e rikthyer gjatë këtyre viteve.

DEKLARATA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA

Mirëdita!

Të dashur qytetare dhe qytetarë! Të dashur gazetare dhe gazetarë! Te gjithë ata që ndiqni këtë konferencë shtypi.

Shumë ditë më parë unë premtova se me procesin e shëmtuar politik të Edi Ramës, unë do ta kthej në gjyqin publik të shekullit kundër personit që në historinë e Shqipërisë paraqitet njeriu më i rrezikshëm pas Enver Hoxhës.

Gjyqin publik të Edi Ramës nuk kam ndërmend ta bazoj me epitete, se Lana do mbushej me to në qoftë se do hynim në atë fushë. Kam ndërmend ta bazoj vetëm në fakte të pakundërshtueshme që i japin përgjigjen më shterruese aktit të shëmtuar politik të Edi Ramës dhe larove të tij: Kraja, Millonai, Gjoka.

Në dacibaon e tyre politike, Edi Rama me larot, turpi i drejtësisë në Shqipëri dhe në botë aludojnë dhe pretendojnë se Sali Berisha reformën programatike në sistemin e pronësisë, një reformë fondamentale për programin e PD, ligjet dhe vendimet për këtë reformë i ndërmori për të favorizuar dhëndrin e tij që të mund të marrë 140 m2 tokë të trashëguar sipas të gjitha dokumenteve zyrtare nga familjarët e tij, gjyshja e tij konkretisht, dhe mbi këtë bazë ndërtojnë akuzat e turpshme të favorizimit të dhëndrit dhe pasurimit të paligjshëm të tij dhe më pas të Sali Berishës.

Në krye të radhës dua të deklaroj se ndërhyrja në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave siç do të faktohet me të dhëna të pakundërshtueshme kishte dy qëllime madhore: SPAK së pari të mbronte interesin publik. Askush nuk mund të zhvaste, apo të stërzhvaste pasuri publike.

Së dyti, askujt nuk mund t’i mohohej prona që i takonte dhe gjithësecilit t’i njihej, t’i rikthehej, apo t’i kompensohej prona e tij.

Në përputhje me këto qëllime u bënë edhe ndryshimet institucionale në vend të një komisioni që ecte çalë zvarrë. U krijua në standartin modern Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave. Kjo agjenci, do të thoja unë, me një punë të admirueshme, sipas dosjeve arriti me 53,775 vendime nga viti 2006 në vitin 2012, t’ju rikthejë shqiptarëve 1,016,000,000 m2.

Përveç kësaj t’ua kompensojë me tokë apo me para edhe 561,400,000 m2. Kjo agjenci me 6 vite 53,775 vendime iu riktheu apo kompensoi pronarët shqiptarë me 1,577,400,000 m2, nga të cilat armiku i popullit Jamarbër Malltezi në përputhje me të gjitha dikumentet zyrtare ka marrë 140 m2.

Ju pyes të dashur qytetarë: A ka mendje njerëzore përveç Edi Ramës që mund të imagjinojë se shqiptarëve iu rikthyen në përputhje me  ligjet 1,577,400,000 m2? Cili do ishte ai që mund të imagjinonte se ligjet, se vendimet për rikthimin e 1,577,400,000 m2 kishin qëllim favorizimin e njërit prej qindra mijëra pronarëve që kishte gjithësej në këtë shumë 140 m2 trashëgimi familjare. Ky është Edi Rama.

Por toka që unë përmenda më sipër prej 1,577,400,000 m2 është tokë bujqësore, është truall, është kullota, është pyje dhe e përzierë.

Tani le të rikthehemi pak te toka truall e kthyer në m2. Gjatë viteve 2006-2012, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e krijuar me ndryshimin e ligjit të kompensimit të pronave, iu riktheu shqiptarëve 54,220,000m2 truall.

Po kjo agjenci kompensoi pronarët edhe për 64 900000 m2 truall. I kompensoi me tokë fizike, ose me para. Pra, në total, pronarët morën nga kjo agjenci dokumentet për 119,120,000 m2 tokë. Pyes të dashur qytetarë, a ka mendje njerëzore që mund të imagjinojë, nga këto 119,120,000 m2 janë brenda dhe 140 m2 të Jamarbër Malltezit, trashëgimi me të gjitha dokumentet zyrtare nga familjarët e tij tokë e konfiskuar 60 vite më parë nga regjimi komunist dhe rikthyer gjatë këtyre viteve.

