FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN PËR SHTYP
EKSTRAKT
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme me gazetarët, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha se, Erion Veliaj i ka dhuruar kompanisë së vet 600 mijë metër katrorë tokë në Sharrë pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak
Berisha tha se, Veliaj sabotoi njësinë e zbatimit të projektit të inceneratorit. Kurse Lefter Koka ka akuzuar duke thënë se ma ka bërë Berisha, kur në fakt Koka ia ka bërë vetes pasi e kanë marrë me qera, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Rama-Veliaj vodhën 61 milionë euro me shpenzimet operative, ndërsa 25 milionë euro u vodhën me kostot e ndërtimit të inceneratorit.
Berisha tha se, Nga auditimi i KLSH dhe komunikimet e gjetura në email, rezulton se Rama-Veliaj kanë vjedhur dhe rrjepur taksapaguesit shqiptarë me koston 29 euro/ton. KLSH e ka nxjerrë këtë kosto tërësisht fiktive.
Berisha tha në konferencën për shtyp se, vetëm nga dherat dhe inertet, kompania Rama-Veliaj ka arkëtuar 50 milionë euro.
Berisha tha se, opozita do i përgjigjet me të gjitha mjetet e mosbindjes civile të gjithë valës së represionit kundra saj. Atë është vendosur si grup parlamentar, do vijojë me mosbindjen civile pavarësisht nga çdo lloj procedure të diktuar nga Edi Rama.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë, zonja dhe zotërinj gazetarë.
E kuptueshme që çdo njeri shtron pyetje se ku janë, kush i vodhi 130 milionë euro në 6 vite në sipërmarrjen Veliaj-Rama. Si u zhdukën në një kohë kur atë që unë e kam quajtur miniera e floririt Rama-Veliaj, nuk ekziston asnjëri nga 5 objektet e parashikuara për ndërtim në kontratë.
Pasi ne provuam me dokumente se me firmë personale të Erion Veliajt u certifikua i famshmi studim fizibiliteti, që në fakt ishte studimi bazë i vjedhjes së shekullit. Studimi i fizibilitetit i bërë në një nga aksionerët e vegjël të sipërmarrjes Rama-Veliaj, famozi Klodian Zoto, por i paraqitur me firmën e tij si sukses, si i vërtetë para ministrave Cani dhe Arben Ahmetaj, fiks nga Erion Veliaj.
Pasi faktuam me firmën personale të Erion Veliajt, se ky kreu një mashtrim të madh për ndërmarrjen e tij, firmosi se Bashkia e Tiranës dhe bashkitë e rretheve do të paguajnë nga të ardhurat e tyre 91 milionë euro për sipërmarrjen e tij, duke mashtruar dhe paraqitur atë si vendim të Këshillit të Bashkisë dhe të Këshillit të Qarkut, dhe ky s’ishte kurrë i tillë, dhe mashtrimi ka vetëm një shpjegim, se ai nuk kishte 3/5 për ta kaluar në Këshillin Bashkiak, ndaj edhe do mashtronte për ndërmarrjen e tij.
Pasi faktuam se Edi Rama në kundërshtimin më flagrant, më të paimagjinueshëm për të cilin do hyjë në Gines, firmosi bonusin 8 pikë për kompaninë për të cilën u njoftua se nuk ekzistonte, kompaninë fantazmë Rama-Veliaj, pasi ajo nuk ekzistonte.
Firmosi me firmën e tij në një kohë kur ministri i Drejtësisë i deklaronte me shkrim se kjo nuk është kompetencë e qeverisë, por ishte kompetencë sigurisht e sipërmarrjes Rama-Veliaj.
Pra, pasi rrëzuam me dokumente autentike përpjekjen e larove skapistë për ta paraqitur si strumbullar të vjedhjes së shekullit hajdutin me qera, ministrin Koka, i cili ishte thjesht i marrë me qera.
A mori diçka, a nuk mori. Por sipërmarja ishte e këtyre firmëtarëve, siç dëshmojnë të gjithë dokumentet.
Tani jemi këtu para jush për të faktuar me dokumente se pse Edi Rama dhe Erion Veliaj janë hajdutët më kryesorë të 130 milionë eurove, të paguara nga taksapaguesit e Bashkisë së Tiranës dhe qarkut të Tiranës, por edhe bizneset e këtij qarku, në sipërmarrjen e Sharrës Rama-Veliaj.
