FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN TEK KRYEMINISTRIA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka uruar 35-vjetorin e themelimit të gazetës Rilindja Demokratike (RD), duke e cilësuar atë si simbol të fjalës së lirë dhe të rezistencës kundër censurës në Shqipëri. Në mesazhin e tij, Berisha theksoi se RD ka qenë dhe mbetet një institucion i rëndësishëm i pluralizmit politik dhe i medias së pavarur, ndërsa garantoi gazetarët se programi politik i Partisë Demokratike vendos në themel lirinë e shprehjes, mbrojtjen e profesionit dhe dinjitetin e gazetarëve.
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha gjatë fjalës në ‘Foltoren’ para kryeministrisë u shpreh se, Ramaduro i Venezuelës ka dalë sot para gjyqit, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment historik në betejën globale kundër diktaturave moderne.
Ai e krahasoi vitin 2026 me periudhën e rrëzimit zinxhir të diktaturave komuniste, duke theksuar se sot rreziku më i madh për demokracinë nuk janë më regjimet ideologjike klasike, por narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale, të cilat, sipas tij, minojnë sovranitetin e kombeve përmes farsave zgjedhore dhe shtypjes së vullnetit të qytetarëve.
Kryedemokrati Sali Berisha duke folur para qytetarëve të mbledhur tek kryeministria, ka krahasuar Ramën me Maduron dhe ka nxjerrë të përbashkëtat e tyre.
‘Ky është njëlloj si Maduro sepse ky është i lidhur direkt me kartelet më të fuqishme të drogës në Europë. Ky kontrollon me Franc Çopjat e tij çmimin e kokainës në tregun e saj në Europë.
Ky është sa Maduro për shqiptarët, se në qoftë se Maduro ka përzënë nga vendi i tij 20 përqind të popullatës me varfëri dhe mjerim, Ramaduro ka përzënë nga Shqipëria 40 përqind të popullatës. Ky është më keq se Maduro sepse në qoftë se Maduro preferonte edhe ai pijet e forta, ky preferon verat 33 mijë euro shishen.’, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë u shpreh se, nuk presin që në Surrel të zbarkojnë forcat ‘Delta’ të SHBA, sepse aty do të zbresin ‘Deltat’ e qytetarëve sapo të marrin urdhrin.
‘Natyrisht do t’i them këtu se ne nuk presim që forcat Delta të zbarkojnë në Surrel, se do zbarkojnë Deltat tona. Ja ku i kemi Deltat që do zbarkojnë në Surrel. Ja ku i ke Deltat. Këta Delta që i ke këtu para, priti në Surrel sapo të marrin urdhrin.’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, urimet nga zemra për secilin prej jush, për të gjithë opozitarët dhe të gjithë shqiptarët, për një vit të mbarë, viti i lirisë, viti i rikthimit dhe triumfit të vlerave që ne besojmë, të vlerave themelore të njeriut në këtë vend, në këtë tokë, të grabitura, të shkelmuara, të përzëna në mënyrën më të egër nga njeriu që është bërë simbol i diktatorit të Venezuelës dhe që quhet tashmë në të gjitha kontinentet Ramaduro.
Miq, në trashëgiminë tonë të lirisë, sot ne kremtojmë një datë ndër më të shënuarat, 35-vjetorin e botimit të gazetës së parë opozitare pas 45 vitesh monizëm total.
Kjo në të vërtetë është festa jo e një gazete, është festa e pluralizmit të mendimit, është festa e fjalës së lirë, është festa e jetës, e cila pa fjalën e lirë është një jetë shkretëtirë, një jetë pa dinjitet.
Ndaj dhe unë duhet të shpreh nderimin tim më të madh, respektin më të thellë për të gjithë ata të cilët 35 vite më parë, natën e 5 janarit bënë të mundur publikimin e gazetës Rilindja Demokratike si zëdhënëse e fjalës së lirë, si gazetë e interesit kombëtar, e vokacionit perëndimor të kombit tonë.
Të dashur miq, sot ne kremtojmë këtë datë në kushte kur fjala e lirë, mendimi i lirë janë më të dhunuara se kurrë në 35 vite.
Në një kohë kur mediat e kontrolluara nga qeveria janë shndërruar në instrumente të fjalës së lirë, të plaçkitjes tuaj, të mashtrimit të qytetarëve.
Janë shndërruar në zëdhënëse të krimit qeveritar dhe organizatave kriminale qeveritare, karteleve të drogës, organizatave kriminale shqiptare.
Kurrë ndonjëherë kartelet e drogës, organizatat kriminale, nuk kanë pasur në dorë sa ç’kanë në dorë sot në Shqipëri serialin e medieve të kontrolluara prej tyre.
Këto media çdo ditë shpërndajnë me valët, me portalet, me shkrimet, me ekranet, me studiot, mashtrime, manipulime dhe trillime për qytetarët shqiptarë.
Njëlloj si në diktaturat e zeza, direkt apo indirekt, glorifikojnë të keqen, justifikojnë të keqen, zulmojnë të keqe.