Prapë shtrojmë pyetjen: A ka mendje njerëzore që mund të pretendojë se ligjet e pronave dhe reforma e pronësisë, se ndryshimi i institucioneve u bë për të favorizuar Jamarbër Malltezit? Pra, rreth 120 milionë m2 truall u kthyen, apo u kompensuan në mënyrë që Jamarbër Malltezi të marrë 140 m2?

Po, ekziston një mendje e tillë dhe kjo mendje është rrezik i madh. Ju garantoj për çdo shqiptar, ndaj edhe unë këtu para jush kam vendosur t’i bëj atij gjyqin publik, jo me deklarata, por me fakte konkrete që do dëshmojnë se ky zotëri nuk ndalet para asnjë krimi vetëposhtërimi, vetëm e vetëm të shpëtojë lëkurën e tij.

Mos harroni, se ai që rri sot në burg i burgosur politik, se nga 119,120,000 m2 truall ka marrë 140 m2 të vetat, ndërkohë në të vërtetë kjo përbën bashkë me familjen Begeja as 8% të pronave të tyre, por ky është hesap tjetër.

Pra, ka marrë këto. Ka marrë 140m2 nga 1,577,400,000 m2 të kthyera. Në dacibaon e tyre, por unë nuk dua t’iu harxhoj kohën, fakte për favorizim paraqitet zgjatja e afatit të paraqitjes së dokumenteve. Turpi i Edi Ramës dhe atyre që shkruajnë në këtë mënyrë.

Para meje afatin e kishte zgjatur Fatos Nano 2 vite. Pas kësaj zgjatje që bëra unë, zgjatjen e kam bërë prap në vitin 2008, por për dijeninë tuaj, zgjatja e parë e afatit ka patur pothuaj zero efekt në dosjen e familjarëve të klubit ‘Partizani’, pasi ata e kishin nisur procesin në vitin ’94, dhe e vërteta është që kthimi dërrmues u bë nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave në të cilin të gjithë anëtarët ishin të zgjedhur nga mazhornca socialiste në vitin 2006.

Pra, ky është njëri aspekt. Po të marrësh marrëzitë të cilat referohen ata për ndryshimin e ligjit të pronave, ato kanë patur vetëm këtë qëllim që toka të mos mund të grabitet nga shteti, por toka t’i kthehet pronarit dhe kjo ka ndodhur.

Faleminderit!

Unë shoh se publiku është thellësisht i interesuar për gjyqin publik ndaj Edi Ramës, prandaj mundësisht, ju pyesni për çfarë të doni, por edhe nëse respektoni pritshmërinë e publikut mirë bëni.

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:

Ardit Hoxha, EuroNews: Z. Berisha me këtë që paraqitët dhe ditët e fundit, më shumë duket se është një gjyq, mbrojtje i Sali Berishës, se sa një gjyq kundër Ramës. Ju edhe sot nuk keni paraqitur fakte që implikojnë Edi Ramën, apo ish-kryetarin e bashkisë, Edi Rama.