Së pari, Erion Veliaj pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak, i ka dhuruar kompanisë së vet, apo kompanisë Rama-Veliaj, 600 mijë metër katrorë tokë në Sharrë. Në qoftë se 400 mijë metër katrorë kanë ndjekur procedurën ligjore të shpronësimit, Rama dhe Veliaj kanë lumturuar veten në sipërmarrjen e tyre me 600 mijë metër katrorë tokë tjetër, për të cilën nuk ekziston asnjë procedurë ligjore e çfarëdollojtë shpronësimi.
Zonja Kryemadhi deklaroi se këtyre 600 mijë metër katrorë tokë, i janë shtuar këto muajt e fundit edhe 150 mijë metër katrorë tokë të tjera.
Imagjinoni, a mund të ketë sipërmarrje në botë që të pushtojë pa asnjë kontratë, pa asnjë tarifë, pa asnjë proces, 600 mijë metër katrorë dhe në dorën tjetër 150 mijë? Kjo ndodh vetëm kur sipërmarrja është Rama-Veliaj dhe në asnjë rast tjetër.
Edhe me Bolinon e tij kur vodhën, Rama u detyrua të vjedhë me 1 euro, siç paraqita 4 vendimet me firmën personale të Edi Ramës.
Nga auditimi i KLSH dhe komunikimet e gjetura në email, rezulton se Rama-Veliaj kanë vjedhur dhe rrjepur taksapaguesit shqiptarë me koston 29 euro/ton. KLSH e nxjerr këtë kosto tërësisht fiktive.
Prandaj ju thashë unë juve të ai studimi i fizibilitetit, ai ishte studimi i justifikimit, i bazave të vjedhjes së shekullit.
KLSH thotë se djegia sipas ekspertëve që ai ka angazhuar mund të kryhej me 14.48 euro. Resto pra, 14.5 euro do të përfundonin po të ishin djegësat në xhepin Rama-Veliaj.
Sipas përcaktimeve në kontratë, kosto për depozitim apo kapsulim është për 12 euro/ton.
Sot, 6 vite me radhë, periudhë në të cilën Erion Veliaj nuk ka djegur një ton të vetëm për faktin se djegësi nuk ekziston. Pra, gjer sot ai ka vjedhur 17 euro/ton të plehrave të depozituara për 6 vite në fushën e Sharrës, në sipërmarrjen e tyre.
Ju rikujtoj këtu, se kur kryehajduti i aferës, Edi Rama u pyet nga mediat, po si ka mundësi që ju nga 12 euro toni për depozitim, merrni për depozitim 29 euro, e kishte gjetur, tha se kjo është një tarifë e ponderuar.
Që Edi Rama nuk e ka idenë se çfarë është ponderimi, këtë e ka të qartë çdo njeri, po ç’është vjedhja dhe hajnia, ai e njeh më mirë se kushdo tjetër. Kështu atë tarifën e ponderimit ta quajmë tarifën e vjedhjes dhe hajnisë.
Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë vjedhur me sipërmarrjen e tyre në mënyrë monstruoze duke fryrë kostot e shpenzimeve operative administrative gjer në skandal.
Në vendim shkruhet se komisionin në dhënien e koncesionit, kur ka llogaritur tarifën për depozitimin e mbetjeve, përveç kostove të operimit, ka shtuar vlera shpenzimesh për të cilat nuk është shprehur më herët studimi i fizibilitetit.
Studimi që shërbeu si themel i gjithë kësaj vjedhje për të cilin u bë garant me firmën e tij, 3 herë Erion Veliaj, te Shkëlqim Cani, te Arben Ahmetaj në mënyrë të përsëritur, sepse Arben Ahmetaj e ktheu ç’është e vërteta 4 ose 5 herë studimin, jo bindës. Tani dalin edhe mbi këtë tarifë. Nuk ishte ajo që ka thënë fizibiliteti.
Dhe shpenzimet që janë shtuar në momentin e llogaritjes së tarifës arrijnë në vlerën 61.179.232 milionë euro. Nuk kanë as me fantazi nuk mund të vjedhësh më shumë se kaq.
Është faktuar se kostot e ndërtimit të inceneratorit janë gjithashtu stratosferike. Ekspertët kanë gjetur se vlerat e këtyre impianteve të ndërtuara janë fryrë të paktën me 25.738.080 euro. Nuk kanë të ndaluar. Dhe imagjinoni përsëri, nuk ekziston pas 6 vitesh asnjë impiant.
FOTO
Një vjedhje tjetër superskandaloze është vjedhja me dherat dhe inertet.
Si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e qytetit, Bashkia e Tiranës dhe Edi Rama bashkë, detyron me 3 polici, Policinë e Shtetit, ndaj është Edi Rama, Policinë Bashkiake të veten dhe policinë private të famozit Agron Malaj.
Vetëm ky i fundit paguhet me 32 mijë euro në muaj për të garantuar detyrimin e çdo ton inerte dhe dhe që krijohet nga veprimtaria ndërtuese private, të depozitohet kundrejt tarifave 8/10 euro në Sharrë.
Kujdes, se këtu vjedhja është edhe më e thellë.
Çfarë kanë bërë Erion Veliaj dhe Edi Rama? Vlerën e kontributit të sektorit privat në sipërmarrjen e tyre, nuk ia kanë zbritur sektorit publik, që duhej t’ia zbrisnin si kompensim për faturën që paguan vetë bashkia për punimet dhe që paguan sektori publik.
Jo! Po tarifën? Nuk ekziston asnjë tarifë e përcaktuar në kontratë për dherat dhe inertet. Po fitimi me shitjen e dherave? Nuk ekziston. Shkoni ju, doni të mbuloni një sipërfaqe toke me dhe, duhet ta blini në Sharrë. Pra, dheu nuk është mbetje, dheu është mall dhe i tillë ka funksionuar gjithmonë.
Kurse për Veliajn dhe Ramën, dheu është mbetje që duhet paguar dhe ta shesin, të fitojnë prap me të. Vjedhje e paimagjinueshme!
Rritet në funksion të xhepit, sasia minimale e mbetjeve që duhet të depozitohen në Sharrë nga 550 ton në 700 ton në ditë. Po sa arrin kjo në vit? Nga 200 mijë arrin në 256 mijë ton në vit.
Kjo fryrje, imagjinoni ju me peshoren e Erion Veliajt. Se vetë i peshon, vetë i taton, vetë i vjel, vetë i bën të gjitha.
Rritja e sasive minimale i është bashkëlidhur aneksit të kontratës të firmosur nga Erion Veliaj në mars të vitit 2018. Të gjitha këto së bashku, në një kohë kur nuk ekziston asnjë objekt i ndërtuar, sipas ekspertëve tanë janë 130 milionë euro të ardhura të arkëtuara nga kompania Rama-Veliaj dhe nga këto 50 milionë janë vetëm biznesi i dherave dhe inerteve.
E drejtë, çdo njeri pasi dëgjon këto shifra, pyet, ku janë veprat e ndërtuara? Asnjë nuk ekziston.
Po pse nuk ekzistojnë? Sepse garant i mbikëqyrjes së tyre me firmë dhe me vulë ka qenë vetëm Erion Veliaj. Ai është zotuar para ministrit Gjiknurit dhe më pas Balluku, se do kontrollojë me njësinë e tij çdo situacion, madje se do japë asistencën e nevojshme kompanisë. Imagjinoni pra. Dhe se do merret edhe me problemet e shpronësimit dhe të tjera.
Prisni një moment, kompania është e ministrisë. Kontraktor për kompaninë është ministria, nuk është Veliaj, po ndërmarrja është e Veliajt.
Kurse Lefteri akuzon e thotë ma ka bërë Berisha. Jo Lefter, ia ke bërë vetes se të kanë marrë me qira. Rri aty dhe mos u ndje.
Po pse kjo situatë? Pse ato nuk ekzistojnë pas gjashtë vitesh? Sepse Erion Veliaj bllokoi njësinë e zbatimit të projektit, e bllokoi me qëllim, siç kemi faktuar me shkresat e publikuara, ku i bëhet thirrje Erion Veliaj të sjellë përfaqësuesit e tij në mbledhje, pasi prej më shumë se dy vitesh, Erion Veliaj saboton mbledhjet e njësisë së zbatimit të projektit vetëm që të mos konstatohet mungesa e ndërtimit të objekteve.
Pra, ju e patë të nderuar qytetarë, që në 6 vite, janë zhdukur 130 milionë euro.
Në projektin 30-vjeçar, specialistët, ekspertë të pavarur, por edhe të PD, gjejnë se kjo aferë megakorruptive do të gjeneronte për pronarët e saj nga pagesat që merrte nga shteti dhe privatët, nga shitjet e materialeve që grumbullonte, do inkasonte të paktën 1 miliardë euro.
Kjo është përgjigjia jonë për të gjithë ata që shtrojnë pyetjen se si u vodhën paratë.
Tani kam një sqarim, me të drejtë qytetarët, mediat, kanë denoncuar me dhjetëra e dhjetëra pagesa të shpërndara që të gjitha me miratimin, me urdhrin e Erion Veliajt, për të cilin kemi informuar këtu se SKAP-i ka të dhëna, por i ka kyçur ose i ka zhdukur, pagesa për mediat, pagesa për reklama, pagesa nga më të ndryshmet, sikundër janë krijuar me dhjetëra lloj kompanish vetëm e vetëm për të varrosur të vërtetën e vjedhjes së 130 milionë eurove.
Imagjinoni ju, kur gjykatësja shkruan se u transportuan jashtë me çanta dore?
Imagjinoni a ka marrëzi më të madhe? Të imagjinosh se të transportosh 130 milionë euro me çanta dore, vargu i çantave shkon nga Tirana në Vjenë, ose nga Tirana në Mynih, ose nga Tirana në Paris.
Kjo është historia se si u vodhën, si u zhdukën, si maskohen dhe si mbrohen nga skapistët, me të cilët në daljet e ardhshme do paraqesim të gjithë implikimin kriminal të tyre në këtë aferë.
Faleminderit!
PYETJE PËRGJIGJET ME GAZETARËT
Isa Myzyraj, Ora News: Partia e Lirisë, Monika Kryemadhi kanë bërë dje disa investigime dhe ju dita ditës jeni duke publikuar prova të reja. Ku qëndron bashkëpunimi mes PD e PL-së në lidhje me këtë investigim. A keni menduar për një grup pune për të koordinuar denoncimet për këtë aferë.
Sali Berisha: Të kuptohemi, denoncimet kanë qenë të pavarura njëri me tjetrin. Kur PD ishte e verbuar nga paratë e inceneratorëve, flamurin e pat Partia e Lirisë në denoncimet e fuqishme, sepse këtu ata kishin shtrirë tentakulat e tyre dhe ishte shumë e vështirë për ata që donin të dilnin të denonconin këtë problem. E vlerësojmë kontributin e Partisë së Lirisë, dhe të gjithë atyre individëve, të mediave. Belindi është marrë jashtë mase, ka të tjerë me mbi 400 statuse denoncuese në Facebook e tyre. Edhe dalja e djeshme kontribuoi, denoncoi grabitjen e 150 mijë metër tokë tjetër, përveç 600 mijë.
Edon Kuqi, Zëri.al: Duke qenë se SPAK ka depozituar në kuvend një kërkesë për heqjen e imuniteti tuaj, lidhje me këtë përshkallëzim, Meta dhe Kryemadhi nuk kanë pasur asnjë prononcim. Vetë zonjës Kryemadhi sipas medias, i janë sekuestruar disa materiale dhe sipas lajmeve të pakonfirmuara edhe ajo është person nën hetim dhe mund të depozitohet një kërkesë për heqjen e imunitetit të saj. Përsa i përket përballjes me drejtësinë, mund të themi se ka një ftohje të marrëdhënieve mes jush dhe Partisë së Lirisë.
Sali Berisha: Së pari, nuk kanë kërkuar heqjen e imunitetit, kanë kërkuar në mënyrën më të turpshme, përligjen e aktit të tyre antikushtetues. Ata morën një vendim në shkelje të Kushtetutës, të cilin unë nuk e zbatova jo për shkaqe të mia personale, por nuk e zbatova vetëm e vetëm për të mbrojtur pushtetin e parlamentit dhe vetë Kushtetutën, sepse ata u bënë pjesë e një puçi antikushtetues, duke marrë pushtetin e parlamentit për llogari të Edi Ramës. Në vend që të kërkonin nga parlamenti, me një sens vetëqortimi, autorizimin për korrigjimin e gabimit që bënë, përkundrazi ata kërkojnë nga parlamenti, rëndimin e masës për shkak se unë mbrojta Kushtetutën. Pra, dallimi është shumë i madh.
Çfarë thotë ky dallim?
Ky dallim, për të marrë një shprehje hua të një bashkëpunëtori, është përpjekja për të legalizuar ndërtimin pa leje, kurse në gjuhën e juristëve është përpjekja për të legjitimuar të paligjshmen, aktin e tyre antikushtetues. Ndaj dhe nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë dëshmuar se ata janë një. Kjo është shprehja më tipike e partisë-shtet, ku prokuroria, gjykatësi, parlamenti, kryeministri të gjithë janë një në dorë të kryeministrit. U porositën për atë rrugë, nuk u eci, se natyrisht nuk mund të bija në gabime të rënda dhe t’i vija vetes shkeljen e Kushtetutës, atë nuk mund ta bëja. Jam ish-president, ish-kryeministër, kam zbatuar ligjet gjithë jetën time. Tani po përligjin atë akt antikushtetues që kanë ndërmarrë. Duke thënë këtë, natyrisht unë jam personi që në vitin 2012 kam dërguar në parlament ligjin e abrogimit të çdo mbrojtje për deputetët para drejtësisë. Unë kam kërkuar që deputetët të jenë të njëjtë me qytetarët e tjerë. Në këtë kontekst, cilido të jetë vendimi i parlamentit, unë do e zbatoj. Edhe nesër po ta kishin sjellë atë propozim të vitit 2012, përsëri do e votoja, nuk jam i penduar për këtë. Lidhur me Partinë e Lirisë, të gjitha këto janë përndjekje politike e opozitës nga Edi Rama.
Çdo akt, se si mund t’i sekuestrohet pa një leje, t’i kontrollohet korrespondenca deputetit pa leje parlamenti, kjo është shkelje përsëri e Kushtetutës. Kanë të drejtë, jam krenar që këtë të drejtë ua kemi garantuar ne në vitin 2012, për të tjerat, për korrespondencën, për kontrollin e banesës, ata duhej t’i merrnin leje parlamentit. Por ata nuk i marrin. Siç nuk i morën leje parlamentit për heqjen e lirisë të udhëtimit jashtë shtetit, duke e quajtur këtë se nuk është liri, pavarësisht se Kushtetuta në një vend të veçantë shkruante se kjo liri nuk mund të hiqet. Ndaj dhe është proces i persekutimit politik të opozitës dhe opozita do qëndrojë. Nuk ka asnjë ftohje me PL, përkundrazi siç e shihni jemi në sintoni me të dhe partitë e tjera të opozitës në kushtet e një diktature bande të vendosur nga Edi Rama dhe klani i tij.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Z. Berisha, ditën e hënë do të mblidhet Këshilli i Mandateve në parlament për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për masën tuaj të arrestit. Ju do të shkoni personalisht, apo do të përfaqësoheni me avokatë në seancë.
Sali Berisha: Nuk është marrë akoma një vendim se duhet të takoj avoketërit, me të cilët duhet të këshillohem për këtë. Sepse në procese të tilla duhet të këshillohesh. Nuk kam marrë akoma vendimin e avoketerëve se si do veproj ditën e hënë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Atë që kemi vendosur si grup parlamentar, ne do vazhdojmë mosbindjen civile pavarësisht nga çdo lloj procedure të diktuar nga Edi Rama.
-Meqenëse ju thoni se keni shprehur disa herë se do zbatoni vendimin e parlamentin, nëse parlamenti do të lejojë SPAK që ju të shkoni në masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, si do të vijojë aksioni i opozitës, në një kohë që ju do të jeni i izoluar në banesën tuaj.
Sali Berisha: Qëllimi i kësaj është pikërisht kjo, një goditje ndaj opozitës, nuk është puna goditje ndaj Sali Berishës. Është puna goditje ndaj opozitës. Opozita do i përgjigjet me të gjitha mjetet e mosbindjes civile të gjithë valës së represionit kundra saj.
Faleminderit!