FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TURIN E FOLTORES NË LAPRAKË
EKSTRAKT
Gjatë turit të Foltores në Laprakë mbrëmjen e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi qeverinë Rama për korrupsion masiv, kapje të shtetit dhe shndërrimin e Shqipërisë në narkoshtet.
Berisha u shpreh se gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, djersa dhe mundi i shqiptarëve janë grabitur dhe shndërruar në vila, hotele dhe pasuri marramendëse nga zyrtarë të lartë të pushtetit. Ai theksoi se as në periudhën e diktaturës nuk është vjedhur aq shumë sa në këto vite, duke e cilësuar regjimin aktual si një nga më të rrezikshmit për kombin shqiptar.
Në fjalën e tij, Berisha nënvizoi shpopullimin masiv të vendit, duke deklaruar se mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm drejt zonës Shengen, si pasojë e politikave të qeverisë. Ai theksoi se Shqipëria ka rënë në fund të rajonit për paga dhe pensione, ndërsa kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm për shkak të parave të drogës.
Kryetari i PD kujtoi qëndrueshmërinë e demokratëve gjatë viteve të vështira në opozitë, duke theksuar se përkundër presioneve, izolimit dhe sulmeve politike, opozita nuk u dorëzua dhe mbrojti të vërtetën dhe parimet. Ai e krahasoi ringritjen e Partisë Demokratike me Feniksin që ringjallet nga hiri.
Berisha deklaroi se sot Partia Demokratike është më e mbështetura në arenën ndërkombëtare, duke përmendur rezolutat e miratuara nga forcat politike të djathta europiane që damkosin regjimin e Edi Ramës si narkoshtet dhe autokratik.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha theksoi se askush nga jashtë nuk do t’i zgjidhë problemet e Shqipërisë dhe bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke deklaruar se opozita do të përballet në sheshet e Tiranës deri në fitoren e Partisë Demokratike. Ai u shpreh i bindur se vendi ndodhet në prag të një fitoreje të sigurt dhe se shpresa e vetme për shqiptarët është PD.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju, demokratët dhe demokratët e Laprakës, për të gjithë banorët e kësaj zone, për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët.
Dhe një mirënjohje të madhe për ju, për të gjithë mbështetjen e guximshme që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike.
I dashur zoti kryetar, të dashur Belind dhe Klevis, të dashur drejtues të degës së Partisë Demokratike të Laprakës.
Të dashur miq, ne hyjmë këtë janar në vitin e 13 të opozitës, në vitin e 13 të përballjes me një regjim në radhë të parë antishqiptar.
Me një regjim që sa asnjë regjim tjetër në tërë historinë kombëtare, pakësoi në 10 vite shqiptarët më shumë se çdo epidemi, nga mortaja e zezë në vitet 1300, më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo pushtim.
Dhe për të gjithë ne, njerëz patriotë, njerëz atdhetarë, kjo është goditja më e rëndë, më e tmerrshme që ka marrë Shqipëria dhe kombi shqiptar. Në 10 vite, përzuri nga Shqipëria me politikat që ndoqi, 1 milion e 99.000 shqiptarë vetëm në zonën e Shengenit.
Pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, vendet e Amerikës Latine, vendet e Lindjes së Mesme dhe kudo tjetër. Së dyti, ne u përballëm këto 13 vite, me një regjim i cili plaçkiti më shumë se çdo regjim tjetër në histori, shqiptarët.
Në rast se diktatori mizor, paranojak, Enver Hoxha paratë dhe djersën e shqiptarëve e shndërroi në bunker dhe tunele, këta qeveritarë djersën, mundin, paratë tuaja e shndërruan në parajsë, e shndërruan në konto miliona, qindra milionëshe.
E shndërruan në vila, në hotele, e shndërruan në pasuri të pamasë. Nuk ka regjim më mizor se ai që kaluam në diktaturë, por ju them ju këtu me bindjen më të thellë, me sinqeritetin më të madh, se e gjithë Byroja Politike e Enver Hoxhës në 45 vite nuk ka vjedhur, s’të marrësh bashku, sa ç’kanë vjedhur tre drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ndër të tjera, ndërtojnë hotelin 20 katësh në plazh që shkon të paktën 70 milionë euro.