Sali Berisha: Merre si ta marrësh, por unë dje faktova para jush këtu, me hartë dhe dokumente të paraqitura nga Edi Rama, se ai është autori që ka ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme destinacionin e terrenit të klubit ‘Partizani’ nga terren sportiv në urban. Unë nuk e di çfarë fakti mund të ju paraqes tjetër, pasi me këtë fakt Edi Rama dënohet me të paktën 8-12 vite burg. Nuk po bëj këtu prokurorin e narkoshtetit, këtu po bëj gjyqin publik. Unë mendoj se me faktet që paraqiti vetë Rama, u provova shqiptarëve se ky njeri me ndryshimin që i ka bërë destinacionit të terrenit sportiv në vitin 2006, në një kohë kur nuk ishte e pronarëve, por pronë e shtetit, atëherë kjo do të thotë se ata që e kishin synim këtë, e paguan apo jo, këtë s’kemi për ta marrë vesh kurrë, por Edi Rama shkeli rëndë ligjin e urbanistikës dhe me këtë ligj dënohet 8 vite burg. Prandaj doli te Bolino ai, nuk doli kot. Doli e nxori dhe hartat dhe sillej e mbështillej. Por kjo është tjetër. Po dje, a u përpoq të fshihet për pjesën tjetër, pas ndryshimit të ligjit të sportit. E thotë vetë. Ua citova aty. Ligji i sportit përkundrazi, vetëm sa e saktësonte. Kishte ndryshuar, respektuar pronësinë e pronarëve, por kurrë ndryshimin e destinacionit. Kurse Edi Rama me kompaninë zvicerane ‘Urboplan’ me të cilën janë marrë dy persona, se Shalsi ka qenë si punë vullnetare, paskanë qenë Artan Agolli dhe kjo ministrja Dhuli, Majlinda. Këto kanë qenë dy personat e ngarkuar për planin zviceran në të cilin Edi Rama e ka lënë zonë urbane. A nuk janë këto dëshmi flagrante të një shkelje madhore të ligjit nga ish-kryetar i Bashkisë. Pastaj si nuk qenka e drejtë të deklaroj kur dacibao është shkruar në zyrat e Ramës, kur vetë e citon dacibaon. Nuk i thashë unë Edi Ramës dil te Bolino dhe na thuaj se e bëre para apo pas ndryshimit të ligjit të sportit. E bëri vetë atë, e ka mizën nën kësulë dhe doli e citoi dacibaon. Kjo dëshmon se Edi Rama doli pas dacibaos. Edhe sot e njëjta gjë është thënë për ligjin e pronave. Marrëzi. Aty thotë se edhe ndryshimi i kryetarit, ishte komision u bë agjenci, erdhi një pedagoge, Justina Boriçi, në timonin e kësaj agjencie, e kanë marrë në pyetje njëlloj si në zyrat e sigurimit të shtetit. E ke takuar ti kryeministrin përpara. Budallenj. Sigurisht kryeministri nuk mund të emërojë pa takuar, njohur me cv e të gjitha një drejtor të një rëndësie kombëtare siç është agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave. Padiskutim çdo i emëruar në funksionet e larta, nuk ndodhte si me Edi Ramën, që e marrin vesh nga ekrani. Jo, sepse ti do të kërkosh dhe mendimin, a do të pranojë apo jo. Por këto nuk janë qëllimi sot këtu. Qëllimi është kjo; këta përdorin si argument për të më inkriminuar mua, se është favorizuar Jamarbër Malltezi dhe janë bërë ndryshime në ligjin e pronave. Unë shpjegova pjesën kryesore, por ka dhe një pjesë tjetër që do ta shpjegoj në seancën tjetër të gjyqit publik kundër Edi Ramës. Nuk ka avokat në botë që mbron Ramën. Ai është tashmë i pakallur. Për të thënë që unë kam favorizuar ty apo një tjetër, së pari, i ke dokumentet në rregull apo jo. Se favoret bëhen, ose duke shkelur dokumentet, ose procedurën. Asnjë procedurë nuk është shkelur, të gjitha dokumentet janë origjinalë. Vetë skapistët, e mos harroni, pyesni pak atë Irena Gjokën dhe me këtë rast i bëj edhe një thirrje një akabrasë së saj që është si punë ministri për prokurorinë; ka qenë apo jo kjo zonjë e ndëshkuar nga Sali Berisha në mënyrë ekzemplare. I them edhe atij ministrit të prokurorisë, ndihmoje gjindjen tënde të bëhet njeri se nëse nuk ka qenë, nuk mundet kurrë të trysnohet një person. Por nëse ka qenë dhe e fsheh, ajo fshihet pas krimit të saj. Pra sot këto shifra janë që të gjitha 53.775 vendime. Makineri shtetërore e asaj kohe funksiononte ndaj dhe unë shpreh mirënjohje të pakufishme që kanë arritur në 6 vite, 2006-2012, të rikthejnë gjithsej 1 miliardë e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë. Të rikthejnë më shumë se 90% të të gjitha aplikimeve. 

-Në një komunikim me gazetarët thatë që nuk jeni në favor të protestave për çështjen e emigrantëve, marrëveshjen Rama-Meloni. A është ky vendim i juaji pasojë e konsultimeve dhe bisedave që keni pasur me zyrtarë të rëndësishëm italianë, gjatë kësaj jave. A është një përgjigje e kërkesës së tyre.

