FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend, akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, të cilin e quajti me nofkën “Ramaduro”, një term që spas lideri opozitar po përdoret gjerësisht, në të gjitha kontinentet, për bllokimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit prej më shumë se një viti.
Berisha theksoi se kandidatura e propozuar nga opozita, zoti Ndregjoni, i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe morale për të drejtuar këtë institucion të rëndësishëm, por mazhoranca po e refuzon për shkak të të kaluarës së tij si i persekutuar politik gjatë regjimit komunist.
Sipas Berishës, qeveria kërkon të përjashtojë çdo kandidat të opozitës pa asnjë kriter të drejtë dhe është e gatshme të mbajë bosh këtë institucion për vite, vetëm për të mos lejuar një figurë nga shtresa e të përndjekurve të marrë këtë detyrë.
“Ky është një institucion që duhet të funksionojë, pavarësisht se në narkoshtetin tuaj institucionet shumëzohen me zero. Sot është momenti ta votojmë dhe ta mbyllim këtë çështje,” deklaroi Berisha. Kryetari i PD e konsideroi refuzimin e kandidatit të propozuar nga opozita si dëshmi të “zgjimit të demonëve të sistemit të vjetër”, duke paralajmëruar se ky veprim është i papranueshëm dhe shkel frymën demokratike.
FJALA E PLOTË
Problemi i Avokatit të Popullit është një problem që shtyhet prej pothuajse një viti.
Dhe shtyhet dhe shtyhet sepse ju, ose kreu juaj Ramaduro siç po e quajnë tanimë në të gjitha kontinentet, nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter dhe e nderon atë detyrë.
Por rregulli ka qenë që Avokati propozohet nga opozita dhe ju kërkoni të impononi përmes përjashtimeve pa asnjë kriter të kandidatëve që paraqet opozita, të impononi kandidaturën dhe jeni të gatshëm ta shtyni me vite vetëm e vetëm që një kandidaturë, e cila për ju nuk pranohet vetëm se ka vitet e persekutimit dhe burgosjes politike.
Dje unë dhashë një intervistë dhe një gazetar i mirënjohur më pyeti a janë zgjuar demonët e sistemit të vjetër në Shqipëri me Ramaduron.
Edhe ai fliste për Ramaduron.
Kjo që po bëni ju është dëshmi e zgjimit të atyre sepse ju keni hezitim të pranoni një kandidaturë nga shtresa e të persekutuarve politikë, ndonëse zoti Ndregjoni i plotëson të gjitha kriteret.
Prandaj sot hajde ta votojmë dhe ta mbyllim këtë punë.
Kjo është e papranueshme.
Ky është një institucion, pavarësisht se në narkoshtet të gjitha institucionet shumëzohen me zero, por për ne ky është një institucion që duhet të plotësohet me drejtuesin e tij.