Ua dhashë këtë shembull për të realizuar se çfarë regjimi ishte ky regjim. U përballët 13 vite me një regjim që në mënyrë të vendosur shkatërroi një nga një vlerat e sapo krijuara në këtë sistem demokratik.
Vlerat e një shoqërie të lirë, të cilat duhet të konsolidoheshin. Në qoftë se në diktaturë ne kishim një Zëri i Popullit që mashtronte shqiptarët, sot janë dhjetëra të tilla. Fletushka, portale, televizione që ju mashtrojnë nga mëngjesi gjer në darkë qytetarët shqiptarë. Glorifikojnë të keqen, fshehin të vërtetat. Në qoftë se në vitin 2013, pas një sage të gjatë varfërie, ne ja dolëm të kemi në Shqipëri rrogat dhe pensionet më të larta në rajon. Gjatë këtyre viteve, ne u rrokullisëm përsëri të fundit në rajon për rroga dhe pensione.
Pra, u ndala tek këto faktorë për të theksuar se sa të vështira kanë qenë për secilin prej jush, njerëzve me ndërgjegje politike, njerëz me ideale të larta njerëzore, patriotë, atdhedashës, sa të vështira kanë qenë këto 13 vite në opozitë.
Por miqtë e mi, dy gjëra duhet të mbajmë parasysh.
Së pari, kush jemi ne? Kush jemi ne demokratët? Në qoftë se kthejmë kokën mbrapa, ne demokratët, për ne demokratët politika veprimtaria jonë politike është arti i të pamundurës. Ne të pamundurën e bëjmë të mundur. A mund të imagjinoni ju? Në vitin ’91, ’92 kur erdhëm në pushtet të gjitha premtimet tona ishin premtime idealiste. Asnjë nga ne nuk njihte asnjë nga praktikat që duhet që duhet të zbatonin për realizimin e tyre. Vinin të gjithë nga një sistem i tmerrshëm, ku njohuritë tona fillonin dhe mbaronin me ekonominë socialiste, me rendin socialist.
Por ne, besimtarë tek Zoti dhe tek idealet fisnike të njeriut, arritëm me shpejtësi të madhe të hedhim bazat në Shqipëri të sistemit demokratik. Shqipëria në atë periudhë, nga viti në vit dyfishonte të ardhurat.
Shqipëria, vendi më i kolektivizuar, një lloj si Koreja e Veriut sot, arriti në katër vite vendi më i privatizuar, vendi i iniciativës së lirë tuaj. Shqipëria u hap ndaj botës. Por, siç dihet, patëm një moment shumë të vështirë, shumë të rëndë. Skemat piramidale, nuk dua të bëj historinë e tyre. Ne nuk i njihnim.
Por pse s’i njihnim, përgjegjësia ishte e jona. Dhe ne e morëm atë përgjegjësi, dolëm në opozitë, u përpoqën të na zhduknin. U përpoqën të na fshinin nga faqja e dheut. U përpoqën që emri ynë të harrohej. Por çfarë ndodhi? Përkundrazi, ne u ngritëm si feniksi nga hiri.
Ju jeni dëshmitarë. Ku e nisëm ne në vitin ‘97? Dhe pse u ngritëm? Po u ngritëm për dy arsye. E para ne u treguam të ndershëm me qytetarët. Qeveria nuk kishte prekur asnjë qindarkë. Asnjë qindarkë. Dhe e dyta, ne u thamë qytetarëve, ato para nuk i kthejmë ne. Pse? Se ai nuk ishte një borxh i marrë nga qeveria.
Dhe për ta kthyer atë qeveria duhet të merrte paratë tuaja që s’kishit vënë para në skema piramidale dhe t’ua jepte atyre të tjerëve. Kjo ishte pastaj betejë për karrige, e pa moral, e pandershme. Dhe ju kujtohet shumë mirë kur rivali im bënte fushatë do t’ju kthejë çdo qindarkë. Unë ju thashë qytetarëve se nuk mund të kthejë asnjë qindarkë, përveç atyre që janë në, në llogaritë e firmave. Sepse borxhi është i vjetër sa vetë njeriu. Dhe njeriu një borxh që s’e ka marrë nuk e njeh kurrë. Sado e dhimbshme ishte kjo, po ju them unë ty, në qoftë se do kishim bërë të kundërtën, s’do ishim sot në këtë sallë më.