Sali Berisha: Fatmirësisht këtë deklaratë e kam bërë para jush. Po e them këtu, që ajo është një deklaratë që buron nga thellësitë më të thella të ndërgjegjes time. Nuk mund të pranoj kurrë të ngrej në vendin tim një valë antiemigrantë, ksenofobie, në një kohë kur në të gjithë traditën tonë kemi pasur apo s’kemi pasur, kemi qenë mikëpritës. Unë i përkas një force politike të qendrës së djathtë dhe nuk mundet një parti politike e qendrës së djathtë, të ngrihet në protesta, të cilat i bëjnë ekstremet, por nuk i bën një parti konservatore e djathtë. E treta nuk jam dakord, sepse në mënyrën absolute sepse akti është në kundërshtim me kushtetutën, në kundërshtim me Konventën Europianë të të Drejtave të Njeriut, vendimeve të Strasburgut dhe unë e kam filluar hapin e parë në politike për liritë dhe të drejtat njerëzore dhe nuk lëviz gjer në fund nga kjo. Them disa orë pasi jam shprehur para jush, më ka marrë në telefon zv/kryeministri i Italisë, Antonio Tajani, të cilin e njoh prej 30 vitesh dhe është i Forza Italia. Më thotë; Sali, e pamë deklaratën e PD-së, e kështu ne kemi atë e këtë problem, ishte e ashpër. I them, i nderuar mik, dua të jem i hapur, për këto arsye që i thashë dhe ju, këtu, se PD nuk mund të organizojë protesta që të nxisë ksenofobinë. Nuk mund të nxisë protesta kundër Italisë, por gjykoj se Italia, si njeri që kam qenë president dhe kryeministër i këtij vendi, i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme Shqipërisë. Dhe ndihma italiane është shumë interesante, krahas miliardave, se ato janë njëra anë. Por shumë më tepër janë atë që kanë mësuar shqiptarët, shko, sikur të jesh në një vazhdimësi, shko atje, merr diçka, kthehu, mëso, shiko. Ka qenë në një farë mënyrë një lloj universiteti. Edhe në kuptimet e punësimit, financimit, kthimit, shkollimit. Sot në universitet italiane mbi të ketë mbi  30 mijë shqiptarë. Sot në Itali ka mbi 20 mijë biznesmenë të mesëm dhe të fuqishëm shqiptarë, të cilët në një mënyrë apo tjetër investojnë në Shqipëri. Por në konceptin tim, nuk protestohet kundër vendeve të lira, vetëm nëse tejkalohet çdo lloj, por si rregull, ndaj vendeve të lira, një vend që ka përjetuar diktaturën nuk është shumë normale që të protestojë. Nuk mund të krahasojmë kurrë një vend të lirë me Serbinë, psh. Jo.

Isa Myzyraj, OraNews: Keni disa javë që i kërkoni gjyqtares Irena Gjoka për ta pranuar vendimin që ju e keni shkarkuar në 1996 në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pse nuk e publikoni ju këtë vendim, ndoshta edhe për të ju mbyllur gojën personave që aludojnë se ekziston një vendim i tillë.

Sali Berisha: Ta them unë. Prap unë jam njeri i ligjit. Çfarë thotë ligji, e ka të shkruar, thotë; personi, i cili për shkak të detyrës, duhet të marrë një vendim, duhet të vendosë një firmë, duhet të bëjë këtë ose atë, duhet para se të bëjë këtë, të deklarojë me shkrim se nuk është në konflikt interesi. Sot ky është një parim i sanksionuar. Edhe në gazetari po përhapet, në shkencë po e po. Dmth shkruan gazetari në artikull, në fund thotë se nuk kam asnjë konflikt interesi me këtë. Studiuesit pasivisht sepse kompanitë farmaceutike vërshojnë nga të katër anët për të lobuar për produktin e tyre. Se po të kuptohet se ata ose janë paguar, ose kanë lidhje, ata në komisionet shkencore etike ndëshkohen. Kjo që është për zyrtarët, që jam në konflikt interesi dhe nuk mund ta trajtoj këtë problem, kjo tani po bëhet standard etik universal. Por zyrtari e ka me ligj. Ajo fshihet, ajo fshihet prapa krimit të saj. Nuk ka gjë më të keqe. Prandaj i bëra thirrje edhe atij ministrit të prokurorisë: Ndihmoje ushtarin e mirë Manja, Ulsi që të thotë të vërtetën shqiptarëve, se ajo e ka fshehur tani, ajo e ka humbur. Por shqiptarët duhet t’i dinë gjërat. Nuk mund të fshihen si në shpella. Janë zyrtarë, marrin rroga, mbahen me taksat e shqiptarëve. Akt i shëmtuar, një akt i shëmtuar. Se asaj i kërkuan avoketërit e mi. Ia dhanë mundësinë, jep dorëheqjen nga çështja. Ajo jo vetëm që nuk dha dorëheqjen, por i përjashtoi edhe ata nga çështja. Dhe gjeti atë famozen…

-Si rrallë herë, përgjigjen nuk e mora. Pse nuk e publikon Sali Berisha letrën e shkarkimit.