Por sot, përsëri në panoramën mediatike shqiptare ka gazetare dhe gazetarë trima dhe guximtarë, të cilët bëjnë gjithçka në kushte tmerrësisht të vështira, të paguar dhe të papaguar, t’u thonë ju të vërtetën.
Bëjnë çdo gjë të hetojnë krimet e shëmtuara të qeverisë dhe organizatave të saj.
Ndaj dhe le t’u shprehim ne nderimin më të madh atyre për punën që bëjnë, për të gjithë ata gazetarë, ata analistë, që me sakrifica, me guxim, shprehin të vërtetat e hidhura të këtij regjimi.
I garantoj ata sot në këtë ditë se programi i PD ka në themel lirinë e fjalës, dinjitetin e tyre, lirinë e mendimit.
Miq, viti 2026 ngjason shumë në histori me vitin e rrëzimit të diktaturave komuniste njëra pas tjetrës.
Sot diktaturat më të përhapura janë narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale.
Lavdi Zotit, ushtria amerikane, qeveria e SHBA, në një operacion më të përsosurin në histori, arrestuan dhe nxorën sot para gjyqit Ramaduron e Venezuelës, apo Maduron e Venezuelës.
Mediat e majta, të kontrolluara nga qeveria në Sghqipëri, nga mëngjesi gjer në darkë u bien borive se u shkel sovraniteti, se kjo shkeli ligjin ndërkombëtar.
Miq, dhunuesit më të mëdhenj të sovranitetit të kombeve, dhunuesit më të mëdhenj të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar janë diktatorët dhe diktaturat.
Rrëzimi i tyre është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar, ligjin kombëtar, për qytetarët e vendeve të shtypura.
Nuk ka sovranitet vendi në të cilin zgjedhjet zëvendësohen me farsë elektorale.
Narko-diktatori apo diktatori që shndërron zgjedhjet në farsë shkelmon dhe asgjëson sovranitetin e kombit të tij.
Ai nuk meriton një ditë të qëndrojë në pushtet.
Presidenti Trump, nga dje gjer sot, ka përsëritur se ti Maduro je i pari, të tjerë do vijnë pas teje dhe u ka dërguar mesazhe njëri pas tjetrit.
E vërteta është se ky akt solli ngricë të madhe, tmerr, terror dhe ferr në Surrel.
Edi Rama ngriu, e kyçi dje podkastin e tij ‘Mashtrojmë’, s’e çeli një fjalë goje.
Publikoi një artikull me emrin e dy mashtruesve ordinerë të tij, Endri Kajsiu, në të cilin thoshte jo, jo, mos kujtoni se jam Maduro, se Shqipëria nuk ka naftë sa Venezuela.
Sepse Shqipëria kështu e ashtu.
Tani u them unë se pse ky është Ramaduro.
Sepse ky njëlloj si Ramaduro ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale.
Mandatet e tij qëndrojnë mbi krimin. Ka marrë mandatet e opozitës.
Ky është njëlloj si Maduro sepse ky është i lidhur direkt me kartelet më të fuqishme të drogës në Europë.
Ky kontrollon me Franc Çopjat e tij çmimin e kokainës në tregun e saj në Europë.
Ky është sa Maduro për shqiptarët, se në qoftë se Maduro ka përzënë nga vendi i tij 20 përqind të popullatës me varfëri dhe mjerim, Ramaduro ka përzënë nga Shqipëria 40 përqind të popullatës.
Ky është më keq se Maduro sepse në qoftë se Maduro preferonte edhe ai pijet e forta, ky preferon verat 33 mijë euro shishen.
Imagjinoni ju se ç’është ky.
Dhe me Lindat e tij vjedh qindra e qindra milionë euro nga AKSHI.
I zhduk ato në drejtime krejt të paditura.
Në qoftë se Sesilia e Maduros merrte taksa për avionët e drogës, Olsi i Ramaduros instalonte fabrikën e parë të drogës në Xibrakë.

Miq, a e kuptoni pra pse thoshte ky dje në artikull mos kujtoni se jam Maduro.
Jo, jo, je Ramaduro.
Natyrisht do t’i them këtu se ne nuk presim që forcat Delta të zbarkojnë në Surrel, se do zbarkojnë Deltat tona.
Ja ku i kemi Deltat që do zbarkojnë në Surrel.
Ja ku i ke Deltat.
Këta Delta që i ke këtu para, priti në Surrel sapo të marrin urdhrin.
Atje do i kesh.
Po, por një gjë, njëlloj si Maduron, edhe ti në sallën e gjyqit do përfundosh bashkë me Lindat, Lubitë dhe të gjithë suitën tënde.
Për këtë e siguroj.
Pra, ky është një vit i madh për ne.
Ky është viti në të cilin do triumfojmë.
Populli opozitar do triumfojë.
Shqiptarët me dinjitet do përmbysin diktaturën e shëmtuar, të urryer që u instalua mbi ta dhe përsëri do jenë një popull i lirë.
Me energjitë e tyre do ndërtojnë të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
Edhe njëherë u uroj gëzuar Vitin e Ri.
U garantoj se beteja jonë ndalet vetëm me fitoren e opozitës.