Ne qëndruam, ne qëndruam të hekurt pavarësisht nga çmimi që mund të paguanim, në një parim të drejtë dhe të ndershëm, në një moral. Nuk mund të mirrje ti paratë e tjetrit që kishte vendosur në banka për të shlyer llogaritë e atij tjetrit që ishte vendosur në skema.
U përpoqën, çfarë akuzash nuk bënë. Krime kundër njerëzimit. Dilnin me një shishe Pepsi përpara thonin që ky, ky është një helm i tmerrshëm ushtarak. Po ne s’u lëkundëm. Ne vazhduam në idealet tona, në besimin tonë.Dhe ju e dini që në zgjedhjet e 2001-shit logoja e Partisë Demokratike ishte logoja më e votuar në Shqipëri. I plaçkitën, i morën, i morën. Po nuk u lëshuam. E kapëm hajdutin për fyti. E kapëm, mbrojtëm votën.
Një komunitet ndërkombëtar u detyrua të ndryshojë raportin, të përmbysë raportin pas dhënave tona. Dhe triumfuam. Ata që erdhën me dhunë, i përzumë me votë. Kjo është forca e ideve. Kjo është forca e besimit. I përzumë me votë.
Në 8 vite, Shqipëria ndryshoi sa kurrë në historinë e saj. Në 8 vite, Shqipëria u bë krejt tjetër. Shqipëria pësoi ndryshime thelbësore. Ne dolëm nga varfëria në një nivel tjetër. Kosova u bë e pavarur. Ne qëndruam besnikë të interesit kombëtar, pavarësisht nga çmimi. Pra, një parti që po dukej se po zhdukesh, u ngrit përsëri si Feniksi nga hiri. I përzuri me vota ata që erdhën me rebelim. Transformoi Shqipërinë.
Pse u ndala në këto? U ndala në këto jo për t’u mburrur me historinë tonë, po vetëm për një mesazh të saj. Ne jemi të pamposhtur. Kjo parti është parti e njerëzve të pamposhtur. Dhe këtu kjo është e një rëndësie kapitale për ta patur parasysh çdo demokrat e demokratë.
Udhëtim i vështirë. 13 vite. Represione, burgosje, plaçkitje të gjithanshme. Po ku jemi sot? Sot, e vërteta është që jemi në agun e një fitoreje të sigurt. Në agun e shndërrimit të të pamundurës në të mundur. Po pse e them unë këtë?
Miq, Edi Rama përdori shumë armë, shumë mjete për Shqipërinë pa opozitë. Nuk kam patur asnjë dyshim se ai i tillë është. Ju kujtohet, me dhjetëra herë i kam kërkuar publikisht, dëno firmën e babait tënd xhelat, që vari Hafzi Nelën, vetëm për vargjet e tij të lirisë.
Vetë ky ishte skulptor, intelektual gjoja, intelektual kriminel, dhe firmoste për të varur një poet koloz, që i këndonte lirisë, që shkruante se fryma e Helsinkit, era e Helsinkit do fryjë dhe në trojet tona, që i thurte vargje Kosovës dhe shprehte besimin se ajo do të dalë nga pushtimi serb. Dhe ky këtu firmoste ekzekutimin e tij, varjen e tij. Nuk e bëri kurrë. Nuk e bëri kurrë, sepse ky ndan të njëjtin mendësi, të njëjtin shpirt me t’jatin e tij ndaj kundërshtarit politik, ndaj mendimit ndryshe, ndaj kundërshtarëve.
Përdori mjete të mëdha financiare dhe të tjera. Përdori rrugë të shumta korruptimi e të pafundme. Por unë them ju që tani ai është buzë greminës. Dhe këtu e sollët ju. E sollët ju demokratët dhe demokratët, sepse në momentet më kritike, më të vështira, ju zgjodhët, zgjodhët vlerat, parimet dhe idealet që besoni. Unë ju shoh këtu me admirimin më të madh, ju dhe çdo demokrat, kudo që është.
Nuk ka, nuk ka në Evropë, nuk ka të dytë si ju që të jeni, që u detyruat, u detyruat në mënyrën më të, më të çuditshme, në mënyrën më të padrejtë, të zgjidhni midis Sali Berishës dhe pothuaj botës. Normal, çdo njeri do të thoshte unë zgjedh botën. Ju jo. Nuk zgjodhët as Sali Berishën, zgjodhët të vërtetën ju.
Ju zgjodhët të vërtetën. Po. Ju zgjodhët të vërtetën. Ju zgjodhët të vërtetën. E zgjodhët në një moment që edhe të gjithë të gjithë nën shtresën e atyre zhvillimeve ndoshta nuk e dinit, por nuk besuat gënjeshtrën dhe gjykuat se duhet të qëndroni për të vërtetën.
E zgjodhët në një moment që e shpëtuat opozitën. Sepse e vërteta është, t’jua them unë ju këtu, opozitën në mënyrën më makbethiane, më makabre, Edi Rama e kishte vendosur nën kontroll të plotë.
Dy dosje i kishte hapur kryetarit tonë. Dhe ia tërhiqte fijet siç donte, siç i interesonte. Ditën e thërriste në prokurori, natën i çonte Engjëll Agaçin dhe bënte pazaret në kurrizin tuaj.
Pavarësisht nga kjo, ju nuk i dinit këto në atë kohë, por ju zgjodhët të drejtën, zgjodhët të vërtetën. Ju zgjodhët për të shpëtuar Shqipërinë, një Shqipëri me opozitë. Edhe kjo është zgjedhja më e madhe që keni bërë ju në jetë. Ju garantoj se ky është vendimi më i rëndësishëm që ju keni marrë.
Për ata që besojnë në vlerat e lirisë. Dhe liria pa pluralizmin, pa opozitën e vërtetë nuk ekziston. Është një, është një nocion fiktiv. Por e thashë dhe njëherë, njerëz të pamposhtur, parti e pamposhtur. Çfarë kalvari kaluam, kaluam së bashku? Çfarë sulmesh më të pamerituara ndaj nesh? Çfarë izolimi më të thellë që mund të ketë provuar ndonjëherë? Ne që nxorëm Shqipërinë nga izolimi, u përpoqën të na izolonin pesë pashë nën dhe. Kjo është e vërteta, po ju nuk u mposhtët. Jo, nuk u mposhtët.
Ku jemi sot? Sot, ne të cilët, thashë pra, dy vite më parë u përpoqën të na izolojnë si kurrë ndonjëherë një forcë politike, jemi forca politike më e mbështetur në Europë. Janë 7 rezoluta nga tetori i 2024-ës në 5 dhjetor të 2025-ës, të cilat damkosin regjimin e Edi Ramës një lloj si regjimin e Venezuelës, si Maduro.
Janë shtatë rezoluta të firmosura nga të gjitha partitë politike të botës, të qendrës së djathtë dhe të djathta. Partitë që qeverisin sot në vendet më të mëdha dhe më të lira, të cilat damkosin Shqipërinë si një narkoshtet. Edi Ramën si një autokrat, si një njeri që plaçkit qytetarët e tij, si një njeri që ka shtruar zgjedhjet në farsë elektorale.
Lidhjet e tij të tmerrshme me kartelët e drogës. Pra, jo vetëm që dolëm nga izolimi i pamerituar, por arritëm të damkosim regjimin e Tiranës si një nga regjimet më të rrezikshme në Europë dhe në botë për sigurinë e Europës dhe për sigurinë më gjerë. Ju jeni dëshmitarë, jeni dëshmitarë. Për vite dhe vite ne denonconim narkoshtetin e Edi Ramës.
Mallkime merrnim ne, ua them unë. Si ia nxjerr goja këtë fjalë, thonin lobistët e Edi Ramës. Po ne nuk u kthyem prapa. Ne mbronim interesat tuaja, sepse ajo, ai narkoshtet u mjeronte ju. Ato euro që kushtonin, 1 euro që kushtonte 135 lekë, zbriti në 96 lekë.
Dhe mijëra prej jush, mijëra e mijëra punëtorë humbën vendet e punës se ndërmarrjet e eksportit u mbyllën. Ato euro helmi që vinin nga droga i rritën çmimet në stratosferë. Ato euro droge që vinin nga droga pakësuan me 30-40% paratë që ju vinin nga familjarët tuaj nga jashtë. Baronët e drogës u bënë të gjithëfuqishëm në të vendit. Emëronin deputetë, emëronin ministra, përcaktonin rezultate zgjedhjesh. Nuk mund të tërhiqeshim ne. Ne thonim të vërtetat dhe kjo na ka bërë ne të pamposhtur. Misioni ynë, misioni ynë është të mbrojmë interesin kombëtar me çdo çmim dhe pa u lëkundur kurrë.
E keni dëgjuar.
Ka 3-4 muaj që çdo mesazh që vjen nga superfuqia numër një e botës, nga Shtetet e Bashkuara, është vetëm për kartelet e drogës. Vetëm për kartelet e drogës. Mesazhe të tilla ka marrë Maduro gjersa e çuan atje ku duhet. Merr presidenti i Kolumbisë, merr RamaDuro i Shqipërisë.
Pse e thashë këtë? Ia dolëm. Ua them unë juve. Edhe para tre muajve, kishte diplomatë që u thoshte deputetëve tanë, le të flasë se do isha sa të dojë, po s’ia beson kush atij narkoshtetin e atij.
Po ç’kisha unë? Po mbroja veten time unë, po mbroja interesat e vendit tim. Po ja tani që narkoshteti i Tiranës është bërë problem edhe për Europën edhe për botën. Nuk tërhiqemi ne. Pse e bëra këtë analizë? E bëra këtë analizë, se tani kemi ardhur në agun e fitores tonë.
Tani ky regjim që qëndron si kalbësirë në ato zyra, është faktuar se është një regjim krimi, se është një organizatë kriminale. Është faktuar se ka vjedhur dhe vjedh çdo ditë në mënyrë të paimagjinueshme paratë tuaja dhe pasuritë publike. Është faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh kushtetutë, nuk njeh normë, nuk njeh moral, nuk njeh standard.
Dhe ajo që është kryesore, është faktuar se boshti i të keqes i të gjitha të këqijave, i të gjitha këtyre të këqijave e ka emrin Edvin Droga, Edi Rama, Rama-duro. Është faktuar se krimi i organizuar nuk i lejon shqiptarët të votojnë. Është certifikuar. Është certifikuar se zgjedhjet në Shqipëri nuk zhvillohen midis partive, po midis shtetit, narkoshtetit dhe partive. Të gjitha këto janë faktuar tani. Tani e drejta është në anën tonë. Guximi është në anën tonë.
Ne jemi në prag të fitores. Dhe ne një lloj siç përmbysëm një diktaturë në vitin ’90, siç përzumë me vota ata që erdhën me rebelim në vitin ’97, do t’i përzëmë nga pushteti, të hapim rrugën e votës së lirë të qytetarëve, e fitores së opozitës. Kjo protestë që organizojmë ne, është e një rëndësie të jashtëzakonshme.
Miq, ju keni duruar shumë, keni sakrifikuar shumë, keni vuajtur shumë. Por sot ka shpresë. Sot kemi arritur ato që dy vite më parë nuk i mendonit. Sot e drejta është në anën tonë. Sot shpresa e vetme e shqiptarëve jemi ne, është Partia Demokratike.
Sot kërkohet sakrifica jonë. Por, në qoftë se kjo është e vërtetë për të gjithë shqiptarët, për qytetarët e Tiranës kjo është tre herë më e vërtetë. Kurrë ndonjëherë nuk keni patur në dorë për Tiranën dhe Shqipërinë më shumë se sa kësaj radhe.
Dhe unë kam besim se qytetarët e Tiranës do të jenë në krye të kësaj kryengritje paqësore që do fshijë nga faqja e dheut këtë regjim antishqiptar, kriminal, këtë regjim që qeveris me me metoda më të zeza, më kriminale.
Kryeministër që u çon dhe u hakeron kompjuterët prokurorëve, për të parë nëse nëse janë të shkruajtura aty krimet e tij. Nuk duhet të presim ne, nuk do presim ne që t’i na i zgjidhë këto probleme as prokurori, as gjykatësi, askush nga jashtë. Do i zgjidhim vetë, do i zgjidhim vetë dhe ne nuk do lëshojmë në rastin më të afërt.
Ne do përballemi rrugëve të shesheve të Tiranës gjer në fitoren e Partisë Demokratike. Ju garantoj!
Ju garantoj se secili prej jush është 10 herë më i fortë, më trim, më i guximshëm se 100 hajdutë të qeverisë.
Rrofshi ju, rroftë Tirana, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore, fitore!