Sali Berisha: Me shpresë se diku në thellësitë e labirinteve të koshiencës njerëzore të gjykatëses Irena Gjoka, kanë ngelur grimca të dinjitetit dhe integritetit njerëzor. Pra, për t’i dhënë mundësinë asaj që të tregojë se ka gabuar dhe po e korrigjon gabimin.

-Edhe pse i keni dhënë mundësi reflektimi Arben Ahmetaj, por ai nuk reflektoi kurrë.

Sali Berisha: Në fakt, Arben Ahmetaj ta dish ti, për Sali Berishën, ishte atje ku e meritonte, por çti bëj unë se atë një prokuror ja mbylli të gjitha. Por Arben Ahmetaj, kur isha unë kryeministër, ja mbathi në Rumani dhe kërkonte azil politik. Ta them haptas, unë nuk mund të pranoj që Subashi i Fierit që është i implikuar me firmë dhe çdo gjë, në aferën e djegësit, të shpëtohet, të mos merret në pyetje dhe të merret Baftjar Zeqo. Për mua, të dy janë kundërshtarë, por kjo nuk është drejtësi, kjo është turp drejtësi. Nuk mund të pranoj të akuzohet Arben Ahmetaj, dhe për të njëjtën gjë, dhe më rëndë, është Damian Gjiknuri. Me  firma, se unë jam kryeministër, unë nuk kam thënë kurrë që Arben Ahmetaj nuk ka përgjegjësi në këtë çështje. Më të madhe e ka, Edi Rama i pari, Engjëll Agaçi i dyti, Erion Velaij, Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj. Ku janë këta. E dinin se është si punë lepuri, ikte ai. Ai duhej të ishte burrë, të qëndronte këtu të ua përplaste, por jo thotë. I la edhe bashkëshorten, desh e arrestuan, por një denoncim i imi e shpëtoi. Absolutisht po. Se për ta dramatizuar, se sa kishte i martuar me të, 1 vit dhe kjo, familja mafioze. Nuk bëhet drejtësia në këtë mënyrë. Do të bësh drejtësi, bëj drejtësi. Kjo është drejtësi sipas dufeve dhe mllefeve të Linda Ramës dhe Edi Ramës, mor zotëri. Ky është turpi i shekullit, ata që kërkojnë kështu janë një organizatë kriminale. Sa do të them unë për Damjanin, sa të duash, a të të them për Erion Veliajn, se çfarë thoshte për këtë kalecin e sigurimit, që kishte dosjen. Nuk mund të ketë kurrë prirje për të përbaltur njeri, nuk është natyra ime.            

Anesti Barjamemaj, A2: Një pyetje për aksionin e opozitës që keni marrë në parlament prej 2 javësh, keni deklaruar si ju dhe zoti Bardhi, që komisionet online janë klandestine. Por shumë deputetë të opozitës, janë mbi 10 deputetë kanë marrë pjesë në shumë prej komisioneve, duke bërë ndonjëherë edhe korumin për vazhdimin e këtyre mbledhjeve.

Sali Berisha: Ata që kanë marrë pjesë për krijimin e korumit nuk kanë asgjë të përbashkët me opozitën.

-Nuk janë deputetë të Bashës. Janë emra që ju mbështesin ju.

Sali Berisha: Këta kanë shkuar të programuar, nuk kanë shkuar për korumin, kanë shkuar me qëllim tjetër. Se cili ishte qëllimi merr filmimet dhe më thuaj mua.

-Kemi pare filmimet, në pak raste 6-7 nëntor, kanë pasur disa komente që janë kundër mbledhjeve online.

Sali Berisha: E pra, i kanë detyruar të futen online. Kanë shkuar fizikisht, pala tjetër është futur online. I kanë shtyre në klandestinitet. Ata kanë shkuar në emër të grupit. Ata që kanë shkuar për të bërë korumin janë shtojca, punë e atyre. Nuk bëhemi xhandarë të askujt.

Gjyqi publik i Edi Ramës vazhdon, por edhe me dokumente. Kjo është vetëm faza e parë, do të jetë me prokurorë, avokatë, gjyqtarë. Unë ua kam thënë do të jetë procesi i shekullit.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale